back to top
11.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

N’kuartet femnash…! – Me poezi të Ledia Dushit, Ledri Kurti, Alisa Velaj e Gentiana Kones nga Emrije Krosi

Gazeta

Emrije Krosi
Emrije Krosi

N’kuartet femnash…!

Poezi nga Ledia Dushi, Ledri Kurti, Alisa Velaj e Gentiana Kone

nga Emrije Krosi

Poezia mbetet, jo thjesht kulti i shenjtërimit të letërsisë, që në atë heqakeqje të gjetjes së identitetit të saj, kur çdo ditë i bjerren vlerat e qenësisë së saj, por shumë krijues të rinj, (jo në moshë) mëtojnë të “thyejnë” veten, nëpërmjet komunikimit elektronik nëpërmjet modelit të ndërveprimit, në hapsirën digital natives ku shpalosen ëndrrat irreale, të maskuara nëpërmjet “lirisë së rreme”, se bota virtuale është jo vetëm një varësi (jo)kimike me sjelljen, trupin, fiziken dhe shpirtin, ku idetë e bukurive estetike (në art dhe komunikim), (de)kodohen shpeshherë, si “shëmti” në “pazarin virtual”, ku dokudo mund të blesh dhe të shesësh çdo gjë, madje art, letërsi, poezi, filma, muzikë, madje – madje ka shkrues virtualë që shesin po virtualisht, po aq “suksesshëm” sa një libër fizik, se fundja letërsia për (Jacque Derrida-n) “vepra nuk është shprehje, por krijim”. Veprat konkrete të artit të fjalës, duhet t’i nënshtrohen detyrimisht “operacionit” të kritikës letrare, jo vetëm mbi bazën e studimit të veprave konkrete, sepse nuk përcaktohen kategori in vacua, të receptimit, me pika referimi, që kur lexojmë: të lexojmë duke u udhëhequr nga parime të përpunuara estetikisht, duke i ndryshur (mododifikuar), me njohjen e mëtejshme të veprës dhe autorit, por edhe si depertim i ndërsjelltë i teorisë dhe praktikës, (pra njohjes nga leximi), sipas (Cleanthi Brooksit), kemi “lloje të ndryshme konceptesh kritike dhe konvencionesh”. Ky motiv më nxiti të risjell një qasje krejt ndryshe rreth autoreve femra si: Ledia Dushi, Ledri Kurti, Alisa Velaj, Gentiana Kone, jo si “idealizëm” të poezisë femërore, por si njësi tërësore kuptimore, drejt lexuesit bashkëkohor, që metoda dhe modeli i interpretimit, të jetë argument bindës mëpërtej kohës së tashme.
.
Poetja Ledia Dushi
Poetja Ledia Dushi

Elipsë e qenësisë femrore tek Ledia Dushi

Femna s’ashtë Njeri – poezi nga Ledia Dushi

Nata
del
prej avujsh t’përroit,
si lodhja e vajzës
t’derdhun andrrash…
Shiu frymon
ndër pemë,
engjëjt lëshohen
fruta
n’parrizat
e trupit tim…
Gurëzit
janë qetimet
që rrëshqasin me verën
prej bishtit t’trunit…
Se dielli
u zhbaka
n’tavana t’zambakët…
lulediella t’zinj
dillojnë
përmbas shiut.
 
