back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Tahir Kolgjini – Besë e Burrit të Lumës – nga Eugen Shehu

Gazeta

Tahir Kolgjini (1903-1988)
Tahir Kolgjini (1903-1988)
Falenderoj z. Eugen Shehu, për kët shkrim interesant, dedikuar gjyshit tonë,
Tahir Kolgjinit (Bablokut, si i kena pasë thirrë ne nipat e mbesat e tij)!
Gjithashtu, është për tu theksue dhe admirue fakti qe; z. Shehu,
është ndër të paktët shkrimtarë historianë që, shkruan me dëshirë,
dashamirësi dhe sinqerisht për figura kombëtare të kombit shqiptar,
pavarsisht përkatësisë së tyne politike, jo e shpeshtë ose e lehtë
për t’u zbatue nji gjë e tillë në botën shqiptare!
Hakik Mena
Eugen Shehu
Eugen Shehu

Tahir Kolgjini Besë e Burrit të Lumës

nga Eugen Shehu

Luma e lashtë, ajo nënë vuajtjesh prej luftërash të gjata, ka rritur nëpër shekuj trima. Ka lindur e rritur bij të pushkës e të pendës, të cilët jo vetëm i dolën zot nëpër tramundane, por e përcollën emrin e saj me devocion nëpër viset e tjerë larg Shqipërisë. Tahir Kolgjini, është padyshim një prej këtyre bijve. Figurë e pastër politike dhe morale, burrë dhe shtetar i vendosur, ai i pat dhënë strehës prindërore besën për të luftuar deri në fund për çlirimin e trojeve amtare si prej okupatorit ashtu edhe prej komunizmit. Dhe burri e mbajti besën, edhe me çmimin e rëndë të një jete në mërgim me zjarrin e shqiptarizmës së pafikur në gjoks.
Tahir Kolgjini ka lindur më 24 prill 1903, në fshatin Lusën të Lumës. Kur ishte 7 vjeç, i jati, Bjaram Shahini, e dërgon në shkollën fillore të fshatit, e cila ndonëse ishte në gjuhën turke, pat nisur për historinë e trojeve arbërore. Djali lumjan ka qenë vetëm dhjet vjeç, kur në janarin e vitit 1913, ushtria serbe iu vërsul krahinës së tij. Vetëm në fshtin Lusën, në shtëpitë e para, u pushkatuan pa kurfarë gjyqi apo faji 75 burra ndonëse shtëpive të tyre iu vu flaka. Kur gjuhët e flakëve po arrinin deri në mëhallën e sipërme të Lusnës, prindërit Bajrami dhe Qamilja, rrëmbyen në krahë fëmijët duke lënë pas tokën e zhuritur. Lidhur me këtë ngjarje vite më vonë Tahir Kolgjini do të shkruante: “Vjeti 1913, familjarisht një natë jemi nisur dhe tue kalue Mirditën kemi hipun në një anije austriake dhe kemi dalun në Stamboll. Mbas gjasht muejsh, kur Luma me përjashtim të disa katundeve i ngeli Shqipnis, em atë, me përjashtim tem, pjestarët e tjerë të familjes krejtësisht i kthyen në Shqipni. Mue më mbajti për me vazhdue mësimet në Stamboll. Mbrenda dy vjetëve mbarova shkollën fillore të quajtun Sulltan Mahmut”.(T. Kolgjini, “Jetshkrimi em shkurtimisht” – Stamboll, 21 mars 1985).
