Albanologjia dhe Historia e Shqipërisë
sipas medievistit kroat nga Milan Von Sufflay
Paanshmëria, korrektësia dhe simpatia e madhe ndaj popullit shqiptar, lidhjet e afërta me Shqipërinë, pranimi dhe argumentimi në mënyrë shkencore i tezës së prejardhjes së drejtpërdrejtë të shqiptarëve nga ilirët, si dhe autoktonia e tyre në trojet shqiptare, ishin shkaqe që e shtynë Beogradin për të organizuar vrasjen e Milan Shuflajt më 18 shkurt të vitit 1931. Menjëherë pas atentatit, policia konfiskoi të gjitha dorëshkrimet që ndodheshin në apartamentin e tij. Një pjesë e mirë e këtyre dorëshkrimeve mesa duket kanë humbur përgjithmonë, sepse edhe sot e kësaj dite nuk u gjendet ndonjë gjurmë. Jehona e vrasjes ishte e madhe. Reaguan me shkrimet e tyre “Tribuna” (Romë), “Berliner Tagblat”, “New York Times”, “Frankfurter Zeitung”, “Arbënia”, “Vullneti i Popullit” (Tiranë), etj. Me një memorandum të veçantë reaguan edhe kolosët e shkencës e të letrave si Albert Einstein, Heinrich Mann, dr. Josef Bajza, dr. Max Hildebert Boehm, dr. Karl Fritzler, dr. Zenon Kuziela, dr. Martin Spahn, dr. Branimir Jeliq, Josip Milkoviq, Lumo Skendo, Faik Konica, si dhe organizatat “Ligue Internationale des Droits des L‘Homme”, “Federation Universitaire Internationale” etj. Interesimin e Shuflajt për shqiptarët dhe Shqipërinë e ndeshim që në fillim të karrierës së tij shkencore, kur, duke hulumtuar e mbledhur dokumente nëpër arkivat e Dalmacisë, për “Codex diplomaticus” të Tadija Smiçiklasit, zbulon materiale burimore shumë interesante, të pabotuara, që i takonin mesjetës shqiptare. Kjo periudhë, në atë kohë ishte e pahulumtuar fare dhe zgjon interes të jashtëzakonshëm te studiuesi i ri, interesim ky që e preokupon aq shumë, sa bëhet qëllim kryesor i veprimtarisë shkencore për gjithë jetën e tij. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, nga pena e dr. Milan Shuflajt dolën studime të jashtëzakonshme me vlera të larta shkencore në fushën e albanologjisë. E tillë është vepra monumentale “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, të cilën e boton së bashku me Ludvig Thallocin dhe Konstantin Jireçekun. Materialin e mbledhur, dr. Shuflaj e sistemonte dhe e përcillte me komente të ndryshme, kështu që në të shumtën këto komente paraqesin diskutime me vlerë të lartë shkencore dhe mund të shfrytëzohen si studime të veçanta. Punën për përgatitjen e botimit të kësaj kryevepre e ka vazhduar edhe më tutje.
.
Në Arkivin Qendror Shtetëror të Tiranës ruhen regestat për vëllimin e tretë të “Acta Albaniae…”
Në shtypin periodik, si dhe studime të veçanta në Kroaci, Shqipëri, Kosovë, Greqi, Austri, Itali, Hungari por, edhe gjetiu, është shkruar se është gjetur vëllimi i tretë, i cili ishte i gatshëm për botim. Në fakt, e vërteta është krejt ndryshe. Dr. Milan Shuflaj nuk kishte arritur ta përgatiste për botim vëllimin e tretë, ashtu siç është shkruar e pohuar deri tani. Në dorëshkrimet e tij, të cilat ruhen në Arkivin Shtetëror Kroat në Zagreb, një pjesë e këtyre dokumenteve janë të shpërndara nëpër kuti të ndryshme. Kjo është e tëra që është zbuluar pas hulumtimeve të bëra, e jo dorëshkrimi komplet i vëllimit të tretë, siç pohohet tani. Pra dr. Milan Shuflaj nuk e kishte shkruar e as që e kishte përgatitur për botim vëllimin e tretë. Pohimet