back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Roman që mund të shërbente si skenar filmik i suksesshëm – nga Lluka Qafoku

Gazeta

Leka Tasi - Dita e Durimit
Leka Tasi – Dita e Durimit

Roman që mund të shërbente si skenar filmik i suksesshëm

nga Lluka Qafoku

Parathënia e romanin të ri “Dita e Durimit” e Lekë Tasit

Lekë Tasi tani është tashmë figurë e njohur në botën kulturore bashkëkohore shqiptare (megjithse, sipas meje, akoma shumë larg vlerës së tij të vërtetë.). Ai ka hapur shumë ekspozita të suksesshme si piktor modern i mirëfilltë, madje i shquar e me një stil tepër të veçantë, brënda dhe jashtë vendit, ai ka shkruar libra të vlerësuar gjerësisht, si “Grabjani rrëzë kodrave” dhe më pak i njohur, por jo më pak me vlerë, romani pionier fantastiko-shkencor “Koridori me vetratë”, ai ka shkruar artikuj të panumërt eseistikë, politikë, ai ka dhënë intervista në shumë media. Ai ka marrë pjesë me vetmohim në jetën politike me funksione shtetërore për të rilindur kulturën fetare në Shqipëri, që dukej e varrosur, në shtetin shqiptar postkomunist të falimentuar, për të cilin, bashkë me shokë, dha një kontribut të paharrueshëm e të paçmuar për ta ringritur. Dhe këto pas moshës së shtyrë prej 60 vjetësh e deri më sot që është 88, parreshtur me cilësi dhe kthjelltësi që për çudi vjen duke u shtuar. Pas atij persekutimi dhe internimi të gjatë, ku nuk i lejohej të fliste, pale të shkruante a të botonte.
.
Lluka Qafoku
Lluka Qafoku
Leka, për ata që s’e dinë, vjen nga një familje qytetare përmetare, e krishterë ortodokse thellësisht atdhetare, me kontribute të shquara e tepër të veçanta… I ati dhe xhaxhai, Koço dhe Akile Tasi, janë figura emblematike të krijimit dhe konsolidimit të shtetit të sapopavarur shqiptar dhe të atij ndërmjet dhe gjatë dy luftrave botërore, si dhe heronj të persekutimit komunist.. Me gjithë dëmtimet e ndjeshme për shkaqe politike të qarta për të gjithë, ata kanë lënë një trashëgimi të vyer botimesh e shkrimesh në jurisprudencë dhe media, ku kanë qenë specialistë brenda dhe jashtë atdheut. Prap, pas viteve ’90 të shekullit të shkuar, është Leka ai që ka punuar parreshtur për t’i ringjallur. Nuk mund të mos përmënd këtu motrën dhe vëllezërit e tij të jashtëzakonshëm sa dhe ai në aspiratën e tyre këmbëngulëse për impakt shoqëror emancipues, së pari, ata që s’janë më, Teftën, qëndrestaren e paepur të burgut komunist dhe organizatoren entuziaste, fisnike dhe të kulturuar të integrimit të të përndjekurve, Napolonin e luftës dhe penës, luftëtarin për Kosovën dhe përkthyesin e pashoq të letërsisë më elitare engleze, si dhe nga të gjallët, Yllin e supertalentuar, teknologun e makinave që me shpikjet e tij arriti “ta zbehë” sadopak luftën e pamëshirshme të klasave që regjimi zbatonte vijueshëm ndaj familjes së tij. Tani ai është mbajtës i disa patentave ndërkombëtare
Virtuti krejt i veçantë i kësaj familjeje të ndritur është ruajtja e pacënuar e unitetit, duke arritur të mos e ketë nevojshme për mbijetesë përçarjen e vullnetshme dhe deformimin shpirtëror të pjesshëm për të shpëtuar diçka nga trashëgimia në terrorin komunist, siç qenë të detyruara shumë simotra të sërës së saj. Me këtë u dëshmua edhe njëherë këmbëngulja në kohë e virtuteve arbërore, që e bënin racën tonë të famshme në Evropën e qëmotit.
