back to top
2.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

103 letrat e Shkodranit, Sheuqet Muka, personalitet i shquar i Arsimit dhe kulturës shqiptare – nga Pertefe Leka

Gazeta

Sheuqet Muka (1887-1967)
Sheuqet Muka (1887-1967)
Jozef, ju përshëndes përzemërsisht.
Uroj të jeni mire, sidomos në këtё situatё të imponuar nga pandemia.
Shkrimin që po ju nis për personalitetin në fjalë, nuk ështё i panjohur për ju,
gjithashtu edhe letёrsia e burgjeve, e cila është përfaqësuar nga njerëz të shquar.
Koha sot e kёrkon me të madhe të njihet ajo pasuri e madhe që trashёgojmë
nga predikuesit e edukatës morale që ishin aktiv dhe shembullorë
në zbatimin e atyre normave me vlerë që t’i shёrbejnë shoqërise tonë
të hallakatur që të përmblidhet me dinjitet. Nuk kisha ndigjue shprehje më të bukur
se kur Padër Frano Kiri ngushëllon djalin e të ndjerit Sheuqet
“Bir, Ju paska lanë të pasun…” Për këtё pasuri kemi nevojë.
I gjatë është ky shkrimi, e di përkushtimin tuaj, nuk kam ndonjë pretendim për publikimin,
si ta shohësh të arsyeshme nëse ia vlen.
Me respekt të veçantë, Pertefe
 
Pertefe Leka duke folur në Dokumentarin për Mirash Ivanajn
Pertefe Leka

Nga letërsia e burgjeve, 103 letrat e Shkodranit,

Sheuqet Muka, personalitet i shquar i Arsimit dhe kulturës

nga Pertefe Leka

Në librin “Sheuqet Muka”, Shkodrani

Përgatitur për botim nga Adnan Muka,
janë përfshirë 8 kumtesa nga profesorë dhe intelektualë të shquar shkodranë
dhe në pjesën e dytë janë 103 letrat e burgut komunist,
me një studim nga Dr. Irida Hoti (Muka): Pasuria leksikore në letrat.
Me një kujdes të veçantë fëmijët e tij kanë ruajtur gjithë korrespondencën
që kanë pasur me atin e tyre të respektuar
duke e përjetësuar me këte libër dhe me librat në vazhdim.
Jam përqëndruar në letrat, që janë të shumta, sepse aty është shpalosur
më mirë karakteri,fisnikëria, dituria, humanizmi, idetë dhe parashikimet
e një eruditi nga të cilat edhe sot mund të përfitosh.
.
Sheuqet Muka
Sheuqet Muka –  Mesues i Popullit
Letrat kanë një strukturë të rregullt gramatikore dhe një bukurshkrim që rrallë mund ta gjesh edhe te profesionistë të talentuar.
Në libër janë publikuar letrat nga burgu i Shkodrës 1951-1953 dhe nga burgu i Burrelit 1953-1965 Janë letra familjare, prej të cilave njohim edhe shumë intelektualë të shquar, të farefisit tij, miq, shokë, bashkëvuajtës, që të gjithë kishin një të përbashkët, qëndresën dhe vendosmërinë në shërbim të bashkimit dhe progresit kombëtar.
Letrat janë proza të shkurtëra poetike, ku bukuria e artit pasqyrohet me një harmoni ngjyrash.
Shkrimet e kanë bazën te tradita e kombit, te përvoja jetësore, te studimet. Secila prej tyre transmeton një mesazh që krijon efekte emocionale ku janë shkrirë malli, dashuria, përgjegjësia për familjën, mirënjohja, respekti për punën e mirë të secilit familjar. Qëllimi i letrave me këshilla të urta ishte të mbante familjen të bashkuar dhe të përçonte tek fëmijët përgjegjësinë e prindit ndaj familjes. Vlen për t’u theksuar se të gjitha letrat i kanë kaluar kufijtë e familjes së ngushtë, te rrethi i gjerë familjar, te miqtë te shokët e izolimit, deri te kërkesa për drejtësi, drejtuar personaliteteve shtetërore të kohës.
Z. Sheuqet Muka edhe kur ishte mësues, binte në sy për dituritë e thella e përkushtim serioz që i ofronte arsimit kombëtar me vizione të qarta. Kjo pasqyrohet edhe te letrat ku ai nuk është ndarë asnjëherë nga profesioni i tij si edukator, gjë që e ka ushtruar duke mësuar të rinjtë edhe atje ku ishte, në izolim. Bashkëvuajtësi i tij, një djalosh 16 vjeçar, në atë kohë në kumtesën e tij shkruan: “Në dhomën nr. 4 çdo jatak ishte një bankë mësimi nga mësuesi ynë!”
Në 103 letrat nuk përmenden fjalët, pranga, qeli, xhelat, tortura, sëmundje, rraskapitje..
Nuk përmenden librat e djegur, bibliotekat e shkatërruara, pasuritë e shtetëzuara. Mësuesi Muka dhe shokët e tij, dituritë nga librat i kishin marrë me vete me studimet e gjera që kishin akumuluar e sistemuar, sepse shumica prej tyre ishin universitarë evropian, studiues, shkencëtar, përkthyes, akademikë… Ishin ata që kishin investuar në fusha të ndryshme të dijes. Edhe pse në kushte dhune, por me forcën e besimit ata i kthyen dhomëzat, në auditore ligjërimi, në kuvende të të urtëve për t’i pajisë të rinjtë bashkëvuajtës me armën e fuqishme të lirisë e drejtësisë. Në letrat e burgut nuk janë përmendur persekutorët, vendin e tyre e kanë zënë njerëzit e dashur, bashkëvuajtësit e tij, tek të cilët përcjell urime, falenderime, ngushëllime sipas rastit dhe të gjitha të veshura me petkun e mirënjohjes. Me këto letra i sfidon persekutorët, duke injoruar prezencën e tyre me kamxhik në dorë.