e mësipërme u vërtetuan, kur në Arkivin Qendror Shtetëror të Tiranës, në fondin e Ministrisë së Arsimit, [fondi 295, dosja 85, f. 1-43, viti 1931], nga ana e dr. Musa Ahmetit u zbulua përmbajtja e vëllimit të tretë të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, aq shumë të përfolur, i cili shkaktoi edhe debate e polemika të shumta te studiuesit, historianët, por edhe te gazetarët. Duke studiuar dorëshkrimet e Sufflay-t, por edhe burimet e tjera arkivore mund të themi se “disa prej veprave më të rëndësishme të këtij studiuesi, që janë konsideruar të botuara, në fakt kanë qenë vetëm pjesërisht të botuara”. Këtu mund të përmenden: “Biologjia e fisit shqiptar” (1915), “Historia e Shqipërisë së Veriut” (1924), “Kadastri i Shkodrës” (1926), “Historia e Shqipërisë – prospekt” (1930), në anën tjetër, disa studime monografike të vëllimshme, pothuajse të përfunduara, edhe sot kësaj dite nuk janë botuar, përkatësisht ato janë “të papërmendura dhe të pacituara në burime dhe literaturë të albanologëve dhe historianëve shqiptarë dhe të huaj si p.sh. “Statuti, ipeshkvia dhe qyteti i Durrësit”, “Biografi e Pal Engjëllit dhe e Pal Dushmanit të Krajës”, “Statuti i Drishtit”, “Familjet fisnike shqiptare në mesjetë”, “Qytete të tjera mesjetare shqiptare – Shkodra, Tivari, Shasi, Bajeza (Balezzio), Danja, Medua, Ulqini etj.”, “Fiset, vëllazëritë, emrat dhe mbiemrat tek shqiptarët në mesjetë”, “Mbi emigrimin e shqiptarëve”, “Familja dhe fshati shqiptar në mesjetë”, “Armët dhe ushtarët shqiptarë në mesjetë”, “Harta gjeografike të Shqipërisë dhe të Ballkanit Jugor”, “Shin Sergji e Baku në Bunë”, “Shin Gjoni Vladimiri” etj. Shuflaj kishte përgatitur, ashtu si edhe në dy vëllimet e mëparshme, tashmë të botuara, “regestat” [sinopsin] e dokumenteve që duhej të futeshin në vëllimin e tretë. Informacionet për ekzistencën e këtyre dokumenteve M. Sufflay i kishte nxjerrë nga botimet e ndryshme të korpuseve burimore me autorë Baronius, Cerone, Eubel, Farlati, Fermendein, Gelcich, Hopf, Iorga, Ljubic, Makueev, Marinesco, Pastor, Thalloczy, Theiner, Waddingo, që kishte arritur t‘i konsultonte gjatë përgatitjes së dy vëllimeve të para të “Acta Albaniae”. Nga këto botime ai kishte mbledhur jo vetëm të dhënat për përmbajtjen e dokumenteve, por edhe për vendndodhjen e tyre. Shënimet mbi dokumentet i grupon sipas arkivave dhe bibliotekave ku ato ndodheshin si në Arkivin e Venedikut (450 dokumente nga vitet 1407-1451), Arkivin e Vatikanit (113 dokumente nga vitet 1405-1451), Arkivin e Napolit (20 dokumente, nga vitet 1402-1451), Arkivin e Barcelonës (12 dokumente nga vitet 1447-1451), Arkivin e Ankonës (8 nga vitet 1412-1439), Museo Civico të Venedikut (2 nga viti 1420), etj. Është interesant fakti që në përmbajtjen e vëllimit të tretë, M. Sufflay nuk kishte futur dokumentet nga Arkivi i Barcelonës, të cilat i kishin përshkruar për llogari të tij disa scribes spanjollë, dhe që ky ia kishte huazuar akademikut serb në Beograd, Jovan Radoniq, për konsultim për një studim. Ky i fundit i botoi ato në vitin 1942, pas vdekjes së M. Sufflay. M. Sufflay i kishte kërkuar me këmbëngulje që Radoniq t‘ia kthente dokumentet nga arkivi i Barcelonës, e megjithatë ai i kishte mbajtur ato, edhe pse i kishte premtuar Sufflay-t se do t‘ia kthente.
.