Mendoj se romani “Dita e Durimit” përbën një arritje të shënuar për të gjithë letërsinë tonë, përtej pasqyrimit të stadit të pjekurisë së plotë artistike të Autorit. Ai, sikurse paraprirësi i tij i denjë, “Koridori me vetratë” përqendrohet rreth vetëm një personazhi, që në fakt gjithmonë nuk shkëputet dot nga Autori. Për një analizë të cekët kjo mbase do të përbënte mungesë profesionalizmi. Unë mendoj se puna është se Autori nuk e ka letërsinë profesion, por e konsideron si mision, madje mision të shenjtë, për të dëshmuar, rrëfyer para popullit të vërtetën e jetës së rrojtur, për t’i dhuruar bujarisht atij eksperiencën personale, për të kumtuar rrugë për ruajtjen dhe zhvillimin e personalitetit në botën moderne që na provokon me transformimet e vrullshme e të papritura shoqërore e teknologjike. Letërsia e autorit nuk është fiction, ajo është mjeti i sofistikuar artistik për të përcjellë sa më gjerë fact-in e përjetuar, për ta dëshmuar atë. Veprimi është personazhi, është emri i tij, duke reflektuar besnikërisht qëndrimin e lartë etik në jetë të vetë autorit. Raporti i këtij tipi letërsie me atë profesionale mendoj se mund të krahasohet me monologun me kor të tragjedisë antike e primordiale eskiliane me intrigën e dramave të mëvonshme të shquara shumëpersonazhese. Drama, zhvillim i së cilës është romani profesional klasik e deri modern, është fatkeqësisht më e përshtatshme për interpretim, e deri dizinformim dhe propagandë, ndërsa tragjedia elementare mbetet mbi interesat e mbërthyer tek fakti subjektiv dhe aty arti është vetëm veshja sublime ceremoniale e saj, servirja heroike që trashëgon shpirtërisht njerëzimin. Eufemizimin satirik të situatave, shakanë me tallje të lehtë me gjithë Realitetin tragjik për ta bërë atë të durueshëm dhe njëkohësisht të komunikueshëm (që autorin e bashkon në formë me skepticizmin egzistencial bashkëkohor), me anë të abstragimit të raporteve shoqërore përtej banalitetit të luftës për egzistencë në shoqërinë shqiptare (që ka shërbyer deri vonë fatkeqësisht si një camera obscura për të huajën, të jashtmen ku gjithçka me vlerë, edhe e brëndshme, përmbysej e deformohej deri në absurde e qesharake, (nga izolimi i detyruar)), Autori arrin ta përdorë për të evidentuar probleme të të gjithë shoqërisë njerëzore përtej asaj shqiptare, egzistencializmin e saj filozofik postmodern, madje dhe raportin e saj me Absolutin, në pamje absurd, ku ajo synon. Ky eufemizim, është ngritur në dy romanet në një teknikë dhe stil tepër personal, në formën intime të Shpirtit të tij, të maturuar për t’u shprehur. Ajo është tepër e dukshme, e megjithatë po aq e pakapshme. Ky stil, kjo formë Shpirti më kujton atë që është aq e pranishme, por po aq e patjetërsueshme, atë që është veçanërisht e ndjerë dhe e perceptueshme nga publiku psh në Gjenitë e Muzikës por edhe të arteve të tjera, edhe të fjalës, (megjithse këtu paraqitet më “e fshehtë”), Atë e konstatojmë të pranishme natyrisht edhe në satirën objektive e shakatare të kompozimeve të tij në pikturë, me një ekspresivitet krejtësisht të maturuar. Arritja e një stili të tillë shprehës, të qartë dhe të pjekur dëshmon për një njohje solide, objektive e të gjerë që Autori shpërfaq për trashëgiminë dhe të tashmen e kulturës shqiptare e botërore, për zhvillimet e saj, si dhe i një zgjedhjeje personale pasuese, bazuar në një talent të fuqishëm autentik, të shumëfishtë dhe të mirëfilltë.
Më poshtë po rreshtoj mendime për të dy romanet, se më duket se në njëfarë mënyre, plotësojnë njeri-tjetrin në plotësimin e tabllosë etiko-estetike mbi jetën bashkëkohore që na ofron Autori. Prandaj ju sugjeroj lexuesve të këtij romani të lexojnë dhe paraardhësin.
