back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Mit’hat Araniti – Bashkëvuejtës dhe mik i paharruar – nga Lek Pervizi

Gazeta

Mit'hat Araniti 1936
Mit’hat Araniti (1912-1992)

Mit’hat Araniti – Bashkëvuejtës dhe mik i paharruar

nga Lek Pervizi

Kujtojmë intelektualin e lartë,
patriotin e shquar dhe njeriun e rrallë
Mit’hat Araniti,
në 28-vjetorin e vdekjes, me 29 nëntor 1992
.
Me Mit’hatin kam pasë rastin të kaloj një pjesë të mirë të dënimeve që na ishin ngarkuar mbi kurriz, pandërprerje, nga viti 1944 deri më 1990. U njohëm në Shtyllas dhe Radostinë të Fierit, kur na kishin aneksuar në kampin e të burgosurve, që hapnin një kanal faraonik, ku na kishin detyruar të punonim edhe neve, që ishim të internuar.
Këta të internuar ishim rreth 100 vetë, shumica mbi 60 vjeç, të gjithë intelektualë të lartë. Ajo masë ishte marrë, sepse do të krijohej kampi i Kuçit të Kurveleshit, ose siç quhej i Vlorës.
Para se të na nisnin atje, nga grupi ynë kishin çuar disa punëtorë të riparonin dy shtëpi të Gjolekajve enkas për ne. Sa ishim aty, me Mit’hatin, Ali Erebarën dhe Sami Hysin, na caktuan të punonim për një ekspozitë bujqësore, ku qëndruam një muaj me Mit’hatin në një dhomë që na e kishin caktuar. Unë punoja si piktor, kurse Mit’hati me dy të tjerët merreshin me zbukurimet e pavioneve. Këtu u forcua mjaft miqësia jonë, pa dallim moshe, mbasi faktikisht unë isha si një nxënës i tij, por ai sillej si t’ishim të një moshe. Kjo ishte ajo anë e çmueshme e Mit’hatit, por edhe e gjithë intelektualëve, me të cilët ne të rinjtë ndanim vuejtjet. Aty Mit’hati u njoh me aftësitë e mia si piktor. Mbas punës e kalonim kohën me biseda dhe, meqë na jepnin vetëm racionin e bukës, shkonim e hanim në një restorant. Meqenëse unë kisha mbaruar një metodë të gjermanishtes, ai më stërviste në të folur. Mbasi puna aty mori fund, na transferuan me pjesën tjetër në Kuç, në ato dy banesa që ishin riparuar për grupin tonë. Aty ishim të ndarë në disa dhoma, ku më e madhja ishte ajo e jona, pra e grupit me të rinjtë, e ku mblidheshim të bisedonin, të luanim shah, domino, letra për të kaluar kohën. Aty grumbulloheshin shumica e ku ndizej edhe debati për çeshtje kulturore, letrare, historike, gjuhësore dhe politike. Mit’hati si njohës i disa gjuhëve të huaja, në Burgun e Tiranës kishte qenë në grupin e përkthyesve, të krijuar aty nga vete qeveria. Jo vetëm Mit’hati, por edhe shokët e tij përkthyes i kishin sjellë aty në Kuç, si: Mihal Sherkon, Lazër Radin, Nedim Kokonën, Sami Hysin, etj.
.
Mit'hat Araniti 1957 Kuç - Portret me laps nga Lek Pervizi
Mit’hat Araniti 1957 Kuç – Portret me laps nga Lek Pervizi
Mit’hati rrinte ne një dhomë të vogël me Viktor dhe Ernest Dostin, por që shumicën e kohës e kalonin në dhomën tonë, që u bë si të thuash auditori i “Akademisë” së Kuçit. Aty ishin mbledhë Guljelm Dedën, që po përkthente “Orlandin e çmendun”, të Ludoviko Ariostos, Ali Erebarën, i cili për disa mbramje na lexontte një përkthim të tij mbi historinë balkanike, me mbretër, princa e oborre mbretërore, Ekrem bej Janina që kishte nisë të na jepte mësime për turqishten, Ali Cungu që na tregonte për shkollën e Fulcit, Lazër Radi që kishte mbrojtë doktoraturën me Kanunin e Lek Dukagjinit, duke e krahasuar atë me të drejtën romake. Me këtë punim, ai i kishte lenë gojëhapur profesorët italianë. Aty në mbramje, mbas apelit, ne mblidheshim dhe ndodhte që edhe këndonim për të kalue mërzinë asaj gjendje dënimi, dhe izolimi nga bota, aty midis maleve të Kurveleshit.
.
    Portrete të Dedë Gjonmarkajt, Mit'hat Aranitit e Thabit Rusit     nga Lek Pervizi - Kuc 1958
Portrete të Dedë Gjonmarkajt, Mit’hat Aranitit e Thabit Rusit
nga Lek Pervizi – Kuc 1958

