back to top
8.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Baltazar Benussi (1897-1982), nga hartuesi i legjislacionit modern përfundoi si shitës cigaresh nga burgu i Burrelit – në internim në Kuç të Kurveleshit…

Gazeta

Baltazar Benussi (1897-1982)
Baltazar Benussi (1897-1982)

Baltazar Benussi (1897-1982),

nga hartues i legjislacionit modern përfundoi shitës cigaresh

nga Burgu i Burrelit – në internim në Kuç të Kurveleshit…

Si e persekutoi regjimi komunist një ndër personalitetet më të spikatura
të fillimshekullit të shkuar në fushën e jurisprudencës
 
Baltazar Benussi është hartuesi i legjislacionit shqiptar të periudhës së Monarkisë. Është një ndër personalitetet më të spikatura të fillimshekullit të shkuar në fushën e jurisprudencës. Baltazari lindi më 6 janar të vitit 1897, në qytetin e Shkodrës. Studimet e para i kreu në Kolegjin Saverian të këtij qyteti. Baltazar Benussi ndërpreu studimet në këtë kolegj për t’i vazhduar katër vitet e fundit në Kolegjin Jezuit të Peshtit në Hungari. Pas përfundimit të studimeve atje, më 1916 u kthye në vendlindje. Në vitin 1920, iu aprovua e drejta për të ndjekur studimet në degën e Jurisprudencës pranë Universitetit të Romës në Itali.
Benusi Baltazar u diplomua në vitin 1924, pranë universitetit të Romës. Më vonë vazhdoi studimet duke mbrojtur gradën shkencore, Doktor në Jurisprudencë. Është një nga hartuesit e Legjislacionit modern shqiptar të periudhës së Monarkisë shqiptare.
Mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ai ushtroi profesionin e avokatit për pak kohë. Në vitin 1947, u arrestua në qytetin e Beratit, i akuzuar për agjitacion e propagandë dhe si pjesëmarrës në organizatën “Bashkimi Demokrat”. Më 30 mars 1948, Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaroi fajtor me akuzën: “Ka marrë pjesë në mbledhje të ndryshme dhe ka hapur parulla, me qëllim që të ulin prestigjin e Shtetit dhe të ngjallin pabesim ndaj masës së popullit” dhe e dënoi me 15 vjet heqje lirie, humbjen e të drejtave civile e politike për 5 vjet kohë, si dhe me konfiskimin e gjithë pasurisë së tij, të luajtshme e të paluajtshme. Por një muaj më vonë, më 21 prill të po atij viti, Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake ia ktheu dënimin në 5 vjet heqje lirie dhe konfiskim të gjysmës së pasurisë.
Më 20 gusht të vitit 1948, Komiteti Ekzekutiv i K.P. të rrethit të Tiranës vendosi sekuestrimin e të gjithë pasurisë së tij. Si pasojë e këtij vendimi u sekuestruan tre vila luksoze në Tiranë, kurse familja e tij u nxorr me përdhunë nga shtëpia vetëm me petkat e trupit dhe u dëbua nga Tirana për në Shkodër. Dënimin e plotë e vuajti në burgun e Burrelit. Pas lirimit, në vitin 1956 u internua për katër vjet në Kuç të Kurveleshit. Dymbëdhjetë vitet e fundit, për të siguruar bukën e gojës, u lejua të shiste cigare në një kinkaleri në qytetit të Shkodrës. Vdiq në vitin 1982 në Shkodër.
.
Baltazar Benussi -  Vepra te tij
Baltazar Benussi – Vepra te tij

Familja Benussi me origjinë nga Rovignio d’Istria e Italisë

Origjina e hershme e familjes shkodrane Benussi është nga një provincë italiane afër qytetit të Triestes e quajtur Rovignio d’Istria, që në atë kohë ishte nën Perandorinë Austro-Hungareze dhe sot ndodhet në territorin e Kroacisë. Ajo provincë italiane prej nga është dhe origjina e hershme e familjes shkodrane Benussi, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore kaloi nën administrimin e ish-Jugosllavisë dhe pas shpërbërjes së saj në fillimin e viteve 1990-të, ajo kaloi nën juridiksionin e shtetit Kroat në të cilën ndodhet edhe sot. I pari i kësaj familje është quajtur Giorgio Bernardo Benussi dhe ka lindur në atë provincë të Italisë në vitin 1801. Giorgio u diplomua në Akademinë Navale (Detare) të Triestes aty nga viti 1823 dhe punoi për disa vjet si marinar pranë Flotës Ushtarake Italiane, në specialitetin e udhëtimeve të gjata për të cilën dhe ishte diplomuar.
Pasi kishte shërbyer për disa vjet pranë asaj marine, aty nga viti 1828, atij i erdhi një kërkesë nga Veziri turk i Shkodrës, për të ardhur në atë qytet si specialist i armës së Artilerisë së rëndë. Giorgio Bernardo Benussi iu përgjigj pozitivisht ftesës së Vezirit të Shkodrës dhe aty nga shtatori i vitit 1828, ai la vendlindjen e tij Triesten dhe erdhi në qytetin e Shkodrës së bashku me bashkëshorten e tij Terezën e dy vajzat, Antonian dhe Giovanën. Nga dëshmi të ndryshme gojore të trashëguara në disa breza, thuhet se Veziri turk i Shkodrës i bëri një pritje të ngrohtë Giorgio Benussit dhe i ngriti atij një shtëpi të mirë aty ku sot ndodhet lagjia Perash, në pjesën e banuar nga katolikët. Po kështu lidhur me ardhjen e Giorgios në qytetin e Shkodrës ka dhe një version tjetër, ku thuhet se ftesa nga Veziri i Shkodrës iu bë atij pasi ai kishte ardhur në atë qytet si vizitor, ku dhe u njoh personalisht me Vezirin.
Pasi shërbeu për disa vjet si specialist i Artilerisë së rëndë pranë Vezirit të Shkodrës, Giorgio Benussi u largua që andej dhe hapi një farmaci private në qendrën e qytetit, për të cilën thuhet se ka qenë dhe e para farmaci që është hapur në Shkodër. Po kështu, krahas aktivitetit të tij tregtar farmaceutik, me të cilin kryesisht merrej bashkëshortja e tij italiane Terezina, Giorgio hapi dhe disa kurse të gjuhës italiane me pagesë, ku mësonin kryesisht fëmijët e aristokracisë së qytetit të Shkodrës, të cilët përgatiteshin për të ndjekur studimet në Itali dhe shtete të tjera të Europës. Aty nga viti 1850-të, teksa Giorgio Bernardo Benussi vazhdonte të banonte në qytetin e Shkodrës, i lindi dhe një fëmijë tjetër i cili u quajt Gasper. Giorgio jetoi deri aty nga viti 1869 dhe pas vdekjes së tij me aktivitetin farmaceutik u mor djali i tij Gasperi, i cili u shkollua në Kolegjin Saverian të qytetit të Shkodrës, që ishte fare pranë shtëpisë së tyre.
.
https://kujto.al/benusi-baltazar-hartuesi-i-legjislacionit-modern-qe-perfundoi-si-shites-cigaresh/
.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.