back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

17.01.1991 u hap në Laç “Kisha e mrekullive të Shna Ndoit” – Gjergj Jozef Kola bisedon me Alfred Bardelin!

Gazeta

Pader Leon Kabashi - Kisha e Shnandout - 17 janar 1991
Pader Leon Kabashi – Kisha e Shnandout – 17 janar 1991

17.01.1991 u hap në Laç “Kisha e mrekullive të Shna Ndoit”

Gjergj Jozef Kola bisedon me Alfred Bardelin!
30 vjet ma parë, me 17.01.1991 u hap në Laç “Kisha e shejtit Anton”,
ose siç njifet ne gjuhën e popullit: “Kisha e mrekullive të Shna Ndoit”
Refleksion me kohën e intervistë me dëshmitarin e saj Alfred Bardeli,
talent i jashtzakonshëm të sportit shqiptar:
.
1.Diktatura komuniste ishte në grahmat e fundit e rinia shkodrane së bashku me dom Simon Jubanin sapo kishin hapë Kishën e parë, kur pikërisht kjo rini megjithse e rritun nën ateizmin shtetnor të diktatures e kishte në zemër dimensionin transhendent dhe traditën dymijë vjeçare të krishtënimit. Nën kët frymë gati surreale që i ngjan vullkanit të sapo ka dalë nga krateri, nji llavë tjetër e fuqishme u nisë nga Shkodra për në Laç, për me hapë “Kishën e mrekullive”
Për hir të së vërtetes, kjo kishë nuk ishte mbyllë kurrë “de facto” e sado që ruhej nga ushtria, aparati i komiteti te partise, policia e sigurimi i shtetit, prapseprap shumë besimtarë tue vue në rrezik egzistencën e tyne, vendin e punës, burgun, torturat luteshin çdo të djelë në gërmadhat e saj…
Për me arritë kështu në nji ditë të djelë të shejtë për arbnorët e shqiptarët në shumë drejtime, në 17 Janarin e vjetit 1991: në përkujtimin e kthimit në amshim të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skanderbeg si dhe të hapjes së kishës së françeskanit të njoftun portugez, shejtit Anton, ose Shna Ndout.
2.Për me marrë informacion të plotë, të pastër, autentik nga kjo ngjarje spektakolare e demokracisë shqiptare unë i mora nji intervistë ekskluzive protagonistit të hapjes së kësaj kishe në 17 Janar të vjetit 1991, kampionit apsolut të mundjes së viteve ’80, (anipse i harruem nga institucionet e demokracisë) fituesin e disa medaljeve të arta në spartakiadat kombëtare, e mjeshtër sporti që në 1989: Alfred Bardeli.
.
Alfred Bardeli - nderuar me titullin "Mjeshtër i Madh" - 2021
Alfred Bardeli – nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh” – 2021
Pyetje: Përshëndetje Alfred. Ti je nji nga nismëtarët e hapjes së kishës së parë në Rrmaj me në krye dom Simon Jubanin, për mos me e lanë me kaq e vazhdove kët mision kaq të naltë shpirtnor me hapjen e kishës së Shna Ndout e padyshim kjo përban nji emocion të jashtzakonshëm në jetë. A mundesh me i nda me ne këto kujtime kaq të shtrejta të jetës tande, sot në kët 30 vjetor? Me kënaqësi Gjergj e të falem nderes shumë për kët përkujtim të kësaj ngjarje, ku jam kenë vetë dëshmitari e nji nga organizatorët e saj. Para se me nisë me folë për Kishën e Laçit, më lejo të shpreh për herë të parë mbas 31 vjetësh dëshminë teme për kishën Amë, Kishën e Rrmajve ku nisi edhe demokracia shqiptare me 11 Nandor të vjetit 1990, ku rreth 50 mijë vetë e kishin marrë parasysh me lanë jetën në ato vorreza legjendare ku pushojnë ajka e dijes dhe e kulturës së kombit shqiptar.
Padyshim e gëzohem fort nga kjo, sepse me kohën kanë dalë edhe protogonistë të tjerë që as janë kenë të pranishëm, porse sot vrapojnë me marrë gjethet e larit mbi krye.
Për Kishën e Rrmajt unë mundem me tregue 3 gjana kryesore:
E para, asht momenti historik i jashtzakonshëm i meshës së parë ku morën pjesë mbi 50 mijë banorë pa dallim fejet e krahinet, qytetarë, malcorë e katundarë, katolikë, ortodoksë e muslimanë. Siç shifet edhe në foton përkatëse emocioni i asaj meshe të shejte njiorëshe ku jam gjithë kohën afër dom Simonit, ka mbetë për mu gjate tanë jetës si nji emocion historik e shpirtnore i papërseritshëm.
E dyta, kur mbaroi mesha e cila u mbajt në rregull e disipline të jashtzakonshme, megjithse nuk kishte asnji forcë të rendit e kam pasë të shtërnguem për krahut dom Simonin e në mes të besimtarëve kena ecë derisa shkoi në shpi. Bashkë me mue në kët grup të vogël ishte edhe Zef Gjoni, Rrok Bardeli, Zef Kiri, Tonin Temali, Marjan Kepi, Agostin Mhilli, Rrok Shtjefni e disa djem të ri shkodranë që kam vështirë me ua kujtue emnat të tanëve.