Mbrëmjen e shoqëronim me raki mare dhe që mbyllej me një “sulm” mbi Skënderbeun. Nga kjo unë kisha pikturuar ne mur portretin e Skënderbeut me bojë këpucësh. Kështu që ceremonia e sulmit merrte shkas për t’u kryer. Por dolën edhe dhomat e tjera që kërkonin nga një figurë në murin e tyne. Kështu në dhomën e Erebarës bëra Lek Dukagjinin. Ndërsa në dhomën e Mit’hatit, ai më kërkoi t’i baja mbretëreshën Teuta, për të nderuar gjitha gratë shqiptare. E kështu… u bë edhe portreti i Teutës. Gjatë kësaj kohe unë bëja edhe vizatime për ata që vinin e rrinin me ne te dhoma jonë, kështu i bëra tri skica Mit’hatit, që për fat kanë shpëtuar, dhe janë paraqitë dhe në albumin e vizatimeve të mia nga kampi i Kuçit. Këto vizatime i bëja, ndërsa rrija në qoshën time, duke lexue ndonjë libër. Kjo ndodhte zakonisht mbrëmjeve kur mblidhëshin aty mbas apelit. Në ato rrethana, aty lejohej vetëm ardhja e familjeve. Mit’hatit i vinte e motra me vajzën në kohën verore, bile për këtë ndërtuem edhe një kasolle ku të rrinin. Ajo na kishte sjellë edhe libra të zgjedhur, kryesisht frengjisht, ku unë pata rast të lexoj dy biografi të Emil Ludvigut: mbi Marie Teresën dhe Shubertin. E motra ishte një grua shumë dashamirëse dhe një ditë unë i dhurova dy si kartpostale, që hapeshin e aty dilte një flutur e bukur krahapun, punue me akuarel.

Një kuti akuarelesh ma kishte dhanë Pandeli Shomo qënë Fier. Po si ndodhi?! Lem Dedës i kishte ardhë një kartpôstale e tillë për Pashkë nga i vëllai në Brazil. Kur hapej, ajo tregonte një flutur krahapur. Kështu më erdhi ideja dhe e sajova me fletë nga fletoret e vizatimit që shiteshin për shkollat. Ajo më tha që të bëja një sasi të tilla kartpostalesh me flutura se shitën në Tiranë. Kështu unë, që s’kisha punë, veçanërisht paradite, kur në dhomë rrinim vetëm unë e Lem Deda që përkthente Arioston.
Ishte kohë vere. Mbi bazë të atij propozimi, sajova nja 100 copë të tilla, ku fluturat e mia ishin fantastike, e të ndryshme nga njera-tjetra. Kishte edhe nga një urim për jetë të lumtur. Kur erdhi verën tjetër, e motra e Mit’hatit mbeti e befasueme dhe i mori kartpostalet. Pas disa kohësh erdhi dikush dhe i solli Mit’hatit 2500 lekë për mua. U çudita. Si kishte ndodhur ajo punë? Më vonë na tregonte e motra kur erdhi. Në Tiranë kishte kioska të vogla private që shitshin kinkaleri, cigare, zarfa e kartolina etj. Ia kishin marrë menjeherë kartpostalet me flutura.
.
Mit'hat Araniti - Skice nga Lek Pervizi
Mit’hat Araniti – Skice nga Lek Pervizi
Ato i kishin shitur të gjitha, sepse vajzat i pëlqenin shumë. Me këtë rast unë desha t’i jepja 500 lekë Mit’hatit, por ai nuk pranoi kurrsesi.
Të tillë njerëz nuk lindin më! Vite më vonë na erdhi transferimi ynë në Lushnje, në Gradishtë, prej nga ku na shpërdamë në punë të ndryshme: bujqësore, ndërtimore e mekanike. Mit’hati qëndroi do kohë në kampin e Çermës, ku i kishte sjellë edhe babanë. Më çoi fjalë, dhe shkova e u takova me të. Atij iu ba shumë qejfi, sepse e kishte njohur edhe babanë tim. I ati i Mit’hatit, Mustafa Araniti ishte një ndër themeluesit e ushtrisë shqiptare, ministër i Luftës dhe në detyra deri më 1927, kohë kur kishte dalë në pension. Por ai ishte shumë i moshuar dhe i sëmurë. Shumë shpejt edhe vdiq. Më pas Mit’hatin e trasferuan në sektorin e Dushkut si ndihmës topograf, ku ishte bashkuar dhe martuar me një kushërirë të Arshi Pipës, Agimen, e cila kishte bërë edhe ajo katër vite burg. Tek ata, shkoja herë mbas here, se më çonte edhe puna. Në këtë kohë Mit’hati po merrej, përveç punës në bujqësi, e kishin caktuar, me Muzeun Arkeologjik të Durrësit, ku merresh me përkthime nga gjermanishtja, punë që ia kishte besuar drejtori i Muzeut, Vangjel Toçi. Mit’hati me kishte propozuar të bëja edhe disa vizatime të objekteve arkeologjike për shoqërimin e librave. E kishte marrë aprovimin e Gjergj Vlashit, i cili do t’i sillte modelet.
.
Ded Gjonmarkaj, i pari ulur në Kuç të Kurveleshit të Vlorës 1957, Skënder Qyteza, Nikoll Paluca, Ernest Dosti, Thabit Rusi. Në këmbë Lek Pervizi, Viktor Dosti, Mit'hat Araniti, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Tomorr Dine.
ne qender Mit’hat Araniti, në Kuç të Kurveleshit 1957,
Skënder Qyteza, Nikoll Paluca, Ernest Dosti, Thabit Rusi.
Në këmbë Lek Pervizi, Viktor Dosti, Mit’hat Araniti, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Tomorr Dine.

