back to top
1.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Refleksione për shkrimin “Edhe unë jam Çam” – nga Pertefe Leka

Gazeta

Pertefe Leka, shtator 2018
Pertefe Leka, shtator 2018
I nderuar Jozef,
Besoj së e keni parë këto ditë njoftimin se në Kolegjin Harvard të Sh.B.A.
kujtohet tragjedia e Çamërisë shqiptare,
organizuar nga shoqata e studentëve shqiptarë
në “Harvard University” me temë:
“The Cham Albanian of Greece 77 Years of Denial Confirmation”
Për këtë po ju dërgoj një shkrim reflektimi me apelin “Edhe unë jam Çam”
të gazetarit të mirënjohur me origjinë nga Malësia e Madhe, Frank Shkreli.
Respekt e Mirënjohje për punën e palodhur që bëni,
për publikimet dinjitoze në shërbim të Shqiptarisë.
Pertefe Leka
.
Manifestimi i Shoqatës "çamëria"
Manifestimi i Shoqatës “çamëria”

Refleksione për shkrimin “Edhe unë jam Çam”

nga Pertefe Leka

Krenaria kombëtare e publicistit të mirënjohur zotit Frank Shkreli në një shkrim “Edhe unë jam Çam”, më bën ta ndiej forcën e këtij apeli të cilën e kam shprehur edhe më parë nëpërmjet disa shkrimeve duke e pasë si temë kryesore etninë shqiptare. Nëse do të citohen disa shprehje të matura e të menduara thellë nga disa personalitete të ndritura të historisë dhe kulturës shqiptare për Çamërinë, do të bashkohesh në një zë me gazetarin nga Shkreli së edhe “Unë jam Çam” Këtë të drejtë legjitime, na e ka vulosë shumë herët shkodrani, atdhetari luftarak Pashko Vasa që e ngriti në Fe Shqiptarinë, të pranuar nga të gjitha Religjionet dhe nga të gjitha shtresat shoqërore. Vargjet e poemës “O moj Shqypni” nuk u vjetëruan kurrë, kanë mbetur në kujtesën e gjithë brezave duke mbetur pasaportë e përjetshme për çdo shqiptar: Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë// Gjithkund lshon dielli vap’ edhe rrezë// Asht toka jonë, t’parët na e kanë lanë// Kush mos na e preki, se desim t’tanë…”
Personaliteti i shquar Shqiptar, Faik Konica, i lindur në Konicë, pozuar me kostumin e Çamërisë, në kohën e luftës Italo-greke i shkruan Gazetës “New York Times” dëshmi të bazuara në fakte historike së Epiri, Shqipëri e Jugut, ishte rajon i banuar gjithmonë me shqiptarë nga gjuha dhe kombësia deri te ishujt Jonianë që edhe ata ishin Ilire. Konica përmende edhe vetë Perandorin e Bizantit Leoni Mençur me shprehjen e tij se Banorët e Epirit ishin shqiptarë.
Por ajo që më ka dhënë siguri dhe besim, që ta ruajmë të shenjtë identitetin tonë, ishte mbrojtja që bëri i Madhi Fishta me “testamentin politik” në Konferencën e Paqes në Paris. Duke detajuar me vërtetësi historike së kush jemi dhe nga vijmë, ngriti zërin e drejtësisë për gjymtyrët e ndara të Atdheut që t’i bashkohen trungut të vet, duke vënë theksin për Kosovë e Çamëri.
Boçarët kanë qenë shqiptarë e shqip kanë folë e me trimni shqiptare kanë luftue… Greqinë e kanë lirue… me pasë me pyet si dijetarë dhe jo si diplomatë, kishte me jua vërtetue edhe Venizellos vetë…” Gjergj Fishta.