Deri në vjeshtën e vitit 1924, Tahir Kolgjini vazhdon mësimet në njërën prej Medreseve të Stambollit. Aty merr mësime në teologji por edhe lëndë të shkencave ekzakte duke u paisur me dije nga bashkëkohorët. Kanë qenë pikërisht reformat e Republikës së Atataturkut, me ç’rast unifikimi i arësimit do të krijonte pështjellime të reja.Tahiri, tanimë 22 vjeçar kthehet në vendlindje. Ai do të ndjekë jo pa shqetësim ngjarjet famëkeqe në vitin 1924, por sidoqoftë kërkon të kontribojë në vitin 1925, atëherë kur pas sakrificash të shumta, Ahmet Zogu dhe përkrahësit e tij, nisën të ndërtojnë shtetin e parë shqiptar. Fillimisht Tahiri punon si kryemësues në fshatin Bicaj, në Kukës, por mandej me dëshirën edhe të mësuesit Kadri Peposhi, shkon në fshtin e lindjes në Lusën si mësues i thjeshtë. Brezat e lusjanëve në ato vite, mbajnë mend korrektësinë dhe thjeshtësinë e mësuesit të tyre, i cili i përkrahur edhe prej autoriteteve të larta të arësimit shqiptar, u përpoq me çdo kusht për vënien e shkollës në baza thellësisht kombëtare. Për më tej, në spjegimin e lëndës fetare, Tahir Kolgjini u përpoq të përcillte tek nxënësit e vet idenë emblematike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare se “feja e shqypatrit asht shqyptaria”. Ngase në Stamboll kishte marrë njohuri në Jurispondencë, Tahir Kolgjini në vitet 1929-1932, punon si sekretar gjyqi, fillimisht në Himarë, e mandej në qytetin e Kukësit. Në vitin 1932, ai vendos kandidaturën si deputet zone ku qe lindur dhe punonte, por nuk fitoi pasi administratën vendore endeshin asaj kohe njerëz të korruptuar, të cilët bënin pazare me njerin apo tjetrin deputet. Mbas kësaj kohe, Tahir Kolgjini vendoset në Kukës dhe hap një shkronjtore private duke punuar si shkronjës publik. Në majin e vitit 1939, së bashku me burra të tjerë nga paria e Kukësit, Tahir Kolgjini shkon në Tiranë. Aty midis të tjerëve, takohet edhe me ministrin shqiptar të brendshëm, Maliq Bushatin, i cili duke njohur cilësitë e vyera të burrit prej Lusne, i propozoi këtij të marrë detyrën e kryetarit të Bashkisë së Kukësit, i bindur se në këtë funksion ai do t’i shërbente më së miri krahinës së vet, Tahir Kolgjini e pranon këtë detyrë. Ndër të parat nisma të Tahirit si kryetar bashkie ishin ato që lidheshin me reformat arsimore. Anipse okupatori italian u përpoq të ndikonte lidhur me italianizimin e shkollave shqipe, patriotë si Tahir Kolgjini u shndrruan në barrikada të fuqishme që këto shkolla të mbeteshin kurdoherë vatra dijeje dhe shqiptarizmi. Njëherazi në këtë funksion, burri i Lusnës u përpoq me ato fonde të pakta që dispononte të rregullonte urë apo rrugë të prishur, apo të evokonte simbole të tilla të shqiptarizmës siç ishte Bajram Curri, bustin e të cilit e përuroi vetë në qytetin e Kukësit. Disa ditë pas sulmit gjerman mbi Jugosllavinë, më kërkesën e vet prizrenasve, Tahir Kolgjini shkon në qytetin historik të Prizrenit dhe drejton aty për disa muaj rresht bashkinë e këtij qyteti. Aty midis të tjerave do të lindë edhe problemi i autonomisë fetare, me ç’rast duheshin bërë lëvizje të guximshme nga ana organizative. Pavarsisht se diçka e tillë nuk ishte e lehtë, Tahir Kolgjini duke ditur rëndësinë e mesazheve që përcillte feja në ato vite, ndër shqiptarë, ndërmerr aktin e bashkimit të klerit mysliman të Tokave të Lirueme, me ç’rast ato të vendosnin vetë rreth të ardhmes së tyre. Në kujtimet e tij lidhur me këtë ngjarje Tahir Kolgjini ka shkruar; “Në marrveshje me Hafëz Abdylla Telakun dhe me disa të tjerë, provokova mbledhjen e klerit mysliman të Tokave të Lirueme dhe si erdhën të gjithë, me cilsinë teme si sekretar i këtij kongresi, mbajta një bisedë mbi randësinë e çështjes dhe u lëshue një vendim, i cili iu njoftue Tiranës se elementi mysliman i vendeve të lirueme do të vazhdojë në zbatimin e dispozitave të autonomisë fetare… Shkoj në Tiranë. Vizitoj dhe uroj Mustafa Krujën. Pyetja e parë qi më bani qe: “Ç’asht ki Kongres i Klerit Mysliman në Prizren?”. Ja spjegove dhe shtova; “Po të mos kishte fitue sulltan Murati Betejën e Kosovës dhe po të kishin qendrue shqiptarët pa pranue islamizmin me kohë do të ishim bamë serb, tue u sllavizue”. U bind dhe m’u përgjigj: “Kini të drejtë!” (Tahir Kolgjini “Jetshkrimi em shkurtimisht” – Stamboll, më 21 mars 1985).