Romani i parë, “Korridori me vetratë”, i shkruar pa shpresë, në kohën e marksizëm-leninizmit stalinist ortodoks të PPSH, tregon se si brezi i intelektualëve të deklasuar, të dënuar minimumi me mosshprehje, me mosrealizim, dmth me një jetë të kotë, të pakuptimtë, mund ta gjente një rrugëdalje dinjitoze në ruajtjen intime të besimit. Krejt ndryshe ky egzistencializëm nga ai luksoz e vanitoz, ateist dhe snob, qoftë dhe me rafinimin e një Sartri. I ngjashëm me rrugëdaljen që propozon Camus, ose me neorealizmin e pasluftës, ku Autori ka mbrritur, sipas meje, të njëjtën forcë mjeshtërore shprehëse realizuese. Në mënyrë të natyrshme ai përfundon me vdekjen dinjitoze (pavarësisht se të debatueshme për fetarët ortodoksë) pas jetës së dënuar në mënyrë të detyruar për të qenë e kotë. Në roman kotësia vjen për shkak të vetëdijes së mediokritetit Këtej dhe mbiemri Kotaj. Vdekja vjen nga xhelatët e eufemizuar në mjekë, që demaskohen nëpërmjet vetëvrasjes, ama si afirmim i vullnetit të lirë (free will), që është vetë shpirti, pra liria njerëzore, apo humane… Dhe përjetësia mjekësore nuk ka asnjë vlerë se nuk merr vlerën heroike të besimit tek virtuti, që s’është aristokratik, por është vetëm besim përtej biologjikes banale që fatalisht e programon trupin si mjet thjesht për mbijetesën e species sonë animaleske.(Âme vivante ou Esprit vivifiant) Dhe kjo ngarkesë e virtytit të detyruar, që s’është gjë tjetër veçse ndërgjegjia personale, është kaq e zakonshme dhe “e lehtë”, kur ruan sinqeritetin, sa dhe vetëdija për të vërtetën faktike (që nuk mund të jetë ama akoma veçse subjektive (“Ejani tek unë, se ngarkesa ime është e lehtë…” Ungjilli) (Fara e Mbretërisë së Qiejve është më e vogla, po tek pema e saj e madhërishme strehohen zogjtë e Qiellit”, po aty, citim i përafërt) Romani kumton të vërtetën dhe shërben si dëshmi e shembull moral, pavarësisht eufemizimit teknik me të cilin Autori realizon nivelin artistik për t’u quajtur roman, apo për t’u maskuar, si fiction. Së fundi, duhet të shtoj që vetëm para një jave është dhënë zyrtarisht lajmi se u arrit faza e parë e kërkimeve për pavdekshmërinë biologjike, ose ndaljes së procesit të plakjes,(Nature, 26 July 2017, ExtremeTech online, etc.) pra që kjo s’është e pamundur teknologjikisht, gjë që e bën propozimin e këtij zhvillimi nga Autori po aq vizionar edhe në këtë drejtim, sa ato të sivëllezërve të vet perëndimorë e lindorë, si psh të J. Verne dhe H. Wells, apo A. Bjelajev, I. Asimov, I. Efremov, apo dhe të mëndjendriturit Carl Sagan.
.
Artisti Leka Tasi
Artisti Leka Tasi
Romani ynë, i dyti, është shkruar kohët e fundit. Ky fillon me vëzhgimin e fenomenit të abuzimit politiko-shoqëror me parullat e simbolet, me tendencën e turmës për të ndjekur të rejat, (sidomos ato të interpretuara, përkthyera në Sigla, nga udhëheqësia politike), që sjell rrjedhja e pandalshme e kohës, për tu sugjestionuar nga e vërteta sipërfaqësore e faktit gazetaresk,e interpretuar në të Renë politike, meqë pak janë ata që mund të thellohen e të jenë relativisht të lirë nga zvarritja e vrullshme e kohës, veprimi i të cilës mbi jetën e turmës është si ai i Akilit me trupin e Hektorit. Pra turma magjepset, hipnotizohet me Siglat që është termi përgjithësues i Autorit, (i cili është mjeshtër i këtyre sajesave të emërtimeve). Madje Siglat i magjepsin si turmat, ashtu dhe udhëheqësit e tyre. Sundimi arbitrar po i drejtpërdrejtë, pra “i sinqertë” i udhëheqësit është zëvendësuar nga sundimi i Siglës “hipokrite” (E para autokracia, e dyta demokracia). Në të parën Sigla ishte propaganda e imponuar politikisht si e Vërtetë unike e pakontestueshme, ose nuk ishte fare, se ishte personi i Udhëheqësit të patakueshëm dhe të padiskutueshëm. Në të dytën, Sigla si reklamë orientuese, pluraliste dhe ndoshta e reformueshme e Tregut ylberor politik, ekonomik, moral, e degradimeve (Qëndra Qëndrore në Qëndrën Qoshe, citojmë emërtimet fantastike të Autorit) dhe rigradimeve të shoqërisë që nuk zvarritet më, por çapitet, bashkë me kohën dhe botën. Do të kryhet tani kurbani i Siglës, dhe jo ai i udhëheqësve me radhë, si mjet për përballimin e kohës nga Zakoni (me Zakon unë po quaj rendin shoqëror) Sigla pra përfaqëson nivelin bazë të formalizimit të shoqërisë njerëzore, shfaqjen e Shtetit si zbatim i drejtësisë njerëzore nëpërmjet punës.