Thirrma klithmuese e poetes se “Femna s’ashtë Njeri” ngjesh dhe ngërthen “thekun e prem” të Kanunit, se: “Grueja asht shakull me bajtë”, (Kanuni: krye i pesët/ nyje 29), duke e trajtuar atë jo si qenie, por thjesht “thes me bajtë”. Kjo qasje letrare, ngjallmon nëpërmjet vargjeve: nata del/ prej avujsh t’përroit,/ si lodhja e vajzës/ t’derdhun andrrash…, veçantia diskursive në kuptimin gjithëpërfshirës të saj, trajtën e simbolit, nëpërmjet simbolikave personale nuk humbet në shtjellën poetike, por ajo është në kërkim të njeriut, si një ngadhnjim mbi heshtjen, si brendësi ideore estetike, ligjërimi nuk mund të heshtëzohet, por poetja është një “efantine terrible e poezisë shqipe” shprehet (Gjergj Jozef Kola), me një gjuhë të pasur, të thellë si “idhtare” e gegnishtes aq përmbushëse, me kode që “korrespondojnë më së afërmi me ideologjinë e saj” sipas (Tsvetan Todorov-it), ku mbizotëron metafora dhe gjendja surreale e perceptimit të botës, thirrma britmuese se femna nuk asht njeri, është gjysma mashkullore ose Mbifemra, që sakrifikon; shpirtin, zemrën, në ngjizjen e botës së “dreqit”, për të mbetur thjesht: femër, në vargjet: shiu frymon/ ndër pemë,/ engjëjt lëshohen/ fruta/ n’parrizat/ e trupit tim… magji e metafora që hera-herë ngjasojmë me receptimin e hermetikëve, kumton larushi të “figurave radikale” të (Christine Rose-Brookut), se dukuria që shenjon, si motiv lëvizës metaforik ka lidhje associative – emotive me mënyrën abstrakte të thënies. Tofjalëshi fruta/ n’parrizat/ e trupit tim…, kumton se trupi i një femre ka fruta të parajsës, duke aluduar për metaforizimin e një “figure të thellë” të (Middelton J. Murryit), është metonimia e bukurisë femërore që riprodhon jetën, nga frutet e parajsës të trupit të saj, të “harruar” nga skllavërimi, duke lëvizur shkallshmërisht nga lart-poshtë dhe anasjelltas, ku shtresëzohet lënda poetike, nëpër vargjeve: gurëzit janë qetimet/ që rrëshqasin me verën/ prej bishtit t’trunit…, duke vazhduar me zgjaten e figurave ekspansive, për (Wellek Waren) “si figurë e pasionit të fortë dhe mendimit origjinal”, me figura që ndërveprojnë dhe (ndër)depërtojnë duke projektuar:
a.personalitetin mbi botën e jashtme,
b.mundëson shprehinë figurative,
c.tipizon objektin me subjektin,
d.zotëron harmoninë e së bukurës poetike
Gjithrrokjen e të bukurës, sipas poetit bashkëkohor francez (Jean Michel Maulpoix), e gjejmë duke besuar se, “mund të ndikojmë në vetë gjërat, kur në të vërtetë vozisim mes vegimeve të tyre”. Vargjet: se dielli/ u zhbaka/ n’tavana t’zambakët… eksploron surrealen, në trininë e Unit poetik, (mendim/ndjenjë/ rrëfim poetik), qenëson Qenien dhe (mbi)Qenien, jo si vetëdije/nënvetëdije letrare, por si kombinim mes strukturave vertikale dhe horizontale. Vertikalja strukturohet tek eptimi i diellit, që përthyhet në hapsirë (vertikalisht) dhe në mijëra thjerrza drite për të dritëruar, trupin femror (horizontalisht) lulediella t’zinj/ dillojnë/ përmbas shiut, luledielli është (lulja kah dielli) ka fara e tundimit femëror, që kërkon vertikalitetin (lulja si bimë) pra mashkulli, që mbart dritëshpresën, dashurinë për jetën dhe dëshirën e fshehur (ndër)seksual për vazhdimësinë e jetës, se passhiu ka gjithmonë diell, që lulediellja (në rrafshin krahasimtar është trupi femror) në kërkin të dashurisë së vërtetë. Kryetemat: femna/ parriza/ dielli/ luledielli, dekodojnë koishencën femërore, të çiftit mashkull (i nënkuptuar)/femër, përshtashmërinë në kuptimin dhe transformimin në krijim, sepse në teoritë e “krijimtarisë femërore” sipas tekstit të (Sandra Gilbert, Susan Gubar) femra janë “si një tërbim antipartriarkal”, si një femonen shtresor që lexohet në brendinë tekstore në mënyrë organike, “fenomenologjia e tekstit” për (Roman Ingarden-in), vendoset në tri shtresa:
-shtresa e parë, (shtresa e tingujve të fjalës dhe informacioni poetik),
-shtresa e dytë, (njësitë kuptimore),
-shtresa e tretë, (bota e tekstit).
 
Së fundmi: mjafton edhe vetëm kjo poezi, që poetja Ledia Dushi të shpërfaqet në të gjitha rrafshet e procesit të leximit, si një polifoni me vlerave estetike, postmoderne. Kjo poezi e botur që gjashtëmbëdhjetëvjeçe e njohur për lexuesin, ka tejkaluar çdo pritshmëri, një poezi me dendësi figurash stilistikore, një shmangie totale nga poezia e lexuesve online. Një poete e lënë në “hije” me një potencial mirëfilli krijues ku bashkohet metamodernizmi, dhe post-postmodernizmi si rryma të reja, që po zëvendësojnë modernizmin (tashmë të vjetëruar) në poezinë shqipe.
Besimplotë, se nesër kjo sirenë do qetojë ujërat, akoma të turbullta të letërsisë gjithkombëtare shqiptare, për të qenë një zë i fortë si poetja, Ledia Dushi.
 
Bibliografi:
1.Brooks, Cleanthi: (1947), “Literary Criticism”, English Institute Essays 1946, New York.
2.Derrida Jacque: (1976), L’écriture et la différence , Seuil, Paris
3.Gjeçovi O.F.M, Shtjefën: (2018), Kanuni i Lek Duakgjinit, “Kuvendi”, Lezhë.
4.Kola, J. Gjergj: (2016), Ledia Dushi, nji efantin terrible e poezisë shqipe…” Tiranë. https://www.radiandradi.com/ledia-dushi-nji-enfant-terrible-i-poezise-shqipe-nga-gjergj-jozef-kola/
5.Tsvetan Todorov: (2008), Teori dhe kritikë modern, “Rozafa”, Prishtinë.
6.Brook, R. Christine : (1985), A Grammar of Metaphor, London.
7.Murry, J. Middleton: (1931), “Metaphor”, Contries of dhe Mind, second series, London.
8.Wellke, Waren: (2007), Teoria e letërsisë, përkth: Abdurrahman Myftiu, “Onufri”, Tiranë 9.
9.Michel Maulpoix: (1996), L’Lilusion lirique, La poesie malgré tout, Mercure de France.
10.Gilber Sandra, Dusan Gubar: (1979), The Madwoman, in the Attic:the Woman Writer and the Nineteenth-Centry Literary Imagination , New Haven, Coon.
11.Roman Ingarden, (1973): The Cognition of the Literary Work of arts, Evanston, III
 .
Ledri Kurti - Kraja
Ledri Kurti – Kraja

Dekodimi i blafsemisë në emër të jetës, tek Ledri Kurti

Blasfemitë – poezi nga Ledri Kurti

Fjala po qan,
e shumë, ka qarë,
si foshnjë e lënë diku,
si mëkat.
E qara, ther ajrin,
një shpirt është jashtë.
Fjala dridhet së ftohti,
po mavijoset, gjer në palc.
 
Turpin, po!
Lëreni jashtë.
Foshnja, s’është mëkat.
Do netë e vite të pagjumë,
nga foshnjë të rritet,
pa ecur në gjunjë,
por… ju bën Nënë,
ju bën Atë,
e gjithë jetën,
me kujtime ju përkund.
 
Sot,
kërkon një dorë ta marrë,
nesër, ju jep krahë!
 