Si baba i urtë (Letra 72, faqe 262 ka titullin “Peshqesh urimi”) këshillon Adnanin, të birin i cili përveç punës, kishte arritur të studionte me korrespondencë: “mos e ngarkoni vedin sa s’ban, as mos e leni m’u asdis… Njeriu ka detyrë m’i ruejtë energjit e veta. Trupit të njeriut po t’i mungojë aftësija e prodhimit, vullnetit s’i mbetet ma shesh pune, pse skarikohet akumulatori …mendja e orienton njeriun e në këtë, duhet të pasqyrohen të gjitha veprimet, për me ba kështu vrapin për mbas hapit… njeriu pse asht i pajuem me fakultetin e mendes, ka aftësinë e arsyetimit e të gjykimit e, si i tillë qi asht, logjika e kërkon qi të dijë me qenë i sistemuem e i ekuilibruem në veprimet e përditshme të tijat e tue planifikue në këtë mënyrë ka me pasë siguri me dalë fitues në luftën e jetës… me mësue asht marifet… ritmin e punës e të studimeve, lypset ta vazhdoni rregullisht…” Asht shumë domethënëse shprehja e Z. Muka, para trupit gjykues – (faqe 123 “Unë jam ithtar i evolucionit…” dhe shumë shprehje të goditura që vijnë më pas, janë reflektuar edhe në letrat. I përshëndet fëmijët dhe gjithë familjarët në çdo ditëlindje ose në festa familjare dhe kombëtare, duke iu dhënë këshilla si ta përballojnë situatën, duke i dhënë prioritet shkollimit.
Në çdo letër pyetjet variojnë për notat e semestrit të parë deri në mbarim të vitit. Shpreh gëzimin më të madh kur fëmijët arrijnë të marrin notën më të mirë në kushtet e luftës së egër klasore.
Në letra, të bie në sy respekti dhe mirënjohja që ka për gratë e shtëpisë dhe për figurën e gruas në përgjithësi.
Komunikon me pastërti shpirtërore me Hallen që e rriti, kur mbeti jetim, me bashkëshorten me të cilën lidhi jetën dhe motrën Fete me të cilën kishin ndarë sakrificat. Letra 30 f. 184. “Fort të dashtunat e mija halla Xheve, Fete e Syme… E ndava mendjen me ju shkrue këte letër së bashku ju të trijave qi ju kam përherë mu në zemër e u due me gjithë shpirt. Unë që të trijave ju detyrohem shumë, pse ju më rritët 5 fëmi që i laçë si nji kllukë e keqe qi lëshon zogjtë e vet para kohe e, këte mirësi do t’ua dij për nder sa të jem gjallë.” Si kryefamiljar, “Shkodrani”, edhe pse larg shtëpisë përpiqej ta drejtonte vetë institucionin e mirënjohjes, duke e konsideruar si virtytin kryesor për bijtë e tij të cilët në moshë te re, ishin bërë mbështetja kryesore e familjes. Në çdo letër, si arkitekt i fjalës së zgjedhur, i portretizon dhe i stimulon djelmoçat me shprehjet më të bukura: drita e syve të mi, ora e shtëpisë, punëtorë të dalluem e të palodhur, Orli Uran, gojëamli, fytyrëqeshuni…
Reciprokisht edhe ata shprehen me krenari për Atin e tyre – mësues, edukator e psikolog: “Ne, 5 fëmijët, shkruan Adnani, fati na privoi të drejtën e ligjshme natyrore për t’u rritur e edukuar direkt prej tij. Po megjithatë, Ati ynë me mjeshtëri artisti nëpërmjet letrave nga burgjet na ka dhënë leksione të mirëfillta edukative, shumë të çmueshme e të dashura. Na mësoi dhe na formoi me edukatë qytetare. I jemi pakufi mirënjohës.”
I respekton pa kufi tre djemtë, (Meserreti, Adnani dhe Urani) për kujdesin që tregojnë për dy motrat e vogla, për të cilat digjet mallit. Edhe për vajzat, dy loçkat e zemrës që ja përkëdhelin shpirtin e trazuar ka zgjedhur “flladin e amël qi më falin… me erë manushaqe”, “Lirijen e Tijen qi i kam si dy gonxhe drandofilesh… me flokë të butë ngjyrë ari… që shkëlqejnë si rreze, janë Perri, janë fëllanxa… janë duararta dhe të urta… janë punëtore, janë nxanse të dallueme…” (marrë nga letrat)
Një varg krahasimesh dhe epitetesh plot ngjyra që të kujtojnë personazhet e Fishtës si bukurinë e kulluar të Jerinës te “Mbretnesha e Luleve” apo brishtësinë e Siles te “Shqyptarja e qytetnueme”. Si mjeshtër i fjalës del në pah evolucioni i Idealit të tij, ku në letrat e hershme i çmonte Mukeshat, (vajzat dhe gratë e fisit Muka) janë sokolesha, të forta, punëtore e duararta… E kështu shpreh krenari për të gjitha që po shkollohen: “Sa ma të ngritun e të ndritun që të jemi aq ma të fortë e të pasun do të kemi komb e atdhe.” Si progresist çelësin e përparimit të shoqërisë e shikonte te emancipimi arsimor e kulturor.