Në mënyrë të veçantë në detyrën e kryetarit të bashkisë së Kukësit, Tahir Kolgjini do të shmangte në maksimum gjakderdhjen midis shqiptarëve, e nxitur sidomos prej qarqeve të politikës italiane. Veçanërisht ai do të merrte mbi vete përgjegjësi të mëdha duke i shkruar kryeministrit shqiptar të asaj kohe, që të ndaloheshin përpjekjet e qeverisë për eleminimin fizik të atdhetarit Muharrem Bajraktarit. Ky i fundit pati ndërmarrë disa aksione kundra okupatorit italian gjithashtu nuk mungonte në kuvendet e burave të Lumës, të denonconte politikën skllavëruese të Romës, kundër popullit shqiptar. Ai nuk pati pranuar ftesën italiane për t’u ulur me ta në bisedime dhe kjo ishte arsyeja që Roma mobilizoi rreth 2500 mercenarë shqiptarë, duke dashur t’i përdorë si mish për top, në luftën kundër Muharrem Bajraktarit. Kur Kolgjini e pa se forcat po i drejtoheshin Lumës, ai iu drejtua menjëherë mikut të vet M. Bajraktarit, me anë të një letre, në të cilën i spjegon me argumente, pse ky duhet t’i shmanget luftimeve të tilla, ku derdhet vetëm gjak shqiptari. E shoh të udhës të citoj këtë letër, ku i bëhet thirrje arsyes dhe jo emocioneve, çka kanë çuar kurdoherë shqiptarët në gjakderdhje; “Z. Bajraktar, tash në mbrëmje mora këtë letër prej Kryeministrit z. Mustafa Kruja, të cilën jam i urdhnuem me jua komunikue tekstualisht. Ju lutem që mbi marrjen e saj në dorzim t’i lëshoni prurësit një nënshkrim tuajin. Vendimi i Qeverisë i provokuem me të drejtë ose jo, asht tepër i kjartë dhe tash fjala e fundit përpara një përgjegjsie shumë të madhe ju përket juve, se pse një e keqe, që i kërcnohet me ardhë vendit tonë ka me qenë e atillë, që do të shlyejë të gjitha të mirat e kohës së kalueme dhe ndoshta vdekjen t’uej moralisht, qoftë edhe për një farë provizore. Pikërisht këtë vështirësi situate kam marrë parasysh dhe unë që kam pranue me ardhë këtu e me ushtrue detyrën e Prefektit. Jam tue u përpjekur mjaft për me eleminue çdo shëmti, që po i turret vendit tonë, por orvatjet e mija mund të kenë sukse vetëm kur të më jepet në dorë prej jush një gja pozitive konkrete. Për pjesën teme jam i bindur se tash nuk keni ndonji ndërrmarje, por veprimet e fillueme nuk do të ndalohen se e kaluemja e jeme në realcion me ju nuk i inspiron bindjet e Qeverisë Qendrore, shkaku se një za në mes të shumë zanavet nuk dallohet mirë. Mendimi i jem asht, që mos t’i largohi popullit, i cili mund të bajë kërkim pranë Qeverisë me modifikue konditat dhe efektet e jetesës po qe se dorëzoheni. Jua kam shjegue edhe qëndrës, se si Lumjan mue më vjen keq me ju luftue, por po sillem kundër jush, që të mundem me lehtësue mjerimin e vendit, në mënyrë që di vetë nga shkaku, se fundi edhe këtij vendi i detyrohemi diçka dhe gjithçka. Më vjen mirë, që gjeta rastin me ju komunikue dhe të falat e mija të përzemërta, tue ju lutë, që t’i merrni në studim çashtjet me gjakftohtë e të mos lamë fraza proverbiale në gojën e botës pa pasë as një shkak, as një shpresë definitive në dobinë e përgjithshme” (AQSH. F. 642,viti 1942, Dosja 243, fleta 1 ).
