Edhe njëherë për Trump-in dhe Trumpizmin
nga Stefan Paloka
Marr shkas nga një postim i një të ashtuquajturi të urtë, që, me pallavrat e tij të postuara në faqen e vet ndër vite, ka marrë mijëra e mijëra “like”-e, kurse tani po tregohet aq i marrë, sa, për humbjen e Trump-it, gati sa s’na bën fajtorë ne, shqiptarëve që jemi kundër trumpizmit dhe me logorrenë e tij, po hedh baltë mbi të gjithë ata që, gjoja qenkan kundër sistemit të vlerave etike që qëndrojnë në themel të ekzistencës së shoqërisë njerëzore dhe mbrojtësi dhe shpëtimtari i të cilave na qenka Trump-i!
Dy janë pyetjet që më lindin natyrshëm dhe që do të përpiqem t’u jap përgjigje:
Së pari, a ekziston diçka si trumpizmi në kuptimin e një doktrine politike?
Nëse u referohemi fjalorëve, doktrina përfaqëson në vetvete një besim apo sistem besimesh që pranohen si të autoritetshme nga një shkollë mendimi apo grup studiuesish.
Pra, që një set parimesh, parashtrimesh dhe qëndrimesh të konsiderohet doktrinë, kërkohet që ai të përbëjë në vetvete një Sistem. Me fjalë të tjera, të vëna së bashku, qëndrimet, parimet dhe parashtrimet duhet të jenë të lidhura organikisht dhe pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën, në mënyrë të tillë që të mos bëjnë pa njëra-tjetrën dhe të mos fusin ujë nga asnjë anë.
Të shohim, tani, nëse kemi një doktrinë politike Trump.
Për ilustrim do të marr pretendimin e të pikëlluarve për largimin e Trump-it se gjoja ky i fundit, me zgjedhjen e tij për t’u rreshtuar me antiabortistët, ishte pro jetës.
Teksa hiqet si antiabortist, çka disa kryekëput gabim e kuptojnë si zgjedhje të tij pro jetës, Trump-i do të mbetet në histori si presidenti që ka dekretuar ekzekutimin e numrit më të madh të të dënuarve me vdekje në kompetencë të autoriteteve federale prej më se një shekulli në SHBA. Kujt s’i mjafton fakti se mes të ekzekutuarve gjenden një person që në kohën e kryerjes së krimit ishte adoleshent, si dhe një grua për të cilën ekzistojnë prova se kishte probleme të mëdha të shëndetit mendor të shkaktuara nga abuzimet e kobshme që kishte pësuar gjatë fëmijërisë, është e kotë të përpiqemi t’ia mbushim mendjen për sa do të vijoj më poshtë. Ama të tillët duhet ta qepin gojën e të mos na përrallisin për sistem vlerash dhe për sinoniminë mes sistemit të vlerave dhe trashëgimisë që la Trumpi në Shtëpinë e Bardhë! Për të mos i lënë kusur këtij muhabeti, le të shtoj vetëm edhe se, që në dekadën e tretë të shekullit të kaluar, juristi i shquar austriak Kelzen argumenton se, nga pikëpamja sociologjike, nuk ka kurrfarë dallimi mes një vrasjeje të kryer nga një bandit a bandë kriminelësh dhe një ekzekutimi të kryer nga një autoritet kompetent shtetëror në respekt të plotë të të gjitha kërkesave ligjore në fuqi në një vend të caktuar në një kohë të dhënë dhe ka qenë ky një ndër argumentet më të forta në favor të sistemit aktual penal në Evropën Perëndimore, në të cilin nuk njihet dhe nuk aplikohet më dënimi me vdekje. Por një injorant si Trumpi s’ka si i di këto gjëra, madje as që i interesojnë, pasi ato vijnë nga bota e shkencës, të cilën ai haptazi e përbuz, duke grumbulluar kësisoj vota edhe nga radhët e flat-earthers-ave, skeptikëve lidhur me ndryshimet klimatike dhe shpellarëve të tjerë.
Pasi hodhëm poshtë me lehtësi kaq të madhe pretendimet për doktrinë politike Trump, të vijmë tash te pyetja e dytë: a ekziston, atëherë, diçka si trumpizmi dhe, nëse po, çfarë duhet nënkuptuar me të?
