Amik Kasaruho – Autoritet i rrallë moral i shqiptarëve
nga Rexhep Shahu
Kur po shkruaja librin tim “Apologji për Udhën e Kombit”, ndër njerzit që më ka nxitur e motivuar, jashtë rrethit tim të ngushtë miqësor, është Amik Kasoruho për të cilin kam shkruar në faqet e atij libri.
E njihja nga larg veprimtarinë e tij, por rasti e solli të pija kafe më të.
Zë ultë, i matur, i thellë, fliste fjalë të atilla që asnjë nuk binte në tokë dhe, si rrallë herë, u ndjeva keq me veten që nuk shënoja apo regjistroja çdo fjalë që fliste dhe xhelozoja ajrin e asaj pasditeje që i merrte me vete fjalët e tij.
Ai fliste dhe unë nuk mbyllja qerpik duke e parë në sy, në ato sytë e tij të xixtë që besoja se shpojnë me rreze drite çdo mal terri.
Nga Amiko Kasoruho mësova për herë të parë se vlera më e madhe e Udhës së Kombit është se ajo kursen kohën e shqiptarëve. Kohën të cilën shqiptarët e kanë çuar dëm më shumë se çdo gjë tjetër në jetën e tyre. Po të matet dhe vlerësohet koha e shqiptarëve, po të çmohet ajo, nuk do të matet dot kurrë leverdia dhe nevoja që kemi ne si komb për atë udhë. A mund të llogarisë kush se sa kohë kanë çuar dëm shqiptarët duke udhëtuar në paudhë…
Kam parë në jetë plot njerëz që emocionohen dhe janë plot pasion si unë kur flitet për Kosovën – gjysmën e atdheut tonë të munguar. Kisha parë shqiptarë të Kosovës që qanin kur flisnin për Kosovën sa ishin të dëbuar në Kukës në vitet 1998-1999.
Por nuk kisha parë kurrë në jetë, deri kur takova Amiko Kasoruhon, se ka njerëz në Shqipëri që qajnë me lotë kur flasin për Kosovën. Nuk kisha parë gjirokastrit që të qante për Kosovën. Ai fliste për Kosovën dhe i dilnin lotë.
Nëpër mend çova plot mallkime që i janë bërë Kosovës, plot përçarës, plot shpërfillës të saj, plot e plot e plot turlifarëlloj monstrash që e duan të ndarë Kosovën me Shqipërinë, që i duan të ndarë e përçarë gegët e toskët shqiptarë.
Por Amiko Kasaruho, gjirokastrit, toskë, i rritur nëpër burgjet e komunizmit, me baba të vrarë nga komunizmi, anikomunist me ndërgjegje dhe jo antikomunist rakie me gjizë a qepë të njoma, apo antikomunist se kish vjedhë në kooperativë apo fermë, apo kish përdhunuar ndonjë nxënëse, apo kish bërë trafik femrash apo inçest në fis, apo ish dehur duke pirë raki me gjizë e me speca, pra Amiko Kasaruho intelektual i kalibrit më të lartë, autoritet i madh moral i shqiptarëve, qante kur fliste për Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës.
Dhe kjo pamje e këtij burri duke folë me lotë në sy për Kosovën është bërë skulpturë e pashembshme brenda meje në jetë të jetëve. Ai më rrëfeu tri histori që unë po i sjell shkurt.
Kur i kishte vdekur shoku dhe miku më i ngushtë i tij Robert Shvartz, Amiko Kasaruho ishte shtangë kur kishte lexuar një e-mail. Poeti nga Suhareka Ragip Sylaj i kishte shkruar një e-mail ku i përcillte ngushëllimet e tij Amikos për vdekjen e mikut të tij Shvartz. Kjo ishte e rrallë sipas Amiko Kasaruhos dhe e ka bërë një poet shqiptar nga Kosova.
Kur kishte mbrritë një ditë në Prizren me makinë me ca miq të tij, ju kishte ngelë makina në dorë dhe nuk po gjenin vend për ta parkuar që të pinin kafe te Shatërvani i Prizrenit. I sheh një polic dhe ju afrohet. Meqenëse jeni me targa të Tiranës dhe po shoh se nuk po gjeni parking, më ndiqni, u thotë polici dhe i ndihmon që ta parkonin makinën. Prapë i rodhën lotë Amikos. A ndodh ndokund kjo në qytetet e Shqipërisë, më pyeti me lotë në sy…
Një natë, pasi mbaron një aktivitet në një sallë në Prishtinë, del Amiko me një mik për të shkuar në hotel. Por kishte nisë shiu dhe nuk ecej pa çadër. Një burrë, kalimtar rasti, i sheh nën një strehë dhe e kupton hallin e tyre. Ku do të shkoni, i pyet prishtinaliu. Tek hoteli filan, i thotë Amiko. Hajdeni me mua se andej e kam udhën, u thotë burri me çadër. Dhe i shoqëroi deri tek hoteli. Por shoqëruesi me çadër u kthye mbrapsht. Pse po shkon andej përsëri e pyet Amiko. Po shkoj te shpia, përgjigjet tjetri. Po ju na thatë se e keni këtu shtëpinë. Afër e kam afër, vetëm sa ju përcolla pak, ia ktheu prishtinaliu që shkoi përsëri mbrapsht. Kush ta bën këtë, më pyeti sërish Amiko teksa sytë nuk i tereshin asnjë çast sa më rrëfente këto tri histori.
Amik Kasaruho është sovran në planetin e elegancës, të trimërisë, të guximit, të dijes, është lart dhe nga atje rrezaton për ne me gjithë jetën, punën dhe shembullin e intelektualit të madh, trim e patriot shqiptar.
Amik Kasaruho fluturon dhe nuk kanë çfarë i bëjnë mijtë e gjirizeve, zhabat, bollat e gjarpërinjtë.
Janë shumë pak njerëz si Amik Kasaruho që na bëjnë krenarë pse jemi shqiptarë, që na bëjnë krenarë që i kemi mes nesh, që krenohemi me atë që kanë bërë për ne dhe atdheun tonë me jetën, punën dhe veprën e tyre..
.