Një letër e veçantë është për besniken dhe fisniken, bashkëshorten, të cilës i drejtohet me dashuri e respekt të veçantë, që po i përballon me dinjitet vështirësitë që iu krijuan pas izolimit tij. Nisur nga një foto ku duket Zonja e vet, me një fytyrë të vrarë, bën komentin e paraqitjes saj në foto që të jetë kryelartë, të vishet me estetikë… “sepse njeriu në çdo moshë që të jetë e ndien nevojën m’u kërpitë, e m’u zbukurue… me u dukë ma afër zanafillës së vet për kah hijeshimi natyral.” f. 256 Pa përmendur statusin e vet si i burgosur politik, Zonjën e vet do ta shohi ashtu siç e ka parë kur ishte nuse me pekt kombëtar…
.
Shkolla në Parrucë
Shkolla në Parrucë
Në çdo letër duket shpirti i artistit. Vetë letrat në dukje janë të bukura si në formë ashtu edhe në përmbajtje. E përdor shpesh, fjalën Estetikë duke i dhënë forcën emocionale në funksion të etikës që në jetën e përditëshme merr vlerat e sjelljes, e të paraqitjes.
Shumë e ndjerë është letra 62 për motrën: “Fort e dashtuna motër Fete… ka disa ditë qi pa dashtë raçë në mendime, në mes të cilave, m’u kujtue bashkëjeta e amël qi kemi kalue ma se gjysmë shekulli pa prishë makare njiherë qejf njeni me tjetrin, tamam ashtu si u ka hije me jetue dy zemrave qi janë vlla e motër…” (Fetja njihej si grua me karakter të fortë, trimëreshë e zgjuar, që dinte të përballonte situata të vështira.
Ishte Zonja e Sali Vuçiternit, nga Vushtria e Kosovës. Z. Vuçiterni ishte Universitar i Stambollit, Inspektor arsimi në Shkodër, nënprefekt i Tiranës, prefekt i Dibrës dhe Deputet i Parlamentit 1921-‘43. Ai njihet si përkthyesi i librit turkisht, Evlija Çelebi, për të cilin shkruan Kuteli “…vepra e Çelebiut është një thesar i begatshëm për të ndriçuar historinë e kombit shqiptar të cilit z. Salih Vuçiterni i bëri një shërbim të madh me përkthimin e dhuruar…” (fq. 392 “Shënime Letrare” Mitrush Kuteli) Djali i z. Sali ishte Nazim Vuçiterna, nipi nga motra i z. Sh. Muka, që në çdo letër nga burgu, daja i tij z. Sheuqet, kërkonte të dinte, ndonjë lajm për “Nazimin tonë të dashur”. (Asht interesante largimi i Nazimit nga Shqipëria me Prefektin e Tiranës, në shtator 1944. Qazim Mulleti e mori me vete djaloshin e ri, djalin e kundërshtarit politik, ish-Ministër i Zogut. Qazim Mulleti e shpëtoi të riun nga kthetrat komuniste sepse edhe babai tij, kishte shpëtuar vëllanë e tij H. Mulleti, nga dënimi si fanolist… Biri i Kosovës, Sali Vuçiterni, nuk i shpëtoi dot diktaturës komuniste, zonja Fete e ndoqi me një përkushtim deri në ditën e fundit, kur vdiq në burgun e Burrelit 1949. Ndërsa Nazim Vuçiterna, në mërgim, vazhdonte të mbante lidhje me familjen e Q. Mulletit në internim ashtu siç kishte ndihmuar edhe babai i tij familjen e z. Haki Mulleti i dënuar nga Zogu.)
Zotni Sheuqeti, i përkiste besimit mysliman, si qytetar modern kishte një tolerancë fetare të admirueshme. I respektonte, bashkëvuajtësit pavarësisht nga përkatësia e religjionit. Me ata, në rrethana të vështira, kishte konsolidue miqësi të qëndrueshme dhe të paharrueshme. Bindja e tij ishte se bashkëjetesa midis religjioneve, i shërben edukimit të brezit të ri.
Në letrat i porosit djemtë: “Meshkallës, mos harroni m’i shkue për Pashkë e të m’i sillni urimet, përshëndetjet e falenderimet e mija.” f. 261 (Pjetër Meshkalla (1901-1988) ishte student i i filozofisë në Austri, Slloveni e Napoli. Ishte profesori i letërsisë, gjuhës shqipe e filozofiisë në seminarin papnor – një ndër figurat më të ndrituna të klerit katolik, siç e cilësonin shokët e tij, Engjëlli i birucave – mësues në shkollën e burgjeve.