Mos, Fjalën!
Nga Zoti e kemi dhuratë.
Si t’a braktisim,
foshnjën tonë,
me dënesë, duke qarë?
 
A më mirë, jetën,
të mbash në krahë,
apo në shpirt, pengun e saj?
 
Fjala, ishte e para,
dhe buzëqeshja e foshnjës.
Gjelbërime të shpirtit në jetë.
Hakërrohet natyra, nga të qarat,
dhe blasfemitë, që njeriu mbjell…
 
Të kuptosh blasfeminë si një mesazh të “mohimit” përmes simbolizmit të vërtetë, ku ndërthuren elemente të metaforës simbolike nëpërmjet “simboleve sunduese”, ndërtojmë figura pamore, me shumësi sistemesh të “fshehta” ku trajtëzohen:
-figurat ndjesore-kanonime të caktuara simbolike,
-zhvendosje të një sistemi të dhënë “shenjor”,
-(ri)mishërim konkret emotiv .
 
1.Vlera njohëse emocionale shpërbëhet kur “simboli karakaterizohet nga ndriçimi në brendësinë e dukurive të përgjithshme ose i të përgjithshmes në të veçantën”, sipas (Jun Feildelson Charles-it), e gjithë poezia ndërtohet mbi simbolin, Fjala po qan,/  e shumë, ka qarë,/ si foshnjë e lënë diku,/ si mëkat…” vetë fjala ka burim biblik, e përsëritur dhe e lidhur me fjalën foshnje e (braktisur) ku vargjet:  “E qara, ther ajrin/ një shpirt është jashtë/ Fjala dridhet së ftohti,/ po mavijoset, gjer në palc…”  nëse mund të ndahet në pjesë, elementet në mbështjelljen fabulore, që funksionojnë edhe si njësi më vete jashtë semës së titullit, është një lloj simbolizmi përshkrues, e bën më të besueshëm dhe më të pranueshëm për ndërdijen zgjuese shoqërore, në mënyrë analogjike, poezia riciklon ritualin total, me mendimin e pakufizuar individual, se për (Northop Fraj-in) “forma e letërsisë e ndikur më së thelli nga faza analogjike”, nuk mund të kufizohet vetëm me një interpretim. Nëse semat [jasht-ë/palc], rimojnë me bashkëtingëllore fundore [t/c], bashkëtigëllorja kërcitëse [c], krijon atmosferë të nderë të natyrës, me analogjinë e fëmijës së braktisur, se vetë stuktura mund edhe të interpretohet si logos-i, në formë organizimi si kryetip. Vargu: turpin, po!, quhet si varg përjashtues, (nuk ka lidhje me pjesën tjetër), Lëreni jashtë. / Foshnja, s’është mëkat./ Do netë e vite të pagjumë,/ nga foshnjë të rritet,/ pa ecur në gjunjë,/ por… ju bën Nënë,/ ju bën Atë,/ e gjithë jetën,/ me kujtime ju përkund. një rikthim në kryetopinë fillestare, ku tropet: ecur në gjunjë/ kujtime ju përkund, janë katakreza, ose si “shtrembërim ligjërimi” sipas (Martin Foss-it), aspektet e simboleve metaforizuese përdoren për indentifikimin, jo vetëm në rrafshin përshkrues, jo vetëm si perspektivë e dyfishtë e domethënies, por edhe stukturë verbale të fenomenit. Poezia fillon me shkallëzim zbritës, përsëri shkallëzim ngjitës, “Sot,/ kërkon një dorë ta marrë,/ nesër, ju jep krahë!”  pra teksti nuk e braktis gjendjen shpirtërore të integruar brenda tekstit, kjo formë e strukturuar poetike, “nuk barazohet me narracionin e sforcuar lirik”, sipas studiuesit (Rexhep M. Shala). Në rrafshin përshkrues kemi perspektivën e dyfishtë të stukturës, sepse në rrafshin formal simbolet nuk janë përfytyrime, se vetë struktura e poezisë nuk ka “një moment të veçantë të historisë” sipas (Daniel Chandler-it), por një vetidentifikim të formave të toposëse dhe logoseve në formë piktoreske, të tipit iluziv, trompe l’oelil, për “një konceptim abstrakt dhe jo diçka që ekziston, si mënyrë empirike në botë” për (Jane Feure-in), zbret në rrafshin mitiko-biblik, “Mos, Fjalën!/ Nga Zoti e kemi dhuratë./ Si t’a braktisim,/ foshnjën tonë,/ me dënesë, duke qarë?” se në fillim “ishte Fjala dhe Fjala ishte Perëndi”, (Gjoni 1), se Zoti është Fuqia e Epërme që vendos për fatin e njeriut, se Zoti ka përcaktuar familjen dhe fëmijët si trashëgimtarët e njeriut, si akt riprodhimi, por ndërtekstoria, na tregon me anë të pyetjes retorike: “A më mirë, jetën,/ të mbash në krahë,/ apo në shpirt, pengun e saj?” duke e trasformuar tekstin si nëntekst, nga rrëfimi mitikrrëfim letrar, duke e lidhur me “mitokritikën” term i (Pierre Brunel-it). Në stofën e fundit: “Fjala, ishte e para,/ dhe buzëqeshja e foshnjës./ Gjelbërime të shpirtit në jetë./ Hakërrohet natyra, nga të qarat,/ dhe blasfemitë, që njeriu mbjell…” topika shenjore në raport me njësinë referenciale, për (Jacque Geninasca-s) “ekzistojnë tre rrokje të ndryshme të teksteve”, duke u mbështetur tek Lexuesi Model dhe Autori Model i Eco-s:
rrokja morale, (interpretimi enciklopedik),
rrokja semike, (analiza e tekstit duke mos ndalur vetëm tek niveli sipërfaqësor i shenjave),
rrokja mbresore, (raporti ndjesor që teksti prodhon mbi subjektin).
 