Zbulimet më të reja nga Arkivi Shtetëror i Dubrovnikut
Shuflaj kishte lënë pa përfshirë këtu edhe disa dokumente nga Arkivat e Dubrovnikut dhe Kotorrit. Një gjë të tillë e ka pohuar vetë, në një letër të zbuluar kohë më parë në Arkivin e Dubrovnikut. Në letër, e cila mban datën e 9 janarit të vitit 1931, ai kërkon t‘i mundësohet studimi i dokumenteve që ruhen në këtë arkiv, sepse po përgatitej të botonte vëllimin e tretë të: “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”. Me këtë rast, nga vetë dora e Shuflajt, kemi një të dhënë shumë të rëndësishme, se vëllimi i tretë po përgatitej, dhe se nuk ishte shkruar akoma. Përveç kësaj letre, në Arkivin e Dubrovnikut, është zbuluar edhe procesverbali i bërë nga arkivi për studimet që bëri Milan Shuflaj atje, deri më 17 shkurt, d.m.th. një ditë para se të vritej. Ky procesverbal është i një rëndësie të dorës së parë, sepse aty janë shënuar me saktësi dhe pedanteri të gjitha vëllimet, dokumentet dhe dorëshkrimet që ka shfrytëzuar Shuflaj gjatë kërkimeve shkencore në këtë arkiv. Kjo, është një lehtësi e jashtëzakonshme për të bërë rikonstruktimin e gjithë asaj që Shuflaj studioi dhe përshkroi për vëllimin e tretë të kryeveprës së tij “Acta Albaniae…” Gjatë punës kërkimore, M. Shuflaj kishte studiuar dokumentet deri në përfundim të vitit 1451, vit ky që llogaritej edhe si kufiri i fundit për vëllimin e tretë të veprës së tij.
.
Biblioteka kombëtare hungareze e Budapestit, “Szechenyi”, ruan një korrespondencë të Shuflajt me Thallocin dhe Jozef Bajzën për studimet e mesjetës shqiptare
Në bibliotekën kombëtare hungareze të Budapestit, “Szechenyi”, ruhet një letërkëmbim i Milan Shuflajt me dr. Ludvig Talocin dhe Jozef Bajzen, në një vëllim prej 219 letrash [ose 462 faqe] të pabotuar dhe të panjohura deri më sot. Këto letra trajtojnë problematikën mesjetare shqiptare; botimet e ndryshme si dhe vazhdimin e studimit dhe hulumtimit nëpër arkiva të ndryshme të Evropës.
Letërkëmbimi është në gjuhën hungareze, i shkruar nga vetë Shuflaj, autograf, kryesisht me dorë, ndërsa një numër i vogël faqesh janë të daktilografuara. Ky letërkëmbim, përfshin periudhën e viteve 1908-1915. E veçanta e këtij letërkëmbimi është se aty, në mënyrë shumë të hapur, pasqyrohen qëllimet dhe planet afatgjata të Milan Shuflajt për studime të themelta në fushën e albanologjisë, duke përfshirë edhe përgatitjen e një historie 8 [tetë] vëllimshme të Shqipërisë, nga lashtësia deri te shpallja e pavarësisë, në vitin 1912.
.
Qëndrimi i Milan Shuflajt në Shqipëri dhe marrëveshja për vazhdimin e studimeve në fushën e albanologjisë me Mbretin dhe qeverinë shqiptare
Qeveria shqiptare, duke treguar respekt dhe nderim të veçantë për shkencëtarin dhe albanologun e njohur kroat me famë botërore, e fton në fund të vitit 1930 që të vizitojë Shqipërinë. Kjo ftesë bëhet menjëherë pasi “Kaiserliche Akademie der Wissenschaften in Wien” i kishte propozuar dr. Shuflajt të vazhdojë botimin e vëllimit të tretë të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”. I pritur me nderimet më të larta shtetërore, që nga Mbreti Zog, Kryeministri, ministri i Kulturës dhe më në fund nga anëtarët e Parlamentit shqiptar, dr. Milan Shuflajt i njihet dhe në një farë mënyre i shpërblehet gjithë mundi që kishte bërë në hulumtimet dhe kërkimet shkencore në fushën e albanologjisë dhe veçanërisht në studimin dhe botimin e dokumenteve mesjetare, të cilat deri në atë kohë pothuajse ishin të panjohura fare. I shoqëruar nga intelektualë dhe politikanë shqiptarë, studiuesi i madh kroat viziton arkiva të ndryshme kishtare, biblioteka, pika arkeologjike dhe njihet për së afërmi me kulturën dhe traditën shqiptare, për të cilën kishte shkruar aq shumë. I impresionuar nga mbishkrimet dhe dokumentet e shumta mesjetare, ai kërkon që pjesa më e madhe e tyre të fotografohen ose të përshkruhen, që më vonë, kur të kthehej në Zagreb, t‘i studionte me themel dhe të nxirrte konkludime të rëndësishme shkencore. Për fat të keq, një gjë të tillë nuk arriti ta bënte kurrë, sepse u vra nga dora kriminale e policisë serbe. Në mbrëmjen e 18 shkurtit të viti 1931, aty rreth orës 20, Milan Shuflajt i zihet pusi në rrugën “Dalmatinska” nr. 6, (në Zagreb) dhe goditet për vdekje. Vdiq të nesërmen, më 19 shkurt, nga plagët e rënda. Vrasësit ishin Branko Zwerger, Lubomir Bellosheviqi dhe Stevo Veçerina. Ata kishin marrë urdhër nga Beogradi që ta likuidonin dr. Shuflajn.