Një detaj, kur At Meshkalla deponoi ballë për ballë persekutorëve, u tha: “Ju mund të më dënoni sa të doni, por unë prap se prap do të jem i lirë, ndërsa ju keni me hangër shoqi- shojin” Po kështu të guximshme janë letrat e Meshkallës që i dërgonte drejtuesve të shtetit e sidomos letra që i dërgoi Kryeministrit komunist të kohës…
Në vazhdimësi të letrave, vazhdojnë urimet për miqtë e tij të paharruar, disa prej të cilëve e kishin mbaruar dënimin për të cilët shkruante. (letra 71)
“I kujtojshim ndër raste gëzimi edhe gjithë tjerët qi më sjellin ndër mend shpesh, veçanërisht Frano Kirin për lirimin e të cilit jam gëzue shumë…” (për dijeni Frano Kiri, profesori i talentuar i gjimnazit të fretënve, matematicien, teolog e trim i vendosur). Djali i z. Sheuqet, Adnani, shkruan momentin e takimit me Padër Frano Kirin, kur i dha lajmin e vdekjes së babës: E diel 29.1.1967, ende pa ague, trokita fort në derën e Kuvendit Françeskan në lagjen “Arra e Madhe” duel roja – Kërkoj Padër Frano Kiri – asht fjetë m’u përgjegj – Çojeni, due me e lajmnue për vdekjen e një miku e shoku…! U rihap dera, u përballa me Padër Franon. Sapo më pa i ndërroi fytyra, sikur u mpi, u mendue mirë e s’foli për një çast, e së fundi pa më ngushëllue më tha: “Bir, Ju ka lanë të pasun…” dhe Ai si mori bekimin e Padres, shkoi kryelartë, me tërë pasurinë shpirtërore, të përcillte atin e nderuar në banesën e fundit, i shoqëruar nga një kortezh ceremonial i jashtëzakonshëm, ku ishin së bashku qytetarë, priftërinj e hoxhallarë, si një protestë e heshtur për regjimin…
Po kështu shkruan në letrën 71 për Padër Donat Kurti: “Shëndet e të mira sa ju dëshiroftë zemra, falenderimet e mija P. Donat Kurtit për urimet që më suell”. (I mirënjohuri, P. Donat Kurti, ishte mësues, studiues, prozator, etnolog, folklorist, ishte pra një shkencëtar. Ja çfarë deponoi në gjyq: “Ata armë për të cilat ju mendoni, un nuk i njoh as nuk i dij. Arma ime asht penda me të cilën kam mbledhë e botue kangët ma të bukura të trimnisë së popullit: Visaret e Kombit… Aty paraqitet tanë urtia, filozofia, e zgjuetësia e popullit tonë që t’u mësojë fëmijëve ma lehtë ushtrimin e virtyteve dhe luftimin e veseve… po të më dënoni në burg, unë kërkoj të lejoni vazhdimin e punës sime të deritanishme vetëm për të mirën e popullit shqiptar…”)
Në letrën 64, me shumë mall i dërgon të fala Rexh Metës, i cili kishte kaluar një jetë shumë të vështirë. (ishte nga Vuthaj, 1906-1985, i vdesin prindët sapo erdhën në Shkodër për të shpëtuar nga gjenocidi malazez. U rrit në jetimore me dy motrat në kujdesin e Kryqit Kuq Shqiptar, ku mësoi anglisht. Si shoqërues në një ekpeditë u njoh me shkrimtaren amerikane Roza Ëilder Lane, e cila e birësoi, i siguroi bursë në Shkollën Teknike Harry Fultz dhe më vonë në Universitetin e Kembrixhit për Ekonomi Financë, ku ndriçon edhe sot emri i tij në librin e Artë të këtij universiteti. Merr pjesë në Lidhjen e Dytë të Prizrenit, hartoi statutin dhe programin e kësaj organizate, por si patriot i Shqipërisë Etnike, kaloi në Burgun e Burrelit.) Një emër shumë interesant që përmendet në letrat ishte shkodrani, Hamit Gjylbegu (1889-1979) me bindje antikomuniste, një karakter i fortë e i pathyeshëm në qëndresën e tij. Njeriu që nuk votoi asnjëherë gjatë zgjedhjeve të regjimit Hoxha. (i diplomuar në Akademinë ushtarake të Stambollit, i cili fillimisht shërbeu në korparmatën e Selanikut që gjatë Luftës së Parë Botërore luftoi kundër forcave serbe në Kumanovë dhe më vonë në frontin e jugut, Korçë, Janinë… kundër grekëve. U angazhue edhe kundër kryengritjes së Shqipërisë mesme, dhe iu bashkue “Krahut Kombëtar” me Maliq Bushatin e Riza Danin, më 1918 zgjidhet anëtar i kryesisë i “Komitetit Kombëtar për mbrojtjen e Kosovës”, më 1920 drejtoi luftimet në Luftën e Koplikut. Shquhesh si poet dhe njohës i shumë gjuhëve të huaja, kishte botuar shumë libra, vlen për t’u përmendur vepra “Monument i Atdheut”
Mirënjohje dhe afeksion vëllazëror kishte për djalin e Axhës, Zija Muka…
(Intelektuali i shkolluar në Shkodër e Itali, gazetar dhe nëpunës në administratën e lartë të Monarkisë, i njohur në Shkodër si personi që nuk votoi kurrë gjatë diktaturës) Megjithëse i kërcënuar gjatë regjimit të Hoxhës, Ai me kurajo dhe guxim i qëndroi pranë sivëllaut, duke kryer me korrektësi çdo porosi në flakët e luftës së klasave.”
“I dashtuni vlla Zija… Letra 46, Lutjen të ma ndiqni. Sikur të kishe fatin të lirohem… do të gëzohemi të gjithë…”
Në çdo letër është përmendur emri i tij, i pjesëtarëve të familjes së tij, nana, motrat, e sidomos motra Perteve me femijët e saj, Ajo ishte Zonja e Haki Mulletit, e cila pas internimit në Kavajë u strehua në Shkodër pranë të vëllait, Zija Muka.