Sëfundmi: leximi në bashkohësi dhe rrokja e elementeve estetike në poezinë e Ledri Kurtit, është një ndjesi jo vetëm me marrëdhënien mes poezisë dhe vetes, por edhe duke mposhtur “amatorizmin” e poezisë sidomos asaj virtuale. Të qasesh ndaj një poezie të tillë, do të thotë lartosh një kulturë Eprore me shije poetike, por prapëseprapë koha, do të më japë të drejtë kur kritika ta radhisë si një poete moderne në hapsirën e poetëve të rinj të letërsisë shqipe, me një të ardhme shumë shpresuese.
.
Bibliografi:
-Geninasca, Jacque: (1997), La parole litterarire, PUF, Paris.
-Brooks, Cleanthi: (1947), “Literary Criticism”, English Institute Essays 1946, New York.
-Derrida Jasque: (1976), L’écriture et la différence , Seuil, Paris
-Feildelson, Charles, Jun: (1953), Symbolism and American Literature, Chicago.
-Martin, Foss: (1949), Symbol and Metaphor in Human Exsperencie, Princeton.
-Shala, M. Rexhep: (2010), Analiza – Kognicioni dhe modelimi, neokultura, Prishtinë.
-Chandler, Daniel: (1990), An Introduction to Genre Theory, University of Wales, Aberystwyth.
-Feuer, Jane: (1992),Genre study, Routledge, London.
-Bibla, (Zanafilla 27:25)
-Brunel, Pierre: (1992), Mythocritique et parcouris, PUFR, Paris.
-Fraj, Northon: (1990), Anatomia e kritikës, përkth: Avni Spahiu, “Rilindja”, Prishtinë.
.
Anisa Velaj
Anisa Velaj

Njohja e njeriut si procesion letrar të Anisa Velajt

Ishte roli yt i fundit, homunkulus!* – poezi nga Anisa Velaj

Erë zjarri
Erë zjarri
Erë zjarri
Gishtave të puhisë
Mbi dy tela kitare.
Orkestra nis e nxehet
Pa kurrfarë shkaku…
Unë nuk e hedh atë valle, Homunkulus.
Kam moshën e gjetheve, prej një jete
Dhe çdo përpjekje për të kapur ajrin
Më shpërblehet me fantazma fluturimesh.
Erë zjarri
Erë zjarri
Erë zjarri
Gishtave të puhisë
Mbi katër tela kitare.
As ti nuk duhet ta hedhësh atë valle, Homunkulus,
Je qenie e shpikur dhe aspak e lindur
Duhet të dashurosh së tepërmi për të mos humbur krejt.
Valltarët si ti, i këputi një korrent ere
Tek prisnin në ekstazë kërcej zymbylash.
Je i fundit i asaj dinastie, Homunkulus!
Erë tymi
Erë tymi
Erë tymi
Kitara u zhduk si të mos ish asgjë.
Ah, si nuk më dëgjove një herë, bir
Ky ishte i mbrami rol yti drejt përsosurisë
Ky ishte i vetmi rol…
S’do të kesh mëshirë të robërosh, as muret
As veten s’do të kesh më frikë ta robërosh tani
Zgalemi ynë, ngjizur në një mirazh kafazi!
 