Duke parë në personalitetin e Tahir Kolgjinit, vetitë më të spikatura të burrit të malësisë, ndershmërinë dhe sinqeritetin e tij në funksionet shtetërore, në mesin e vitit 1942, me krijimin e Komisariatit të Lartë Civil për Tokat e Lirueme, qeveria shqiptare e emëron atë Prefekt të Klasit të Lartë në Prishtinë.
Edhe në këtë funksion,burri i Lumës do të shpalloste vetitë e vyera të tij. Në bashkëpunim të ngushtë me Iljaz Agushin, Bedri Pejanin, Zija Prishtinën, Fuad Dibrën, Halim Spahinë etj, ai do të ngrinte mjaft shkolla shqipe në Prishtinë dhe mbarë Kosovën, njëherazi do të valviste flamurin kuqezi në çdo institucion shtetërorë të atyre viseve. Mjaft prej atdhetarëve të spikatur të Kosovës martire, gjetën në këto vite mbështetje të fuqishme tek Tahir Kolgjini për të vazhduar shërbimin e tyre ndaj kauzës së çlirimit kombëtar, veçanërisht udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit, paraparë tek burri i Lumës mbështetësin krysor të ideve dhe programeve për vuajtjen e kufijve etnikë shqiptarë.
Në tetorin e vitit 1943 në krijimin e qeverisë së re shqiptare nën udhëheqjen e Rexhep Mitrovicës, Tahir Kolgjini thirret në Tiranë. Aty në bisedë kokë më kokë me Xhafer Devën (ministër i punëve të mbrendshme në atë qeveri) pranon detyrën e vështirë të drejtorit të përgjithshëm të policisë. Në këtë detyrë, përpjekjet e tij për Shqipërinë Etnike do të ndërthureshin me veprimet energjike kundër lëvizjes komuniste, e cila shtrinte kthetrat e saj sidomos në Shqipërinë e Jugut dhe atë të mesme. Bashkëpunon sidomos me Hysni Demën dhe bëhet sërish barikadë e luftës vëllavrasëse të nxitur prej klikave komuniste të Tiranës e Beogradit. Ndërkaq me ndihmën e drejtëpërdrejtë të Tahir Kolgjinit, krerët kryesorë të “Ballit Kombëtar” dhe atyre të “Lëvizja e Legalitetit” organizuan me vehte dhe mes tyre, disa prej kuvendeve kryesorë të bashkimit kundër forcave regresive komuniste. Në postin e drejtorit të përgjithshëm të policisë Kolgjini mori në mbrojtje veçanërisht Konferencën e Mukjes, për të cilën dispononte mjaft të dhëna dhe dokumenta të plota mbi vendin dhe datën kur ajo do të kryhej. Kanë qenë pikërisht këto lidhje të Burrit të Lumës me nacionalizmin shqiptar, me ç’rast në verën e vitit 1944, Tirana u mbush me trakte për hakmarrje ndaj Kolgjinit. Në listën e gjatë të vrasësve komunistë, tanimë figuronte edhe emri i Tahir Kolgjinit. Meqenëse në gushtin e vitit 1944, forcat gjermane në Shqipëri morën urdhërin për tërheqje, klika komuniste e Tiranë u përpoq ta shfrytëzonte këtë fakt duke organizuar