back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Një libër me titull tronditës: “Biri i Armikut” nga Visar Zhiti

Gazeta

Shkrimtari Visar Zhiti
Shkrimtari Visar Zhiti
Është një drithërimë shpirti çdo komunikim me ty, Visar Zhiti.
Edhe ai më i thjeshti; qoftë edhe një e-mail,
qoftë edhe një mesazh i shkurtër telegrafik.
Aq më tepër kur pena jote gjeniale merret me mua, me një libër timin,
aq më tepër nëse e mban ngrohtë atë libër me mirësinë tënde.
Vetëm zemra mund ta shprehë mirënjohjen ndaj teje, i dashur Visar.
Po ta nis, është tashmë mbi kokën tënde. Si mburojë e papërshkueshme.
Shpend Sollaku Noé
.
Shpend Sollaku Noè - “Filius Hostis ovvero Il figlio del nemico” - roman
Shpend Sollaku Noè – “Filius Hostis ovvero Il figlio del nemico” – roman

Një libër me titull tronditës: “Biri i Armikut”

nga Visar Zhiti

Rreth romanit “Filius Hostis – ovverro il figlio del nemico” të Shpend Sollaku Noè
.
Romani i një shoku të fëminisë, ndoshta si lexues të emocionon më shumë, se, përveç rrëfimit dhe kumteve, të vijnë dhe zëra të brendshëm dhe imazhe të pafshirshme nga qyteti i përbashkët, nga lagja e njëjtë, nga e shkuara që na përndjek, që të duket se përshfaqen në librin, që të ka ardhur nga larg, në kohë dhe hapësirë dhe mall.
Shkrimtari Shpend Sollaku Noé ka nxjerrë romanin e radhës, me një titull tronditës, të përmbledhur shqip “Biri i armikut“. Vepra sërish është shkruar me italishten e bukur dhe kumbuese, gjuhë e vendit ku është botuar romani dhe tashmë prej dekadash jeton autori i njohur.
Por ai mbetet bashkqytetari im, shoku i fëminisë, më i vogël se unë, me të cilin na ndante një gardh me shtëpinë e tij në Lushnjë, por ama ishte dhe një deriçkë që na bashkonte, pa çelës, e hapnim për t’u takuar prindërit apo ne, fëmijët, për t’i dhënë ndonjë gjë njeri-tjetrit, nga ç’ishin bërë në bahçet tona. Para shtëpisë së Shpendit ishte çezma ku mbushnim ujë, ndërsa te pusi im futnim shtëmbën për ta ftohur, por dhe shishen e rakisë prindërit. Fëminia jonë mbaroi shumë shpejt a s’patëm fare fëmini, “bij armiqsh”, s’na lejohej…
Kur mbushëm moshat, unë atë të burgut e Shpendi të ushtarit, se s’duhej të shkonte në shkolle të lartë, atë e degdisën në ishullin e vetëm militar të atdheut, i rrethuar jo me tela me gjëmba, por me det, me shkulmet që ngriheshin bashkë në alarmet e rrezikshme…
Ndodhi kësisoj gjenden në roman, braktisje, dyshime, mënjanim klasor, qëndresë, ëndrra, diktaturë…
Kur dola nga burgu, Shpendi tashmë e gjeta poet, kish nxjerrë librin me poezi, me titullin surrealist “Mëzat e kaltër”. Bashkë e me poetë të tjerë të Lushnjës, shokët tanë, u përfshimë në protestat e para kunder diktaturës, madje u bëmë themeltarë në partitë e para opozitare. Shpendi rrëmbehej për mirë, guxonte, kërkonte më shumë dhe u zhgënjye me të parët dhe nuk priti të vinte Europa në Shqipëri, por si mijëra shqiptarë të tjerë shkoi vetë në Europë, mërgoi në Itali dhe krahas punëve të ndryshme, bëri dhe atë të shkrimtarit. Poema dhe romane. Dhe në gjuhën e vendit. E kam thënë dhe më parë, forcë për të komunikuar si shkrimtar më gjerë, me gjuhën danteske të atij ferri aq poetik për të treguar ferrin e vendit të tij.
Këtë mision ka dhe vepra e tij më e fundit, e porsadalë, me jehonë e që e lexoj me atë ëndje si në bisedat e fëminisë.
Ajo dera e dikurshme që na bashkonte, jo vetëm që nuk u mbyll, por sikur u bë më qiellore,
derë prej ere…
.
(Marrë prej Murit te FB, “Miq me Visarin”, 24.12.2020)
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.