back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Jam komunist, pa partinë do isha krijues mediokër… – Ismail Kadare i shkruan Nexhmije Hoxhës

Gazeta

Ismail Kadare & Nexhmije Hoxha
Ismail Kadare & Nexhmije Hoxha

“Jam komunist, pa partinë do isha krijues mediokër…”

Ismail Kadare i shkruan Nexhmije Hoxhës

nga Rezarta Delisula

Sa herë që shkrimtari Ismail Kadare vihej në epiqendër të kritikave, dera e lutjeve për të dukej se ka qenë Nexhmije Hoxha. Për herë të parë Gazeta Shqiptare ka siguruar letrën e Ismail Kadaresë, pas plenumit të PPSHS në qershor të vitit 1982, kur ai u kritikua për veprën “Nëpunësi i pallatit të Ëndërrave”, drejtuar Nexhmije Hoxhës, ku i kërkon kësaj të fundit të flasë me Enver Hoxhën e t’i shpjegojë situatën në të cilën ai ndodhet. Po kështu ndodhi edhe në prillin e vitit 1973 ku përmes një letre drejtuar Nexhmije Hoxhës, i kërkon ndihmë për akuzat që po i bëheshin atij dhe romanit të tij, “Dimri i vetmisë së madhe”. Po ju shpjegojmë pak situatën politike të asaj kohe kur u shkrua letra. Në 17 dhjetor të vitit 1981, Mehmet Shehu vret veten. Qëndrimi që mbajti partia dhe më pas dënimet që u dhanë për bashkëpunëtorët e tij, krijuan një situatë frike. Llambi Ziçishti, ish-ministër i Shëndetësisë u arrestua në vitin 1982 dhe në deponimin e tij në hetuesi përmendi dhe emrin e Ismail Kadaresë duke e përfshirë shkrimtarin në grupin e Mehmet Shehut ndërkaq që Kadareja ishte mik i ngushtë me Bashkim Shehun, djalin e ish-kryeministrit të vetëvrarë. Në letrën e shkrimtarit dërguar Nexhmije Hoxhës, ndjehet fort frika që e kishte kaptuar atë sidomos pas plenumit të Komitetit Qendror të Partisë ku vepra e tij “Nëpunësi i pallatit të Ëndërrave” u kritikua fort. Në këtë letër (10 faqe të daktilografuara) shkrimtari pohon se është komunist në bindje dhe ia di për nder shumë udhëheqësit dhe partisë që e nxorën nga situata pas kritikave më 1973, duke shpresuar sërish në ndihmën e tyre.
Shkrimtari Ismail Kadare (1936)
Shkrimtari Ismail Kadare (1936)
Shoqja Nexhmije,
Më falni që po ju shkëpus nga puna me disa probleme të miat për të cilat nuk doja të shqetësoja shokun Enver. Nuk e fsheh që dëshira ime do të ishte që ai të ishte në dijeni për to, por duke e ditur se sa i zënë është me punët e Partisë së vendit, ju drejtova juve, me shpresë se, po ta gjykoni të arsyeshme dhe në një kohë të përshtatshme diçka do t’i tregoni për to.
Në punën time si shkrimtar, krahas vënies në dukje të anëve të mira të veprës sime, gjë që më ka stimuluar të vazhdoj me një ndjenjë përherë e më të madhe përgjegjësie punën krijuese në shërbim të popullit e të Partisë, unë edhe jam kritikuar. Kjo është një gjë normale në jetën e shkrimtarit, dhe prej kritikave gjithashtu kam përfituar e jam përpjekur të nxjerr mësime. Në Plenumin e fundit u kritikova përsëri, dhe kritika, ashtu siç u formulua atje, parimisht qe e drejtë. Në qoftë se do të ngre disa çështje në këtë letër, kjo s’do të thotë që unë mbaj ndonjë rezervë me kritikën që u bë në Plenum. Shkaku që më shtyn t’ju shkruaj nuk është kjo, por situata e re që u krijua për mua pas Plenumit.