.
Shteti shqiptar heq të gjitha shpenzimet që do të bëheshin për botimet e “Acta Albaniae…” dhe të një historie të Shqipërisë disavëllimshe
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, më 16 janar 1931, dr. Shuflaj mban një fjalim në Parlamentin shqiptar, ku në mënyrë të hollësishme elaboron punën rreth botimit të vëllimeve në vazhdim të “Acta Albaniae”, si dhe të “Historisë së Shqipërisë”. Për këtë gjë, Parlamenti shqiptar e urdhëron ministrin e Arsimit që nga buxheti i shtetit të paguante në llogari të dr. Milan Shuflajt, në “Banque Commerciale de Bale a Zurich”, shumën prej 75.000, frangash ari, që sot është e barabartë me disa miliona dollarë. Metoda e shqyrtimit shkencor, paanshmëria, korrektësia, pedanteria, analizat dhe studimet e nduarduarshme, qofshin ato paleografike, diplomatike, onomastike, toponomastike apo të tjera, edhe sot e kësaj dite janë të patejkaluara. Një gjë të tillë ia mundësonte kultura e gjerë, njohja e gjuhëve të shumta, vullneti dhe këmbëngulja që e vërteta çdo herë të ngadhënjejë, edhe në ato raste kur ajo është në favor të të dobtëve dhe kur ajo nuk u pëlqen të fortëve. Edhe pse është shkruar se dr. Milan Shuflaj nuk ka shkruar shumë, e vërteta është krejt ndryshe. Punimet dhe studimet e tij janë të shpërndara nëpër gazeta dhe revista të kohës, por edhe ato të botuara si në libra të veçantë. Ata i njohin vetëm një numër i vogël specialistësh dhe studiuesish, ndërsa masa e gjerë e lexuesve nuk kanë njohuri për ekzistencën e tyre. Sipas disa informacione të fundit, opusi krijues i Shuflajt, duke llogaritur gjithçka që ka botuar gjatë kohës që ishte gjallë, arrin në më shumë se tre mijë zëra bibliografikë.