Në letrën 51, i shkruan “E dashtuna Perteve, t’uroj martesën e Verës… I martofsh vetë edhe tjerat ashtu edhe Tanushin…”
Në letër shpreh ndjesinë për vuajtjet e kësaj zonje heroinë, emri i së cilës është përmendur pothuajse në çdo letër.
“Si nji film erdhën e m’u shfaqen të gjitha përpara syvet të mi, deri vdekja e papritun qi na muerr gjallë në dhè, njiherë e përgjithmonë Hakinë tonë.
I marr me mend travajet e tua, nëpër të cilat je përshkue, pse të ra mbi supe para kohet m’u ba përnjiheri edhe babë e fëmivet tu” (Haki Mulleti, ishte student i Vjenës, i diplomuar në degën e Administratës civile.
Kryetar i rinisë fanoliste “Bashkimi”, i dënuar dy herë nga Zogu, edhe nga komunistët dhe i helmuar prej tyre. Gjithë familja vuajtën vetëm pse ishin vëllai, nipi dhe mbesat e Qazim Mulletit.) Të gjitha këto gra të vuajtura dhe qindra të tjera i ka përmbledhur në një libër, Shkrimtarja Fatbardha Saraçi Mulleti: “Kalvari i grave në burgjet komuniste” Si bija e Haki Mulletit, mbesë e familjes Muka dhe bashkshorte e Kolindo Saraçi, shkrimtarja dhe studiusja e mirënjohur, zonja Saraçi e kishte bazën fillestare ku të dokumentonte në detaje persekucionin komunist, sidomos ndaj njerëzve të shkolluar, në Universitetet e Evropës… kolona e botimeve të zonjës Saraçi po e plotëson imazhin e një sistemi të egër, eksperimental pa rrugëdalje, për ta parë si në pasqyrë brezat që të mos përsëriten bëmat e atyre që kërkojnë të shkatërrojnë moralin dhe progresin shoqëror.)
Letra 89 që ia drejton djalit të madh Meserret, është shumë e gëzueshme me të cilën shpërthen me një entuziazëm, sepse ju realizue një dëshirë e pathënë.
“Dje mora përnjiherë urimet telegrafike rreth fejeses së ndollun në Familjen tonë. Jo, s’ka decimar të peshojë, peshën e gëzimit të përmallshëm qi ngufoj nga thellësit e zemërs s’eme, Kur mësova pikë së pari prej gojamlit e fytyrëqeshmit Uran sihariqin e Lirijës për Xhevadin! Më besoni se kjo fejesë ka çue në vend dishirin e madh qi kishe që prej tri vjetve, për m’e pa të fejueme për te, aq sa shpeshherë u matshe me ju a nxanë në gojë ndër ditët e takimit, por u tërhiqshe, vetëm e vetëm, pse më dukej si me dashtë me iu ba dy palëve nji farë imponimi…”
Ky miratim me gjithë zemër për bashkimin e të rinjve kishte një bazë. Ai ishte i informuar dhe i kishte njohur nga afër liceistët e arrestuar. Me këte grup ishin djem nga familjet më të mira të qytetit si Filip e Gjina Ndoci, Abdyl Rusi e vëllezër …. djemtë e familjes Quku: Xhevat, Oso e Remzi (Xhevat Quku, dhëndri i dishëruar, z. Sheuqet, ishte arrestuar nën akuza
politike me grupin e liceistëve 1947-‘48 të gjithë 18-20 vjeçarë të cilët nuk i pranuan akuzat sepse ishin formësuar prej Sigurimit e sidomos kur prokurori u ngriti çështjen e Kosovës, që për logjikën e injorantit, kishte vijë shoveniste. Torturat fizike të Xhevadit dhe qëndresa e tij ishin bërë legjendë, sepse nuk e mposhtën dot shpirtin e tij fisnik. Kështu u bë i njohur emri i tij triumfues, prandaj për këte lidhje z. Sheuqet i foli zemra dhe dinjiteti… që vajza e tij, e një të burgosuri politik, lidhi jetën me një djalë fisnik, ish i burgosur politik…
Si urimet për fejesa e martesa, bënte edhe ngushullimet sipas rasteve dhe ato i shoqëronte me mirënjohjen e tij karakteristike. Si urimet dhe ngushëllimet nuk i shkruante me dy fjalë, por shprehte edhe respektin për njerëzit në fjalë.
Miqësia e vjetër që kishte pasë me vëllezërit Shuajb dhe Jahja Domnori, të dy mësues të nderuar, nuk u ndërpre asnjëherë.
Pothuajse në çdo letër përmenden me nderim, pa harruar t’i kujtonte edhe në rastet familjare. Në letrën 29, fq.182 i ngushëllon me rastin e vdekjes së nanës tyre. “…e ndiera Naqe m’u dhimt tejet: ka qenë e mirë e e matun, më pritte e më qitte, jo ndryshe, por si t’ishe nji djalë i saj. Me vdekjen e sajë, un humba nji mikeshë të pazavendsueshme e të paharrueshme…”
Po kështu, dërgon ngushëllime për nanën e Ruzhdi Çobës, dhe “falenderojeni për të falat që mi dërgon (Prof. Ruzhdi Çoba ishte një karakter i njohur i kalvarit komunist, i prangosur disa herë dhe personazh i spikatur i veprës së At Zef Pëllumbit “Rrno për me tregue”.)
