Si lindi “gjuetia e thesareve” në Shqipëri!
nga Kreshnik Kuçaj/ SCAN
Historia e dëftesave të vjetra me stil venecian e koordinatat e pasurive të fshehura në Shkodër
Nëntoka e Shqipërisë është konsideruar gjithnjë e pasur për mineralet, por edhe për pasuritë arkeologjike të saj. Përveç kërkimeve zyrtare, jo në pak raste ka pasur iniciativa të ndryshme e ekspedita nga autoritetet shqiptare për të bërë zbulime thesaresh të fshehur. Shkak janë bërë dokumente të hershme të cilat jepnin detaje për thesare të fshehura në vende të ndryshme.
Madje edhe në vitet ’80 regjimi komunist, kur vendi ndodhej në krizë të thellë ekonomike, tentoi të kërkonte për thesare të hershme, që i përkisnin një periudhe të hershme, asaj të para pushtimit osman.
Por një nga dëshmitë më interesante për gjuetinë e thesareve në Shqipëri e jep Dom Ndoc Nikaj te “Kujtime të nji jetës së kalueme”. Ngjarjet që përshkruan Nikaj i përkasin periudhës kur vendi ishte pjesë e Perandorisë Osmane.
Ai rrëfen se gjithçka nisi nga disa letra që qarkullonin në Shkodër si dëftesa të vjetra, që flinin për thesare që ishin fshehur gjatë kohës që njerëzit kishin ikur me nxitim kur erdhi pushtimi osman.
.
Kërkesa pasunish të mshehta
Ishte sundues në Shkodër nji pashë me moshë i ri edhe dukej i shtëpijs së mirë i quejtun Shefqet Pasha. Qysh në kohën e Ismail Pashës ishin kënë shpërnda disa letra nëpër Shkodër si diftesa të vjetra të gjetuna ndër trashigimtarët e shqyptarëve të vjetër të ikun nga Shqypnija çë se pat ardh turku në Shqypni ku diftoheshin pasunina të mbëdhaja të mshehuna aso kohe për mos me i lanë me ra në dorë të turqve.
Veçanërisht diftoheshin se pranë disa Kishave qi tash kishin mbetë aty rrënime e gërmalla të pa kurrinji randsie veç se njifen me emën ndër shpella aty afër, me kaq hapa largësi kohe prendimi edhe aq kohë veriu, gjindeshin shandalla, kandila, kumbonë e sende të tjera në argjand dhe florij. Arkë me rrushpe e gjithë nduer të hollash ari e argjani, pasunina kishtare qi priftnit n’at ikje të shpejtë për me pshtu kryet nga shpata e turqve qi patne përla Shqypnin nuk patne mujtë me bartë me veti.
Gojë me gojë e me mshehtsi të madhe diftonte njani-tjetrit frigë se mund të merrej vesht prej auktoriteteve turke e mbasi ishte e ndalueme me gërmue për gjetjen e pasunive nëndhè, kishin frigë burgimin.
Kso pasuninash fantastike, thohej se gjindeshin ndër Kishët e Shasit përte Bune në krshtë Kllezens, ku shifen në kambë mbas sa qindra vjetsh rrënimet e disa kishave qi mbas trajtet e tyne i çfaqin me stil gotik e me shum mjeshtri. Në njanen e tyne, përballë të kishës qi si mbas fëtyre duket se asht kënë Kishë e Zonjës, mund shifet e shkrueme me njyera të kiarta fugurja e Zonjës. Thohej se po ashtu gjindeshin aso nduer pasuninash te Kisha e Shnaprendës në Shirq të Bregut Buens e në Kishë të Rrashit, në Kishë të Shënkollit afër Pazarit të Shkodrës ku dahen dy rrugat e gjytetit, Perashi e Parruca, te Kisha e Shmarkut e te Kisha e Zojës në Va të Denjës e në Prishtë e njeti.
Nji ndër aso letrash të shkrueme me mjeshtri e qi paraqiten me të vërtetë porsi dokumenta të vjetër si për kah an e gjuhës së shkrueme me stil venezish t’atyne kohve si për kah ana e shkrimit të nji kohës kur nuk dijshin mirë me shkrue, i pat ra në dor’ Shefqet Pashës, me si duket e dhanun atij prej Shanit të Dedë Jakupit, qi ishte nji ndër pjestarët e Këshillit të Prefekturës a të Mishlizit Idare, sikur thohej at here. Shenjet e asajë letër i kishte diftue nji puntuer i vorfën i quejtun Ndrekë Keqi.
Me të marrmen at lajmnim Shefqet Pasha çështjen e pat paraqitë në këshillë edhe si mbas dishirit të tij, kje marrë vendimi me shkue në vendin e shenjuem për me zbulue at pasuni t’madhe të mshefun në dhe. Ndreka Keqi do t’u printe, për me i çue në vendin e njoftun pre tij.