Momenti tjetër i jashtzakonshëm i atyne diteve të nandorit 1990, ka qenë kur mbasi ishte hapë kisha në Rrmaj vjen te shpija e dom Simonit, Hafiz Sabri Koçi, me tre persona të tjere nga lagja muslimane me folë për nji provokim që kishin ba komunistat, të cilët e kishin halë në sy bashkëpunimin kaq vllaznor të katolikeve e muslimanëve. Me kujtohet si njitash kur kena shkue te tanë na përfaqsues të kishës katolike me marrë pjesë në hapjen e xhamisë, sepse nji javë ma parë në Rrmaj të njejtën gja kishin ba vllaznit tonë muslimanë, kur kena hapë kishën na katolikët. Fryma e lirisë dhe e besimit ishte ba nji.
Ishte terr, mbramje vonë e bashkë me mue ishte edhe Zef Gjoni, Rrok Bardeli, Kolec Sermi dhe ishte e shumë e bukur e njerzore me pa se si dom Simoni e Hafiz Sabri Koçi, e zgjidhen problemin e nuk ranë pre e provokimeve të Sigurimit të diktaturës që dojshin me nxitë besimtarët kundra njeni tjetrit.
.
Po Alfred më kujtohet edhe mue në vitet ’90, se përveç me don Simonin, komunikimi në mes të Nanë Terezës e Hafiz Sabri Koçit, ishte i nji peërshpirtmenie të naltë tue i ba nder qytetnimit shqiptar e naltësue dialogun ndërfetar, që sot len kaq shumë me dëshirue e ka me u dashtë kohë me mbrritë prep në atë nivel. Unë i kam ndej afër dom Simonit qysh në muajin Nëntor që asht hap Kisha e deri me 5 mars, sepse me datën 6 Mars jam nisë për në Itali, ku nga data 7 Mars 1991 jam emigrant e kam ndërtue këtu jetën me familjen teme. Edhe në Itali e kam ruejtë traditën e besimit që kena trashëgue nga prindja jonë.
.
Ishin këto 5 muej të jashtzakonshëm të jetës tande, të cilët, përjetuen edhe dy ngjarje të mëdha, siç janë hapja e dy kishave simbol të Shqipnisë, ajo e Rrmjat dhe ajo e Kishës së Shna Ndoit. Patjetër, e nuk i harroj kurrë e më ndjekin si bekim në jetë. Në lidhje me Kishën e Lacit, po të kallxoj me dorë në zemër të vërtetn. Padër Leon Kabashi ishte kojshija i jonë në Rus katolik e nji mbramje erdhi krejt papritmas te dera e shpisë. Dola unë dhe e thirra mrendë.
Më tha: O djali i mirë i Zef Bardelit due me çue meshën e shejtë te Kisha e Shna Ndout e mundesh me më ndejë afër?
Patjetër Padër Leon, i thashë, dhe erdhi mrendë. Shkova ne nesër e kam folë me Zef Gjonin e me shokë tjerë te kisha e u thashë se si kishte ardhë Padër Leoni mramë e don me thanë Meshën e shejtë te Kisha e Shejtit Shna Ndue. Mbasi biseduem ramë dakord me e shoqnue na padër Leonin.
U organizuem mirë e mbarë e me datën 16.01.1991, kena marrë trenin. Atë natë e lamë me fjetë te vjehrri i shokut tonë Agustin Mhilli, sepse ishte dimën e bante ftohtë, e ne nesër jena njitë nelt me dhanë meshën e shejtë, te vendi ku asht Kisha sot.
Kur u çue Mesha e Shejtë prej padër Leonit, i gjithë populli po u lut’te e po kjante. Nji pamje e jashtzakonshme gati biblike siç mund të shifet edhe nga fotot.
Mbasi mbaroi mesha i ndejtëm afër se as këtu nuk na u ndanë provokatorët dhe e shoqnuem deri në shpi në Shkodër me tren Padër Leonin sepse ishte edhe kjoshija i jem.
Këto janë emnat e shokëve, miqëve e vllazënve të mi, që kena shoqnue së bashku padër Leonin te kisha e Shna Ndoit: Zef Gjoni, Alfred Bardeli, Agustin Mhilli ,Vasil Mhilli, Tonin Temali, Marjan Kepi, Vitor Sermi, Zef Kiri, Pal Qekini, e më vjen keq se janë edhe disa të tjerë nga mahallat e tjera, emnat e të cilëve koha i ka fshi sadopak e nuk më kujtohen.
.
Të falenderoj perzemërsisht Alfred për kët Intervistë e kët dëshmi të kohës, si protagonist i saj. Le të jetë kjo intervistë edhe si burim, si referencë për të gjithë studjuesit e ardhshëm, në mënyrë që historia të mos fallsifikohet e sidomos të mos përsëritet ma… Edhe unë të falenderoj shumë Gjergj për kët intervistë e të uroj tana të mirat. E kam pasë si brilant në zemër kët kujtim e kam dashtë me e nda me miq e shokë e kjo asht nji ditë e bukur për kët.
.
Bisedoi Gjergj Jozef Kola
Vjenë, 17 Janar 2021
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.