back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Bajram Bej Haxhiu – Nismëtari i Kongresit të Lushnjes në 1920 – nga Kevin Haxhiu

Gazeta

Kevin Haxhiu dhe Gjyshi i tij patrioti Bajram Haxhiu
Kevin Haxhiu dhe stergjyshi i tij patrioti Bajram Haxhiu

Bajram Bej Haxhiu – Nismëtari i Kongresit të Lushnjes në 1920

nga Kevin Haxhiu

Regjimi Diktatorial Komunist në 1951, e shpalli “Kulakun” e dytë në Lushnje
.
Bajram Rakip Haxhiu i njohur nga lushnjarët si Xha Bami, lindi më 15 gusht 1887, në Lushnjë. Familja Haxhiu është një familje qytetare, fisnike, patriotike e qytetit të Lushnjes. Bajrami ishte patriot nacionalist, demokrat, antikomunist, mbi të gjitha anëtar i Komisionit Nismëtar të thirrjes dhe organizimit të Kongresit të Lushnjës.
Bajram bej Haxhiu shkollën e mesme e bëri në gjuhën turke ndërsa të lartën ai e vazhdoi për financë në Kolegjin e Stambollit. Haxhiu shkrim e lexim në gjuhën shqipe i ka mësuar si autodidakt.
Bajrami në Stamboll do të njihej me patriotë të shquar të kombit shqiptarë, Rilindasit Kombëtarë. Bajram Haxhiu u ndikua nga idetë patriotike të Rilindasve dhe ndaj gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi atdheut dhe çështjes kombëtare shqiptare. Në fillim të shek. XX Bajram Haxhiu është një nga udhëheqësit kryesor të lëvizjeve antiosmane në Lushnje, dhe pjesëmarrës tejet aktivë në demonstratën e majit 1906 në qytetin e Lushnjës. Për pjesëmarrjen në këtë lëvizje, ai do të arrestohej dhe dënohej nga qeveria Osmane.
.
Patrioti Lushnjar Bajram Haxhiu
Patrioti Lushnjar Bajram Haxhiu
Pasi doli nga burgu, Bajrami nuk u ndal, po përsëri vazhdoi të merrte pjesë në lëvizjen antiosmane.
Në 17 janarit 1909, në Lushnje një prej organizatorëve të demostratës antiosmane ishte Bajram Haxhiu.Gjithashtu ai bashkëpunoi edhe me çetat kryengritëse të Myzeqesë për organizimin e kryengritjes së përgjithshme të Shqipërisë për Pavarësi.
Mbas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, përkrahu qeverinë e Ismail Qemal Vlorës, duke luftuar kundërshtarët e saj serbë dhe ndjekësit e Esat Pashë Toptanit.
Bajram Haxhiu nuk u pajtua me pushtimin e Shqipërisë nga ushtritë ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore. Mbas Luftës së Parë Botërore, ai e vazhdoi veprimtarinë e tij patriotike kundër vendimeve antishqiptare të Konferencës së Parisit për copëtimin e Shqipërisë në favor të vendeve fqinje. Bajram Haxhiu ishte anëtar në Komisionin Nismëtar të Thirrjes dhe Organizimit të Kongresit të Lushnjes.
Bajram Haxhiu u caktua nga Komisioni Nismëtar me detyrën për shpërndarjen e postës në Durrës, Kavajë, Peqin dhe Elbasan. Haxhiu kontribuoi shumë në letërkëmbimin midis Aqif Pashë Elbasanit dhe personaliteteve të tjera. Ai u vu në shërbim të qeverisë që nxori Kongresi i Lushnjes dhe e përkrahu atë gjatë gjithë kohës që ajo i qëndroi besnike vendimeve të Kongresit të Lushnjës. Bajram Haxhiu përkrahu gjithashtu Luftën e Vlorës më 1920, për çlirimin e Vlorës nga ushtritë pushtuese italiane. Bajram Haxhiu në prill të vitit 1922, ishte anëtar në Komisionin e Zgjedhjeve të Paravendore në Shqipëri për Bashkinë Lushnje. Në vitet ’30 dhe deri në fillim të viteve ’40, Bajram Haxhiu punoi si tagrambledhës në Zyrën e Financave në Lushnje. Bajram Haxhiu ishte një besimtar mysliman i devotshëm dhe në vitet ’30 ka qënë një nga kontribuesit financiar për ndërtimin e Xhamisë së re të Lushnjes. Pushtimin e Shqipërisë nga fashistët italianë në prill të 1939, nacionalisti Bajram Haxhiu e priti me urrejtje. Në vitin 1945, regjimin diktatorial komunist që u vendos në Shqipëri Bajram Haxhiu e kundërshtoi gjatë gjithë jetës së tij. Bajram bej Haxhiu ishte një nga pronarët e mëdhenj të qytetit të Lushnjes dhe që nga Reforma Agrare u shpronësua krejtësisht. Më 25 maj 1951, Bajram Haxhiu ishte i dyti në Lushnje që u cilësua “Kulak”.
