back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Përshëndetje, shokë të mij, Ju shkruan Visar Zhiti…

Gazeta

Shkrimtari Visar Zhiti
Shkrimtari Visar Zhiti

Përshëndetje, shokë të mij, Ju shkruan Visar Zhiti…

 
I dashur Jozef,
I dashur Shpendi,
Me vjen mirë që kujtoni poetët e përndjekur nga regjimi, ata që u martirizuan dhe na lanë poezinë si amanet. Ne jemi ajo që kujtojmë, – thoshte poeti italian Mario Luzi, ndër më të mëdhenjtë e shekullit XX, dhe vërtet ishte e rrezikshme të ishe poet në diktaturë, – siç shkruani që në krye të këtij shkrimi, – por jo për këdo, ishte e rrezikshme për atë që ishte i rrezikshëm dhe jo për ata që botonin përmbledhje atëhere duke i kënduar asaj kohe vrastare.
Më kujtoni dhe mua në shkrim si i burgosur për poezi nga regjimi, faleminderit, – dhe tani lejomëni të shtoj se më me fat si poetë ishin ata që u dënuan, ndërsa si qytetarë ata poetë që s’u dënuan. Nuk e kam fjalën për vuajtjen…
Gjej rastin të kthjelltësoj diçka, i nisur nga shkrimi, qe e kam parë dhe herë të tjera, i Shpendit, bashkëqytetar yni.
Dënimi im nuk erdhi nga shokët e mij, që s’dita t’i zgjedh e fola me ta, nuk di të më kenë denoncuar shokët, ja, juve ju kisha shokë a të tjerë si ju, nëse e dini më shumë, do të doja ta thoshit, ndryshe ata nuk janë shokët e mi të vërtetë e as tuajit.
Mua më dënuan për poezitë e mia shokët e Partisë-shtet të diktaturës komuniste, realiteti a Realizmi Socialist.
Një studiues i i Arkivave të Komitetit Qendror të PPSH-së, gazetari Dashnor Kaloçi, ka zbuluar e botuar dokumente që vërtetojnë se unë jam denoncuar institucionalisht nga Shtëpia botuese shtetërore dhe e vetmja atëhere për përmbledhjen time me poezi, që kisha dërguar për botim, për alegoritë e metaforat ekuivoke, ndonjëherë dhe më hapur. Denoncimi u bë në Komitetin Qendror të Partisë dhe zëvendës diktatori, Ramiz Alia, urdhëroi të veprohej menjëherë, dokumenti është botuar, urdhëroi jo vetëm Lidhjen e Shkrimtareve, ministritë përkatëse, arsim, kulturë, por dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, siç duket më përkatësen, dhe mua më arrestojne pas ca ditësh.
E ka shpjeguar shkëlqyer, interesant se si e dinte aq mirë, duke rrëfyer çeshtjen time shkrimtari dhe filozofi, semiologu i shquar botëror, Umberto Eco, artikulli i tij gjendet, po ta kërkosh, edhe në gazetën italiane “La Repubblica”.
Do të doja të thosha se diktatura, policia sekrete, nuk i dëgjonte dhe aq shumë shokët, shokët dëgjonin diktaturën dhe na denonconin sipas porosive të saj. Dhe jo kushdo e meritonte burgun…
Të dashur shokët e mi,
Shpendi dhe Jozef, që e di aq mirë internimin dhe burgun e babait, shkrimtarit Lazër Radi, përgëzimet e mia për zellin per të treguar krimet qe janë bëre dhe në letërsi gjatë diktatures komuniste, besoj që dhe unë ndihmova tani, sado pak, lexuesin tuaj. Edhe unë kam treguar shpesh në librat e mi si janë dënuar shkrimtarë dhe veprat e tyre, kam treguar dhe për vete dhe nxora shumë poezi nga burgu, mbetëm gjallë të dy.
Poezia ishte dënimi im dhe mbrojtja ime, qëndresa ime dhe hakmarrja ime. Dhe vazhdon ende revanshi kundër “poezisë së burgjeve” me shumë menyra, harresë, dredhi, shtrembërime të të vërtetave, duke lartësuar vetet e dikurshme kot, me tekste e media, etj, etj. Por ne vazhduam të bëjmë poezinë e lirisë. Rëndësi ka jeta në poezi.
Kemi ende shumë për të bërë së bashku
Ju uroj më të mirën!
juaji, Visar Zhiti
.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.