kinse disa luftime të “sukseshme” brenda qyteteve, me ç’rast gjermanët sipas paralajmërimeve që patën bërë, dogjën disa prej shtëpive të këtyre qyteteve. Në pamundësi për të mbajtur rregullin e duhur dhe duke mos dashur konfrontime me armë me komunistët shqiptarë, Tahir Kolgjini jep dorheqje dhe niset për në Shkodër, aty ku ishte bastioni i fundit i nacionalistëve shqiptarë. Aty bashkëpunon me Gjon Marka Gjonin dhe nacionalistë të tjerë për ideimin e një lëvizjeje antikomuniste mbarëkombëtare, por mënyra se si rrodhën ngjarjet, nuk i favorizoi nacionalistët shqiptarë. Në fundnëndorin e vitit 1944, kalon kufirin shqiptar dhe pas 40 ditësh rrugëtimi të rrezikshëm nëpër Jugosllavi, arrin në Vjenë. Prej aty shkon në Romë dhe për katër vjet me radhë jeton së bashku me dhjetra atdhetarë të tjerë, në kampin “Ex Casa Balila” në Reggio Emilia, ndërsa në verën e vitit 1948, mbrrin në Stamboll. Pavarsisht prej halleve ekonomike të pranishëm në jetën e çdo mërgimtari, luftëtari i pendës, Tahir Kolgjini do të jetonte çdo minutë të jetës së vet me idenë e Shqipërisë Etnike. Ai ishte në grupin nismëtar për krijimin e Bllokut Kombëtar Independent dhe shfaqi në gjirin e këtij grupimi vlerat e spikatura të përsonalitetit dhe karakterit të vet. Burri i Lumës u përpoq që nga tribuna e këtij Blloku Kombëtar të ngrejë lart zërin për fatin e mjeruar të bashkëkombasve të vet, kudo ku ata vuanin nën sundimin e urryer komunist si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë e Maqedoninë shqiptare. Ndërkaq ai ka marrë pjesë në disa veprimtari të shquara mbarëkombëtare, të organizuara prej mërgatës shqiptare, ku dha mendime jo vetëm të pjekur por edhe të guximshëm duke kërkuar deri rrëmbimin e armëve dhe fillimin e luftës kundër diktaturës së urryer komuniste. Por ai pati një jetë të vrullshme në rrefsh të letrave shqipe.
Shkroi shumë vepra shkencore, letrare, politike dhe dhjetra artikuj, kumtesa, shënime, kujtime etj. Botoi në organet e të mërguarve si “Shejzat” e Ernest Koliqit, “Koha Jonë” e Isa Ndreut, “Dielli” i Vatrës, “L’Alabnie Libre”, “Mundi Ynë”, “Vardari”, “Besa” etj, në gjuhë shqipe dhe të huaja. Pati njohje e letërkëmbime të dendura me shumë njerëz ndër ta edhe figura të shquara atdhetare e politike të kohës, i nderoi dhe e nderuan. Punoi shumë për të bashkuar mërgatën, por më shumë për të mbrojtur atdheun nga kërcënimet e shovenistëve fqinjë si edhe të drejtat e bashkëkombasve të vet, në Jugosllavi, Serbi, Maqedoni, Mal të Zi e Greqi”. (Gazeta “Rilindja Demokratike” – Tiranë, më 13 dhjetor 1998 ).