Poezia nuk është vetëm arti i të kuptuarit, por edhe një etyd shpirtëror, sa mohues aq edhe pohues, për të përmbushur përplotmërinë e saj se modelet poetike sipas mënyrës së konceptimit të realitetit brenda poetikës së receptimit, anojnë jo vetëm drejt një poezie të përjetimit, me format e shprehjes së modernes, duke çmontuar lirizmin spontan të vetëdijes dhe pavedijes, jo vetëm si procedim të lëndës artistike, por duke na sjellë një “dikotomi mes gjuhës e realitetit, mes dëshirës dhe mundësisë”, sipas (Hugo Friedrih), duke u larguar nga trashedenca e krijimit nga Zotit të Njeriut, “përtejbota”, “përtejjeta” kanë dallim mes qenies së fajshme njerzore dhe Hyjit të Krijimit, nuk është “pengu”, as tharmi i mbartshëm poetik, “pa cak”, deri në zgrip të botës, ku homunklus-i është jo vetëm dimensioni i të panjohurës së shkencës por edhe motivi par exelence, i Alisës, “për të bërë një burrë pa lidhje” sipas një grupi shkenctarësh mjekësh japonezë, (Kadomatsu, Nkamura, Ishizuka), mënyra e sjelljes së poezisë moderne, që hapet me flakërimin: Erë zjarri/ Erë zjarri/ Erë zjarri, që përsëritet pas vargjeve dymbëdhjetë, përsëri në formë trevargore, teksa kungimi zjarrmor në formë të një metanarrative si teknikë postmoderne “i nënshtrohet keqpërdorimit” sipas (Thomas Walker-it), se brenda një vepre arti është krejt normale, sido­mos sot, kur arti shihet më shumë si kombinim sesa si krijim. Autori postmodern nuk e koncepton origjinalitetin si shpikje ex nihilo, por si mënyrë specifike e trajtimit të një objekti, në postmodernizëm shpjegimi i këtij procesi kthehet në parim krijues dhe njihet me emrin  “poioumenon” për (Alastair Fowlerin). Një risjellje e anaforës dhe epiforës, përsëritjes, [Erë zjarri (përsëritet 6 herë)] dhe sërishmi përsëritja e trevargorit tjetër [erë tymi, (përsëritet tre herë), fjala zjarri zëvendësohet me fjalën tymi], se predikimi i zjarrit, është “katarsis” nga e keqja. Zjarri pastron, ligësitë, ndotjet njerëzore, shthurjen e tyre dhe hiri i tij, është bekim për të rilindur jetë të reja, që ndërfutet me ndërtekstorinë elotiane, “predikim i zjarrit” si “pastrues” mëkatesh, sipas Budës, ndalon dëshirat dhe epshet që i çojnë njerëzit në mëkate. Të gjitha “fuqitë” njerëzore për pushtet, duhen ndaluar. Në vedat induse, Zoti i Zjarrit, është i pavdekshëm, por vargjet: “Gishtave të puhisë/ Mbi dy tela kitare./ Orkestra nis e nxehet/ Pa kurrfarë shkaku…” prirjet avangardiste ku metaforika dhe simbolika realizohen në mënyrë të çrregullt. Kjo poezi në pikëpamje të strukturës dhe të idesë poetike duket kapriçioze, si ndaj mosrespektimit të rregullës metrike, ashtu edhe ndaj mosrespektimit të konteksteve logjike poetike, për (Edlira Çerkezin), “është gjuha e komponimeve metaforike dhe simbolike”, ky lloj tëhuajëzimi, ka një koncept individualist, që sipas (Louis Dumont-it) “individualizmi – është konfiguracion ideologjik modern”. Për dekodimin e veprave të tilla luan rol:
a)nënteksti, në shtresëzimet e të cilit synohet qasja drejt mesazheve të tërthorta,
b)ndrëkallja e ekuivalencës stilistikore dhe sintaksore,
c)kornizat narrative kompozicionale dhe poetike rikuptimësohen,
d)shenjohen paradokset semiotike të  (pa)kohësisë, duke u përdorur edhe teknika e flash-back-ut, “unë nuk e hedh atë valle, Homunkulus./ Kam moshën e gjetheve, prej një jete/ Dhe çdo përpjekje për të kapur ajrin/ Më shpërblehet me fantazma fluturimesh”, një zhbërje e njësisë kohore universale, sheston të gjitha kohët letrare, duke shpalosur një gjuhë tjetër, nëpërmjet alkimisë së fjalës, se “universi ligjërimor dhe ideor sintetizohet rreth një boshti poetik të fuqishëm, dimensionet poetike bëhen shpërthyese e konotative”, sipas (Yllka Filipit), autori postmodern nuk e koncepton origjinalitetin si shpikje ex nihilo, por si mënyrë specifike e trajtimit të një objekti. Për (John Barthin), “letërsia postmoderne është letërsi e shteruar” prandaj konceptet e metaforës e simbolikës, janë “përbërësit” edhe të krijimit po ashtu edhe shkatërrimin e Homunkulus-it të Velajt, sepse njeriu apo Supernjeriu, (si krijues mes Unit/ Vetvetes dhe Zotit në letërsi), “thyhen” gishtat, edhe në hapirën e intekstit (mesazhet, e-mailet, chatet në internetit), “gishtave të puhisë/ Mbi katër tela kitare./ As ti nuk duhet ta hedhësh atë valle, Homunkulus,/ Je qenie e shpikur dhe aspak e lindur/ Duhet të dashurosh së tepërmi për të mos humbur krejt,” se ajo krijesë Antinjeri/ Antikrisht nuk është humane, e se humanoidët nuk dashurojnë. Shkatërrimi i çiftit: antinjeri/ antihumanoid, kanë thyer kodet dhe nënkodet e mëparshme, se nga “tradita e mëparshme të para viteve 90-të” për (Ymer Çirakun), nuk ka mbetur më asgjë, madje edhe termat e postmodernizmit janë vjetërur sepse sot poetika e post­modernizmit, ku inter­tekstualiteti si “interaksion gjenerik kompleks” për (Linda Hutcheonin) ka rënë. Vargjet: “Je i fundit i asaj dinastie, Homunkulus!/ …/ Kitara u zhduk si të mos ish asgjë./ Ah, si nuk më dëgjove një herë, bir/ Ky ishte i mbrami rol yti drejt përsosurisë/ Ky ishte i vetmi rol…”, roli i (pa)përsosmërisë së njeriut mbaroi. Gjithërrokshmëria e Mbinjeriut niçejan, merre-jep elemente të një kumti të (tej)njerëzores, për të kuptuar vendin e njeriut në këtë botë, ku hapsira jonë po ngushtohet, nga lufta, varfëria, tsunamet, sëmundjet, viruset, madje poetja Alisës, luan me kodet letrare të njeriut virtual (jo vetëm në laboratorët e të ardhmes robotët etj). Për (Roaul Eshelman) postmodernizmi “po vdes” duke ia lënë kohës emërtimin e epokës së re, “tash qarkullojnë shumë emra – performatizmi, metamodernizmi, dixhimodernizmi, post-postmodernizmi, po i përmend vetëm disa. Ndoshta duhen vite para se të arrihet një konsensus i vërtetë”. Fundvargjet e ballafaqojnë poeten me vetëdijen eternike, që përmbyset honeve të shpirtit, fryma njerëzore, “tepron” dhe “mungon”, në fundpoezinë: “S’do të kesh mëshirë të robërosh, as muret/ As veten s’do të kesh më frikë ta robërosh tani/ Zgalemi ynë, ngjizur në një mirazh kafazi!” A mund të quhet lirika brenda pengut të pafalshëm, ku Qenia dhe Antiqenia, krahërojnë me Njeriun dhe Mbinjeriun, duke kërkuar gjithëherë nëpër dimensionet e panjohura? A ndodh vallë? Në poezinë e Alisa Velajt, po!
 
