Agim Spahiu, metafora e lirisë së munguar
nga Izet Duraku
Një hyrje në shpirtin e trazuar
1
Nga koha kur jemi ndarë me Agim Spahiun kaluan 20 vjet, si 20 ditë të shkurta. Ndërkohë që mjaft rrebeshe gërryen pa mëshirë trupin dhe shpirtin tonë të pambrojtur, dëshprimi për të mbetet i njëjtë, si në ditët e para. S’mbaj mend njeriun që solli lajmin e zi në Radio Kukësi. S’më kujtohen saktësisht as fjalët. Mbaj mend vetëm se përmendte spitalin, ku Agimi po luftonte për jetën e tij. Po luftonte… onte… Ende kujtoj se më vjen bota rrotull. Si nuk iu hoq lufta deri në çastet e fundit?!
Më pastaj, në intervalin e shkurtër disa ditor të spitalit, shpresat për shërim dhe kumtet e këqia, u ndërruan disa herë, duke lënë dashamirët e tij të shumtë në një gjendje të pezullt ankthi.
Gruaja e tij, Zana, familjarët, miqtë në Tiranë dhe miku që u nda i fundit me të, piktori Xhevahir Kolgjini, ishin gjithashtu të shokuar.
Agimi përmendej, zhytej në pakthim, përmendej sërish… Dëgjonte për vajzën, djalin. Zgjohej me rrjedhje lotësh, margaritarët e fundit të dhimbjes së tij. Ida dhe Arbëri, bija dhe biri, dritat e syve të tij, që po shuheshin në flakë të përjetshme malli. O zot kujdesu për lulet tua, lutej në orët e mbrame. Shtjella oqeanike e vdekjes sulej mbështjellshëm me pala të errta. Ai buzëqeshte. Ashtu me buz në gaz iu dorëzua shtjellës së shurdhër. Nuk deshi të zgjohej, refuzoi të kthehej, të vinte sërish në botën tonë. Të piqej sërish me ne, të shihte të njejtat fytyra, të dëgjonte të njejtat zëra. Të arsyetonte, të polemizonte, të kundërshtonte për të mijtën herë rreth të njejtave halle njerëzore, tokësore, baltërore…
Donte diçka tjetër, të pa arritshme asnjëherë, që, mbase, nuk e arrin për së gjalli asnjë i vdekshëm i kësaj bote.
-Mos u lodh, e deshi qielli, më shumë seç e deshëm ne, më thotë këto ditë Islam Spahiu, një i afërm i tij, që e njohu dhe e mbajti ndër duar në motin e parë të jetës.
Ditën kur trupi pa jetë i tij erdhi në Kukës, kam ndenjur gjatë me Xhevahir Kolgjinin. Dhimbja ime i ngjante brengës pa shërim që kemi për ato që duam, për të cilët mendojmë se në një farë mënyre i kemi braktisur, harruar, tradhtuar. Një ndjenjë faji që kërkon shpjegime. Sikur të vepronim ndryshe, sikur të shfaqnim gjithë vëmendjen e dashurinë që mund të jepnim, Agimi do të ishte gjallë me ne. Kështu mendoja atëherë dhe njëlloj mendoj dhe sot për ata që s’janë me ne. (Po, të prekur për vdekje nga sëmundja e pashërueshme e mosdashjes, harrojmë të gjallët e tjerë, për të cilët prapë mbase do pendohemi.)
Nga biseda me Xhevahirin, mbase shpresoja të çlirohesha njëfarsoj prej kësaj barre.
Pas një nate të gjatë dhjetori, që thuajse qe sosur nën qiellin e turbullt të Tiranës, ata qenë kthyer në apartamentin ku pushonin së bashku shpesh herë. Ngjitën njëri pas tjetrit shkallët e errta të pallatit dhe ndërkohë që Xhevahiri po kërkonte çelësin e derës, ndjeu shkëputjen e tij përmes boshësisë së kafazit të shkallëve. Zgjati dorën, por brenda pëllëmbës i mbeti kopsa e xhupit prej lëkure, ajo kopsë që mbërthehej te kyçi i dorës.
-Ato çaste të tmerrshme për mua, me pullën e këputur në dorë, teksa trupi i tij ndodhej jashtë shkallëve në boshllëk dhe po binte, po binte drejt tokës, nuk do t’i harroj sa të jem gjallë,- më tregoi Xhevahiri. Agimi më pa drejt në sy i qetë, krejt i qetë dhe i vendosur. Sikur më thoshte: -Po shkoj, miku im. Ju ejani, kur të doni. Tani të gjitha janë tuajat. Drekat, darkat, argëtimet, pronat, punërat e merituara apo të marra pa meritë, medaljet, hatërmbetjet, sherret. Ka gjithçka për të gjithë, mos u zini, për hatër të zotit. Lamtumirë!
