back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 17 Nëntor, 2024

U kujtofshi ndër breza Dr. Lazër Radi! – nga Kozeta Zylo

Gazeta

Lazër Radi dhe Kozeta Zylo 1996
Lazër Radi & Kozeta Zylo  – Tirane 1996

U kujtofshi ndër breza Dr. Lazër Radi!

nga Kozeta Zylo

Në 105 vjetorin e ditëlindjes së Dr. Lazër Radit!

Botoi gazeta “Dielli”, “Illyria”, “VOAL”

46 vjet i burgosur dhe i internuar nën diktaturë, familjarisht:
Kur më futën në burg/ lashë gruan me gjithë vajzë/
kur dola nga burgu, gjeta gruan në burg dhe vajzën të vdekur.
Nga libri: “Muret e muzgut”
.
Lazër Radi 1995
Lazër Radi 1995

Ju jeni bard i kulturës kombëtare, ku mund të kuvendohet burrërisht në odat e shtruara me qilimat me ngjyrat marramendëse, ju i latë popullit tuaj lehonë në shekullin e ri, djepin me shqiponjën e lirë dhe ne këndojmë këngët e pakëndueme, këngët që t’i kemi borxh përjetësisht… Ju jeni prijëtar që ndalon tehet e bardha të thikave mbi kokat e zogjve dhe ecën përpara me ballin që praron vetëm fllad lirie, edhe pse shtëllunga mjegulle të zeza ende fshihen pas plisit tënd të bardhë si bora e bjeshkëve. E në këtë fantazi me ëndrrat e tua mbush qiellin me yje zjarr. Në qerpik të yjeve zë rrënjë dhimbja që bëhet mal.

Në këtë 105 vjetor, fjalët shqip në librat e tu më bëhen jehonë që vijnë nga bjeshkët e nëmuna ndërsa ti si Pëllumb Paqeje fluturon për të takuar miqtë e besës dhe tund kujtesën mjerisht të ndërtuar mbi themele harrese… Në këtë përvjetor me fjalën e parë shqip që ju kujtoj, është poezia e shkruar nga ju me titull “Abetarja”, që është libri i shenjtë i shqiptarëve. Dhe ja disa vargje të saj: “Do më kujtohet deri në më të fundmen ditë/ oborri i shkollës fsheh në mangë të kishës/ e në mes tij një pishë/ bijë e mirë blerimi/”.
Në këtë 105 vjetor ndez një qiri në shenjë përshpirtjeje të perëndishme e lutem në shenjtërinë e fjalëve si para një shenjti dhe bëhem manushaqez naimjane e mpitë dhe e qetë.
Çdo shkronjë në librat tuaj është frymë, është ajër, është metaforë e gjelbërt, si sytë e vashës që të kishin magjepsur në rininë studentore. Ju qëndroni si ciceron nëpër muzeume dhe rrëfeni historinë: sa tragjike aq edhe të bukur të kombit tënd. Ecën nga njeri pavion në tjetrin, me një trok shekulli të pandalur dhe pas një pushimi zanor lëshon në qiell një tufë pulëbardhash për të ikurit si ty, për të ikurit prej Soji. Petalet e shpirtit tuaj puthin me mall që djeg zhur, gërmat e ndritura shqipe, dhe rinisin një këngë që s’do të mbarojë kurrë.
Së bashku rinisim një melodi të pakëndueme, një melodi kujtese që çan gjokset e maleve hijerëndë.
.
New York, 29 Janar, 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.