back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Heronjtë idealistë dhe tradhtarët Petro Luarasi

Gazeta

Lazër Radi
Lazër Radi 1942

Heronjtë idealistë dhe tradhtarët Petro Luarasi

Ky shkrim asht i disa viteve ma parë, dhe asht pjesë e nji debati disi të ndezun midis Petro Skënder Luarasit dhe Agron Gjovalin Lukës… Debati asht zhvillue edhe në shtyp, edhe në sitet online… fjala vjen ket pjesë e kam shkëputë nga http://www.forumishqiptar.com… dhe e paraqes para lexuesve sigurisht si deshmi e nji të vërtetë historike, po edhe për faktin se debate të kësaj natyre plotësojnë atë të vërtetë historike, e cila për fat të keq tonin po edhe brezave që vijnë, ende s’ka mbrritë në tekstet e historisë shqiptare…
Uroj që secili lexues të krijojë nji ide pak ma të qartë për kohën për të cilën flitet… j.r.

Skënder Luarasi (1900-1982)
Skënder Luarasi (1900-1982)

Një vështrim historik

Të nderuar lexues.
Ideja për të shkruar mbi këtë temë më erdhi nga citimi i të ndjerit Prof. Adriatik Kallulli: “Veç më vjen për të qeshur fort e më fort kur disa liderë partish ose gazetarë spekulantë shkruajnë e thonë: “Të shkulim nga Shqipëria çdo qelizë të komunizmit”. E saktë do të ishte “Të shkulim nga Shqipëria çdo qelizë të pseudokomunizmit”, sepse tek ne asnjëherë nuk ka pasur komunizëm në ato aspirata që për shekuj me rradhë i ka përftuar njerëzimi dhe që shumë e shumë filozofë edhe të drejtimeve më antikomuniste i quajnë të paktën humane, por utopike… Nuk ka më keq se kur vlerat e proceset njihen sipërfaqësisht pasi Hoxha gjysmak të lë pa fe”
Këtë mendim e kam hasur edhe në rrafsh botëror ku përgjithërisht diktatorë të ashtuquajtur “komunistë” njehsohen në falsitetin e tyre me profetët e vetëquajtur mëkëmbës të Zotit.
Në këtë kuadër do të analizoj spekulimin që i është bërë së vërtetës historike mbi të ashtuquajturit “komuniste shkodrane” në vitet 1934-1936, kur Skënder Luarasi ka qenë Drejtor i Konviktit “Malet Tona” dhe mësues i letërsisë shqipe në gjimnazin e Shkodrës.
Do tu referohemi deklaratave të dëshmitarëve, dokumentave, kujtimeve të S.Luarasit duke i përmbyllur me ndonjë konkluzion logjik.

Dëshmon Lazër Radi (29 janar 1916, Prizren – 23 shtatorit 1998, Tiranë)
Një nga të rinjtë e parë “komunistë” në gjimnazin e Shkodrës qe Lazër Radi, shok klase i Qemal Stafës e Vasil Llazarit, Arshi Pipës e Xhemal Brojës, Elez Brahës e Pashko Gjeçit, Mark Ndojës e Haki Tahës, i cili vuajti burgun politik në kohën e diktaturës “komuniste” të Enver Hoxhës. Ai ka deklaruar:
“Unë jam kosovar: ideja e iredentizmit më ka përcjellë – si hija e ime – në çdo hap të jetës e të punës… Kam besue gjithmonë – e vazhdoj të besoj edhe sot e kësaj dite – se Kosova një ditë duhet dhe do të bashkohet me Atdheun “amë”. Kjo ide e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë – në entuziazmin tim rinor – shpesh herë më ka çue të kërkoj aleanca jo fort të përshtatëshme dhe t’i futem edhe në ndonji ‘rrugë të gabuar…’”
Më tej ai shpjegon historinë e fillimit të “lëvizjes komuniste” në Shkodër:

Gjimnazi i Shkodres: Klasa e V-B
Gjimnazi i Shkodres: Klasa e V-B

“Deri në vitin 1934, Gjimnazi i Shkodrës ishte nji institucion i qetë – pa rryma politike dhe ideologjike të asnji lloji. Me shtetzimin e shkollave, Gjimnazi u shtue me elementa të rinj, me nxanës që vinin nga Jezuitët dhe nga Fretërit. Në klasën time, ndër të tjerë erdhën Qemal Stafa, Xhemal Broja, Pashko Gjeçi, Vasil Llazari, Spiro Bellkovi, etj. Deri në kët kohë për asnji lloj ideologjie nuk flitej kund. Me ardhjen e këtij elementi të ri filloi nji gjallni në krejt shkollën. Në fillim u mendua të shtihej në dorë shoqnia “Besa Shqiptare”, e cila në ato kohna ishte në apati të plotë. Në bazë të Statutit të kësaj Shoqnie, aty kishte mundësi për veprimtari më të gjera kulturore, artistike, letrare dhe sportive. Aktivitete, ku mund të grumbulloheshin dhe të aktivizoheshin të rinjtë e kësaj shkolle. Filloi kështu të shkundej pluhuni i apatisë. Me pak mundim dhe pak peripeci kjo Shoqni u mor nga grupi përparimtar. Menjiherë filluan veprimtaritë. Gjendja financiare e Shoqnisë ishte përtokë. I duhej kushtue randësi teatrit, mbasi ai mund të ishte i vetmi burim të ardhunash. Ne na duheshin para sepse kishim qëllim të nxirrnim edhe revistë tonë. Pra, u krijua nji gjallni dhe entuziasëm në gjithë Gjimnazin. Por, as indoktrinim e as ideologji ende nuk shifej kund. Në kët kohë vjen në Shkodër Selim Shpuza. Ky, kontaktin e parë e mori me Zef Malën, i cili njifej pak a shumë si njeri i ditun, i përgatitun mirë dhe me idena të majta. Aty u takua dhe rrinte shpesh me ta edhe Prof. Skënder Luarasi, që ishte edhe Drejtor i konviktit “Malet Tona”. Doemos të gjitha këto kontakte baheshin me kujdes dhe konspiracion të madh. Pikërisht në valën e punës, kur ishim duke përgatitë shfaqjen e dramës “Spiuni” – më njoftojnë se të nesërmen pasdreke do të takohem në shtëpinë e Ramiz Xhabies… U mblodhëm. Ishte Vasil Llazari, Xhemal Broja, Ramiz Xhabija, Qemal Stafa dhe unë. Isha i vetmi përfaqësues i Konviktit “Malet Tona”. Foli Vasil Llazari. Na tregoi qëllimin e mbledhjes, na foli për komunizmin, u ndal shumë për konspiracionin dhe për randësinë që kishte formimi i kësaj celule të parë komuniste të Gjimnazit të Shkodrës… E vërteta asht se nji pjesë e madhe e gjimnazistave ishin të etshëm për nji “rinovim” të krejt strukturës shtetnore e shoqnore të vendit. Këto dëshira të tyne i shprehnin në hartimet e tyne, në shfaqjet teatrale që organizonin, dhe në at revistë që së shpejti kishim ndërmend të nxirrnim. Mund të duket vërtetë “modë” po të mendohet se nukleusi i parë komunist i Gjimnazit të Shkodrës përbahej nga djem të pasunish…! I vetmi i papasun ndër ta isha unë, konviktori i “Malet Tona” dhe emigrant kosovar.
Megjithatë, ndonëse nuk kishim nji kulturë të mirëfilltë komuniste na ishim për nji Shqipni të drejtësisë, të lirisë dhe demokracisë.
