Një sulm virusal për të zhdukë racën njerëzore…
editorial nga Lek Pervizi
Me thanë të drejtën viti 2020 ishte shumë i mbrapshtë për njerëzimin.
Pandemia virusale ose Covid-19, shpërtheu shumë e rrezikshme, duke bllokue jetën normale të njerëzve, të detyruem të mbyllen në shtëpitë e tyne e të maskohen si majmunë. Lene që kjo murtajë e zezë mbolli viktima të shumta, deri tash rreth 2 milionë në gjithë globin tokësor. E kushedi sa do të zgjatet, po qe se nuk arrihet t’i bahet ballë nga ana shkencore me daljen e vaksinës shpëtimtare.
Tash që vitin e vjetër 2020, e lamë mbrapa dhe kemi hy në vitin e ri 2021, urojmë që të sjellë normalizimin e gjendjes alarmante në të cilën po jetojmë. Por, në gjithë kët zymtësi kemi edhe për të qeshë. Disa prej nesh, ish-të përndjekun, të burgosun apo të internuem, qe kaluem jetën të mbyllun në burgje e kampe internimi, shprehen: “Edhe kjo na duhej: të vazhdojmë gjendjen e mbylljes brenda mureve të shtëpisë, pa guxue me dalë jashtë.” Covid-19 na doli një diktaturë e tmerrshme, aq ma tepër se është e padukshme, që qarkullon sipas qejfit e godet pandërpremje, duke mbjellë vdekje ku s’e pret. Por se njeriu do të arrijë të luftojë e ta mundë e të zhdukë këtë pandemi brutale e kriminale. Vaksina shpëtimtare po zbatohet në shkallë botnore dhe shpresat themi janë që të arrihet në zhdukjen e saj. Kjo gjendje e rrezikshme i ka ra në kurriz edhe Shqipërisë dhe shqiptarëve, që ndonëse vend e popull i vogël, edhe aty pandemia virusale ka mbjellë viktima, sikur nuk mjaftonin ato mija që kositi diktatura komuniste. Siç duket edhe komunizmi që mbolli mbi 100 milionë viktima, paska qene një lloj virusi, jo si ky i padukshëm, por fort i dukshëm në formë njerëzore të tipit të katilëve, xhelatëve, kriminelëve, që ndjenin kënaqësi demoniake në vrasjen e viktimave të pafajshme. Ky virusi siç duket asht nje derivat i tyne ose pasardhës i kamufluem në virus të padukshëm, që mbjell terror e kasapane njerëzore me viktima krejtësisht të pafajshme e të pambrojtura. Një gjenocid universal e një holokaust i përbindshëm, flijue idhujve gjakatarë të dukshëm e të padukshëm.
.
Historia e njerëzimit, për të cilën mburremi, pavarësisht nga përparimi i madh i arritun, faktikisht asht karakterizue edhe nga shfaqje negative e të tmerrshme, të papranueshme teorikisht. E themi; duke kujtue se si kjo histori përmban një përçudnim, kur mendon kasaphanet e përgjakuna të luftave e betejave, ku miliona qenie njerëzore kanë humbun jetën në ato lufta vllavrasëse.
Pra, në aspektin thelbësor të çështjes, në disa kushte specifike, njerëzimi kalon në një gjendje anormale të pakontrollueme. Nuk asht që të mbjellim pesimizëm, por që të themi të vërtetën që nuk thuhet, por që qendron e ngulitun mirë në trunin e çdo njeriu. Supozojmë plasjen e një lufte planetare të qytetnimeve për supremaci. Me armët nukleare që disponohen, popuj të tanë do të zhdukeshin nga faqja e dheut, sikur të mos kishin ekzistue kurrë. A do të arrihet deri aty? Urojmë që jo, sepse kjo asht e papranueshme. Por jo e paparashikueme ne incidentin ma të parë të rrezikshëm. S’ka dyshim që do të ketë përlasje qytetnimesh, ku dallohet mirë edhe sot, se ka mospërputhje midis tyne. Këto mospërputhje ne rastin e shkakun ma të parë që bien në kundërshtim të papërmbajtun, patjetër mund të shkaktojnë shpërthimin e nje konflikti të shkallës bonore, ku armët ma të sofistikueme mund të bajnë kërdinë e zhdukin popuj e qytetnime vetëm me shtypjen e disa butonave, o siç thuhet, me një klik të vetëm. S’asht fort prrallë ajo e folun e miut. Po sikur një mi të kalojë mbi pullën e kuqe? Katastrofë universale! Po sikur kjo katastrofë të na vijë nga një armik tepër i rrezikshëm e i padukshëm nga universi mikrokozmik virusal? Po pse ç’kujtojmë ne, se ata s’kanë një inteligjencë të tyre tepër të përsosun, të fuqishme e të organizueme mirë? Kjo që ndodhi me këtë koronavirusin asht një demonstrim i qartë. Një sulm virusal për të zhdukë racën njerëzore. Kjo të merret si një orvatje e tyne për të pa se ç’kundërshtim do të gjejnë. Shkenca njerëzore duhet të impenjohet me përkushtim të madh të gjejë armët kundërvenëse, për të përballue rrezikun e padukshëm që i vjen njerëzimit nga një botë e padukshme, shumë ma e rrezikshme se ajo e dukshme. Këto ishin disa mendime që na ngjalli kjo gjendje e jashtëzakonshme që ka mbërthye botën. Të lusim zotin që të shtrijë dorën e tij për ta shpëtue njerëzimin, se besa punën e kemi shumë keq! Po e përfundojmë shkrimin me thanien latine: “Mors tua, vita mea”, që i përgjigjet ma se miri kontekstit historik te njerëzimit, që pikërisht mbi këtë thanie asht mbështet e do të mbështetet. Por mjerisht këtë thanie, siç duket e kanë përvetësue edhe armiqtë e botës së padukshme, virusët, që vazhdimisht e kanë sulmue dhe e sulmojnë botën tonë njerëzore. A thue të jenë të organizuem edhe në një nivel intelektual e kulturor të tyne, të pakapshëm prej njeriut, por që ekzistoin tek ata. Kjo asht pikëpyetja që nuk gjen zgjidhje, se njeriu nuk deperton dot në botën e tyne, ndërsa ata depërtojnë shumë mirë në botën tonë. E pabesueshme? Jo, jo, fort mirë e besueshme. Pushtimi nga koronavirusi e tregon ashiqare, nga përhapja në gjithë planetin tonë, se ata janë të organizuem dhe të drejtuem shumë mirë.
.
Editoriali i revistes “Kuqezi” nr. 162,
.