Nga ana e jashtme duket çdo gjë normale, por e quaj të nevojshme t’ju vë në dijeni për atë që konstatoj, dhe, që, për mendimin tim ka lidhje me një ndryshim që ka ndodhur, ndryshim nga i cili kam përshtypjen që as unë dhe as vepra ime në letërsi të mos shikohen me syrin e mëparshëm. Mendoj se kjo u shkaktua kryesisht prej kritikës që iu bë novelës “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”. Kjo novelë është pa dyshim e kritikueshme, ashtu si dhe vepra të tjera, ajo mund të ketë plot të meta. Por një akuzë unë s’mund ta pranoj për të: që atje bëhen aluzione për vendin dhe realitetin tonë. E vërteta është që një gjë e tillë nuk u tha shprehimisht në Plenum, bile globalisht kritika u formulua si për gjëra: “me të cilat nuk mund të jesh plotësisht dakord”. Por, nga ana tjetër, citimi i disa rreshtave dhe komenti i tyre e krijoi mundësinë për një akuzë të tillë të veprës.
Duke mos dashur që një vepër e imja, qoftë kjo një novelë, të mbetet me një hije të tillë sipër, unë e rishikova me kujdes atë, dhe, duke marrë edhe mendimin e shumë shokëve, i bëra qysh në hyrje një saktësim më të qartë historik dhe i shmanga në disa vende modernizmin e terminologjisë, për të mos krijuar asnjë keqkuptim. (Ju kujtoj se një terminologji të tillë e kam përdorur në të gjitha veprat me temë historike, në romanin “Kështjella” më shumë se kudo). E bëra këtë rishikim të novelës në kuadrin e disa rishikimeve që u bënë në serinë e veprave të mia, për të mos e lënë këtë vepër të marrë dalëngadalë njollën e veprës me aluzione kundër vendit. Mirëpo, me gjithë këto përpjekje nuk gjeta mirëkuptim për një gjë të tillë. Pra, novela, pavarësisht nga formulimi i kritikës në Plenum, mori atë hije që, për mendimin tim, nuk duhej kurrsesi ta merrte: vepër me aluzione kundër vendit dhe kohës. Me sa di unë, asnjëherë në këto 40 vjet Çlirim, një vepre të një autori tonë nuk i është bërë një akuzë e tillë. Natyra e akuzës është e tillë që i kapërcen kufijtë e një novele, ajo vetvetiu shtrihet dhe rrezaton edhe mbi pjesën tjetër të veprës sime. Këtu qëndron pikërisht dhe krijimi i një lloj situate të re për mua si autor. Do të doja të isha i gabuar, por mendoj se librat e mi, pas kësaj hije, objektivisht është vështirë të kenë fuqinë bindëse e të lozin rolin e tyre edukues si më parë. Dashur pa dashur edhe vlera e tyre vihet në pikëpyetje.
Ajo ishte e vetmja arsye që unë u përpoqa të shmang keqkuptimin e rëndë. Nuk është hera e parë që për mua janë krijuar të tilla keqkuptime. Vepra ime më e rëndësishme dhe më militante “Dimri i Madh”, gati sa nuk u akuzua për antisocialiste. Nuk e përmend në mënyrë abuzive këtë vepër, por e përmend sepse historia e saj ka qenë dhe vazhdon të jetë tepër domethënëse për shumë gjera. Siç mund t’ju kujtohet, atëherë u bënë thirrje të hapura për dënimin e saj e të autorit të saj. Partia nuk i dëgjoi këto thirrje dhe më mbrojti. Këtë unë nuk e harroj. Koha nuk u dha të drejtë atyre që nxisnin fushatën kundër librit. Sa më shumë që kalojnë vitet dhe aq më tepër absurde duken akuzat ndaj kësaj vepre. Për njerëzit që i bënë ato nga padija ose kufizimi, është e kuptueshme lajthitja, por vallë a mund të themi kështu për letrarët specialistë, për ata që qysh në fillim e panë fare mirë se në atë vepër, pavarësisht nga të metat, s’kishte asgjë antisocialiste apo antishqiptare? Kanë kaluar vitet. E megjithatë disa njerëz vazhdojnë të bëjnë insinuata të ngjashme. Natyrisht, duke pritur raste të ndryshme dhe në kohë të përshtatshme. Duke shfrytëzuar edhe gabime dhe dobësi të miat, por për fat të keq qëllon që edhe ato fryhen dhe që ndoshta mund të vijnë deri tek ju jo gjithmonë të shpjeguara me objektivitet.