Mit’hatit i kishin dhanë për banesë një barake, por aty një ditë ra zjarri dhe iu shkrumuan të gjitha: edhe përkthimet edhe shkrimet e Mit’hatit. Më pas kaloj do kohë pa u parë derisa erdhi fundi i diktaturës. Pak para se të rrëzohej Muri, në moshë tashmë të thyer, Mit’hati dhe agimja mundën të rrinin në Tiranë, te vajza e vetme Odeta, ku unë pata rastin dhe fatin t’i takoj për herë të fundit, kur na liruan më 1989, para se të largohesha familjarisht për në Belgjikë.

S’kisha si me e harrue Mit’hatin e dashur, bile këmbyem edhe disa letra. Në një shkrim të tij, ai përshkruen Mbledhjen e Mukjes ku ai kishte qenë si përfaqësues i Ballit Kombëtar. Në revistën Kuq e Zi e botova shkrimin e tij për Mukjen dhe pjesë nga libri në dialektin tirons, “Qyfyre të Rrem Voglit”, si dhe disa nga vizatimet që i kisha bërë.
Për të bërë më të plotë këtë shkrim, po japim këtu poshtë si ai është paraqitur edhe në faqen e ëikipedias në shqip.
 .
Vizatimet nga Lek Pervizi Marrë nga albumi “Në rrathët e Ferrit”, Tiranë, botim i ISKK, 2013
 
Mit'hat Araniti 1992
Mit’hat Araniti 1992

Mit’hat Araniti ose Aranitasi (Selanik, 15 mars 1912 – Tiranë, 29 nëntor, 1992) ka qenë jurist, shkrimtar e publicist i shquar në vitet ’40 me fejtone humoristike e skica me dialekt tirons, të cilat u përmblodhën në veprën Qyfyret e Rrem Voglit, katunar prej Rrashbulle, i cilësuar edhe nismëtar i letërsisë dialektore. Përfaqësues i Ballit Kombëtar në Mbledhjën e Mukjes, bëri katërmbëdhjetë vite burgime e internime. Qe një përkthyes i palodhur i mbi 200-250 njësive përkthimore ende krejtësisht të identifikuara, të tilla si: libra shkencorë, separate dhe studime arkeologjie, historie e albanologjie.