Sidoqoftë ndër veprat kryesore të tij, në rrafsh të mendimit atdhetar, mbetet ajo në turqisht “Arnavutluk ve Junanistan Gerçekleri”, Stamboll 1968, e përkthyer në shqip në Tiranë më 1997 me titullin “Të vërtetat shqiptaro-greke”. Në këtë libër i cili më pas u bë i njohur në shumë kancelari të diplomacive evropiane, me anë të dokumentave të shumta autori hedh poshtë pretendimet greke mbi Vorio Epirin dhe demaskon në mënyrë të guximshme veprimtarinë e shovenistëve të Athinës. Njëherazi Tahir Kolgjini, në këtë ese historike nuk mungon të hap perdet e dramës së madhe të popullit të Çamërisë, i përndjekur, i tiranizuar, djegur e shkretuar vetëm e vetëm pse nuk shpërngulej por donte të jetonte në trojet e veta ilirike. Duke përmendur në ato fletë, statistika të shumta të perandorisë osmane, Burri i Lumës bën me dije opinionin evropian se sa shqiptarë ka patur egzaktësisht në vitin 1912, në Çamëri dhe sa kanë mbetur aty deri në vitin 1944, pas reformave vandale dhe çnjerzore të gjeneralit famkeq Zervas, në vitin 1944. Në të vërtetë me këtë vepër Kolgjini dëshmon se nuk i përket vetëm plejadës së historianëve antikomunistë, por sidomos atyre mendimtarëve që parashihnin se rreziku grek në jugun e Shqipërisë ka egzsituar dhe egziston ende sot. Publicistika e mprehtë e Tahir Kolgjinit, gjithsesi nuk ka lënë në heshtje fatin e rëndë të vëllezërve të gjakut, të cilët jetonin nën dhunën sistematike sllavo-maqedonase. Ai është tejet i qartë kur në mënyrë publike shprehet pos të tjerave; “Elemenit serb, qoftë në kohën e regjimit mbretnuer, qoftë në kohën e komunizmit asht sjellur shumë ashpër ndaj elementit shqiptar në Jugosllavi. Shovensitët serbë, patën qëllim me e zhduk racën shqiptare. Ky shovenizëm shqiptarëve iu pat mohue të gjitha të drejtat politike natyrale. Ju pat dhunue pasurin, iu pat ndalue arësimin dhe i pat shkretue në çdo pikpamje. A mund të merret me mend që njeriu në shekullin e 20 t’i ndalohet me dënime të randa abetari i gjuhës së vet?” (Gazeta “Dielli” SHBA, më 14 tetor 1970). Po në këtë gazetë duke ndjekur me vëmendje zhvillimet në Maqedoninë shqiptare, Kolgjini shkruan; “Ndaj kësaj popullsie ushtrohet një terror i paparë, qeveria e Maqedonisë nuk merr parasysh numrin e shqiptarëve për ndërtimin e administratës dhe të organeve të qeverisë. Arsimi dhe shkolla shqipe sabotohen,po ashtu u bëhen trysni shqiptarëve për t’i larguar në Turqi… çdo shqiptar, kudo që të jetë të bërtasë me të madhe sa të mundet për këto përdhunime, që po u bahen vëllezërve tanë. E kemi për detyrë…” (Gazeta “Dielli” SHBA, më 20 janar 1971).
Jo vetëm në veprat me karakter historik, por edhe në ato letrar, shkencore, gjuhësore, Tahir Kolgjini ka qënë i prirur kurdoherë të hulumtojë e shkruaj në kahjen nacionale, duke mos i ndarë askurrë shqiptarët veç e veç, por duke i parë si një faktor i rëndësishëm në kufijtë etnike të tyre, brenda zhvillimeve të përgjithshme ballkanike. Në këtë kontekst vlen të shihen akoma më imtësisht edhe letërkëmbimi i këtij burri të Lumës martire, i cili edhe ndërsa mbyllte sytë në vitin 1988, pyeste për fatin e bashkëkombasve të tij, kudo ku ata ndodheshin. Intelektualit të shquar, e sidomos atij nacionalist, edhe kur i shuhet jeta, herët apo vonë i shkëlqejnë veprat, në gjenerata të tëra atdhetarësh.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.