Po në një kohë me Fishtën iu drejtua Konferencës së Paqes edhe një Zonjë Çame, Lejla Dino Ileri (1893-1966) ishte e bija e Rasih Dinos, oratori kryesor, pjesëmarrës në Konferencën e Londrës dhe mbesa e Abedin Dinos një nga bashkëpunëtorët e Abdyl Frashërit në “Lidhjes e Prizrenit”. Ajo është e para grua shqiptare që i shkroi letër Kryetarit të Konferencës së Paqës në Paris për çeshtjen shqiptare në emër të Komitetit të Gruas Shqiptare që e kishte krijuar në Bruksel. (1 janar 1919, Albania). Ajo shfrytëzoi njohjen me Zonjën Edith Galt Wilson, (Zonja e Presidentit Wilson) për t’ju drejtuar simbolit të Paqes, Presidentit të Sh.B.A., Woodrow Wilson: “…Hidhërimet e tmerrshme dhe mizoria që nënat shqiptare, gratë dhe bijat duruan duke parë gjakun e të dhemshurve të tyre të rrokullohet në zgjedhën e shtypësve të huaj, kanë natyrisht për të tronditur ndjenjat tuaja të larta njerëzore dhe sot do të na ndihmoni për të fituar lirinë tonë të dashur. Në këto çaste shtetet fqinj duan t’i aneksojnë vende të tokës sonë të dashur ose që të marrin prej nesh indipendencën tonë politike…” Kanë mbetur të gdhendura fjalët e ekuilibruara të dijetarës së famshme, Elena Gjika, me origjine shqiptare, (nëna e saj ishte nga Çamëria), për qëndrimin e padrejtë të fqinjëve Sllavë e Grekë në të gjitha kohërat: “Grekët duhet të mësohen, ta konsiderojnë Epirin për atë që është në realitet, domethenë të shohin në të toskërinë dhe cilido që do të orvatet të vendosë mbi fatin e shqiptarëve pa pëlqimin e tyre, shpejt ka për t’u ndeshur me vështirësitë të pakapërcyeshme, që është në kundërshtim me idetë e kohës sonë…” Kur Elena Gjika vizitoi varrin e Boçarit, ajo u lut që të shohi një ditë të valojë mbi varrin e Kastriotit të madh Flamurin, që Ai ka mbajtur me Lavdi në njëqind beteja. Na u realizoftë kjo aspiratë!” Të Çamërisë ishin edhe Idromenët, një familje e njohur nga Parga, nën Pashallëkun e Ali Pashë Tepelenës shek.18-19. (vinin nga ishulli Hidro) Dy më të njohurit ishin Andrea dhe Mihali, studiues me grada shkencore. Andrea doktor në teologji dhe profesor në Korfuz dhe Mihali doktor në drejtësi. Ata, përveç përkthimeve teologjike në gjuhën shqipe që kanë vlera historike për gjuhësinë, në vitin 1852, Mihali ka lënë një fjalor teknik në gjuhën shqipe dhe së bashku me Andrean përpiluan edhe botimin e një historie për Pargën dhe Sulin, por e zhdukur tashma sepse dokumentonte shqiptarinë e krahinave të përmendura më sipër. Djali i Mihalit, Arsen Idromeno, me 1856, u shpërngul në Shkodër. Atje u bë i njohur si talent në pikturë, në punimin e drurit dhe autodidakt në arkitekturë gje që e trashëgoi djali i tij… “Mikelanxhelo i Shqipërisë” Kolë Idromeno, Motra Tone dhe pasardhësit e saj të cilët u radhitën në aristokracinë e kulturës qytetare shkodrane dhe mbarë shqiptare. Nga dijetarët e vjetër, të cilët janë të shumtë në studimet e tyre po citoj vetëm një thënie të Pukvilit, i cili i vlerëson Çamët: “Më të mirët e më fisnikët e farës shqiptare!” Edhe personaliteti shqiptar, Mihail Atrioti, është bir i Artës nga Çamëria, që përçoi idetë e Rilindjes Evropiane, në Rusi. Atrioti studioi për filozofi në Padova në katedrën që drejtonte nxënësi i Kopernikut, bashkatdhetari i tij epirotas, Leonik Tomeo. Edhe pse ishte autor i 150 titujve shkencorë, filozofikë, pedagogjikë, rusët e internuan për idetë e tij përparimtare dhe shkencore, nuk e lejuan të kthehet në Artën shqiptare. Në fund të jetës, Ai kërkoi të mbyllte sytë në tokën e të parëve. Knjazi iu përgjegj: “Jeni njeri i ditur dhe i zgjuar. Ti di këtu çdo gjë të mirë dhe të keqe, po të dalësh nga Rusia do ta përhapësh në të gjithë botën…”