I pa shkëputur për asnjë çast nga problemet e familjes, e vlerësonte shumë harmoninë familjare, ku merrte të dhëna se të gjithë pjesëtarët bënin punë të ndryshme; si murator, si kopshtar, si pemëshitës, gratë me punëdore dhe të pandara nga angazhimet e djemëve e të gjithë në punë për të plotësue të domosdoshmet. I kënaqur për këte shprehet me krenari: “Çdo fjalë LAVDI asht pak, shumë pak për ju!”
Meraku si prind e mësues mbetej te shkollimi i fëmijëve të tij, që ishin me babë në burg “Më bani me dijtë nuk asht pranue kërkesa e Uranit e Tijës, për të vazhdue studimet e mëtejshme.” Sepse e njihte mirë situatën e luftës klasore dhe pafajësine e tij për të cilën po vuanin fëmijët e tij.
Po cilët ishin “fajet”, një mësues i përkushtuar, një politikan evolucionist, që t’u ndalohej fëmijëve të tij shkollimi.
Nga përgjigjet në gjyqin komunist, mësojmë se në vitin 1910, kishte mbaruar shkollën ushtarake dhe kishte qenë kundërshtar i sundimit turk. Gjatë regjimit të Zogut kishte punuar si arsimtar dhe fliste pozitivisht sepse: “…regjimi i Zogut, thoshte, kishte statut, kishte liri shtypi, kishte parlament, kishte të gjitha elementet e demokracisë… për t’u bërë shtet ideal do kohë … dhe mua më pëlqen zhvillimi i gjërave me evolucion… Në Qershor 1939, forcat italiane më arrestuan dhe më internuan si antifashist…
Gjermanët i kam quajtur si një okupator më të rëndë se italianët…”
Si politikan rrëfen angazhimin e tij: “Në fillim të viti 1944 u formue në shkodër “Besa Shqiptare” inisiatorët Ndoc Çoba, Sheuqet Muka, Tef Gera, Hysen Lohja, Hys Draçini, Xhemal Naipi..
Më vonë u bë marrëveshja ndërmjet tre grupimeve: “Besa Shqiptare”, “Grupi Nacional Indipendent” dhe “Balli Kombëtar” me qëllim për me i qëndrue larg vëllavrasjes dhe të bashkoheshim në rast mësymje nga Jugosllavët…
Ndërsa marrëveshja me Lidhjen e Prizrenit, ka pasë për qëllim çlirimin e Kosovës nga Jugosllavët dhe me u bashkue me Shqipërinë.
Në Kongresin e Legalitetit në Zall-Herr, nga “Besa Shqiptare”, Ndoc Çoba mbajti fjalimin e hapjes me bashkue forcat për të luftuar okupatorin. Nga “Grupi Nacional Indipendentës” Hafiz Ali Tari dhe Marku i Gjon Markagjonit dhe prej Ballit Kombëtar, Lec Kurti e Jup Kazazi, mbajtën të njëjtin qëndrim. Nga këta tri organizata u formue “Lidhja e Shkodrës” Në gjyq pohon me vendosmëri se “Besa Shqiptare” dhe “Lidhja e Shkodrës” nuk ishin tradhtare.
Nga të gjitha çfarë kishte pohuar në gjyq, faji kryesor i tij ishte pse donte Shqipërinë Etnike, donte bashkimin me Kosovën e Çamërinë.
Si person i angazhuar në jetën shoqërore vazhdonte të kontribonte edhe pas hekurave. I falenderon fëmijët për urimet e ngrohta që i sollën me rastin e 50-vjetorit të punës si arsimtar. Me këte rast u kujton atyre (Letra 68) “Në këte vjetë Shkodra ka edhe dyzet vjetorin e Gjimnazit të Shtetit, të cilin do ta festojmë në mënyrë madhështore” fq. 255 dt. 01.10.1962
Si inisiator i themelimit të Gjimnazit të shtetit në Shkodër dhe i angazhuar herët pranë Bashkisë së Shkodrës në “Komisionin Arsimor” me personalitete të shquara që nga viti 1913, si At Gjergj Fishta, Hafiz Ibrahim Repishti, Hafiz Abaz Golemi, Gaspër Mihali… arsimi ka pasë vetëm përfitim nga idetë dhe parashikimet e këtyre mendimtarëve. Duke pasë lidhje me z. Sali Vuçiternin, që ishte bashkëshorti i motrës së tij, ata së bashku kishin shtruar nevojën e një reforme në shoqërinë myslimane për ta përgatitur për të rejat e kohës.
“Na bie si detyrë të gjithve, të edukohemi me dëshirën për të punuar, për t’u përpjekur… Njeriu duhet t’i bëjë reformë vetes së tij dhe të mësohet me të rejat.
E vetmja rrugë për të arritur një qëndrim pozitiv, në plan individual e shoqëror është arsimi dhe të marrim shembull nga popuj të përparuar, pasi kjo është edhe një porosi Profetike!” Sali Vuçiterni.
Në letrën 68, shkruan “Kam marrë librin “Shkodra”, fotografia e Hasan Rizasë ka pasë rastin të përfshihesh…”
z. Sheuqet kishte të njëjtin përkushtim e mirënjohje për mbrojtësin e Shkodërs, ashtu siç kishte shkruar At Gjergj Fishta për Hasan Riza Pashën, kur hartoi epitafin mbi varrin e ri duke e quajtur: Hero, ushtar trim, besnik, shembull burrnije… Apo D. Lazër Shantoja që shkruante me të njëjtin vlerësim e adhurim “Ku je Hasan Riza? e deri te këngët popullore që vërshuan në të gjitha viset Shqiptare deri në Çamëri, për Pashanë me nënë shqiptare, që shpëtoi qytetin verior nga pushtuesit sllav.