Shuflaj paraqet kulturën shqiptare në një shkallë të lartë zhvillimi në mesjetë, me një traditë të vazhduar që nga antikiteti
Në bazë të studimeve dhe analizave të posaçme, të bëra pas hulumtimit dhe zbulimit të lëndës arkivore, Shuflaj paraqet kulturën shqiptare në një shkallë të lartë zhvillimi gjatë periudhës së mesjetës, duke mbrojtur teorinë se kjo kulturë ishte më e afërt me Bizantin dhe Dalmatët, se sa me sllavët e ngulur në Ballkan dhe se kishte një traditë të pasur që nga kohët më të lashta. Kontributi i tij në këtë drejtim është i argumentuar dhe ka themele të forta shkencore. Në trajtimin e çështjes së ngritjes së dinastëve shqiptarë në Shqipërinë e Veriut dhe problemin e gjenezës së tyre, kontributi i dr. Shuflajt është se e zbërthen atë në atë mënyrë, që duke gjetur lidhje të ndryshme farefisnore, të gjakut apo martesore me bujarët fqinj, malazes, kroatë, grekë, maqedonas, bullgarë apo serbë, vë në pah një ndikim të caktuar në organizimin e strukturës shtetërore shqiptare dhe në institucionet e tjera që kishin një traditë të gjatë në këto treva. Krahas kësaj ai trajton edhe problemin e institucionit të notariatit, të cilin e analizon që nga zanafilla e tij nëpër qytetet bregdetare shqiptare, duke tërhequr një paralele në mes zhvillimit të këtij institucioni në Italinë veriore dhe Dalmaci në njërën anë dhe në Italinë jugore dhe në trojet shqiptare në anën tjetër, studim ky, që deri tani ka mbetur i vetmi në këtë lëmi. Duke analizuar njësitë politike dhe ato territoriale-gjeografike, sipas të dhënave burimore arkivore, dr. Shuflaj e shqyrton problemin e gërshetimit të elementeve perëndimorë dhe lindorë në nomenklaturën topografike të Shqipërisë, duke tejkaluar kështu tezat e vjetruara dhe të njëanshme gjoja “shkencore”, mbi influencën ekskluzive të Perëndimit apo Lindjes në trevën e Ballkanit, duke arritur kështu në një përfundim të ri shkencor, sipas të cilit në këtë hapësirë gjeografike kemi të bëjmë me influenca të gërshetuara pa ndonjë dallim të favorizuar në llogari të njërit apo tjetrit ndikim. Prejardhjen ilire të shqipes e të shqiptarëve, Shuflaj e dëshmon me argumente shkencore ndër të tjera edhe me praninë e emrave të vendeve, krahinave dhe vëllazërive të cilat i trajton si emra ilirë, e që mund të zbërthehen me brumin gjuhësor të shqipes. Në anën tjetër shpreh mendimin se shqipja është një idiomë e ilirishtes dhe fazë e re e një të folmeje të moçme ilire, ngase shqiptarët jetojnë aty, ku në kohë të lashta kanë jetuar ilirët dhe ishin në këto treva, pa asnjë dyshim, para dyndjes së sllavëve. Edhe në studimet e tjera të dr. Milan Shuflajt bie në sy pasuria e madhe e materialit burimor faktologjik, por disi kanë mbetur anash pa u analizuar dhe shqyrtuar sa duhet, faktorët ekonomikë dhe shoqërorë dhe ndikimi i tyre. Historia e shqiptarëve është për të kryesisht historia e një etniteti etnokulturor të dalluar, me rrënjë të lashta autoktone e vazhdimësi të pandërprerë, me një aftësi të jashtëzakonshme rigjeneruese, e cila paraqet thelbin autentik të historisë së Ballkanit në përgjithësi, e asaj shqiptare në veçanti.
***
Kush ishte Milan von Sufflay?
Milan Shuflaj ka lindur në vitin 1879, në Lepoglavë të Kroacisë. Shkollën fillore e mbaron në vendlindje, ndërsa gjimnazin klasik në Zagreb, ku laureohet si nxënësi më i mirë i gjeneratës së tij. Studion shkencat shoqërore në Universitetin e Zagrebit. Doktoron në vitin 1901. Menjëherë pas doktoratës, Shuflaj i futet punës për sistematizimin, mbledhjen dhe përshkrimin e dokumenteve mesjetare nga arkivat e qyteteve bregdetare dalmatinase për “Codex Diplomaticus”. Këtu ishin kontaktet e para të studiuesit të ri me lëndën e vëllimshme dhe të pahulumtuar fare, që i takonte Shqipërisë. Në vitin 1902, Shuflaj mbron me sukses provimin për profesor në shkencat ndihmëse të historisë, në Universitetin e Zagrebit. Në vitet 1902-1903 specializohet në Vjenë, në “Osterreichische Institut for Geschichtsforschung”, në fushat e paleografisë latine, diplomacisë, kronologjisë dhe notariatin, te