back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Për të djelën e Larit të lavdisë – ngjarje e jetueme nga Gjergj Jozef Kola

Gazeta

Gjergj Jozef Kola në studion e Martin Camajt
Gjergj Jozef Kola në studion e Martin Camajt

Për të djelën e Larit të lavdisë

Ngjarje e jetueme nga Gjergj Jozef Kola

Kam nji shok të kahershëm, i cili ka shkrue gjithmonë bejta, qëkur shkojshim bashkë në shpinë e pionierit, që tash nuk egziston ma. Në çdo çast kur rrijshim bashkë me shokë ai e kishte qejf të madh me kallxue bejta, të tipit:
Kur erdha me të pa/ ti ishe si hata
Apo: Sytë e saj si gjysëhana/ m´kaloj jeta në mejhana.
Kjo formë e thjeshtë njiqelizore e vjershës që ai e quente bejte, simbas fjalës arabe, megjithse bahej me rrimë me folje atij i dukej si diçka e jashtzakonshme. Ngazëllehej si fëmija kur arrinte me i kombinue disa rreshta…të tillë si:
Kur mujta me të kqyre/ ftyra jote si pasqyrë.
Apo: Më ka çue nana me la gojën/ e unë ja nxora bojën.
Kështu në konkursin për letërsinë që shpalli bashkia e qytetit të veriut me bani me dije edhe mue si shokë të vjetër që ishim që në rrethin e krijuesve të ri të shpisë së pionierit që nuk asht ma, unë u prezantova me 55 dramat e mija që kallxojshin për herojtë e këtij qyteti si dhe mos me e lanë përgjysë punën krijuese e plotësova edhe me 12 romane me temat ma fisnike siç ishte dashunija.
Shoku jem, për mos me ndejë mrapa nisi nja 16 bejte, nga ma të ndryshmet, me foljet me rrimë e me temat ma të përgjithshme si…
Kur n´sabah u zgjue Buna/ unë u nisa për të puna
Ose: Sa bukur na ka dalë nusja/ marshallah si me qenë shkusja
Në fillim kryetarja e kulturës “lexoi e shlexoi” mbi “kulturën e shkulturën” e qytetit, përmendi shumë persona që kishin marrë pjesë në kët konkurs kaq dinjitoz, madje edhe nga diaspora, porse pa e përmendë emnin tem e meqë isha i vetmi diasporak, mendova se me mue e kishte pasë. Mandej nuk harroi pa përmendë edhe nji sekretar të ish ministrit socialist të kulturës nga Tirana që nuk kishte hapë për 8 vjet asnji vend pune në kulturën e qytetit me pretekstin se këtu kulturën e drejtoshin të huejt e jo vendasit…
Ma në fund erdhi çasti i shumëpritun që po i lente të gjithë me gojë të hapun, si dhelpna para rrushit se fundja çdo krijues e do shpërblimin monetar e moral:
“Ky është momenti për te shpallë fituesin”, tha ajo që vetë nuk e kishte lexu nji libër në jetë.
Ajo çmoi në shtatë palë qejfe bejten e thirri shokun tem bejtaxhi të kohës së shpisë së pionierit që ndoshta ma mirë që nuk asht ma e asht prishë me ndërtue pallate e me lot ndër sy i dorëzoi çilësat e letërsisë e kulturës së qytetit, e shumën e parave, plot 4500 euro, 10 euro për çdo vjet të pushtimit osman e doli në foto me të para mediave lokale që kishin ardhë me shumicë.
Unë mbeta pa fjalë me thanë të drejtën se kisha ba tanë atë rrugë nga diaspora e sjellë gjith ato libra me vedi e nuk mund t´u besojshe syve prandaj mu dukë sikur po lëshojshe rranjë. Shoku që kishim shkrue bashkë në shpinë e pionierit që mirë që nuk asht ma, më erdhi në fund të ceremonisë së fituesit e mu afrue afër e më tha se kështu jena në qytetin e veriut, nuk na duhen gja pordhët e mëdha, romane e drama, porse këto të voglat që nuk bajnë zhurmë, si puna e tij, porse marrin nderimet e mbi të gjitha PARATE e më recitoi bejtën e rradhes:
Vallë si kenka ba dynjaja/ Shkon paraja te paraja.
Ose Ma të fortë nuk ka mrenda/ Se bejta ime është si fenda
Megjithse kishte ardhë pranvera në qytetin e veriut kundërbonte nji erë e randë e shoku i jem i shpisë së pionierit që tash besoj se mirë që asht prishë e ka humbë çdo gjurmë se janë ndërtue pallate që nuk i prishë kush ma, më pëshpëriti në vesh se donte me më kallxue sekretin e suksesit të tij, e sekretin e nji qyteti mbarë që fshihet në kët bejte e këto donte me e ba, natyrisht me nji Bejte:
Unë fitova se kam stil/ bejtat e mija janë pistil.
Ose Ky asht qyteti jonë me hile/ nëse nuk je i poshtër të bajnë zhumile.
Kur më foli për stilin atëhere unë mendova se në kët qytet të mbuluem me ujin e ndejun të kohës duhet nji drenazhim i plotë, që uji i pistë me kullue e me dalë humusi që shtypet poshtë e filizat me u ba rrokaqiej të rij të epokës së ndritshme.
Gjithandej në vendin tone rriten ferra
Që ja gërdhishtin sytë amshimit.
Deri kur e duron dashunia
Të keqen e përditshme?
U ula e nisa me shkrue kët tregim i kapun nga shtatëqind shpirta të mirë, siç e kishin kapë edhe Franc Kafkën në atë stinë të vjetit 1912 kur në trenin nga Praga në Vjenë, në nji natë të tanë kishte shkrue tregimin, apo siç shkruen Kafka në ditar, historine e shkurtë “Gjykimi”, me ndryshimin e vetëm se unë nuk deshta me gjykue kërkend, se thirrja jeme asht kenë gjithmonë me ba letërsi të mirë e jo jurizëm të keq.
Vjenë, Mars 21
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.