Sëfundmi: qëllimi i kësaj qasjeje, më shumë se një ese, është mesazhi që i dërgon lexuesit në bashkohësi, se poetja Anisa Velaj është një autore me botime poetike dhe antologji në gjuhë të huaj, por mungesa e kritikës e ka privuar këtë poete nga arealit i letërsisë së shkruar në bashkëkohësi, njohur vetëm nëpërnjet receptimit kryesisht nga lexuesit virtual.
.
Bibliografi:
1.Geninasca, Jacque: (1997), La parole litterarire, PUF, Paris.
2.Brooks, Cleanthi: (1947), “Literary Criticism”, English Institute Essays 1946, New York.
3.Fridrih, Hugo: (1974), : The structure of modern poetry (From the Mid-Nineteenth to the Mid-Twentieth Century), Northwestern University Press, Evanston, USA.
4.Walker, Thomas:(1996), “Postmodernism and the study of the future.” Futures Research Quarterly.
5.Fowler, Alastair: (1989), The History of English Literature. Cambridge: Harvard University Press.
6.Filipi, Yllka: (2013), Individualizmi si dukuri atipike në letërsinë bashkëkohore shqiptare, (Kumtesë mbajtur në Simpoziumin Shkencor të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, New York), 22 Dhjetor 2013. http://illyriapress.com/individualizmi-si-dukuri-atipike-ne-letersine-bashkekohore-shqiptare/
7.Hutcheon, Linda. “Beyond Postmodernity.” Symbol, No. 1, Tirana -Prishtina – Skopje, 2013.
8.Çiraku, Ymer: (2011), Shqyrtime kritike nga historia e letërsisë shqipe, “Albas,” Tiranë.
9.Dumont, Louis , (1997), Ese mbi individualizmin, “Korbi”, Tiranë.
10.Eshelman, Raoul, (2014), Performatism, the epoch after postmodernism. Symbol, No. 2, Tirana – Prishtina – Skopje, 2014.
11.Kuno, N; Kadomatsu, K; Nakamura, M; Miwa-Fukuchi, T; Hirabayashi, N; Ishizuka, T: (2004), Mature ovarian cystic teratoma with a highly differentiated homunculus: a case report, “Birth Defects Research Part A”: Clinical and Molecular Teratology.
12.Shënim: Homunculus (Mbretëria e Bashkuar:/ hɒˈmʌŋkj homləs / hom-UNK-yuul-əs, SH.B.A . hoʊˈ- / hohm-, latinisht: [hɔˈmʊŋk; lʊs]; “person i vogël”) është një përfaqësim i një qenieje të vogël njerëzore. E popullarizuar në alkiminë e shekullit të gjashtëmbëdhjetë dhe trillimet e shekullit XIX, ajo historikisht i është referuar krijimit të një njeriu miniaturë, plotësisht të formuar. Homunculus së pari paraqitet me emër në shkrimet alkimike që i atribuohen Paracelsus (1493-1541). De natura rerum (1537) përshkruan metodën e tij për krijimin e homunculëve: që spermatozoidi i një njeriu të kalbëzohet vetvetiu në një kastravec të mbyllur për dyzet ditë me shkallën më të lartë të kalbjes në barkun e një kali, ose të paktën aq gjatë sa të vijë në jetë dhe të lëvizë vetë, dhe të trazohet, gjë që vërehet lehtësisht. Pas kësaj kohe, do të duket disi si një burrë, por transparent, pa trup. Nëse, pas kësaj, ai ushqehet me mençuri me Arkanumin e gjakut njerëzor dhe ushqehet deri në dyzet javë dhe mbahet në nxehtësinë e barabartë të barkut të kalit, prej tij rritet një fëmijë i gjallë njerëzor, me të gjithë anëtarët e tij si një tjetër fëmijë, i cili ka lindur nga një grua, por shumë më i vogël. Këtu, karakteri i Homunculus mishëron kërkimin e një shpirti të pastër për të lindur në një formë të vdekshme, duke kundërshtuar dëshirën e Faustit për të derdhur trupin e tij të vdekshëm për t’u bërë shpirt i pastër. Ideja alkimike që shpirti nuk është i burgosur në trup, por përkundrazi mund të gjejë gjendjen e tij më të ndritshme ndërsa kalon përmes rrafshit material është thelbësore për karakterin. Krahasimet janë bërë me disa koncepte të ngjashme në shkrimet e alkimistëve të mëparshëm. Megjithëse fjala aktuale “homunculus” nuk u përdor kurrë, Carl Jung besoi se koncepti u shfaq për herë të parë në Vizionet e Zosimos, shkruar në shekullin e tretë pas Krishtit. Në vizione, Zosimos ndeshet me një prift i cili shndërrohet në “të kundërtën e vetvetes, në një antroparion të gjymtuar”. Fjala greke “anthroparion” është e ngjashme me “homunculus” – një formë zvogëluese e “personit”. Zosimos më pas ndeshet me antroparion tjetër në ëndrrën e tij, por nuk përmendet krijimi i jetës artificiale. Në komentin e tij, Jung barazon homunculus me Guri Filozofik dhe “personin e brendshëm” paralelisht me Krishtin. Në alkiminë islamike, Takwin (arabisht: تكوين) ishte një qëllim i disa alkimistëve myslimanë. Në kontekstin alkimik, Takwin i referohet krijimit artificial të jetës në laborator, deri dhe përfshirë jetën e njeriut, në: https://en.wikipedia.org/wiki/Homunculus, Grafton, Anthony (1999). Natural Particulars: Nature and the Disciplines in Renaissance Europe. MIT Press,  Jung, Carl (1967). Alchemical Studies, Besetzny, Emil. (1873). Die Sphinx, Vienna, Hartmann, Franz (1896). The Life of Philippus Theophrastus Bombast of Hohenheim: Known by the Name of Paracelsus, and the Substance of His Teachings. London: Kegan Paul, Trench, Trübner, Saladin, Kenneth (2012). Anatomy and Physiology: The Unity of Form and Function, 6th Edition. McGraw-Hill.
 .
Gentiana Kone
Gentiana Kone