Nëse Princesha romune me origjine shqiptare Elena Gjika e quajti, Toskëri, Epirin në jug të Shqipërisë, Lasgush Poradeci, duke iu përgjegjur një personaliteti që iu mburr së ishte me origjinë nga rrethi më verior, Malësia e Madhe, që sipas tij ishte “Kryet e Shqipërisë” Lasgushi i tha me vendosmëri: “Kështu të kanë mësuar ty, se atje nga je ti janë kryet e Shqipërisë?” Kryet e Shqipërisë janë: Nishi, Lugina e Preshevës, Mitrovica dhe Metohija. Krahina nga je ti është plënci i Shqipërisë…, e cila këmbët i ka në Gjirin e Ambrakisë, në Artë dhe Prevezë…” I kësaj ideje ishte dhe miku i tij i zemrës, Dhimitër Pasko, “Mitrush Kuteli” me origjinë nga Fisi Kutelia i Artës së Çamërisë, i cili e pohoi me vendosmëri se “Jam Kosovar” dhe “Nga një det në tjatrin det isha zot vetë…” Vargje monumentale, të gdhendura në “Poemin Kosovar” Për këto ide, Kutelin poet dhe ekonomistin e shquar desh e futën të gjallë në dhè, sepse e pohoi triumfalisht se “Jam këtu, dem baba dem” dhe “Atje poshtë në brigjet e detit është një tjetër Kosovë e robëruar…” Kështu e pësuan në “Gjyqin Special” edhe dy shkencëtarët e mirënjohur me kontribute të çmuara në veterinari, histori, publicistikë sport,… Dr. Vasfi Samim Visoka dhe Dr. Jakov Milaj me veprat e tyre, respektivisht “Nëna Kosovë” 1943 ku Dr. Samimi pohon para trupit gjykues “Unë librin “Nëna Kosovë” e kam shkruar me plot ndërgjegje dhe përgjegjësinë e përmbajtjes saj e kam shkruar si Shqiptar dhe ka një stil human…” dhe “Raca shqiptare” 1944, Dr. Jakov Milaj shkruan: “Qëllimi i kësaj vepre ka qenë… që lexonjësi ta njohë Shqiptarin që prej Mitrovice e gjer në skajin jugor të Çamërisë si vëllanë e vet…” Nga një anë politika e egër bizantine e fqinjëve shovenistë, që vazhdojnë me atë mentalitet, por s’të linte rehat edhe politika famëkeqe komuniste për të eliminuar elitën intelektuale progresive, fatkeqësisht janë të domosdoshme sot këto deklarime atdhetarësh, të cilët e ngacmojnë ndërgjegjen kombëtare për çdo qytetar të ndershëm. Jo vetëm mëmëdhetarët e Shqipërisë Natyrale i përgjigjen të vërtetës historike me përkushtim e dinjitet, por edhe të huajt që e shetitën dhe arritën të njohin bukuritë natyrore e njerëzore të Çamërisë u entuziazmuan me trimëritë e Suliotëve siç i përshkroi Bajroni: “…kush ia shkon në trimëri suliotit brun?// me të bardhë fustanellë e me gunë…//” Romantiku i shquar, e pasuroi shpirtin e tij, me gjënë më të shtrenjtë në botë, duke e quajtur atë tokë të bekuar “Nënë e dashur, burrash të rreptë…” E Bajroni, që i këndoi Lirisë , me trimat e Aleksandrit dhe të Iskanderit, bij të Çamërisë, morën pjesë në Betejën e Misolongjit 1824, ku Lordi anglez me të tjerë dhanë jetën për çlirimin e Greqisë. Ndërsa Miss Durham me veprën botuar me 1920, “Njëzet vjet ngatërresa Balkanike” në një kapitull të veçantë denoncon masakrat në Çamëri nga andartët grekë.
