back to top
1.5 C
Tirana
E hënë, 16 Dhjetor, 2024

Vizita e Gjergj Kastriotit Skënderbeu në Itali (Dhjetor 1466 – Janar 1467) – nga Lutfi Alia

Gazeta

Monumenti i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në fortesën Lombarde, në keshtjellën Kastel-leone në Deruta.
Monumenti i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në fortesën Lombarde, në keshtjellën Kastel-leone në Deruta.

Vizita e Gjergj Kastriotit Skënderbeu në Itali

Dhjetor 1466 – Janar 1467

nga Lutfi Alia

Trashëgimia historike gjashtë shekullore e jetës dhe e veprës legjendare të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Princi i Matit, Zoti i Dibrës dhe i Krujës, nga viti 1444 Dominus Albaniae – Zoti i Albanisë dhe krye-komandant i ushtrisë shqiptare, strategu ushtarak dhe diplomati i shquar, ka arritë në ditët tona me tërë kompleksin e aktiviteteve dhe veprave heroike, që gjithnjë e më shumë e pasurojnë figurën legjendare të kryetrimit tonë. Rezistenca heroike e popullit shqiptar kundër sulmeve të egra të ushtrive barbare të Perandorisë Osmane, kujtohet dhe nderohet nga shqiptarët dhe nga popujt europianë, që gjithmonë e kanë vlerësuar dhe nderuar kontributin e Skënderbeut në mbrojtjen e qytetërimit europian nga hordhitë osmane.
Në nderim të kontributit të Gjergj Kastriotit, popujt europiane i kanë dedikuar vepra të shumta letrare dhe artistike, medaljone, portrete, afreske, bazorilieve në portat e banesave dhe të kështjellave në Pulja, në katedralen e Shën Jakut në Shebenik – Kroaci, në Dresden në Poloni, në Francë etj, ashtu si dhe monumente madhështore, si monumentet e Gjergj Kastriotit në Romë dhe një tjetër shumë më i hershëm por pak i njohur, qe ngrihet në fortesën Longobarde në kështjellën Kastelleone në Deruta të Provincës së Peruxhia. [10, 11]
Gjergj Kastrioti si shtetar dhe diplomat i shquar, kishte ndërtuar raporte miqësie dhe bashkpunimi me Vatikanin, mbretërinë e Napolit, Venedikun me dukatet e Milanos dhe të Urbinos, me Republikën marinare të Amalfit, të Gjenovës dhe të Pizës, ashtu si dhe me shumë shtete të tjera europiane si me mbretëritë e Hungarisë, të Polonisë, të Francës, me Republikën e Raguzës, me Republikën e San Marinos etj.[1, 2, 3]
Krahas letërkëmbimeve të shumta me mbretër, kryetarë shtetesh, me Papët e Selisë së Shenjtë dhe me shumë fisnike europianë, Gjergj Kastrioti kreu dhe vizita zyrtare në Napoli, i ftuar nga miku i tij mbreti Ferrante, në Romë dhe në Vatikan, ku u takua me Papën Pio II (1461) dhe në dhjetor të vitit 1466 me vizitat në Romë, në Napoli dhe në Vatikan ku u takua me Papën Pali II.
Monumenti i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në fortesën Lombarde, në keshtjellën Kastel-leone në Deruta.
.