Dekodim’i natës, përmes përthyerjes së dritës te Gentiana Kone

Xhixhë nate  – poezi nga Gentiana Kone

Përqafuar
në k’të masë të butë errësine,
i qeti syu yt
shpërndan një dritë të ngrohtë qiriri.
Në flakën e tij, portreti yt luhatet,
teksa liane gishtash
të ngrohtën cipën time prekin.
Okra e të purpurta rrëshkasin lehtë mbi mollza
e të tuat buzë zhyten
aty ku drita nuk mund të thyhet më.
Sa shumë qënie ndërthuren tek ty i dashtun
e mbi çdo njërën të mushtat puthje vë,
me buzët
tek kërkoj një krehje të përkohshme
në flok’t e tua shpurpurisur mbi jastëk.
 
Leximi dhe procesi i vlerësimit të veçanësisë (në letërsi/ prozë, poezi), ka metoda të ndryshme, për të arritur (tek thelbi i një analize, diskutimi, eseje, studimi etj.), por mundësia e një qasjeje me “analiza sistematike” duke zbuluar “mekanizmat e brendshme” qoftë edhe të një poezie, na duhet të lexojmë dhe (ri)lexojmë “sistematikisht, për të kuptuar mekanizmin e brendshëm”, sipas (Claudio Giuntanit), për një rikonceptim të një lloji tjetër, ku esencialja e një poetike ndodhet mes krijuesit (autorit) dhe krijesës, (vepra/ poezi, prozë etj.), nëse mund të themi se krijimi ex nihilo (prej asgjësë), lidhet me transhendencën letraro-fetare (hebreje -kristiane), se vetëkopetenca e autorësisë (autorit/-es), mund të rigjenerojë apo të dekodojë kode dhe mite të reja, fundja edhe njeriu është komponent i (ri)krijimit poetiko-letrar ku kemi këto komponentë:
a)komponentë jo vetëm si instancë unike,
b)komponentë nga natyra si (ri)krijim i vetvetes,
c)komponentë që ndërthuren me (ndër)kuptime heterogjene.
Kuptimi subjektiv i ndërgjegjes sonë, sipas studiuesit (Ardian Ndreca) “është raporti mes arsyes dhe shumësisë së gjanave”, në vargjet: Përqafuar/ në k’të masë të butë errësine,/ i qeti syu yt,” nëpërmjet vetëm një (xixe drite), nata e shpirtit të poetes së butë, redimensionohet në kërkim të dritës, se dimensionet me shpirtëroren shpalojnë mistikën e hapsirës, tokësores, tek prek masën e butë të errësirës, një metaforë fantazmagorike, që e shpërbën atë masë, përtej mëtimit metaforik, madje deri në metonimi, se për (Albert Vatajn), “nata, përndrit në subkoshiencën e poetes, si një teatër, ku luajnë imazhet dhe ndjesitë, me një harmoni perfekte”, teksa drita e njohjes dhe mirësisë, “shpërndan një dritë të ngrohtë qiriri./ Në flakën e tij, portreti yt luhatet,” se drita që ndriçon jo vetëm “amanetin” e poetes, por edhe palimpsesti që krijon shtresëzimi dikotomik [flakë/ dritë], duke krijuar një lloj thyerje poetike, nëpërmjet katakrezës, në togfjalëshin: “masë të butë errësine” për (Middleton J. Murreyin) “e lidhur në mënyrë specifike me perceptim ndjesor” i është kushtuar një vëmendje anës emocinale të figurës, duke i dhënë forcë dhe gjallëri figurës, sesa aftësia e saj për të qenë fakt i vetëdijes vetpërfaqësuese të figurave të kuptimit dhe tropeve të fjalës. Vargjet: “teksa liane gishtash/ të ngrohtën cipën time prekin./ Okra e të purpurta rrëshkasin lehtë mbi mollza/ e të tuat buzë zhyten/ aty ku drita nuk mund të thyhet më”, tejpërtej murit të rrezeve, hepohet deri në honet e thella të njohjes së vetvetes, duke kërkuar fëmijërinë, kujtimet, dashurinë. Sërishmi zhytet brenda Unit të Vetes dhe Mbivetes, në kërkim tropeve [dritë/ errësirë], ku njeriu gjithëherë kërkon të njohë vetveten. Fjalët-kyçe ose kryçelësat, në kërkim të panjohurës, (frika është ndalesë nga dashuria), se një fije drite ndriçon udhën drejt shtratit të puthjeve, është kërkimi i të “vërtetës filozofike”, nëpërmjet imazheve poetike. Imazhi ka aftësinë e transfigurimit të errësirës në dritë, duke mundësuar zbulimin e anës së mrekullueshme të reales, se “imazhi vezullon”, përjetimet vetjake, ndjeshmëria e hollë dhe leximet e shumta janë një burim i pashtershëm imazhesh, sipas (David Humes) “njohja e njeriut është shumë më e rëndësishme”, edhe si qëllim e relativizmit të vërtetave, por si një mjet i arsyes përmes të cilës njeriu i shtyn limitet e tij njohëse në raport me veten dhe botën, ku abstraktja dhe konkretja, irealja dhe realja, imazhi dhe simboli, sintetizojnë emblema jetësore mbresëlënëse, kësisoj, nuk funksionojnë si gjetje të kulluara; as arbitrare, as rastësore, as të kushtëzuara nga rrethanat, që dallohen qartas prej përftimit të imazheve surrealiste, që ndërkallen me imazhet reale, kur njohja vjen vetiu nga Uni Poetik; shumë qënie ndërthuren: tek ty i dashtun/ e mbi çdo njërën të mushtat puthje vë,/ me buzët/ tek kërkoj një krehje të përkohshme/ në flok’t e tua shpurpurisur mbi jastëk. Duke iu referuar “metodës së fenomenologjisë” , të (Roman Ingardenit), metoda që “qartëson” shtresëzimet e një vepre letrare (në rastin tonë të poezisë), që janë të lidhura dhe të ndërvarura organikisht, tek poezia: “Xhixhë nate”:
 
