“Isha e lumtur për diferencën time…”
nga Alba Kepi
Mes meje dhe të gjithë anëtarëve të familjes time
nuk ekzistonte një gënjeshtër e zbukuruar.
Historia jonë qe historia e qytetit tim.
E njihnin të gjithë e askush nuk fliste.
Alba Kepi
.
Nuk harroj fëmijërinë e kaluar në shtëpinë time të lindjes, një apartament në një ndërtesë të njohur si “pallati i tironsave” apo “pallati i Alimehmetëve”, ku pothuajse të gjithë banorët kishin lidhje gjaku, krushqie apo miqësie me njëri-tjetrin.
Ishin transferuar aty pasi sistemi komunist, u kishte konfiskuar troje, prona, pasuri e shtëpi. Në ato vite të ftohta kallkan, nona ime (gjyshja nga babi) më përshkruante çdo natë ornamentet gjeometrike të rozetave që zbukuronin dikur dhomën e saj të gjumit, prej nga ku varej një ambazhur i rëndë, i larë i gjithi me flori.
Ndërsa mbi krye vështroja tavanin e suvatuar me gunga, nga ku bënte hije një llamarinë që mbulonte dritat, ndoshta e prodhuar nga ndëmarrja “Konsumi i gjerë”. Dëgjoja nonën që fliste: “…në të gjitha odat e vilës së modhe kishte shandona të larë me ar. Të gjitha të bleme n’Itali, e ai mo i bukri ishte te dhoma e gjumit!”
Kujtonte sofrat e shtruara të dielave me hollësitë kulinare të një dreke të mirë tironse, pritjet me miqtë e pamungueshëm të familjes në halle e gëzime, bisedat e gjata deri në të gdhime. Nona ime fliste ngadalë e çdo fjalë rëndonte peshën e një malli për çdo send të asaj shtëpie. Ndjeja se i mungonte shumë. Më mungonte dhe mua dhe pse nuk e kisha parë kurrë atë ndërtesë. Sa herë binte rruga për t’i kaluar pranë, im atë gjente gjithmonë një arsye për ta evituar. Hapat i rralloheshin, ndalej e kujtohej se duhet të shkonim diku nga ana tjetër. Vila e madhe e shumëkatëshe, që për fat, vazhdon të mbahet në këmbë ende sot, është dëshmia e arkitekturës moderne në një mëhalle të vjetër tironse, që sfidon shumëkatëshat që i rrijnë përbri.
Munda ta shikoj për herë të parë pas viteve ’90, kur më në fund ish sekretari i Partisë e familja e tij vendosi të largohej e të blejë një shtëpi të tij. Komiteti komunist i lagjes në emër të popullit, fillimisht i kishin dëbuar familjarët e mi nga vila e madhe, duke e zhvendosur pranë dy vilat më të vogla që i zotëronim po përbri saj. Por nuk zgjati shumë e ia konfiskuan dhe këto shtëpi duke i internuar diku në një perfieri të humbur të Tiranës së dikurshme.
“Tavoni i asaj shpie ku na degdisën, tregon nona ime, qe pa suva fare, nëpër cepa pikonte çika duke e fut gjithë shiun mrena. Nji poç i lidh me i fije teli hidhte dritë sa me pa njoni-tjetrin…”
Në pronat tona, për gati gjysmë shekulli jetoi sekretari i partisë, i plotëfuqishmi i lagjes me fëmijët e tij, e pasardhësit e pasardhësve të tyre deri pas ’90. Kjo dhimbje të çponte gjoksin dalëngadalë e çdo ditë. Kaloje pranë asaj rrugice e shihje portën e madhe të një vile trekatëshe ku ke lindur, apo dhe të dy shtëpive përbri, ku ke kaluar orë e ditë të jetës, dhe e kisha te ndaluar të hyje!
Po dhe kur qëndroje një copë herë për ta parë nga larg e ç’mallje kujtimet, dhimbja shkelte gjoksin e zemra rrihte me ritmin e dridhjeve të mjekrës. Eh… E shihje se dikush tjetër që nuk je ti, po i ngjiste shkallët për të hyrë aty në odën tënde në katin e dytë apo një hije e dytë në odën poshtë po zhurmonte me çekiç o po shembte një mur…
.
***
Sytë e nonës mbusheshin me lot kur rrëfente për oborrin e dikurshëm, për shatërvanin në qendër të tij, i punuar i gjithë me “xhixha”, siç i thoshte ajo gurëve mozaikë shumëngjyrësh të ardhur enkas nga Italia.
Çdo familje tiranse ka një lidhje speciale me oborrin e kopshtin. Qe pjesa më e bukur e shtëpisë e i kushtohej një kujdes i veçantë si në mirëmbajtje ashtu dhe në hijeshin e tij. Unë nuk pata fatin ta shijoja një oborr të tillë!