Luftëtarët e Çamërisë nuk kanë reshtur së luftuari për Liri. Janë të njohura betejat e tyre për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha turke dhe me tutje përmendet Familja e Abedin Dinos dhe janë të panumërt bashkëpunëtorët e tij. Nuk mund të numërohen së çfarë ka nxjerrë ai vend i bekuar, por duhen përmendur sepse e ardhmja do të mbështetet në mësimet e tyre. Dijetari, shkencëtari, dhe rektori i parë i Universitetit të Stambollit, Hasan Tahsini, i cili la amanet thenien proverbiale: “Jemi një komb i veçantë, kemi gjuhën tonë të veçantë, ndaj duhet të jetojmë më vete si gjithë kombet e tjerë!” Ishte bir nga Ninati i Çamërisë, 1812-1881 student i Parisit, ku studioi të gjitha shkencat e reja, mësues- pedagog i Sami Frashërit dhe bashkëpunëtor i tij si edhe i Pashko Vasës, Ismail Qemalit, Jani Vretos… Simbol i shqiptarisë, luftëtar i paepur në kryengritjet e Shqipërisë Jugut, për Pavarësinë dhe për ndërtimin e shtetit Shqiptar. Eruditi më i madh që ka nxjerrë Shqiptaria dhe gjithë Perandoria Osmane që edhe për sot janë të vlefshme mësimet e tij.
Mësues dhe bashkëpunëtor i vëllezërve Frashëri, vlen për t’u përmendur memorandumi që mban firmën e Abdyl Frashërit, Hoxhë Tahsinit, Abedin Dinos në mbledhjen e Prevezës 1879, në mbrojtje të Çamërisë që bënë të dështojnë Grekët për të marrë Çamërinë, e cila për 35 vjet mbeti në duart e shqiptarëve… Samiu do të kalonte 7 vjet në Janinë si nëpunës dhe në enciklopedinë e tij 6 vëllimshe shkruan gjerë e gjatë për Çamërinë, për Thesprotinë e lashtë, Epirin, suliotët, Vilajetin e Janinës dhe duke i lenë një vend të veçantë mësuesit tij të nderuar, Hoxha Hasan Tahsin dhe dijetarit nga Kosova Ali Efendi Jakova. Po në vazhdimësi të publicistikës së rilindësve botohet gazeta “Zëri i Çamërisë” nga intelektualë të shquar për Çështjen Çame të cilët me armë në dorë morën pjesë në organizimin e Çetave të Çamërisë. Ata me delegatët e Jugut, përfaqësues të Filatit, nënshkruan në Kuvendin e 21 Korrik 1911, në Manastirin e Cepos, në përkrahje të memorandumit të Greçës,në kohën e kryengritjes së Malësisë Madhe, për t’i treguar qeverisë Turke se vendimet në Greçe i përkasin të katër vilajeteve dhe duhet t’i trajtonin të pandara sepse janë kërkesat e gjithë shqiptarëve…
Më 25 Gusht 1908, në qytetin e Filatit, u hap shkolla e parë shqipe në Çamëri ku mësuesit e parë të kësaj shkollë arritën të marrin abetaren e parë me alfabetin e ri (1908) të hartuar nga Parashqevi Qiriazi, e cila kishte marrë pjesë në Kongresin e Manastirit dhe kishte përpiluar edhe këngën e famshme të Alfabetit për Mësonjëtoren në Korçë. Për këtë gjuhë të bukur Naimi i kushtoi vargjet në dialektin e Çamërisë që mbeten të pavdekshme “Eni vjen prej Çamërie// me ato milra fjalë//. me atë gluhë perëndie…//”
Edhe korifeu i publicistikës shqiptare, Branko Merxhani ishte Çam i krishterë, nga fshati Sopik i Pogonit, i shkolluar në Turqi, Austri… i cili nuk fliste shqip pasojw e politikës hegjemoniste të fqinjëve… Merxhani e mësoi shumë shpejt gjuhën shqipe dhe me veprat e tij e vërtetoi shqiptarësinë kur shkruante “T’i mbetesh besnik Atdheut tënd dhe të përmendësh emrin e tij, është një Fe…” Pozitivizmi i Brankos ishte një vlerë për sociologjinë shqiptare, ishte arma e fuqishme e Tij, për të luftuar ndikimin e egër bizantin të fqinjëve dhe për t’i dhënë rinisë shqiptare drejtimin e duhur të qytetërimit si mbarë shtetet e përparuara të Botës.
