back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Lojcak ndër fjalë… Cikël poetik nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2021
Jozef Radi 2021

Lojcak ndër fjalë…

Cikël poetik nga Jozef Radi

Fort i dashtun Mark,
N’emën t’nji falenderimi të sinqertë që je kujtue për mue, po ta nisi kët cikël poezish, (ma t’vonin e shkruem prej meje), e që i përket periudhës shtator-dhjetor 2020, nji periudhë disi e errtë edhe e ndryme, po gjithsesi po e konsideroj personalisht e poetikisht – pozitive…
Poezitë janë rreth 17, janë pa tituj, e si të thuesh janë nji refleksion i thellë (po edhe paksa lojcak), mbi kohën së cilës i përkasim, kohnave që u përkitëm e artyne që s’na përkasin ma…
Edhe njiherë, të falenderoj që më bane pjesë të punës e përkushtimit tand, atij kontributi, të cilin unë e vlerësoj gjithnji…
shumë të fala jozefi
ancona, 26 janar 2021
 
 
 
 
***
Mos…
Mos, të lutem.
Mos të lutem, mos!
Mos, të lutem mos, të lutem!
Mos të lutem, mos të lutem, moooos!
Moos të lutem, moos të lutem!
Moos, të lutem moos…
Moos të lutem
Moos
Moo…
Mmm….
 
***
Macë e zezë, mos ma rrih rrugën kah shkoj!
Macë e zezë, mos m’u bjer syve ballas!
Macë e zezë, mos ma zezo edhe ma tepër t’zezën!
 
Mace e zezë,
lyhu disi n’dritë a hi oxhaku
E banu veç macë,
për mue!
 
 
***
Kuku-kuku
kukoi kukja
n’kulm t’kullës
 
Kuku-kuku
kukuen krejt kuket
n’kor t’pakenun
 
Uh, kukofshi e
e kurrë kang’ mos kndofshi!
 
 
***
Kal i bardhë
kalorës i zi
kalimtar i kuq
kaltërsi e rrejshme
kallzimtar i përhimë
 
Ma mirë me kal-in para
se gomarin para kal-it…
 
 
***
Kesh e njesh…
Shazoten mos kesh,
se n’ty laj lesh,
e mandej m’thu:
Kjesh a s’kjesh!?
tue e kqyr vedin sèri
n’shesh e përshesh!
 
 
***
Milushi e Minushi
jan’ kapë përdore midis nji deti
e jan’ shtrëngue aq fort mes vedi
shndrrue n’nji oazë t’ambël puthjesh
 
Minushi e Milushi
dolën n’breg me duer t’kputuna…
Mjaftoj veç nji dallgë e beftë
e deti u ngjesh mes tyne pa brigje
e ndër buztë e ndezuna u vdiq – ushi…
 
Tash andrrojë puthjet që ush-tojnë
veç n’kujtesë t’nji çasti fatlum
që s’kthen ma mbrapsht…
 
***
Asht nji diell i madh e i paformë
asht nji pyll i endun me mjegull t’amël
asht nji njeri që hik n’nji luginë pafund
n’shpine t’nji treni shigjetë e bardhë
e nji vjeti me dy njizeta t’zeza…
 
 
***
M’besoni,
tash kafshët
kanë ma shumë të drejta
se na njerzit!
Edhe ato t’thertores
i trishtohen ma pak thikës!
 
Nderin ma t’madh vedit ia bajmë m’u ba kafshë
t’pa matrikullueme o shpend që valaviten
n’qiell të Romës tue glasue gjithkah munden…
 
Tash na duhet me falë gjithçka kena
m’u bashkue ndër kafshë t’pyllit e pa ajdi…
 
 
***
A mundesh me m’dashtë pa të dashtë?
Padashtas, a mundesh me m’dashtë
A s’mundesh, mos me dashtë
askënd të padashtun
e me dashtë veç vedin,
midis pandem(on)isë së pa(n)dashnisë…?!
 
 
***
Jetojmë kohën e Dekës së Njeriut!
 
Homerin që s’e vranë tremijë vjete
nisi me e vra nji vjet i vetëm.
 