Përkrenaria e Gjergj Kastriotit, në Muzeun Schatzkammer në Vienë
Përkrenaria e Gjergj Kastriotit,
në Muzeun Schatzkammer në Vienë
Sipas kronikave romane “Le cronache Romane, 32”, në fillim të dhjetorit 1466, Gjergj Kastrioti, me veshje ushtari, i shoqëruar nga një grup kalorësish, u nis nga Durrësi me anije e pas një qëndrimi të shkurtër në Raguzë, lundroi dhe zbarkoi në Ankona. Gjatë qëndrimit të shkurtër në Ankona, Gjergj Kastrioti vizitoi kishën e Shën Mikeli Arkanxhelo, ku i gjunjëzuar para shenjtit që e adhuronte, iu lut t’i ndihmonte shqiptarët për të përballuar sulmet e vazhdueshme të hordhive osmane.
Në Romë mbërriti në javën e dytë të dhjetorit, si vërtetohet nga një letër e 15 dhjetor 1466 e kardinalit Gonzaga (Archivio Gonzaga. Nr. 83) [4] dhe në letrën e humanistit – prifti Joannes Pietro Arrivabenus [5] (Arkivio di Stato di Siena). Prifti Arrivabenus ishte i pranishëm, kur Gjergji mbërriti në Romë dhe e ka ndjekur korteun deri në takimin me grupin e kardinalëve që kishin dalë ta prisnin. Në letrën e 14 dhjetorit 1466, Arrivabenus shkruan: “El Signor Scanderbeg gionse qui venerdi 12 dicembre et incontra li forono mandate le famiglie de cardinali. È homo molto de tempo, è venuto e da povere homo. Sento vorrà subsidio – Zoti Skenderbeg arrijti të premten më 12 dhjetor dhe për ta pritur kishte dalë familja e kardinalëve. Është burrë i moshuar, ka ardhur si një i varfër. Dëgjova se do të kërkoi mbështetje financiare”. [5]
Papa Pali II, e ftoi të rrinte në kuvendin domenikan të Bazilikës San Marko, por Gjergji preferoi të banonte në shtëpinë e një miku albanez, që banonte në “Trejo”, pranë “Collis Quirinalis”. Miku i tij albanez merrej me importe venash dhe velierash.[5] Sheshi dhe rruga ku banoi Gjergji, sot kanë emrat “Vicolo Scanderbeg” dhe “Piazza Scanderbeg”,ndërsa mbi arkitraun e portës kryesore të ndërtesës ku bujti, ruhet ende afresku me portretin e Gjergjit dhe mbishkrimi “GEOR. CASTRIOTA SCANDERBEG, PRINCEPS EPIRI.AD FIDEM ICONIS REST. ANN. DOM. MDCCCXLIII”. Mbishkrimi thekson se portreti u restaurua në vitin 1843, duke respektuar besnikërisht portretin e vjetër: “Ad Fidem iconis Restauratum”. [10, 11, 12]
Më 24 dhjetor 1466, Gjergji u prit në Vatikan nga Papa Pali II dhe së bashku festuan krishtlindjen. Papa Pali II, u mrekullua me pamjen madhështore, me karizmën, me oratorinë dhe dinjitetin e Gjergj Kastriotit. Gjatë pritjes në Vatikan, Papa Pali II e nderoi me titullin honorifik “Gentium Armorum Capitaneus”, i dhuroi “Pilus et ensis” (përkrenaren dhe shpatën) një medaljon argjendi me portretin e Gjergj Kastriotit dhe një relikue të shenjtë. Shpata ishte prodhuar dhe zbukuruar nga argjendari personal i Papës. Shpatën e llojit “Ensis” (gladius, telum), Papa ua dhuronte princave dhe kapedanëve, të shquar në luftërat për mbrojtjen e krishtërimit. [7, 10, 11]
 