 
***
Këtë shqetësim e ka shprehur edhe Lumo Skëndo të vepra e tij “Suliotët” ku shpreh dhimbjen për asimilimin dhe tjetërsimin e shqiptarëve në Greqi, kur citon me dhimbje së Vashat shqiptare te Anadollit e këndojnë greqisht, këngën e famshme të vashave të Sulit…
Mund të përmendet edhe qëndrimi dinjitoz i Petro Markos me rektorin e Universitetit në Athinë, i cili ia quajti për turp që kishte dhënë mësimin e gjuhës shqipe në Himarë, por Ai mori përgjigjen e merituar dhe të prerë nga Petro Marko: “Turp për ju që ende jetoni si në kohë të Bizantit!”
Nuk kanë të mbaruar, historianët e vjetër e të rinj, që japin fakte të dokumentuara për popullsinë dhe gjuhën më të vjetër shqipe dhe etninë. Por nuk mund të rri pa përmendur qëndrimin dhe studimet e Aristidh Kolës për Çamërinë: “Djepi ku përkundej shpirti lirik” është vepër monumentale, por fatkeqësisht: Atë e vranë për të Vërtetën. Studimet bashkëkohore të Zonjës Eleni Kocaqi dhe vendosmëria e saj për të vërtetat historike apo shtegtari i palodhur gazetari Marin Mema, për të gjetur “Rrënjët Shqiptare”, na ushqejnë me krenari kur ndjekim emisionet e tyre. “Gjurmë Shqiptare”, emisioni më i ndjekur na gozhdon para ekranit kur shohim një djalë të ri, energjik si Marin Mema, i cili nuk i përmbahet vetëm dokumenteve të vjetra, apo studimeve të mirëfillta të historianëve dhe studiuesve të ndryshëm, por e shkel vetë çdo pëllëmbë tokë, e prek me dorë çdo gur e mur, hynë në thellësi të shpellave për të vërtetuar se këtu kanë jetuar shqiptarët mijëra vjeçarë. Por të vërtetat e të mbijetuarit te tragjedisë Çame, Prof. Sali Bollati, që vazhdon të dëshmojë, për shuarjen e familjes, e të tjerëve… e bëjnë më të ndjeshme këtë plagë të historisë. Ai si një luftëtar i vendosur i kësaj çështje si në Shqipëri dhe në ShBA, merr pjesë në çdo mbledhje me atdhetarët. Në protestë është i pari familjarisht në përballje me padrejtësinë, ndaj provokimeve të fqinjëve jugorë të Shqipërisë. Po e mbyll me fjalët e guximshme të Musine Kokalarit, shkrimtares që shkroi tregimet e saj në dialektin e Çamërisë, e cila në gjyqin e përbindëshve komunist, u shpreh vendosmërisht se, “Pa Kosovë e Çamëri s’ka Shqipëri…” Të gjitha këto rrëfime dijetarësh të nxisin për të vazhduar e kërkuar paqësisht drejtësinë e munguar. E mirëkuptimi fqinjësor do të vijë, sepse popujt janë paqedashës dhe duan të bashkëjetojnë në harmoni, t’i zgjidhin me logjikë të ftohtë problemet ndërshtetërore. E gjithë këto të vërteta që janë përjetësuar në mijëra vepra nga mendjet e ndritura për etninë shqiptare nuk mund të rrish pa thënë se i përkas Arbërisë që nga Nishi në Prevezë…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.