Në ditën e caktueme Shefqet Pasha në shpinë e të atit të bukur e të naltë të pruem prej Stamolle, me nji tubë oficiera e me Shan Dedën e tjerë të Këshillit, u nisne me shkue te vendi i pasunive, por mbasi pak ditë ma parë pat ra shi shumë e ishte rrit Kiri breg në breg.
Të gjithë ngurruene pa pasë asnji guximin me u pri tjerve për me kalue uejin e me dalë n’anë tjetër. Asohere, Shefqet Pasha qi kishte atin sa me i ra me të terthuer liqenit u prini tjerve, por për rrezik të tij aty ku aj i ra uejit ishte kenë nji gomen e madhe, shpellë e ngushtë ku porsa mbërrini ati i tijë ra me shpatulla në gomen, tue i dhanë veti në përpjetë me kapë bregun e gomeni i dha kres në përpietë me vrull dhe me at turr nqeshi e Shefqet Pasha qi ishte i përkulun përmbi kal e turbulloj mendsh e Shefqet Pasha ra pa frymë n’uej në sa qi ati i dha veti e duel në breg. N’at të papritun nuk guxoj kush me u shtye me i dhanë vetit, e duel në breg. N’at të papritun nuk guxoj kush me u shtye me i dhanë ndihmë n’at çast e Shefqeti u mbyt e ma vonë kje nxjerrë i vdekun kufomë, për m’u vorrosë.
Kërkesa dështoj. Puna u vue në gaz nëpër Shkodër ku kalamajtë shkojshin tue këndue rrugave: “Ndreka Keqi me çubuk… çili gropën e gjet nji m…”
Për Kisha e Shasit atje pat kërkue an e kand Ismajl Pasha në kohë të vet, ku lëshoj ushtrin e çili gropa për gjith vend e masë ku diftojshin letrat, por nuk pat gjetë gja sendi.
Gropat e shpellat e çiluna prej Smajl Pashet i kam pa me sytë e mij unë vetë e nji rasë qi dy dajçasorë kur unë paçë kenë famullitar në famillinë e tyne më patnë çue me shikjue a mund u bihej në të disa shenjave qi diftojshin do letra të vjetra qi ata kishin në dorë edhe i ruejshin porsi t’ishin gjana me çmime të mëdhaja. Iu suellmë vendit t’atyne kishave të shumta qi ishin kenë dikuer n’at vend e që përpos njanës qi kishte ballin e pa rrxuem fare edhe përmbi derë nji piturë të vjetër fëtyrë Zoje porse mbas shka kishin çilë e gropue ata ma parë nuk rrinte me vend kërkesa.
Unë me at shkueme, e pashë famullinë e Kllezens ku rrinte asokohe nji prift i quejtun Dom Ndoc Mjeda, qi më falnderoj, pse kishem shkue me e pa.
Sa për gjana të vjetra i pat ra në shenjë nji konsull fancez qi pat çilë shum vorre ndër vorrezat e vjetra të Komanit. Konsulli Degrand, të kohve të shqyptarëve të vjetër e të romanve kuer të moçmit u shtishin n’vorr të vdekunve armët, shpatat e heshtat e unaza e vathë e sende të tjera të remta e qi sot por si vjetrina të moçme kanë vleftë ma të madhe se si t’ishin ari.
*
“Kujtime t’nji jetës së kalueme” Dom Ndoc Nikaj, përgatitur dhe pajisur me shënime nga Dom Nikë Ukgjini
.
Kush ishte Dom Ndoc Nikaj
Dom Ndoc Nikaj është një prej personazheve pak të njohura për kontributin e tij për Shqipërinë. Ai lindi në Shkodër në vitin 1865. Mori mësim fetar dhe u shugurua prift, por petka e priftit rezultoi se i qendroi “tepër e ngushtë” pasi aktiviteti i tij u shtri në dimensione të ndryshme në çështjen kombëtare.
Ai është një ndër kontributorët e parë në mësimin dhe përhapjen e gjuhës dhe literaturës shqipe në vend, ka luajtur një rol të rëndësishëm në lëvizjet për Pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, duke qenë aktor i randësishëm në shumë momente vendimtare të historisë së Shqipërisë. Veprimtaria e tij ishte shumë-dimensionale fetare, shkencore, historike, letrare, publicistike dhe politike.
Ai mund të konsiderohet një rebel i çdo sistemi, sepse u përball me arrestime e burgosje si gjatë periudhës së Perandorisë Osmane ashtu edhe pas Pavarësisë e deri edhe në periudhën e regjimit komunist ku u nda nga jeta në qelitë e burgut në vitin 1951.
19 Shkurt 2021
Marrë nga “Zani i Malsisë”
.