Radio Kukësi dha ato ditë më shumë se çdo herë tjetër muzikë funebre. Muzikë dhe vargje të krijimtarisë së tij. Por Agimi nuk kthehej. Ai na vështron nga qielli duke zotëruar krejt të vërtetën që e shprehu me artin e tij dhe të vërtetën, që vetëm ai ka të drejtë që ta shpallë si të tillë. Përpjekjet e mia për t’ju afruar asaj do të jenë gjithnjë të mangëta, të paplota. Shpresoj që t’i afrohem sadopak të vërtetës duke kërkuar ndihmë në vargjet qiellore të Agimit.
Lexoj dhe rilexoj “Njeriu mbi Pikëllimë” dhe më bëhet se shoh mjaft qartë autorin e vargjeve në beteja të shumfishta me pushtetin, e pushtetarët, me gjithë luzmën e pafund të tokësorëve, që e pengonin në përpjekjen e tij në shërbim të së mirës, të dritës që triumfon mbi natën e keqe të zilisë, poshtërsisë, ligësisë e dhunës së pashpirtë njerëzore. Një betejë që e zhvilloi pa ndërprerje midis trupit që do të mbijetojë dhe shpirtit, midis baltës së përbaltur të tokës dhe qiellit të paqtë.
Agimi e kishte zgjedhur me kohë alternativën e tij pa kurrfarë dileme.
Ishte vetë Sokrati, jo veç pamja e vuajtur e tij. Ndërsa derrat sokratër, le të zhgërryheshin sa të donin në batakhipokrizinë e tyre. Kishin dhe kanë gjithë llumin e zotit për t’u përlyer…
.
2
Vdekja e poetit midis krijuesve të paktë në Kukës ra si rrufeja pa re në qiell. Fillimisht shtangëm. U ndjemë të vetmuar dhe si të braktisur në det, ku u krijua sakaq një vorbull përpise, ashtu siç krijon për barkat e vogla, mbytja e anijes pranë tyre. Pashë se si disa rremtarë u grahën me tmerr lopatave, po disa të tjerë filluan ta kenë lakmi gjithnjë e më shumë gjeratoren e shpejtë që të merr me vete. Fundja, jemi të gjithë kalimtarë në këtë botë të rrejshme, ku bukuri përvëluese i shfaqen njeriut në segmentin e shkurtër midis lindjes dhe vdekjes.
Përpjekja njerëzore për t’i mbërritur e shijuar caqet e dëshiruara ka krijuar në formë mallkimi mitet e vuajtjes me emrin e Sizifit a Tantalit.
Agimi e ngjiti gurin e tij në majë të malit duke e ngulur mbi Pikëllimë. Si Fishta që e vuri te Mrizi i Zanave, si Naimi te Bukuria njerëzore, si Migjeni në Malin e Mjerimit. Shenjën e tij të përjetshme s’mund ta shkulë kurrfarë shkundullimi.
Agimi shkoi i qetë. Tani s’ia kam frikën vdekjes, i shkroi miku të vet, pak para se të ikte. Sepse, siç tha vetë, libri i tij, puna më e zgjedhur e gjertanishme do t’u ofrohet njerëzve që deshi gjithë jetën…
Për bukuritë e synuara s’iu desh të ndërmerrte udhëtime të largëta. Ato i gjeti brenda vetes së vet ku bota e njeriut ndjehej mirë si në hapësirat planetare. Jetoi i rrethuar prej malesh të shenjtë e lumenjsh, që rridhnin, bashkë me ujrat e tyre, krejt të bardhën e zinë e botës.
…Sapo është zhvilluar në Tiranë, Panairi i përvitshëm i Librit. Shtëpia botuese “Konica” e Prishtinës paraqiti, pas 15 vjetësh, letrat e Agimit të ruajtura me fanatizëm prej vëllait të vet kosovar, Shefqet Dibranit. Letra të shkruara si biseda të hapura me mikun e zemrës në kapërcyell të kohës, kur shpresat e mëdha përziheshin me dëshpërimin e zhgënjimet. Fjalë të dala prej thelbit të zemrës, krejt hapur, pa kurrfarë rezerve a kompleksi. Të drejtuar vetëm për mikun e vet, pa asnjë qëllim botimi. Të ruajtura po kështu nga Shefqet Dibrani, veç për hatër të skrupujve të tij që nuk e lejojnë të shpërfillet askush. Si kullat e moçme që prisnin miku kurdo që të vinte, kush ka trokitur a bujtur tek Shefqet Dibrani, e ka të sigurtë se nuk harrohet. Në arkivin e tij ruhen më shumë se 10 mijë letra. Falë këtij pasioni të virtytshëm rikthehet sërish të flasë me ne shpirti i trazuar i Agim Spahiut, që dinte kujt t’i drejtohej, dinte kujt t’i besonte.
15 vjet, 15 panaire të zhurmshëm librash. “Male” me letra…
Gjithë këto libra dhe prapë s’po gjej ato që më duhen. Në zallamahinë e panairit e dëgjova shpesh herë ankesën paradoksale. Të ze paniku nganjëherë. Piramida e librave (stendën e saj një shtëpi botuese e kishte sajuar në formë piramide), ky “mal” i madh prej letre duket se do të varrosë nën vete letërsinë e vërtetë. Po frika është e kotë. Blerësit dalin me dy a tre libra nga panairi duke zgjedhur nga universi letrar yjet më të spikatur, shkëlqimi i të cilëve nuk venitet kurrë.