Trumpizmi nuk është element i përmbajtjes, por i formës së fenomenit politik Trump. Ai nuk përbën një doktrinë (zaten, doktrinat politike amerikane rëndom kanë vuajtur nga mungesa e koherencës dhe kjo është e kuptueshme për një superfuqi, e cila, për vetë natyrën e vet, s’e ka të domosdoshme të tregojë përgjegjshmëri për pikëpamjet dhe veprimet e veta, aq më pak për unitet mes mendimit dhe veprimit), por një mënyrë të sjelli dhe të vepruari politik tërësisht në kontrast me atë që rëndom njihet si ajo që disa e etiketojnë si “politikisht korrekte”.
Ndërkohë që nga njerëzit që shquhen për objektivitet në gjykim kjo është parë si reagim ndaj të metave të sistemit, për të tjerë më pak objektivë e më lehtësisht të manipulueshëm kemi të bëjmë me “dritën në fund të tunelit”. Ekziston një kategori e tretë njerëzish me kulturë të lartë, të cilët, të parespektuar sa duhet nga sistemi aktual, ushqejnë iluzionin se me trumpizmin jo siç është, por siç e kuptojnë ata, për ta vijnë ditë të bardha, kohë në të cilat puna dhe kontributi i tyre do të mund të njihet, të vlerësohet e të vihet në shërbim të njerëzimit, për çka ata edhe gjakojnë, brehen prej zellit dhe aspirojnë.
Politologë, sociologë, psikologë, analistë e reporterë të shumtë anembanë botës e kanë përvijuar tashmë profilin e trumpizmit, karakteristikat kryesore të të cilit janë:
-fabrikimi i shpifjeve, insinuatave dhe llojeve të tjera të shtrembërimit të realitetit, në funksion të shkatërrimit të kundërshtarit në shkelje të çdo rregulli loje;
-gjuha e urrejtjes dhe denigrimit për këdo dhe gjithçka që nuk hyn në preferencat e shijeve apo përbën rrezik për pozitat e liderit politik;
-përbuzja për çdo arritje shkencore që përgënjeshtron idetë që kërkon të imponojë lidershipi;
-simpatia dhe, pse jo, parapëlqimi, për regjimet diktatoriale apo me prirje autoritare;
-manipulimi i turmave të të dëshpëruarve dhe ngritja, për këtë qëllim, e një narrative që për objektiv final ka maksimizimin e votave, pavarësisht heterogjenitetit të elektoratit, diktuar nga inkoherenca e ideve;
-krijimi apo, në rastin më të mirë, mosmarrja e asnjë mase për frenimin e krijimit të kultit të individit, aq i panjohur në Perëndimin e këtyre dy shekujve e gjysmë dhe, e fundit dhe më e rëndësishmja,
-shfrytëzimi i rregullave demokratike me qëllim marrjen e pushtetit dhe shpërfillja e deri, po të jetë e mundur, anulimi i tyre kur respektimi i tyre çon ujë në mullirin e kundërshtarit politik, që kulmoi me mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve, nxirjen e imazhit të shtetit që njihet prej gjithkujt si kampion botëror i demokracisë me pretendimet për vjedhje masive votash dhe konspiracion në dëm të presidentit dhe që siparin e vet do ta mbyllë me mungesën në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të vendit më 20 janar.
Thënë shkurt, trumpizëm për ne që i kemi Akoma trutë në vend do të thotë riciklim i makiavelizmit dhe institucionalizim i narcizizmit në botën postindustriale.
Kur këtë s’e kuptojnë njerëz të dalë nga njëra prej diktaturave më të egra që ka njohur historia e njerëzimit sikurse janë shqiptarët, vaj hallit ç’mund të pritet prej qytetarëve të botës perëndimore që për dhjetëra breza me radhë për diktaturat vetëm sa kanë lexuar nëpër libra!
Ja pse, teksa Trump-i po e thyen qafën, trumpizmi rrezikon të shndërrohet në një virus i rrezikshëm që do të përpiqet ta shfryjë tërë potencialin e vet një herë në katër vjet, duke u bërë kërcënim tejet serioz për atë që deri më tash gabimisht perceptohej si demokracia më funksionale dhe më e stabilizuar e botës, me rrezik shumë të madh shtrirjeje edhe në demokracitë e tjera.
Kundër kësaj jemi ne, të nderuar trumpistë falsë! Sa për Trump-in e trumpizmat si platformë politike, atij i gjendet ilaçi te mundësia e çmontimit me anë të rrotacionit politik! Këtij trumpizmit si neoidhujtari, këtij si do t’i bëhet këtej e tutje!