Fakti që kritika ndaj novelave historike, duke qenë tërësisht e drejtë, në një aspekt të caktuar, qoftë edhe pa dashur mori formën e një akuze morale, më ka prekur mjaft. Duke ditur se ne krijuesit jemi disa herë më sensibël se ç’duhet, kam bërë pyetjen: mos e teproj me këtë gjë. Do të doja të ishte ashtu, por më duket se logjika e gjërave të bie këtu. Në qoftë se pranohet se në një vepër, shkrimtari bën aluzione kundër vendit e kohës së tij, përse të mos pranohet se ky është një autor që ç’shkruan sot e mohon nesër, pra që edhe veprat që ka shkruar për këtë vend e për këtë kohë janë pjellë artificiale?
Unë e kuptoj dëshirën dhe padurimin që tregohet në disa gazeta perëndimore për të më vënë mua në rolin e disidentit. Është e natyrshme për logjikën dhe synimet e tyre. Por duhet thënë se për fat të keq fjala “disident” për mua është shqiptuar kohë më parë edhe në ndërtesën e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë.
Unë, pavarësisht vështirësive dhe komplikimeve që mund të has në jetë, nuk do t’jua jap kurrë këtë kënaqësi këtyre të paduruarve. Çdo gjë që kam shkruar, e kam shkruar me ndërgjegje të plotë, i padiktuar nga askush, më saktë: i diktuar vetëm nga botëkuptimi komunist që ka rrënjosur te unë partia. Unë jam komunist dhe si i tillë do t’i bindem partisë për gjithçka. Sigurisht, ka një gjë që nuk duhet t’i bindesha askujt: të shkruaja me diktim atë që nuk mendoj. E di që është pikërisht Partia që nuk do ta donte kurrë një gjë të tillë.
Arti i vërtetë qëndron shumë lart mbi insinuatat dhe dyshimet meskine të tipit policesk. Në qoftë se unë kam njëzetepesë vjet që shkruaj për atdheun dhe socializmin, i angazhuar në problemet kryesore të tij, duke bërë armiq armiqtë e tij, duke lidhur fatin tim e të veprës time me fatin e tij, s’kisha pse të shkruaja në disa faqe të kundërtën e asaj që kam shkruar në mijëra të tjera, duke e ndarë kështu veprën time në dy pjesë që do ishin në kundërthënie me njëra tjetrën. Dhe kështu 99% e veprës sime do delte e shkruar nga detyrimi, frika dhe hipokrizia dhe vetëm 1% nga sinqeriteti.
Koherenca e një shkrimtari është konsideruar gjithmonë meritë, lidhur kjo me figurën morale të tij, me ndershmërinë e veprës së tij. Nuk besoj se do të gjendej një shkrimtar që me duart e tij t’i vinte kazmën asaj. Si shkrimtar dhe si anëtar i shoqërisë unë e kam lidhur jetën dhe veprën time jo vetëm me një Shqipëri eterne, por në radhë të parë me Shqipërinë e sotme socialiste dhe jo me një socializëm të përgjithshëm, por me atë që ndërtohet nën udhëheqjen e Partisë së Punës. Gjithë veprën time unë e kam vënë në shërbim të lulëzimit dhe stabilitetit të rendit socialist në Shqipëri. Duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm se destabiliteti i këtij rendi do të krijonte në vendin tonë katastrofa të tmerrshme, jo vetëm shoqërore por edhe kombëtare, duke kuptuar thellë këtë kam dashur të hap ndihmën time modeste për forcimin dhe konsolidimin e tij. Kam patur gjithmonë bindjen se nga të gjitha artet letërsia është ajo që mund kontribuojë më tepër në këtë stabilitet. Në këtë sens, dhe jo vetëm nga pikëpamja e sentimenteve, kam parë edhe çështjen e pasqyrimit të udhëheqësit në letërsi. Ajo qëndron përtej sentimenteve, në radhë të parë e diktuar nga interesat e larta të vendit. Figura e udhëheqësit është faktor i rëndësishëm stabiliteti, sidomos në vitet e ardhshme. Historia e ka provuar shumë herë këtë. Aq më tepër historia e vendit tonë me Gjergj Kastriotin.