3
Raportet mes krijuesit dhe njeriut jo gjithnjë krijojnë mardhënie harmonike. Në letërsinë shqipe pranohet gjerësisht një shkrirje ideale ndoshta në pak emra si bie fjala te De Rada, Naimi, Petro Marko, etj, ku njeriu i mrekullueshëm përputhet me gjenialitetin krijues të tij.
Edhe në rastin e Agim Spahiut, për fat, kemi të njejtën pamje të pazakontë ku krijuesi dhe njeriu nderojnë njeri-tjetrin. Ndoshta ndikimi mesianik i rilindësve dhe drita sublime e qiririt naimjan ishin bërë pjesë e shpirtit të Agim Spahiut, zemra e të cilit rrihte sipas ritmit të përpjekjeve, synimeve dhe ëndrrave të njerëzve të tij.
Sipas kësaj optike, arti shndërrohej në mision dhe shkrimtari hynte në shtegun e rrëpirtë të misionarit. Atje, krateret përvëluese e humnerat e akullta këmbehen vazhdimisht me njëra-tjetrën.
Për Agimin rilindësit nuk ishin vetëm në libra shkolle. Shpirti i tyre qe murosur në themelet e kullave të familjes së tij, të ngritura nga luftëtarë të mëdhenj që shkruan epopenë e qëndresës kombëtare në Qafën e Kolesianit, e cilësuar si “Termopilet shqiptare”. Gjaku i këtyre luftëtarëve që prehen në panteonin e lavdisë trashëgohej drejtpërdrejt nga Agim Spahiu.
Zhguni i rëndë i misionarit mund të përballohej si luftëtar me një vullnet të hekurt.
Vetëm kështu mund të kuptohet se si Agim Spahiu përballoi peshën e makinerisë shtetërore që automatikisht prodhonte për poetin rraskapitje fizike e shpirtërore, vetmi vrastare, përbuzje, përqeshje të idhta, kanosje e kërcëllima dhëmbësh… Hekurat e ndryshkur të burokracisë komuniste fërkoheshin me zhurmë. Ashtu me kuisje e skithje rrëqethëse vazhdonin lëvizjen torturuese. Një dhimbje pa fund e mundimshme.
Makina kafkiane e regjimit ushqehej me mishin e ëndrrave dhe shpresave. Në ingranazhet e saj synohej të jepnin shpirt metaforat, të përpëlitej e të vdiste arti i vërtetë. Herë-herë shtrëngimet e saj bëheshin uluritëse. Përveç poezisë donin të mbysnin vetë poetin. Për të mbijetuar ai i hidhte ndonjë varg, flijonte ndonjë figurë. Kur përbindëshi bëhej gati ta gllabëronte me gjithë rroba, heshtej duke mallkuar me vete.
-Hangsh kryet tënd, u ngopsh në ferr, o zot!
Agimi ia doli t’i mbijetojë shkretëtirës së realizmit socialist.
Duke e mbrujtur poezinë me gjakun dhe mishin e vet, bëri që ajo të rritet e shëndetshme, e ndjeshme e mbi të gjitha, siç do të vërejnë dhe studiuesit e tij, me një origjinalitet dhe bukuri të rrallë, mahnitëse. Në thelb të saj qëndronin brengat e mëdha ekzistenciale të mbijetesës kombëtare në rrjedhë të kohës. Mbi gjithçka therte brenga e gjithkohshme e coptimit, veçimit dhe izolimit të vendit.
Dhimbja që buroi prej ndjenjës së sinqertë dhe flaka hyjnore e frymëzimit që ushqehej me trupin e paktë të poetit, e shpëtuan poezinë.
Ndonëse ishte ende herët për t’u marrë me brenga të holla vetjake, Agimi ia doli të krijojë tablonë dramatike të dashurisë, plot ngjyra e dritëhije. Vibrimet e përjetshme të saj, ashtu në zgrip midis jetës dhe vdekjes na lenë pa frymë. Një dashuri e pastër, kristalore, një lirizëm i hollë elegjiak e vetëflijues…
Siç i jepej me trup e shpirt krijimit të poezisë, ashtu i ndërtonte Agimi marrëdhëniet me njerëzit që donte. Pa kërkuar asgjë prej tjetrit, jepte gjithçka që kishte. Komunikonte lirshëm, pa paragjykime. Ishte i drejpërdrejtë. Qeshte me lot ose idhnohej, zemërohej. Veçanërisht me ata që donte më shumë, me të cilët pastaj pajtohej shpejt.
Kishte një rreth të gjerë të njohurish nga të gjitha profesionet dhe shtresat shoqërore. Me secilin fliste në gjuhën e tij. Respektonte të moshuarit, sidomos ata që përcillnin zgjuarsi e kurajo. Adhuronte trimat…
.
(Fragmente nga libri “Agim Spahiu, metafora e lirise se munguar)