.
Shtepia ku u mbajt Kongresi i Lushnjes...
Shtepia ku u mbajt Kongresi i Lushnjes…
Më 9 maj të vitit 1967, me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Qytetit të Lushnjes, Bajram Haxhiu përsëri u shpronësua pa asnjë pagesë pjesa e vetme që i kishte mbetur bahçeja deri në afërsi të gazhdares ekzistuese. Bajram Haxhiu u nda nga jeta më 11 gusht 1972, në Lushnjë në moshën 85 vjeçare, duke u lënë në harresë nga regjimi diktatorial komunist dhe duke mos iu vlerësuar veprimtaria e tij patriotike. Në 75 vjetorin e Kongresit të Lushnjes, Bajram Haxhiu (pas vdekjes) u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Sali Berisha me Dekretin Nr. 1008, datë 18.01.1995, me Urdhërin “Për Veprimtari Patriotike” të Klasit të Parë. Rruga në lagjen “Kongresi i Lushnjes”, pranë Shtëpisë Muze “Kongresi i Lushnjes” me vendim të Këshillit Bashkiak Lushnje i është vendosur emri “Bajram Haxhiu”.
Në qytetin e Lushnjes në vitin 2010, është vendosur edhe busti i patriotit Bajram Haxhiu. Në vitin e 100 vjetorit të Tiranës kryeqytet, Familja e patriotit Bajram Haxhiu, u nderuar në 4 shkurt 2020, nga Kryetari i Bashkisë Tiranë z. Erion Veliaj me Çertifikatë Mirënjohjeje me motivacionin: “Për aktivitetin e çmuar dhe kontributin e vyer në shpalljen e Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë”. Bajram Haxhiu është babai i legjendës së futbollit shqiptar Abdurrahman (Roza) Haxhiu dhe atdhetarit të shquar për çështjen kombëtare shqiptare në Diasporën Shqiptare të Egjiptit Qerim Haxhiu.
.
Kevin Haxhiu ne shtepine muze te Kongresit duke treguar figuren e Bajram Haxhiut
 Kevin Haxhiu ne shtepine muze te Kongresit duke treguar figuren e Bajram Haxhiut
-Kongresi Kombëtar i Lushnjes në kujtimet e nismëtarit Bajram Haxhiu:
“Në kohën kur bëheshin përgatitjet për Kongresin e Lushnjes, unë kam qënë anëtar i komisionit inisiator për mbledhjen e këtij Kongresi, por kanë kaluar 50 vjet dhe pak gjëra më kujtohen. Këtu në Lushnje kishte një lëvizje të gjerë patriotike. Para se të mblidhej Kongresi ne hoqëm një flamur italian dhe e grisëm. Aty ishte një tufë e madhe njerëzish dhe italianët nuk guxuan të na preknin me gjithë që bërtisnin por kot. Më kujtohet se njeriu që kujdesej më shumë për thirrjen e Kongresit ishte Eshref Frashëri. Unë e njihja edhe më parë se kishte qenë këtu si inxhinier. Mbaj mend se mbasi vendosëm të mblidhej Kongresi na duhej të caktonim edhe shtëpinë ku do të bëhej mbledhja. Për këtë iu drejtuam Kaso Fugës, por ai kishte hall se mos binte në bela dhe nuk donte. Atëherë ne vendosëm ta thërresim Kongresin pa dhe në kasolle do ta bëjmë. Aqif Pasha kishte kërkuar që Kongresi të bëhej në Elbasan, por pengesë qe bërë Shefqet bej Vërlaci; ky ishte me kohë me italianët. Unë isha ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së postës në Elbasan, Peqin, Kavajë dhe Durrës, ndërsa Taulla Sinani kishte Tiranën dhe anën e Dibrës e të Shkodrës. Nuk më kujtohet kush ishte tjetër që shkoi në krahinat nga jugu. Veç mbaj mend që ne u ndamë në një mënyrë të tillë që të shkonim aty ku kishim të njohur e të kryenim kështu më mirë punën tonë. Në Elbasan mbaja lidhje me Salim Junikun, në Peqin me Adem Gjinishin, në Kavajë me Idriz Dizdarën dhe në Durrës me Rexhep Shalën. Kudo këtë rrugë e bëja me kuaj duke e hequr veten sikur shkoja mik dhe jo suvari. Rrugës kishte plotë rreziqe, por ne ishim të rinj në atë kohë dhe i kapërcenim. Pastaj nuk donim t’ia dinim shumë se bënim një punë atdhetare. Ditën kur filloi punimet Kongresi ishte e mërkurë dhe bënte pak ftohtë. Në kohën kur zhvillonte punimet Kongresi, kishin ardhur njerëz nga vende të ndryshme të Shqipërisë.
.