Lidhur me këtë desha t’ju them diçka për raportet aktualitet-histori, për të cilat u kritikova gjithashtu. E them qysh në fillim: kritika ishte plotësisht e drejtë. Unë botova në një kohë të shkurtër pothuajse krejt bagazhin tim me tema historike. Këtë e bëra për të qenë më i lirë t’i kushtohem veprës sime për kohën tonë. Pavarësisht se në ndërgjegjen time, për shkak të planeve që kisha për të ardhmen, isha i qetë, një botim i tillë i dendur i disa novelave historike mund të krijonte përshtypjen, ashtu siç e krijoi, të një prirjeje drejt historisë. Sepse, siç u theksua me të drejtë në Plenum, për ne shkrimtarët më të njohur, përgjegjësia në punën krijuese, është e dyfishtë, përderisa ajo ndikon te shkrimtarët e rinj.
Në të vërtetë, duke punuar për ciklin e tre romaneve të mëdhenj për epokën tonë me titull të përbashkët “Kohë e Partisë” (dy prej tyre, “Dimri i madh” dhe “Gjakftohtësia” i kam realizuar, më ka mbetur i treti me titull “Fillimi i epokës”), kam dashur që këtij ansambli, që e konsideroj veprën time kryesore, t’i vë një sfond, ashtu siç vihet një barelief në këmbët e një skulpture. Ky sfond përbëhej nga cikli i novelave historike. Ne këto novela trajtova disa çështje të luftërave, të kulturës dhe të prijsave të popullit shqiptar në shekuj. Ato do të ndihmonin në kuptimin më të mirë të ciklit “Kohë e Partisë”, duke qenë gjithmonë në rolin e sfondit, qoftë si vëllim (sa një ë treta e ciklit) qoftë si peshë.
Përveç disa momenteve të luftrave shekullore, në këto novela u përpoqa të trajtoj çështje të thesareve shpirtërore të popullit tonë, të etnisë së tij, gjuhës, kulturës dhe përpjekjeve të armiqve për shkombëtarizimin e tyre. Mendoj se ato ishin aktuale dhe çështja e Kosovës i bëri edhe më tepër të tilla. Duke qenë dakord me mendimin e drejtë se jeta e sotme duhet të zërë vendin dominues në letërsinë tonë, mendim që e kam shprehur shume herë në shtyp, në diskutimin e projektit të parë të referatit të Plenumit në kryesinë e lidhjes kam shfaqur mendimin se nuk duhet tepruar megjithatë me pasionin kundër temave historike, sepse kjo gjë nuk mbështetet në asnjë porosi të Partisë dhe mund të çojë në keqkuptime. Kur shovinistët serbë iu sulën si të tërbuar letërsisë dhe kulturës shqiptare objekt kryesor i sulmit të tyre ishin pikërisht temat historike dhe kujtimet kombëtare prej të cilave donin që letërsia jonë të shplahej sa më parë. Dihet si Partia jonë iu kundërvu me forcë këtyre sulmeve.