Shpata “Ensis” e Gjergj Kastriotit, dhuruar nga Papa Pali II. (Ndodhet në Muzeumin e Palazzo Reale të Kapodimonte, Napoli)
Shpata “Ensis” e Gjergj Kastriotit, dhuruar nga Papa Pali II.
(Muzeumi iPalazzo Reale të Kapodimonte, Napoli)
Një tjetër dhuratë e Papa Pali II për Gjergj Kastriotin ishte përkrenaria “Pilus” me kokën e dhisë mitike Amalthea në pjesën e sipërme. Koka e dhisë ka kuptim të qartë simbolik. Sipas mitologjisë helene, dhia Amalthea e mori Zeusin foshnje në malin e Idas (Kretë), e ushqeu me qumështin e vet, e rriti, e mbrojti, duke ia fshehur të atit Krono, i cili e kërkonte ta gëlltiste, si kishte vepruar me fëmijët e tjerë. [10, 11, 12]
Në shiritin e artë rrethor të përkrenares, ndërmjet 6 rozetave, secila me gurë të çmuar në qendër, janë gdhendur inicialet: IN. PE. RE. TO. RE. BT. Këto iniciale janë interpretuar: Jhezus Nazarenus · Princeps Emathie · Rex Albaniae · Terrore Osmanorum · Rex Epirotarum · Benedictat Te – Jezu Krishti të Bekon Ty, Princi i Matit, Mbreti Albanisë, Tmerri i Osmanllijëve, Mbreti i Epiriotëve. [10, 11, 12]. Shumë autorë të huaj dhe shqiptarë, e shkruajnë Regis, por kjo nuk është e saktë, sepse në latinisht Regis do të thotë mbretëri, rezidencë mbretërore, ndërsa shkrimi në përkrenare i dedikohet GjergjKastriotit, i cilësuar Mbret i Albanisë -Rex Albaniae dhe Mbret i Epirotëve – Rex Epirotarum. Këtë përkrenare, nuk ishte helmetë lufte, andaj Gjergji nuk e ka përdorur në dy betejat e fundit të jetës së tij. [5, 10, 11, 12]
Gjatë takimeve me Papën Pali II dhe me kardinalët, Gjergji iu kërkoi ndihma financiare, mbështetje me forca dhe armë, për të përballuar turqit, që mësynin parreshtur mbi trojet arbërore, sulme që ishin kërcënim real për vetë Italinë, por dhe për vendet e tjera europiane. [4, 5, 6, 7, 10, 11]
Gjergj Kastrioti qëndroi në Romë rreth dy muaj, kohë që e shfrytëzoi për takime me kardinalët dhe fisnikët italianë, si dhe për vizita në zona të tjera. [6, 7] Nga dokumenta në Arkivin e Vatikanit dhe në Bibliotekën Arkixhinazi të Bolonjës, rezulton se në fund të dhjetorit 1466, Papa Pali II e dërgoi Gjergj Kastriotin të vizitonte Peruxhien e Vjetër dhe Assizin.
Nga Roma, Gjergj Kastrioti i shoqëruar nga kalorësit arbërorë, udhëtoi nëpër luginën e lumit Tevere dhe kur mbërriti në kështjellën Kastel-leone, ndaloi në fortesën longobarde të Deruta. Në takimin me banorët, që ishin mbledhur për të përshëndetur miqtë albanezë, Gjergj Kastrioti nga fortesa Longobarda, u bëri thirrje të bashkoheshin në kryqëzatën kundër Perandorisë Osmane. Në nderim të kësaj vizite historike, banorët e Derutas mbi fortesën Longobarda të Deruta kanë ngritur monumentin e Skënderbeut me helmetë lufte, i hipur në kal, me shpatën në dorën e djathtë dhe në të majtën mburojën rrumbullake e tipit Akilian, në qendër me shqiponjën me krah te hapur në fluturim. Gjatë kësaj vizite në Toskanë, Gjergj Kastrioti u takua me Piero de Medici, Grandukën e Toskanës, i cili, kur dëgjoi rrëfimet për masakrat që kishte kryer ushtria turke, i përlotur i dha një ndihmë financiare bujare. [6]
Rreth takimit të Gjergj Kastriotit me Papën Pali II dhe me kardinalet, Ludëig Pastor, duke iu referuar relacionit të kardinal Gonzaga shkruan: “Gjatë koncistorit sekret të 7 janarit 1467, Papa Pali II vendosi t’i japi Gjergj Kastriotit një ndihmë financiare prej 5000 dukate, i akordoi tituj honorifikë, i dhuroi një medaljon dhe një relike të shenjtë!” [7]
Këto të dhëna përputhen me “Libri dei conti di Papa Paolo II”, pra me librin e llogarive të Papës, që ndodhet në Achivio di Stato di Roma. [8]
Papa Pali II u tregua dorështërnguar, me justifikimin se nuk mund ta cënonte buxhetin, sepse shteti i Vatikanit rrezikohej të sulmohej nga fqinjët. Sipas kardinalit Gonzaga, kardinali Orsini e kritikoi Papën për këtë qëndrim: Il cardinale Orsini, ostile al Papa Paolo II, si permisse di osservare, che il capo della chiesa, non aveva a temere da alcuna parte – Kardinali Orsini, kundërshtari i Papa Pali II, pati guximin të theksonte, se kryetari i kishës, nuk kishte arsye të trembej nga askush.” Kardinali Orsini i bëri apel Papës t’i jipte ndihma financiare Gjergj Kastriotit, pasi Vatikani nuk rrezikohej nga askush. Ky justifikim i Papës nuk u pranua nga shumë kardinalë, sepse me Hungarinë dhe Bosjen, Papa Pali II ishte treguar dorëlëshuar, duke iu dhënë ndihma të mëdha financiare, ashtu si kishte shpenzuar dhjetramijëra dukate ari për të zbukuruar pallatin dukal të Venecias.[4]
Ky qëndrim i Papa Pali II, trajtohet dhe në tre letrat e Terenzi Lorenzo, i njohur si Lorenzo da Pesaro, i cili më 11 dhe 13 shkurt 1467 i dërgon dy letra Dukës të Milanos ku e informon me hollësi për qëndrimin e Papa Pali II, që nuk i dha ndihma finanziare Skënderbeut. Në letrën e 13 shkurtit 1467 dërguar Dukës Sforza të Milanos, Lorenzo da Pesaro shkruan se Papa kishte vendosur t’i jepte vetëm 2000 dukate, por kardinalët insistuan se duhej t’i jepte 7000 ose 8000 dukate: “1467 febbraio 11, Roma Lorenzo da Pesaro ai duchi di Milano: Il Papa ha voluto dare due milia ducati e replicando alcuni cardinali e dicendo la ragione per la quale sua Santità li dovia dare almeno VIIm o VIIIm ducati sua Santità rispuse che era contenta e che li cardinali prestassoro li dinari e sua Santittà promitea renderli e dupatavali l’intrata dell’alumera…” Në këtë letër theksohet se Papa Pali II, duke u ndodhur para presionit, iu kërkoi kardinalëve që të kontribuonin personalisht, madje njeri nga kardinalët menjëherë dhuroi 200 dukatë (Uno cardinale gli donò ducento ducati), duke iu bëre thirrje të tjerëve të kontribuonin, pasi kështu mbrohej vendi dhe kisha. [4]
Lorenzo da Pesaro, në një letër të 14 shkurtit 1467, drejtuar mikut te tij Adostino de’Rossi, e informon se Skënderbeu doli nga ky takim i pakënaqur dhe shkoi në Napoli te miku i tij, mbreti Ferrante i Napolit, i cili i dha një ndihmë finanziare shumë më të madhe se Papa Pali II. [4]
Nga kjo letër mësojmë se Gjergj Kastrioti u largua nga Roma më 12 shkurt 1467, si e thekson Lorenzo da Pesaro në letrën e 14 shkurtit: “El Scandarbecho povereto s’è partito como desperato de qua, non heri, l’altro: Skendebeu varfanjak iku nga këtu i dëshpruar, jo dje por pardje”. Mbreti Ferrante i dhuroi Gjergj Kastrioti 7500 dukate. [4]
Ndryshe nga sa është thënë deri tani, nga tre letrat e Lorenzo da Pesaro rezulton se Gjergj Kastrioti u kthye ne atdhe në gjysmën e dytë të muajit shkurt 1467 dhe kishte marrë një ndihmë finanziare prej 15.000 dukatë, nga të cilat 7500 dukatë nga mbreti Ferrante, 5000 dukatë nga Papa Pali II, 1500 dukatë nga granduka Piero de Medici i Toskanës dhe 1000 euro të dhuruara nga grupi i kardinalëve.
Ludwig von Pastor thotë se medaljoni i argjendët me portretin e Gjergj Kastriotit, iu dhurua nga vetë Papa Pali II, por nuk shprehet, në se ia dorëzoi gjatë festimit të Krishtlindjes, çka është më bindëse, apo në janar të vitit 1467, pas konçistorit nëpërmjet kardinalit Gonzaga. [13] Gjithashtu mbetet një enigëm për t’u verifikuar, çfarë ishte kjo relike e shenjtë që Papa Pali II ia dhuroi Gjergj Kastriotit dhe cilit shenjëtori i përkiste?!
.

