Hetime e dënime të reja politike të kreut të SPAK,
Arben Kraja, ish hetues i diktaturës komuniste
nga Agron Tufa
Kur bëra pubike për herë të parë (dhjetor, 2019) dokumentat arkivorë të kreut të sapozgjedhur të SPAK-ut, ish-hetuesit komunist Arben Kraja, të zgjedhur me një procedurë mbi trevjeçare Vetingu, pati reaksion të madh, ku nuk munguan mbrojtësit e tij. Ca më shkruan në privat me një ton gjysmërixhaje e gjysmëkërcënimi. Ca të tjerë, kolegë të ish-hetuesit komunist Kraja (si ish-hetuesi dhe spiuni Bujar Sheshaj) edhe ata të zgjedhur me Veting, dolën hapur që në mbledhjen e parë të KLP-së së sapoformuar, me thirrjen – të qëndrojmë grushtbashkuar rreth kreut të SPAK-ut, Arben Kraja, për ta mbrojtur atë dhe njëri-tjetrin nga sulmet e Agron Tufës!
Ndonjëri prej dalëzotësve të Krajës, kaloi nga mohimi total në relativizim, duke e minimizuar rolin e Arben Krajës vetëm me rastin e të rinjve shkodranë Luçi dhe Bizi.
Tani publikut po i servirim dokumenta me firmën e Krajës, ku dëshmohet se rasti i Luçit dhe Bizit nuk ka qenë rast i vetmuar! Ka dhe raste të tjera, që do t’i publikojmë më vonë, për t’u përsheshur turinjtë “avokatëve të djallit”.
Në këto dokumenta shihet se Partia i ka ngarkuar Arben Krajës hetues (sot kreu i SPAK), gjuetinë e shtrigave mbi rininë shkodrane. Dhe kur se! Pasi mijëra shqiptarë kishin thyer barrierat e ambasadave dhe ishin larguar drejt Europës “kapitaliste”. Pra, në fund të korrikut 1990! Dhe me çfarë egërsie!
Viktima tjetër e hetuesit komunist mizor Arben Kraja, është 22 vjeçari shkodran Andrea Daija, të cilin e ka torturuar dhe detyruar të firmosë se ka pasur në plan tentativë për arratisje.
Një pjesë e dosjes ku protagonist është Arben Kraja hetues, e keni më poshtë.
Një gjë na ngelet si gjithmonë mister: Si ka mundësi që Autoriteti i Rrënimit të Dosjeve për ish-Sigurimin e Shtetit e ka nxjerrë të pastër në Veting këtë hungërues të Diktaturës!? Si ka mundësi që AIDSSH i numëron (dhe i justifikon) Arben Krajës vetëm rastin e të rinjve Luçi e Bizi? I njeh dosjet Autoriteti i Dosjeve apo e ka fshehur me qëllim këtë rast? Dhe, interesante: me çfarë qëllimi? Apo që të bëhej kreu i SPAK-ut pikërisht një prej qenve që ka këputur zinxhirin e Diktaturës komuniste për të kafshuar tashmë në hapësirën e shoqërisë me institucione demokratike?
Dhe sa demokratike është kjo metodë bizarre?
O vëllezër! Nuk mund ta bëjnë drejtësinë këta kainë! Ata duhet të japin llogari në bankën e akuzës! Diktatura e Re e Rilindjes do të bjerë me turp dhe simahorët e Diktaturës së Vjetër duhen spastruar pa mëshirë, tok me mekanizmat që na i sollën në krye.
Urgjentisht!
.