Jacques Prevert
– Ndër grimca magjike dashnie…
Jacques Prevert, asht poet i thjeshtësisë çarmatosëse… shpesh kthehem e rikthehem te ai për me e bà pak ma të lehtë mendimin, pak ma të thjeshtë të përditshmen, pak ma të rrumbullakët peshë e viteve, pak ma të shkujdesun vedin prej problemeve të jetës… sepse Prevert e ka në vetvedi çelsin e artë të çlodhjes shpirtnore…
I konsideruem si “Poet i njerzve të zakonshëm, bard i “së thjeshtës”, Ai mbrriti me fitue pa shumë zorì nji popullaritet që nuk ka të krahasuem me askënd prej poetëve të nanqindës. Poet i dashuruem me dashninë, me miqsinë dhe artin, më shiun dhe diellin, me takimet në bulevard ose ne baret pariziene, ai ka mbrritë me derdhë në vargjet e veta, thelbin e çmueshëm të së përditshmes…”
Këto grimca prevertiane kanë aq shumë dritë mbrenda, sa leximi herë mbas hershëm i tyne asht si nji kafe kur e ke gojën shkrumb… si nji gotë uji në ditët e zhegut… si nji fjalë e sinqertë në çastin ma randues të dëshpërimit… j.r.
Madhështor dhe i përndezun
Përmbi Grand Palais
madhështor dhe i përndezun
shfaqet dielli i dimnit
dhe humbet diku
njashtu si ai edhe zemra ime ka me tretë
edhe krejt gjaku im ka me u nisë
me u nisë n’kërkimin tand
shpirti im
hyjnorja ime
dhe ka me të gjetë
kudo që ti të jesh…
Kangë…
Ç’ditë asht sot?
Të tana ditët s’bashku janë
mikja ime
krejt jeta s’bashku asht
shpirti im
ne që dashurojmë ne jetojmë
ne jetojmë ne që dashurojmë
pa e ditë hiç se ç’asht jeta
se ç’asht dita
pa e ditë hiç çka asht dashnia…
Kopshti
Njimijë vjet po edhe njimijë të tjerë
s’kanë me mjaftue
me u dhanë shpjegim
atyne çasteve të vogla përjetsie
kur ti më ke puthë
kur unë të kam puthë
në nji mëgjes me diell dimni
në Parc Montsouris në Paris
n’at Parisin
diku mbi tokë
që s’asht veç nji yllsi…
Nji buqetë lulesh
çka ban njatje moj voglushe
me ato lule të porsambledhuna
çka ban njatje moj vajzë
me ato lule që po t’vyshken
çka ban njatje moj grue
me ato lule të thame
çka ban njatje moj zojë e randë
me ato lule tashma të vdekuna
Po pres fitimtarin…
Ranë që përpin…
Demonë dhe mrekullina
erna dhe zbatica
larg, larg ashtë tërhjekë deti
dhe ti
si nji algë e ambël ledhatue ere
në ranën e shtratit tand lëviz duke andrrue
Demonë dhe mrekullina
erna dhe zbatica
larg, larg asht tërhjekë tashma deti
po në sytë e tu pothuej të mbyllun
dy dallgë të lehta kanë mbetë
Demonë dhe mrekullina
erna dhe zbatica
dy dallgë të lehta të mjafta me më mbytë
Nji portokall
Nji portokall mbi tavolinë
dhe petkat e tua lëshue mbi qylym
në shtratin tim ti
e tashmja ma e ambël e së tashmes
freski e natës
zjarrmi e jetës sime…
Përktheu Jozef Radi (nantor 2013)