U lind në Selanik më 15 mars 1912, i biri i Mustafait dhe Naxhijes, ku i ati ishte me detyrë ushtarake dhe prejardhjen nga familja e kishte nga Aranitasi i Mallakastrës. Në qeveritë mbas Kongresit të Lushnjes, i ati u zgjodh ministër Lufte dhe pas 1927, qe Kryetar i Gjyqit të Përhershëm Ushtarak. Në këtë kohë ai doli në pension.
Mit’hati shkollën fillore e kreu në Freistadt, Austri dhe më pas në shkollën italiane të Korfuzit, të mesmen në Pisa e Monte Mario pranë Romës dhe arsimin e lartë për jurisprudencë në Zagreb të Mbretërisë Jugosllave, pas një pushimi dyvjeçar pranë familjes. Ka ushtruar profesionin e gjykatësit të Paqes në Gjirokastër 1940, embas një viti edhe Prizren. Mori pjesë në organizimin e Balli Kombëtar, më pas u kthye në Ministrinë e Drejtësisë, që e riemëroi në Prizren, më pas në Elbasan dhe në Durrës deri më 1943, kur doli në mal në radhët e çetave nacionaliste të zonës së Mallakastrës. Mori pjesë në përfaqësinë e Ballit Kombëtar në takimin ku u arrit Marrëveshja e Mukjes. Në fund të vitit 1943, emërohet shef personeli i Ministrisë së Drejtësisë, kjo detyrë u bë shkak i arrestimit me akuzën si anëtar i Ballit Kombëtar. Kreu rreth një vit burg në Burrel, e më pas burgimin tjetër e kaloi në burgun e Artizanatit në Tiranë për mbi nëntë vite, ku bashkë Mihal Sherkon, Mirash Ivanaj, Lazër Radin e të tjerë intelektualë të lartë përkthyen gjithë legjislacionin dhe bazat teorike të funksionimit të shtetit.
.
Kampi i Çermes - 1958 në krye Lazër Radi, X, Mit'hat Araniti, Mojsi Miraka, Cen Golja, Flamur Sfiri, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
Kampi i Çermes – 1958 në krye
Lazër Radi, X, Mit’hat Araniti, Mojsi Miraka, Cen Golja, Flamur Sfiri,
Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi,
Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
U lirua në prill të vitit 1954, por fill mbas lirimit u internua në disa kampe gjatë periudhës maj 1954- 1960: në Kuç të Kurveleshit, Shtyllas e Radostimë të Fierit si dhe Çermë, Dushk e Gradishtë në Lushnjë. Si shumë të dënuar të tjerë, gjatë dënimit u mor me bujqësi dhe banesa e familjes ishte një barakë. Krahas veprimtarisë në bujqësi, u mor dhe me përkthime duke qenë se përkthente nga 6-7 gjuhë huaja.
Ndërroi jetë më 29 nëntor 1992, pranë së bijës së vetme, Odeta Zhegu, pa arritur t’i shpërngulet gjendja civile nga vendet e dënimit. Për një dhjetëvjeçar (1934-’44) ka shkruar në shtypin e kohës (“Illyria”, “Bota e Re”, “Revista Letrare”, “Bashkimi i Kombit” etj.) me pjesët e tij satirike, i njohur me pseudonimet Rrem Vogli, Jago Blini, Ja Që Hë dhe Sufi Asmon Sufës.
Më 1996, iu botua përmbledhja “Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rrashbulle: Skica humoristike dhe publicistikë, ku përfshihen poezitë si dhe disa intervista dhe artikuj të viteve të fundit të jetës nën kujdesin e të bijës, Odeta Zhegut.
Mit’hat Araniti zotëronte një sërë gjuhësh të huaja, të tilla si italishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, anglishtja dhe serbo-kroatishtja. Në burg nxuri gjuhën ruse, ndërsa turqishten e kishte gjuhën e nënës, në moshën 61 vjeçare nisi të nxënte rumanishten. Përktheu me mëditje për Muzeun Arkeologjik të Durrësit dhe të Tiranës, në fushat e albanologjisë, arkeologjisë, numizmatikës, etimologjisë, etj. Ndër autorët e përkthyer prej tij futen Meyer, Russo, Krahe, Stipčevič, de Simone, Jokli, Praschniker, Garaschanin, Benac, Walde, Hahn, Schufflay, Rendič-Miočevič, Katičič, Teodorova, Papazoglu, Schuckhardt, von Thalloczy, Kilian, Roman, etj.
Përkthimet e daktilografuara zakonisht në katër kopje, janë bërë pjesë e fondeve të Bibliotekave Shkencore, së pari të Universitetit të Tiranës dhe më pas të Akademisë së Shkencave, e cila i porosiste përkthime deri pak para se të ndërronte jetë.
Përkthimi i tij i Fjalorit etimologjik të gjuhëve indoevropiane me tre vëllim, hartuar nga Alois ëalde dhe Julius Pokorny nga gjermanishtja, qëndroi në dorëshkrim i pabotuar për dekada të tëra në Bibliotekën e Durrësit.
Më 1958, u martua me Agime Pipën (lindur më 9 shtator 1924 në Shkodër), u arrestua më 12 shtator 1946, tri ditë pas kryengritjes së Postribës, por urdhër arresti u lëshua tre muaj më vonë në dhjetor 1946. U dënua me 10 vite burg, u lirua më 1951; ka lënë një ditar në dorëshkrim. Patën së bashku vetëm një vajzë, Odetën.
Për punën dhe veprimtarinë e tij patriotike e kulturore, pas vdekjes, që i erdhi më 29.11.1992, është dekoruar me titujt e urdhërat më të lartë nga Presidenti i Republikës, “Pishtar i Demokracisë”, “Naim Frashëri” e “Nderi i Kombit”
.
Marre nga Revista kulturore “Bardhezi” Nr.159
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.