back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Love story… 19 nandor 198… Gjergj Kola

Gazeta

Gje-ze-ko 2013
Gje-ze-ko 2013

Love story… 19 nandor 198…

rrefim nga Gjergj Kola

Më kujtohet si tash, se çdo 19 nandor, në mbramjen e ditlindjes tande unë vijsha poshtë dritares, njaty anash ballkonit tand dhe gëzohesha me ty, me ata tinguj, me të cilët ti shpërndaje dritën dhe unë mendojsha se sa shumë bukuri të kishte falë jeta e me sa fat të kishte rrethue gjithandej. Asnjiherë s’të ka shkue ndërmend se sa e rrezikshme ishte për ndokënd, me marrë pjesë në platenë poshtë dritares tande, me ndi se si duertroket zemra ndër ovacione të heshtjes, e ndër mija fjalë të pathana… ndërsa ti festoje… festoje ditlindjen tande atje nelt, kurse mu më kishte rrethue fati me rrethana të tjera krejt të çuditshme.
Isha veç 20 vjeç dhe bajshe shërbim ushtarak në Korpus, megjithse s’i detyrohesha për kurrgja sistemit të së keqes ku kishim lindë. Unë shkrueja poezi, të cilat pa lindë mirë ishin destinue me qenë të ndalueme… at’herë mendoja se… gjithçka ishte e ndalueme, edhe ti ishe si poezia e jetës për mue… dhe unë kështu po mësohesha me e dashtë në heshtje të bukurën…

Nocturn - Portonovo 2009
Nocturn – Portonovo 2009

Prandej, sot nadje herët, kur ti ma urove ditlindjen, unë u mbusha me lumni, sepse ma në fund ti e kishe kuptue se kërkush tjetër s’të ka dashtë në jetë me dashninë e heshtun e plotfjalëshe… se edhe unë, asnjiherë s’e kisha shënue në tablonë e ditlindjes tande, ditlindjen teme… në at 19 nandor të dashnisë që gëzohet në heshtje, si engjujt e largët dhe krejt të afërt, që aq shumë kanë dashtë me u mbërthye në dashninë që tingëllon…
…Mbas kaq e kaq vjetesh, tash jam i vetdijshëm se s’ka gja ma të bukur se përzgjedhja intuitive e zemrës, për me e festue ditlindjen e vet poshtë dritares të dashnisë që krejt rastësisht e ka ditlindjen sot…
Sa herë t’kam dashtë ndër kohna, e kam marrë makinën e saj, të kohës pra, dhe kam udhëtue për çdo 19 nandor nëpër të kaluemen dhe e kam gjetë vedin në 19 nandorët e ditlindjes tande dhe kam festue në heshtjen e tingujve të tu, megjithse aty tashma, veç erës dhe qirit të ndezun në sytë e mi, kërkush tjetër s’kujtohej për ty dhe për party-n tand…
Tash fryn nji erë që kërkush s’e ngarkon ma me tinguj… veç kujtesës teme të mbushun me fjalë… Sepse me dashtë, domethanë me i derdhë krejt meloditë e shpirtit në instrumentin që dashurojmë, me e mbushë atë me lumninë e amshueme…
U bash njiqind pra, si rrallëkush, me dashninë që udhëton ndër kohna.
19.11.2013

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.