.
Nga letrat e Sheuqet Mukës
Nga letrat e Sheuqet Mukës
Personalitetet e përmendur nga z. Sheuqet gjatë procesit gjyqësor, janë evidentuar edhe në librin e botuar “Sheuqet Muka”. Puna e tyre në bashkëpunim ka dhënë një panoramë të aktivitetit të tyre patriotik e atdhetar deri në flijim, për mbrojtjën e tërësisë territoriale, për bashkimin kombëtar, me Kosovë e Çamëri pa dallime fetare dhe etnike.
Për këte pohon me forcë: “Shkodrani” përpara prokurorëve injorantë e të pashpirtë se “Besa Shqiptare”, “Lidhja e Shkodrës”, “Lidhja e Prizrenit” nuk janë tradhtare.”
E pra, për këto kontribute, ata, patriotë të nderuar, u dënuan..
Si mund të torturohesh Ndoc Çoba nga komunistët me këtë investim të lartë në jetën e tij politike e patriotike. Një financier profesionist me shkollim të lartë në qeverinë e I. Qemalit dhe në Qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës, më1920.
Një antifashist i betuar i internuar në Ventotene. Një organizator i Konferencës së Pezës me Ymer Dishnicën dhe Mustafa Gjinishin… që synonin bashkimin e gjithë forcave antifashiste.
Një botues i shquar, që së bashku me zonjën e tij universitare, Shaqe Çoba, themeluan Komitetin “Gruaja Shqiptare” dhe më vonë Revistën po me këte emër. Të dy të njohur për kontributin e vyer në Luftën e Koplikut… e pra ky ishte një mik e bashkëpunëtor i z. Sheuqet…
Në luftën kundër okupatorëve nazi-fashistë ishin përkrah njeri-tjetrit… dhe për këtë aktivitet të lartë atdhetar u dënuan…
Po kështu u dënua Hafiz Ali Tari (Kraja) (bashkëpunëtor “Lidhja e Shkodrës), një intelektual erudit, universitar i filozofisë në Kajro.
Antizogist, antifashist, i internuar në Porto- Palermo. I njohur për oratorinë në fjalën që mbajti në ceremoninë e varrimit të At Gjergj Fishtës… “Sot djelmnia intelektuale me Lahutën Tande në dorë të nep Besën Shqiptare tue t’u betue se idealin tand të naltë, që shprehe për kombësinë Shqiptare do ta ruajë e do ta mbajë si gjà të shenjtë morale..”
Një hoxhë që adhuronte një klerik françeskan ashtu siç kishte bërë edhe miku i tij z. Sheuqet Muka, kur mbajti fjalimin brilant me rastin e 60 vjetorit të lindjes së At Fishtës dhe të dy patën të njëjtin fat si bashkëvuajtës në burgjet famëkeqe të komunizmit.
Fjalimi i Hafiz Ali Tarit, mbajtur përpara një auditori të gjerë në Xhaminë e Fushë Çelës 1943, me temë “Ç’është komunizmi dhe pasojat e tij për popullin shqiptar” pati si rrjedhojë angazhimin e tij si antikomunist, për krijimin e një besëlidhje të përgjithshme.
Personalitetet e përmendura kishin qëndrime të ndryshme: Hafiz Ali Tari ishte antizogist, Xhemal Naipi ishte pjesëmarrës i Lëvizjes së Legalitetit, por të gjithë të përmendurit ishin antifashistë, antikonformist, të gjithë i bashkonte një ideal Bashkimi Kombëtar. Mos të harrojmë se Xhemal Naipi ishte student i Universitetit të Stambollit për Jurisprudencë e Teologji. Ai ushtroi profesionin si Kadi dhe ishte kryetar i arsimit për Shkodrën ku luajti një rol vendimtar për hapjen e Gjimnazit të Shtetit në Shkodër 1922.
Ashtu siç luajti rolin kryesor në formimin e komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” 1918, ku fitoi popullaritet çështja e Kosovës. Në Kongresin e Lushnjës, ishte një ndër 4 senatorët me të cilët përfaqësohej Shkodra dhe ishte Kryetari i Parlamentit të parë pluralist shqiptar.
Pas internimit në Ceresara të Italisë, u bashkue me të gjitha forcat e luftës për çlirimin e Atdheut dhe përfundoi në kampin famëkeq të Burrelit ku edhe vdiq (1887-1955) (Edhe bashkëshortja e z. Xhemal Naipi është shumë e përmendur në letrat e burgut. z. Sheuqet e dinte qëndresën e zonjës Nebi kur e arrestuan 1945, sëbashku me vajzat e saj. Ai e dinte që ajo u sakrifikue sepse nuk tregoi se ku ishte fshehur i shoqi. Ajo mbahet mend si nana sypafjetur që ruante ditë e natë vajzat se mos u ndodhte gjë nga persekutorët. Ishte grua e zgjuar dhe i dinte “gabimet” e te shoqit, i cili ia kishte kushtuar jetën shqiptarisë. Vuajtjet dhe mundimet e saj vazhduan me internimin në Berat. zonja Nebi e ndoqi njeriun e drejtësisë që vuante padrejtësi në burgjet e ferrit komunist, duke i përballuar me nder e dinjitet.)