Përqafuar
në k’të masë të butë errësine,
i qeti syu yt
shpërndan një dritë të ngrohtë qiriri.
Në flakën e tij, portreti yt luhatet,
teksa liane gishtash
të ngrohtën cipën time prekin.
Okra e të purpurta rrëshkasin lehtë mbi mollza
e të tuat buzhyten
aty ku drita nuk mund të thyhet më.
Sa shumë qënie ndërthuren tek ty i dashtun
e mbi çdo njërën të mushtat puthje vë,
me buzët
tek kërkoj një krehje të përkohshme
në flok‘t e tua shpurpurisur mbi jastëk.
 
Në këtë poezi dallojmë tri shtresa:
-shtresa e parë: ajo e tingujve dhe fjalëve, (informacioni fonetik): na jep informacion për ndërkëmbimin e shtresës së zanoneve [a/ë, o/u] dhe shtresa e bashkëtingëlloreve [p/q, f/k] apo edhe bashkëtingëlloret dyshe tipike të shqipes si: [rr/sh/zh].
-shtresa e dytë: njësitë kuptimore, [dritë/ flakë/ ngrohtë/ dashtun etj], tingujt e fjalës, në formë demostruese të (S/Z) së Barthes, në kumtin e fjalës dëshmojnë një lloj ndërlidhjeje rimore [v1/v3, v. 6/v.8, v.9/v.11 ] bashkë me fjalët [gishtash/ mollza/ zhyten/ dashtun]. Ajo që bie në sy, rimat fundore përqasen në bazë të aconancave [gishta/mollza] dhe konsonancave [zhyten/ dashtun].
-shtresa e tretë: bota e tekstit, është një kuantet zanor (me vargje të lira), ku shprehet gjendja shpirtërore, momenti, koha, vendi, që lidhen me fjalët: [përqafuar/ dritë/ flakë/ ngrohtë/ dashtun/ buzë/ flokë]. Gjithë ky informacion poetiko-letrar, mund të kuptohet si një pafundësi mënyrash, duke u shëndërruar në një objekt estetik apo një “harmoni polifonike e vlerave estetike”, mundëson interpretimin e tekstit tek lexuesi, nëpërmjet modelit shtresor, sipas studiuesit francez (Jacque Derridas) “se teoritë strukturaliste narratologjike deklamohen si njëzëshmëri”, se pranëvendosja e një marrëdhënie specifike mes veçorive stilistike dhe efekteve kuptimore, nuk është e pamundur, ku mjetet shprehëse ndahen sipas lidhjes dhe stilit:
-lidhja sipas marrëdhënies së fjalës me objektin, (stilet kanë formë konceptuale, emocionale, përshkuese, qetësuese, kërkuese etj.)
-lidhja sipas parimit të marrëdhënies mes fjalëve, (muzikaliteti dhe toni i poezisë).
-lidhja sipas marrëdhënies së fjalëve me gjithë sistemin e gjuhës, (stili i të shkuarit të individualizuar),
-lidhja sipas marrëdhënies së fjalës me autorin (objekti dhe subjekti).
 
Sëfundmi: për çdo lloj lexuesi në çdo kohë, poezia është më afër shpirtit, pasi është më drejtpërdrejtë dhe më e ndjeshme. Uroj që kjo poezi në formën e një lirike moderne, të përçojnë mesazhin e saj për lexuesin bashkëkohor, duke konkuruar me shumë poezishkrues të sotëm joprofesional, duke shmangur çdo kod vlere shpirtërore dhe ndjesore të bukurshkruar. Uroj që Gentiana Kone, të jetë pjesë e studimeve të mëvona të kritikëve të rinj, duke merituar vendin e saj në arealin e poezisë së sotme moderne mbarëshqiptare.
.
Bibliografia:
1.Brooks, Cleanthi: (1947), “Literary Criticism”, English Institute Essays 1946, New York.
2.Derrida Jasque: (1976), L’écriture et la différence , Seuil, Paris
3.Guinta, Claudio: (2020), Metonimi ndërkombëtare, revista, “Palimpsest”, Tiranë. https://palimpsest.al/2020/04/metoni mi-nderkombetare/
4.Ndreca, Ardian: (2019) , Miti dhe simboli: ndriçues të ndërgjegjes sonë, “Palimpsest”, Tiranë. https://palimpsest.al/2019/07/miti-dhe-simboli-ndricues-te-ndergjegjes-sone-ardian-ndreca/
5.Albert Vataj, (2019), Poezia e Gentiana Kone, vjershërimi që u pëshpërin në vesh erërave dhe ysht ëndjet, www: albertvataj.com/2019/01/05. https://albertvataj.com/2019/01/05/poezia-e-gentiana-kone-vjersherimi-qe-u-peshperin-ne-vesh-ererave-dhe-ysht-endjet/
6.Murry, J.Middleton. (1931): “Metaphor”, Contries of dhe Mind, second series, London.
7.Hume, David: (1888), Selby-Bigge, L.A. (ed.). A Treatise of Human Nature. Oxford: Clarendon Press.
8.Derrida, Jacques: (1978), Writing and Differenece, London (tr. from L’Ecriture et la difference, Paris.
9.Ingarden, Roman: (1973), The Cognition of the Literary work of arts, Evanston, III
.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.