Në zhvillimin e romanit takojmë personazhe që shoqërojnë Durimin në jetën që është kthyer nga kryesisht dyklasore në pluriklasore. Aty flitet për Udhëheqësit që ruajnë njëfarë anonimiteti, në shtim e sipër, psh Au, si satirizim i fjalës Ai në ulurimë ujku. Jeta pluriklasore dhe plurikuptimore paraqet vështirësi e të papritura për Durimin e shokët e tij me mendime të njëjta dhe konseguente. Akronimet siglore janë nga karikaturat letrare më të arrira të Autorit për të përshkruar analitikisht mjedisin shoqëror shqiptar pluralist, por ndofta dhe të gjithë Lindjes ish-komuniste. Gjykimet për letërsinë në bashkbisedimet shoqërore të personazheve saktësojnë marrëdhëniet dhe taktikat për ruajtjen e nivelit shoqëror të ish-elitës parasiglore, sidomos për personazhin Hizmo. Personazhet e plakut malësor heroik, por sylesh, të kurvës me status të lartë nga ana siglore etj. në shkallën e korrupsionit që gëlon, janë arritje të shënuara dhe mbresëlënëse të romanit. Takimi me Au-në dhe riintegrimi konspirativ nga ana e tij i persekutorëve të dikurshëm, duke u nisur nga siglat që na kujtojnë “bashkëvuajtës e bashkëfajtorë” është arritja e fundit të romanit. Ai mbaron me një horizont të çelur për perspektivën humane e sociale, pavarësisht se akoma të padukshëm
Gjuha është toskërishtja përmetare e lindur e Autorit, e kristaltë, e rrjedhshme, por dhe e qetë dhe e thellë si Vjosa, që pikërisht për shkak të puritetit, mund të lidhet drejtpërdrejt (si shortcut) me të kundërtën e saj brenda llojit, gurgullimën gege alpine, si të Valbonës, të vërshimeve gjuhësore me një dlirësi tekanjoze burimore. Të tilla janë huazime të rralla, nga gegnishtja, që tek toskërishtja e Autorit për “çudi” infiltrohen, “përthithen” menjëherë, duke lënë të shihet në horizont mundësia edhe e një integrimi natyral të shqipes. Megjithatë, së pari Autori ka filtruar toskërishten zyrtare. Të tilla janë mungesat e ë-ve fundore, apo sh-të e tij në vend të ç-ve etj. “gabime” këto drejtshkrimore, që në fakt përbëjnë propozime të Autorit për përmirësim të drejtshkrimit…
Të dy romanet mund të perceptohen si bazë për skenarë filmikë, i pari post neorealist i vonë, i dyti neorealist-surealist i tipit të Felinit. Kanë të gjithë materialin e duhur dhe të detajuar njerëzor dhe dramatik për këtë, si dhe mjedise ku sfidohen, si në ëndrra, apo edhe si në kompozimet në pikturë të Autorit, përmasa e forma e ngjyra (figurative) të mjediseve
Është kënaqësi e rrallë dhe e veçantë të lexosh këtë vepër fine e fisnike, shkruar thjesht, po me një stil të rrjedhshëm, të kristaltë, të freskët, të shkathët e të detajuar. Kthjelltësia e qëndrimeve etike i jep një vlerë të paçmuar formës së tërëlatuar e brilante gjuhësore…
Lluka Qafoku, Tiranë, 11 gusht, 2017
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.