Një tjetër motiv që kam dashur të trajtoj është çështja e prijsave apo personaliteteve të popullit tonë, duke u nisur nga portreti kolektiv i prijsave para Skënderbeut (Ura me tri harqe), te Skënderbeu (Kështjella), te personalitetet kontradiktore të Ali Tepelenës e Bushatllinjve (Pashallëqet e mëdha), të prijsat që ranë në grackën e armikut (Komisioni i festës) gjer te personalitetet që nuk punuan për Shqipërinë, Qyprillinjtë (Pallati i Ëndërrave). Kam mendimin se asnjë popull e vend serioz nuk mund të jetë i tillë pa prijsat e personalitetet e tij. Marrëdhëniet popull-udhëheqës janë të rëndësishme për të ndriçuar pjesë të tëra të historisë dhe dinjitetit të një vendi. Letërsia duhet të merret me ta. Rikonfirmimi që i bëri Marksi kësaj, duke theksuar domosdoshmërinë e paraqitjes së udhëheqësve të proletariatit në artin e tij është kuptimplotë. Populli shqiptar është shquar për qëndrim aktiv, aspak të verbër ndaj personaliteteve. Ai s’ka dashur dhe s’ka respektuar kurrë pa arsye. Ai ka ditur të përjetësojë prijsat kur e kanë merituar, por edhe të jetë indiferent ndaj tyre në rast të kundërt: ai u ka ngritur epose të tëra, por edhe ka heshtur fare për ta kur ata s’kanë punuar për të, (Qyprillinjtë).
Kështu e kam konceptuar lidhjen e veprës sime me historinë, pavarësisht se sa kam arritur ta realizoj atë. Kam bindjen se ky inkuadrim historik do të ndihmojë, siç thashë më lart për ndriçimin e çështjeve themelore të ciklit “Kohë ë Partisë”.
Duhet të mbyllësh sytë me këmbëngulje përpara asaj që është thelbësore dhe dominante në një vepër për të rendur pas insinuatave siç bëhet nga disa. Arsyeja kryesore që unë desha të pengoj, me anë të korrigjimit keqkuptimin e novelës “Nëpunësi i Pallatit të Ëndërrave” është pikërisht për të mos lejuar fabrikimin në mënyrë artificiale të një vepre kundër kohës sonë. Në të vërtetë askush s’e kuptoi këtë novelë. Një pjesë e saj (bashkë me copën e kritikuar) u botua dy vjet e gjysëm më parë. Askush s’bëri vërejtje për të. Novela u përgatit për serinë e veprave para një viti, askush nuk sugjeroi asgjë për të. Mendoj se këta shokë që punojnë me mua në një qendër pune, në një organizatë partie etj.., duhet të ishin treguar më kamerateskë dhe disa vërejtje që s’janë aspak të thjeshta duhej të m’i kishin bërë më parë.
Nuk desha të zgjatem për këtë. Pas Plenumit doli pyetja: çdo të bëhej me këtë novelë? Do të lihej ajo si një novelë me aluzione kundër kohës, apo me korrigjimet e nevojshme do t’i hiqej kjo hije? Unë bëra çmos që të mos mbetej ashtu. Këmbëngulja për të lënë (përderisa s’më jepej e drejta e korrigjimit) një njollë morale mbi një nga veprat e mia, qoftë kjo e dorës së dytë, mendoj se gjithsesi nuk përligjet. Autoriteti i një shkrimtari është lidhur vetvetiu me autoritetin e tij si qytetar. S’mund të ketë vepra dinjitoze nga një shkrimtar pa dinjitet.
Situata e re që u krijua pas Plenumit ma ka vështirësuar punën time. Nuk po flas për vështirësitë e botimit të romanit të tretë të ciklit “Kohë e Partisë” “Gjakftohtësia” që kam mbaruar prej kohësh. Merret me mend se me ç’lente zmadhuese mund të shikohet vepra e shkrimtarit pas një kritike të këtij lloji. Por akoma më vështirë e kam në këto kushte për të punuar ashtu si duhet për romanin e parë të ciklit “Fillimi i epokës”. Ky duhet të jetë një nga pjesët më të rëndësishme të ciklit, themeli i tij. Dëshiroj të përshkruaj në të vendosjen e rendit të ri shoqëror në Shqipëri, ndryshimet epokale, reformat, ç’pronësimet, shtetëzimet, e gjithë kjo gërshetuar me entuziazmin e një populli të rilindur nga njëra anë dhe me agoninë e klasave të përmbysura nga ana tjetër, me luftën kundër ndërhyrjeve të jashtme, revizionizmit jugosllav në radhë të parë, prapaskenat që u organizuan prej tyre dhe prej komplotistëve të brendshëm për uzurpimin e udhëheqjes së Partisë, shpartallimin e tyre etj etj.