Në libër janë përmendur shumë emra të tillë që i bashkonte një ideal, Flamuri dhe Atdheu, por theksova vetëm disa më të afërtit e z. Sheuqet në veprime të përbashkëta.
Në letrën 68, fq. 255, kërkon diçka me vlerë të cilën e dinte se nuk mund të gjëndej në arkivin e familjes sepse ishin të zhdukura si librat dhe shumë dokumente të tjera.
“Po mujtët me gjetë te Marubi edhe tri fotografitë e fanfarës së shkollës së Parrucës prej vitit 1931-‘33 dhe ate të orkestrës së Strehës Vorfnore viti 1938.”
Çfarë ishte Fanfara për letërshkruesin?! E dinte se në festa kombëtare printe fanfara, në ceremoni shtetërore po ashtu, në protesta dhe në beteja (kujto në Luftën e Koplikut 1920, ku prini Banda Muzikore që u solidarizue me luftëtarët dhe ftonte forca të tjera për bashkim. Kujto kur në Mars të 1920, banda muzikore “Vatra” vjen në Shqipëri dhe merr pjesë në Luftën e Vlorës, ku ekzekutuan Hymnin e Luftës së Vlorës të kompozuar nga dirigjenti Thoma Nasi) Për poetin “Shkodrani” që i këndoi me patos Flamurit dhe Atdheut edhe Fanfara ishte për të si Prijësi që thërret, Kushtrim, ishte si Flamur. Si mik i Palokë Kurtit, që drejtoi bandën e parë muzikore në qytet “Daulla” me K. Idromenon dhe kompozoi marshin ‘Bashkimi i Shqipërisë’ me 1881, kushtuar “Lidhjes së Prizrenit” ishin frymëzim dhe domosdoshmëri për mësuesin e Shkollës së Parrucës. U bë shpejt e njohur banda me emrin “Trupi Muzikuer Shkolla e Parruces” themelues i së cilës ishte vetë z. Sheuqet Muka. Kjo mendoj se ishte arsyeja e kërkesës për fotot në fjalë. Fotoja tjetër që kërkonte për orkestrën e strehës Vorfnore v. 1937 është me të vërtetë një pozim i rrallë, ku janë rreshtuar 25 vajza të veshura me uniformë gjatë interpretimit me veglat muzikore. Kjo e dallonte Atë si një mësues model edhe në aktivitetet artistike e kulturore. Domosdoshmërinë e muzikës në edukimin patriotik të rinisë e rifreskoi në shoqërinë me kompozitorin Lec Kurtin. “Lidhja e Shkodrës” ia përforcoi edhe më shumë idenё e Shqipërisë Etnike. Dihej se diplomati i shtetit shqiptar, Lec Kurti e kishte nanën Çame nga Parga dhe si ithtar i ideologut të Bashkimit Kombëtar Mit’hat Frashëri ëndërronin ditën kurdo të ekzekutonin triumfalisht me bandat muzikore marshin “Bashkimi i Shqipërisë” kushtuar Lidhjes së Prizrenit kompozuar nga Palokë Kurti me 1881. (për dijen,i Lec Kurti ishte gjithashtu poet e përkthyes i kryeveprave botërore dhe i pari kompzitor profesionist i muzikës shqiptare.) Nëqoftëse do të veçojmë në libër letrat nga dialogu i regjistruar nga deponimi në gjyq nuk kuptohet vendi, se nga ku i ka shkruar ato letra me këshilla të vlefshme, plot jetë e optimizëm, me dashuri për njerëzit dhe për komb e Atdhe. Në çdo letër ju shkruan familjarëve – Jam mirë me shëndet – dhe pse i moshuar dhe me trupin e drobitur në ate ferr njerëzor, nuk jepej, vetëm qëndronte.
Nga letra 52, e vitit 1959 kuptohet qartazi nga ku vazhdonte të kërkonte dritën në fund të errësirës: “Megjithëse paç shpresë të madhe se lirohem prej amnistisë qi u ba, përfitova vetëm në zbritje. Mos u disproni!” Sa më shumë të shfletosh letrat do të gjesh vetëm pozitivitet, do të gjesh burrin që i zë vend fjala, Do të gjesh ushtarin e rregullt dhe të disiplinuem, të veshur me estetikë, do të gjesh prindin
E përkushtuem që zgjedh si bleta fjalët më të bukura plot finesë e humor të hollë që tingëllojnë Si muzikë për të bërë portretin e bijëve dhe bijave dhe të dashurve të zemrës. Do të gjesh mësuesin që si refren i çdo letre është: “Të mësoni” duke qenë konseguent deri në shkollimin më të lartë. Do të gjesh psikologun, të urtin që me fjalë të ëmbla e të mençura sfidon të ligun në emër të drejtësisë. Do të gjejmë poetin e betuar përpara Flamurit që kërkon zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë shqiptare me evolucion.
Të gjitha këto të forcojnë bindjen e pakundërshtueshme të ‘Shkodranit’ se njeriun mund ta vrasësh, por jo ta përkulësh. Dijetari, shkencëtari, përkthyesi dhe botanisti i shquar Padër Mark Harapi, vëllai i Padër Anton Harapi, i jep këte vlerësim Shkodranit Sheuqet Muka: “Burrë si burrat e motit e shoq i paharrueshëm i burgimit komunist…”
Kështu mbetet, edhe për në sot, një triumfues i Virtytit, një udhërrëfyes, që vazhdon të edukojë brezat…
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.