E, megjithatë, prapë ka shpresë. Në mos për tjetër, lindja e trumpizmit mendoj se do t’i shërbejë politikës globale për hartimin dhe zbatimin e politikave më gjithëpërfshirëse, me synim që çdo banor i planetit të ndiejë individualisht të mirat shtesë që gjeneron zhvillimi. Kjo është vaksina më e mirë kundër virusit-trumpizëm.
.
Nuk ka doktrinë Trump dhe as trumpizëm! Ka vetëm realizëm!
nga Koço Sterjo
Nuk besoj se e vë në dyshim faktin që vetë të ka përfshirë urrejtja në këtë shkrim!
Në një status të mëparshëm më the se “thjesht e hodha në diskutim”, kur të pyeta: “Nga e nxore këtë?”… (faktin që shtjelloje në status)…
Tani të pyes:
Nga e nxore trumpizmin!
Kush flet në Amerikë për një doktrinë të tillë?
Për mua, askush!
Vetëm se media globaliste e sajon vetë këtë emërtim rryme, thjesht se shikon që Trump ka mbështetës.
Po patjetër që Trump ka mbështetës.
Votimet treguan se ka aq sa kishte dhe kur erdhi në pushtet dhe në 2016, nuk u përfolën aspak zgjedhjet.
Po sivjet nga na dolën aq shumë vota për Biden, deri dhe në dyfish të mesatares shumëvjeçare?!…
Po je në SHBA, do pranoj ta vazhdoj diskutimin me ju.
Po nuk je, mëso:
1.Në rrethin ku banoj unë, Milwaukee, Wisconsin, mesatarja shumëvjeçare e pjesëmarrjes në votime ishte 50- 60 % (kaq është dhe për gjithë Federatën).
Më 3 Nëntor ishte 98% (???!!!…)…
2.Një punonjës poste i këtij rrethi i tha televizionit se kur çoi postën e mbledhur në zyrë, pa se kolegët hapnin dhe kontrollonin zarfet e votimit (të votuesve me postë) (???!!!…)
Ç’punë kishte posta me ato zarfe?!… Ato duheshin dorëzuar të pahapura te komisioni i votimit i shtetit që i numron.
Tani, ose ata punonjës poste, ose denoncuesi i tyre duhej çuar para drejtësisë!
Por nuk u bë asgjë!!
Ajo që nga Shqipëria thuhet se “Gjykatat amerikane e dhanë vendimin e tyre.”, këtej është që gjykatat nuk i hynë fare asaj pune, se është një volum i madh. Vetëm të verifikosh fletët e votimit me postë, mund t’i duhet gjykatës edhe 1 vit, se pati një masë të madhe votuesish këtë herë që votuan nga shtëpia. Dhe Kushtetuta nuk i ka parashikuar dot afate të tilla, prandaj gjykatat i ranë shkurt, duke i rrëzuar kërkesat e republikanëve, duke injoruar jo vetëm të drejtën e njeriut për ankim, por duke lënë dhe një shteg të hapur të rrezikshëm, i cili do të thellohet edhe më shumë pas 4 vjetësh dhe do të sjellë një ditë kolapsin e sistemit zgjedhor, i cili është mbi 200 e ca vjeçar dhe ka nevojë për amendamendim.
3.Për herë të parë në disa qendra votimi nuk u lejuan vëzhguesit, me preteksin e pandemisë…(???!!!…)
4. Duke mos pasur një ligj elektoral federal për zgjedhjet federale, por votohet me ligjet elektorale të shteteve, nuk është e keqja se në disa shtete fillohet e mbyllet votimi në kohë të ndryshme nga të tjera shtete apo koha e fillimit të votimit me muaj para, por këtë herë Pensilvannia e kishte nisur votimin më përpara se 3 muaj nga 3 Nëntori, nga ç’ia lejonte ligji i vet…
Pse?…
5.Pashë një fletë votimi shumë të zakonshme, që nuk besoj se kishte elementë sigurie, çka do të thotë që kur ti i lejon shtetet që 3 muaj para ditës së caktuar të nisin votimin, me ato fletë mund të bësh ç’të duash për riprodhimin e tyre…
etj. etj.
Unë them se nuk ka doktrinë Trump dhe as trumpizëm!
Ka vetëm realizëm!
.
Marre nga Muri i Stefan Palokes, 17 janar 2021