Do të dëshiroja të bëja pyetjen, a mundet që në kushtet për të cilat fola më lart, të vazhdoj punën normalisht për një vepër me përmasa e pretendime të tilla? Besoj se do të më jepnit të drejtë që nuk është ë lehtë. Insinuatat, hedhja e hijeve të mosbesimit, janë pengesë serioze në punën e çdo shkrimtari, dhe unë nuk bëj përjashtim në këtë gjë.
Dëshiroj të jap kontributin tim me aq sa mundem në çështjen për të cilën jemi angazhuar të gjithë. Si çdo gjë edhe vitet e efiçensës krijuese të shkrimtarit kanë limitin e tyre. Unë e kam kapërcyer prej kohësh mesin e rrugës time krijuese. Dëshiroj ta kryej ciklin e romaneve për të cilin fola më lart me maksimumin e forcave të mia.
Ju lutem edhe një herë të më falni për këtë letër të gjatë.
E di se përpara problemeve të mëdha të kohës trazimet individuale s’janë veçse gjëra të vogla. Kur kryesorja ecën mirë ne të gjithë jemi mirë.
Kam patur dhe kam besim të plotë te Partia, pa të cilën unë s’do të isha shkrimtar. Është Partia, është kuptimi i gjerë e i thellë i çështjeve të letërsisë prej udhëheqësit të saj, faktori kryesor në sajë të së cilit kam krijuar çdo gjë me vlerë dhe të cilit i detyrohem për gjithçka. Jam krejtësisht i ndërgjegjshëm se pa këto unë nuk mund të isha veçse një krijues mediokër. Ndaj mirënjohja ime mbetet përherë e pandryshueshme.
Me respekt Ismail Kadare
Tiranë, 15 qershor 1982
.
Nexhmije Hoxha (1921-2020)
Nexhmije Hoxha (1921-2020)

Sapuni “Ledi Makbeth”

Antireklamë
.
Ka katërqind vjet
Që duart ajo lan
Me sapunë gjithfarë markash
“Lux”, “Camay”.
.
Por asnjë prej tyre
Nga duart dot s’ia heq
Njollat e gjakut
Ledit Makbeth.
.
Çdo natë në TV
Reklama gjithfarësh,
Sapuni gjakshlyes
Do të shpiket vallë.
.
Përpara ekranit,
Ledi, ti pret më kot.
Bimësi e globit
Më kot u lodh.
.
U lodhën mendjet
E shpikësve në botë
S’do të shpiket kurrë
Ai sapun kob.
.
Në qoftë se ky planet
Ka një grusht cilësish,
Një ndër më të çmuarat
Është kjo, natyrisht.
1987
.
“Në fletët e atij blloku ndodhej edhe poezia Sapuni “Ledi Makbeth”, e porsashkruar (viti 1987), cila, poshtë titullit kishte fjalën “Antireklamë”… Më goditi përnjëherë: mesazhi i saj qe i tmerrshëm, rrëqethës: sapunin gjakshlyes njerëzimi nuk kishte për ta shpikur asnjëherë, kjo qe gjëja më e çmuar e tij, krimet nuk shlyheshin kurrë, madje edhe pas katërqind vjetësh… E përktheva poezinë me një ndjenjë të fuqishme të dyfishtë: e magjepsur nga forca e së vërtetës së saj dhe e frikësuar për vdekje për fatin tim dhe për fatin e autorit, – ishim mësuar që “Ledi Makbeth” të quanim nën zë Nexhmije Hoxhën…”
.
 


Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.