Orientimin e kishim të pakët dhe për kompensim përpiqeshim të baheshim vetë krijues të ideologjisë komuniste. Ndër ne studentët, ma i pregatituni në këtë drejtim ka qënë Vasil Llazari… Nëpërmjet profesorit të frëngjishtes Paul Goujon-it, ne merrnim revista e gazeta të së majtës që botoheshin në Francë. Na kishin ardhë edhe disa libra të Trockit… dhe ashtu të etshëm me dijtë nuk lamë gja pa lexue. Nuk ka as ma të voglin dyshim se imazhi i ynë për komunizmin ishte krejt ideal dhe njerëzor. Devijimi erdhi ma vonë, mbas formimit të partisë. Fakti se gjithë ata nismëtarë e në mënyrë të veçantë anëtarët e grupit të Shkodrës, të cilët o i zhduku fizikisht o i eliminoi ndër burgje e internime, flet ma së miri se çdo gjà asht bà ma vonë – nën ndikimin sllav.
Me kalimin e kohës grupi erdhi duke u organizue.
Filluem të ndahemi në celula treshe. Materiali propagandistik na vinte nga Mali i Zi në broshura të vogla. Filluen kontaktet me studentë e puntorë komunistë malazias. Takimet i banim në Vrakë ose në Kalanë e Rozafës. Në këto takime unë isha i pashmangshëm, sepse e njifja mirë serbo-kroatishten. Nuk më kujtohet data, por në nji takim që patën me studentët komunistë të Podgoricës që kishin ardhv në Shkodër “për eskursion”, gjatë nji bisede disaorëshe, ata filluen me na dhanë direktiva konkrete: “…të sabotonim institucionet fetare (sidomos ato katolike), të fillonim nga vrasjet, d.m.th. të ushtronim nji lloj terrorizmi politik etj., etj., bile njënit prej tyre i shpëtoi nji shprehje e tillë: “Vrisni nga këta, se ka shqiptarë sa të duash…!” U trondita. Gjithë at natë reflektova dhe erdha në përfundimin se duhej të shkëputesha nga ai grup. E kisha pak të vështirë sepse kisha punue mjaft edhe në konviktin e “Maleve Tona”, ishte punue fort mirë në organizimin celular…
Nji mëngjes mblodha treshen time: Elez Brahën, Hajdar Dushin e Xheladin Hanën dhe u tregova për vendimin që kisha marrë. U erdhi shumë keq – por, ata qenë plotësisht dakort me mue. Në veçanti njoftova edhe shokët e mi ma të afërt Haki Tahën dhe Emin Durakun. Edhe ata si kosovarë u bindën se ai nuk ishte komunizëm, por nji antishqiptarizëm sllav, që donte me u hakmarrë me dorën tonë kundra shqiptarëve…
Në mbledhjen ma të parë që bamë në shtëpinë e Ramiz Xhabisë deklarova: “Jam kosovar, i dëbuem prej Kosove prej serbomëdhejve. Erdha në Shqipni, në Shkodër për me studjue dhe për me qenë i vlefshëm për Shqipni e për Kosovë dhe jo për me ba politikën e serbit në Atdheun tim. Të jeni të sigurtë se nuk do të dekonspiroj asgja prej kësaj që kemi realizue deri sot edhe sikur të ma rrjepin lëkurën…”
Sot, di të them se i kam qëndrue atij Betimi. Pra qysh në fillim të vitit 1937, u divorcova dhe preva çdo marrdhanie me komunizmin, bile duke kalue në kahun e kundërshtarëve të tij…
(“Kosova i lindi intelektualët që i duheshin ndërsa Shqipëria i shkatërroi ata që i kishte…”Intervistë me Dr. Lazër Radi nga Blendi Fevziu, Zëri i Rinisë, 2 Maj 1992)
Konkluzion: A mund të konsiderohet sot “komunist” një “nacionalist irredentist kosovar”, i cili diskutonte lirshëm me shokët literaturë trockiste dhe u largua kur i desh qejfi dhe pa pasoja nga celula e tij politike?
Unë do ta quaja grupin e tij celulë “socialdemokrate liberale”…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.