Ai apartament tek Pallati i tironsave, ka mbërthyer përjetë në memorien time, praninë e makinës qepëse Singer në një cep dhome. Ishte mbi 100 vjeçare e nona ime e kishte trashëguar qysh në pajë. Ky objekt i lashtë qe kthyer në mjet mbijetese për të përballuar hallet e një gruaje e të një nënë me tre fëmijë që për 12 vjet rresht me burrin në burg nën akuzën “kulak e armik i popullit”, garantonte dinjitetin familjes. Funksioni fisnik i këtij objekti trashëgohej sa herë që anëtarët meshkujt të familjes time të madhe dënoheshin me rradhë për të vetmin faj; “si pinjoll e trashëgimtarë të një dere me emër të qytetit”.
Unë flisja me makinën Singer, ishte mikesha ime më e mirë. E mësova shpejt ta përdorja pa më ndihmuar askush. Që as 6 vjeçe qe kthyer në këndin tim të lojrave, me zhurmën e saj të moçme që nuk stononte kurrë nga ritmi i shtruar, plot peshë i zakoneve të shtëpisë.
Mes dy minereve (divanëve) te dhoma e ndjenjes qe pozicionuar një sënduk druri që nuk hapej pothuajse kurrrë. Brenda tij qe mbyllur kostumi i martesës së nonës (gjyshes) i tëri i qëndisur me ar, të cilin e kish punuar me duart e veta. Qëndroi jo gjatë në atë arkë që kundërmonte aromën e pemëve të kopshtit, pasi u shit për të martuar me pajë e dasëm gocat e shtëpisë.
Sido që të ishte gjendja ekonomike e familjes, (e detyruar dhe e kushtëzuar në ato vite nga grabitja e vjedhja e sistemit komunist) sidomos kur bëhej fjalë për një derë e xhins me emër, e bija e shtëpisë duhej të dilte nuse më të gjitha të mirat e mundshme që nëna e baba kishin ëndërruar për të. Herën e fundit që e pashë hapur atë sënduk druri me shijen e frutave e luleve të oborrit, qe kur gratë e shtëpisë sime më rrëfenin mbi rolin e virtytet e veshjes që një vajzë e grua tiranse duhej t’ia dinte vlerën. Vajza, bija e shtëpisë, nusja e ardhshme në një derë të sojit të saj, edukohej të kujdesej për prezantimin e paraqitjen sa më të mirë para burrit, familjes, të afërmëve e miqve që e nderonin. Rrobat e drekës, rrobat e pazarit, rrobat e rasteve, e qokave, rrobat e dasmës etj, ndiqnin një protokoll kulture, elegance, kombinimi e pastërtie që sot do ja kishin zili dhe maison-net më të mëdha të modës.
Mënyra e veshjes, mënyra e sjelljes, mënyra e përshëndetjes, mënyra e mikpritjes dhe e respektit, evidentonin si në vajzëri ashtu dhe në nusëri, kulturën e bukurinë morale e fizike të bijes tiranse e nderonin fisin që i përkiste.
Nga ai sunduk jete, mbështjellë me letër kalk për t’i rezistuar kohës, u shfaqën si në një llambë magjike, rrobat e dikurshme të drekës, me të gjitha nuancat e ngjyrës së detit. Pëlhura, qepja, eleganca, thjeshtësia, shndërronin në hyjni mitologjike çdo femër që i vishte. Shprehja se në botë nuk ka femër të shëmtuar, por një femër të veshur e të kombinuar keq, mendoj se ka gjetur shpërthimin e mendimit ndoshta duke parë nje veshje të tillë.
.
***
Pallati i tironsve, ndërtuar nga të burgosurit e kohës së atij regjimi, jetonte ditët e tij i izoluar nga jeta socialiste e aktivizmi revolucionare i frontit të lagjes.
Askush nga banorët e tij nuk ishte i mirëpritur në mbledhjet e Partisë dhe pse veç për ta flitje e diskutohej cdo javë. Dhe kur aksionet për ndërtimin e “Shqipërisë së lumtur” apo alarmet për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore të armiqve kapitaliste i detyronin t’u bashkoheshin pjesës tjetër të banorëve të lagjes, duke u fshehur në ato rifuxhet e ndërtuara me dhè e beton mes lagjesh, ata tironsit e pallatit të të burgosurve, nuk përziheshin me askush, por në heshtje mbështeteshin e kuptoheshin sy më sy njëri-tjetri.
U rrita me koshiencën e diferencës mes “atyre” dhe “neve”, por kurrë me ndjenjën e inferioritet që vetëm kush e kish nisur jetën në shtëpi e realitete te vjedhura mendonte se e kisha.
Isha e lumtur për diferencën time.
Ndjehesha rehat me vërtetësinë e këtij diversiteti.
Isha e bindur se sado të thellohej e të rëndonte në jetën time, nuk do e kisha ndërruar kurrë për atë realitet të “atyre”.
Mes meje dhe të gjithë anëtarëve të familjes time nuk ekzistonte një gënjeshtër e zbukuruar. Historia jonë qe historia e qytetit tim. E njihnin të gjithë e askush nuk fliste.
.
Pjesë nga libri “Dasma Tiranse”
.