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu (Krujë)
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (Krujë)

Literatura

01.Marin Barleti: Historia de Vita et Gestis Scanderbegi. Epirotum Principis. Bernardino Vitali. Roma 1522
02.Voltolina Piero: La Storia di Venezia attraverso le Medaglie. Volum I. Milano 1988. F. 85
03.Dorit Raines. “Storia di Venezia Cooptazione, aggregazione e presenza al Maggior Consiglio: le case del patriziato veneziano, 1297-1797. In Storia di Venezia, I, 2003
04. Letër e 15 dhjetor 1466 e kardinalit Gonzaga. Archivio Gonzaga, in App. Nr. 83.
05.Arrivabenus I.P. Letër e 14 dhjetorit 1466, lidhur me viziten e Gjergj Kastriotit ne Vatikan. Archivio di Stato di Siena. Fondo Concistorio.
06.Lettere di Terenzi Lorenzo – Lorenzo da Pesaro. Location in the archive. 1467, 315-19 Ancient Mark: E 1° 4, 19
07.Ludwig von Pastor. La storia dei Papi. Volume III. Editori Pontifici. 1956.
08. Libri dei conti di Papa Paolo II. Achivio di Stato di Roma. Gli anni 1417 – 1471
09.Tommaso Indelli. Gli Aragonesi nel Mezzogiorno d’Italia. Università degli Studi di Salerno. 20. 07. 2016
10. Andrea Fotaq. Skënderbeu, Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës. Album – Antologji. Zenit Editions, Tiranë 2017.
11.Alia Lutfi. Gjergj Kastrioti në artet figurative të shek. XV II. Zemrashqiptare.net. Maj 2015.
12.Alia Lutfi. Tetë medaljonet me portretin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut të shek. XV: Zemrashqiptare.net. Qershor. 2020.
13.Rizzoli L.: L’opera di G. H. Hill sulle medaglie italiane del Rinascimento e l’origine Padovana della medaglia”. Istituto Italiano di Numismatica. Vol VII. 1932, faqe 128

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.