Patrioti Bajram Haxhiu (1887-1972)
Patrioti Bajram Haxhiu (1887-1972)
Por në Kongres kishte shumë lushnjarë. Unë nuk i kujtoj dot të gjithë, por mbaj mend se kishin ardhur disa përfaqësues nga fshatrat. Gjatë kohës që zhvillonte punimet Kongresi ndihej se Lushnja ishte në festë. Kudo shihje flamurë kombëtarë bile flamurë të vegjël u vareshin në gjoks njerëzve nga fëmijët e shkollës. Flamurë të vegjël kishte edhe në sallë, aty ku ishim unjur në bangat e nxënësve. Edhe salla e mbledhjes ishte e zbukuruar mirë. E para ishte fytyra e Skëndërbeut dhe pastaj e Ismail Qemalit. Në mur qe një flamur kombëtar. Në Kongres kishte rregull. Nuk të pranonin po të mos kishje një shkresë me vete. Ne kishim marrë masa për sigurimin e Kongresit. Kishin ardhur njerëz të armatosur. Disa prej tyre i kishin sjellë vetë delegatët për t’i ruajtur gjatë rrugës, por pati edhe nga ata që i thirrëm ne. Më shumë forca kishin ardhur nga Darsia e Dumreja. Në të njejtën kohë kishte shumë edhe nga zona e fushës, por unë nuk jam marrë me forcat. Si përgjegjës për këtë punë ishte caktuar Llazar Bozua. Mbaj mend që ishte këtu Jonuz Dervishi, Selim e Rami Rredhi nga Karavastaja, Musa Zagaria nga fshati Koçaj i Fier-Sheganit e të tjerë. Nga Skrapari kishte ardhur Riza Cerova dhe një djalë tjetër që ishte sakat. Të dy ishin djem trima. Tërë kodrat rrotull Lushnjes ishin të mbushura me roje. Disa prej rojeve vinin edhe në qytet. Italianët i shihnin po nuk i ndalonin. Më kujtohet kur u muar vesh se Myfit Libohova pat ardhur me ushtri kundër Kongresit. Njerëzit nuk i mbanim dot se ishin gati të lëshoheshin e ta kapnin të gjallë. U nisën disa, por nuk e arritën se në vend t’i afrohej Lushnjes ja mbathi për nga Vlora. Qeveria që u zgjodh nga Kongresi ndenji nja 4-5 ditë këtu, pastaj e përcollëm me këngë ashtu siç dhe i pritëm delegatët. Vanë mjaft forca nga Lushnja, por më të rëndësishmet ishin forcat e organizuara në Peqin nga Adem Gjinishi”
.
(Shënim: Kujtimet e nismëtarit Bajram Haxhiu janë marrë nga libri “Kujtime dhe këngë popullore për luftën çlirimtare të viteve 1918-1920”, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Instituti i Folklorit, Tiranë 1970).
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.