profesorët O. Redlicha dhe A. Dopscha. Në këtë vit, regjistron te prof. K. Jireçeku “Studimet albanologjike në Kolegjin e Vjenës”, të cilat nuk ka arritur t`i përfundojë. Në vitet 1904-1908, dr. Shuflaj punon si asistent në bibliotekën kombëtare “Szeczeny” të Budapestit. Këtu thellon njohuritë në fushën e ballkanologjisë dhe sidomos albanologjisë. Vendos kontakte të shumta me intelektualë dhe shkencëtarë me famë botërore, kontakte këto që do t‘i shfrytëzojë më vonë, gjatë gjithë punës së tij shkencore. Në Budapest, Shuflaj botoi në revista dhe gazeta të ndryshme një numër të madh punimesh shkencore me vlera të jashtëzakonshme. Në revistën “Szazdok” boton dy punime për mesjetën kroate, ku me argumente shkencore tregon se dokumentet e Rabit të shekullit XI dhe XII, për Mbretin kroat Zvonimir, ishin falsifikat. Kjo gjë më vonë do t‘i kushtojë shumë, sepse do të shpallet tradhtar i popullit kroat, dhe studentët e tij do t‘ia bojkotojnë leksionet! Në vitin 1908 emërohet profesor i rregullt për shkencat ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit. Së bashku me Talocin dhe Jireçekun, në vitin 1913 dhe 1918, boton në dy vëllime kryeveprën “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”. Në vitin 1918, me kërkesën e tij pensionohet, e pastaj boton pjesën e tretë të Historisë së Shqipërisë, të cilën kishte planifikuar ta shkruante në tetë vëllime, me titull: “Die kirchenzustonde im vortarkischen Albanien. Die ortodoxe Durchbruchszone im katolischen Damme”, për të vazhduar, pastaj në vitin 1920 me romanin me temë nga mesjeta shqiptare, “Konstantin Balsha”, të firmosur me pseudonimin Alba Limi. Në dhjetor të vitit 1920, burgoset. Dënohet me tre vjet e gjysmë burg, të cilat i bën në Mitrovicën e Sremit. Në vitin 1924 boton në të përditshmen e Zagrebit, “Obzor”, romanin fantastiko-shkencor: “Na Pacifiku 2255 – metagenetiaki roman u aetri knjige”. Po në këtë vit boton edhe: “Stadte und Burgen Albaniens hauptsachlich wahrend des Mittelalters”, dhe “Povjest sjevernih Arbansa”. Për të botuar pastaj në vitin 1925 studimin: “Srbi i Arbanasi, njohova simbioza u srednjem vijeku”. Në vitin 1928 botoi librin me ese: “Hrvatska u svijetlu svjetske historije i politike”. Po këtë vit emërohet profesor i rregullt në Universitetin e Budapestit. Për shkak se nuk kishte pasaportë, detyrohet ta refuzojë këtë emërim. Problemet me policinë janë pjesë përbërëse e jetës së dr. Shuflajt. Sipas disa të dhënave më të reja, të zbuluara në Arkivin Shtetëror kroat në Zagreb, dr. Milan Shuflaj është një ndër shkencëtarët e rrallë në botë që është vëzhguar në çdo hap nga policia, e jo vetëm ai, por edhe personat me të cilët kontaktonte, duke përfshirë këtu edhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë. Një mbikëqyrje e tillë ka filluar në fund të vitit 1922, gjë që mund të dëshmohet nga dokumentet arkivore. Fillimisht është vëzhguar vetëm ditën, ndërsa më vonë 24 orë pa ndërprerje. Me raportet nga mbikëqyrja njoftohej drejtpërsëdrejti Kryeministri Petar Zhivkoviq, e më vonë pasardhësi i tij, Milorad Srshkiqi, në Beograd dhe vetë Mbreti, në mënyrë që të kishin parasysh veprimtarinë dhe lëvizjet e shkencëtarit të madh. Në vitin 1929, Akademia Vjeneze e Shkencave i propozon dr. Shuflajt që të vazhdonte vjeljen e lëndës arkivore për vazhdimin e botimit të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, vëllimet III-V. Këtë iniciativë e përkrahu edhe qeveria e Mbretërisë Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë e saj që të hiqte shpenzimet për një ndërmarrje të tillë kaq serioze dhe të vlefshme. Dr. Milan Shuflaj ftohet të vizitojë Shqipërinë. Pas shumë peripecish rreth pajisjes me pasaportë, ai arrin në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931. Vritet nga dora e kriminelëve serbë më 18 shkurt të vitit 1931, një ditë pas kthimit nga Shqipëria, duke lënë pas shumë studime të papërfunduara në dorëshkrim, një pjesë e mirë e të cilave ruhet në Arkivin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb.
.
Marre nga gazeta Shqip
.
.