back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Urdhnimet e Poezis’… – prej albanologut e dijetarit të shquem Kolë Ashta

Gazeta

Kole Ashta (1918-1997)
Kole Ashta (1918-1997)

Urdhnimet e Poezis’

prej albanologut e dijetarit të shquem Kolë Ashta

Mos harró se poezija të nalton me kundrue heroizmin e jetës. Shqiptari bashklindet me kët heroizëm. Ai jeton me krye në rrezik, tue luftue e tue vuejtë. Jetën e kupton porsi nji perpjekje të vijueshme. Kush nuk përpiqet, kush nuk punon do të dështojë, pse jeta e patrazime, e qetë, e pamendime, e papunë të plakë menden, të kalb zêmrën, të mbyt ndjenjat…
Mbaje në mend se poezija i flet ndjenjave breshnorake, shllimeve të nalta, shpirtënve djalosharë. Ajo ngjall ngazullimin kundra jetës mkatnore, hovin krijues kundra lakmimit landuer. Poezija çpallë vlerën e naltë të shpirtit, qi përbuz sendet e landshme, fuqizimin e virtyteve të pambarueme, qi dërmojnë lakmimet landore. Poezija ngjall naltimin e virtyteve kundra jetës së shkatrrueme e mkatnore. Kujtó se poezija përpiqet për ringjalljen e zêmrës shqiptare, e vetdijes kombtare, e ndjenjes atdhetare. Dueje ringjalljen e ndërgjegjes, qi i don të mirët, qi i beson atij qi e don, qi e ndihmon atë qi e mëson, qi lufton për doket ilire.
Vështró mirë, se poezija nuk këndon paren, se ajo të djegë dorën, të verbon sytë, të prish menden, ta helmon jetën. Naltoje shpirtin, se parja nuk merret në vorr. Shpirti jeton mbas vdekjes e parja shuehet. Njeriu i dhanun mbas ktí mkati nuk shef heroizmin e jetës e prá do të ndalet. Kush ndalet ka m’u dukë porsi hije ndër të tjerë, porsi nji kufom’ e gjallë me sy të gropuem, porsi gjethi i pêmës i sjellun prej ere.
.

Poezia asht art vetmitar...
Poezia asht art vetmitar…
Mos e përbuz poezínë, pse ajo kundron zêmrat djaloshare ku lëvizë gjak fisnik, nji hov ilir i rí, i virtyteve shqiptare të pastërta, të drejta, fatosore, qi përfaqsojnë cilsítë racore të njeriut shqiptar. Ajo këndon pafajsínë, qi bjen pranverën ndër zêmra.
Ta dijsh se poezija rikrijon zêmrat, zhdukë dyshimin frigacak, mbytë gënjeshtrat munduese. Poezija i çpallë luftë zêmërkqive, shfrytzuesave mendengushtë, shpirtligjve.
Ta dijsh se urdhnimet e poezísë të freskojnë thellsítë e shpirtit me ujin dikues, ulin pezmin, njomsojnë ndiesítë. Por ta dijsh se të këqijtë, qi flasin mbrapshtë, njerzit qi s’kan’ besim, qi s’dijnë çka âsht shpirti, nuk e kuptojnë poezínë; por ta dijsh edhe se ajo i flet zemrave të nalta, shpirtënve djalosharë, ndjenjave fisnike, të denja, të pastërta, të kthjellta. Mbaje në mend se poezija ngjallë hovin e virtyteve dhe dermon veset kapërthyese, epshet vdeksore, mkatet verbuese…
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.