Poezia ka me hecë n’funeralin e së përditshmes
e fjala shpirt – ka me ju trembë çdo fjalori
 
Jetojmë kohën e Dekës së Njeriut!
 
Kanë m’u qeshë mamuthat me ne,
Mumjet kan’ me mbetë t’vetmet mbijetesa
t’nji njeriu që s’e meritoj Njeriun…
 
 
***
Moza
n’ditët ma të mira t’vetat dhuron kapele
n’ditët ma të kqija t’saj veç nji buf
brofet prej trishtimeve t’saj.
 
Ditët ma t’mira tonat
po edhe ditët ma t’zymta,
i kem t’shenjueme
ndër kapelet e bufat e Mozës…
 
 
***
Bukë me sheqer e kujë
Bukë me sheqer e vajë
Bukë me marmaladë t’fikun
Bukëfike me miell kollomoqi blue trashë
 
Bukë thatë e bukë t’thame
veç m’u përtypë ma gjatë,
mandej nji bukë e bleme
që s’mbrrin m’u çue as deri n’shpi!
E ti ke pranue me e çue natën jashtë
te mullartë me kashtë,
veç m’e shijue njat bukë thatë
hangër vjedhtas n’aromë byku
që edhe n’andërr t’bahet bukë…
 
 
***
Retë prej s’nalti
si qylym i bardhë la me diell.
Retë prej s’nalti
i shtyjnë rrezet me vallzue
si balerina krahëlehta
 
Retë prej s’nalti
si muza m’ftojnë
me kujtue Musinenë
njashtu të dlirtë tue shkue Parajsës…
 
Mandej jam zbritë poshtë reve
e m’asht kujtue njaj shiu i akullt
i nji dimni kërcnues
kur bota rrotullohej mbrapsht
e lot’t e reve s’ishin pos copa qiejsh
rrzue ndër dhambë qejsh…
 
 
***
Asht kohë e keqe mor bir
mbjell e nuk korr,
nisesh e nuk mbërrin,
flet e s’thue kurrgja,
rren e të besojnë t’shumtit,
të shpallin hero t’asgjasë
e t’bajnë m’u gëzue pa e dijtë pse.
 
Janë kohna të vshtira moj bijë
e shpikin vdekjen e ta shpifin jetën
n’kristalin vezullues t’bebzave
t’joshin me besue se jetohet me gisht
t’shesin në treg e të shtyjnë me besue
se je e lumtun – hyjneshë!
 
Janë kohna t’vështira për vetvedin!
O njirì,
t’kanë ba skllav
pa i ndje prangat,
t’kanë ysht me i këndue së Keqes
derisa edhe qielli t’mshirojë n’ty…
 
 
***
E lashë Londrën tue lundrue n’mjegull
Tamizin lagshtitun n’qiell
e kqyra kah zbritesh ma lehtë,
kufijtë e qiellës ishin mbyllë n’nji rrahje qepalle.
e Big Bengu ecte mbrapsht n’qejf t’marrisë s’vet.
 
E lashë Londrën t’frikun prej lundrash
e lodrat m’gjimojnë ndër veshë nji valle malesh t’egra,
Kah don me shkue ktyne livadhesh t’pafundme
Kah don me tretë ktyne gjelbrimesh
që edhe dimni rreket mos m’i shthurë…
 
E lashë Londrën tue lundrue ndër lundra resh…
 
 
***
Erietës
 
Thyej gurë pse shpirtin e ndjej bosh
thyej veç gurë, pse buztë s’kan’ fuqi me m’bzajtë,
mandej i kqyri gurt si copa t’vrame fryme
e di pse vazhdoj me i çukitë me çekiç
e me i ba dromca, kur zogjtë e frymzimit
i kam përplasë qiejsh t’zatetun e gri?
 
Thyej gurë pse shpirtin e ndjej bosh
tue pritë ndoj fill drite
me m’i shëndrrue gurt n’shenjtorë të jetës
e s’dishroj me dekë
pa i ba gurt e duerve t’mia
me i folë amshimit…
 
 
***
Ne vinim prej lodhjes
me trasta t’zbrazta mendimi
e kqyrnim harenë e harabelave t’përhimë
si shpëtimtare urie…
si shpëtimtarë urie…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.