back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Fiqiri Llagami, përfaqësues i denjë i Inteligjencës së Viteve ‘40 – nga Zyba Hysen Hysa

Gazeta

Fiqiri Llagami (1913-1978)
Fiqiri Llagami (1913-1978)

Fiqiri Llagami, përfaqësues i denjë i Inteligjencës së Viteve ‘40

nga Zyba Hysen Hysa

Çdo pushtues që vjen dhe ikën për t’u zëvendësuar nga një pushtues tjetër, apo çdo sistem që vjen e ikën, nuk bejnë gjë tjetër, veçse imitojnë njëri-tjetrin duke sharë njëri-tjetrin në aparencë për të tërhequr vemendjen e popullit, se ky që vjen pas atij që iku është më i mirë dhe se populli më në fund fiton lirinë dhe do jetojë në mirëqënie.
Ajo që vihet re në këtë ndërrim rolesh, për t’u bërë të besueshëm ata që vijnë në pushtet, bëjnë kërrdinë duke vrarë dhe masakruar ata shqiptarë që punuan dhe i shërbyen vendit në atë sistem që iku, por asnjë nga udhëheqësit kryesorë të qeverive, apo dhe mbreti Zog, nuk pësuan asgjë. 
Të mos shkojmë larg, Enver Hoxha, e pse me mbështetijen e Zogut shkoi në Bruksel, kur erdhi në pushtet “e sulmoi” egër duke vrarë pa mëshirë të gjithë mbështetësit e tij, por vetë Zogu bashkë me oborrin e tij mbretëror jetoi si mbret. (Thuhet që gjatë diktaturës, Zogu është financuar nga qeveria shqiptare) Kur ishte Enveri aq antizogist, pse nuk e arrestoi Zogun me ndihmen e spiunëve ruse e serbë siç bëri me Koço Kotën, i cili, “Në 1945 rrëmbehet nga Selaniku, nga një spiun shqiptar, një grek dhe një rus dhe gjykohet dhe dënohet me burgim të përjetshëm dhe punë të detyrushme…” (Dosja e Fiqiriut) Kështu ka shkuar torra e historisë sonë, jo rrota, se rrota ecën, torra, që gjatë rrokullisjes, herë vret kokën, herë trupin dhe mbetet përherë e plagosur…
Nga çfarë kam lexuar dhe kam jetuar në sistemin komunist, për nga parimet (10 parimet e komunistit) e kalojnë Biblën dhe Kuranin për nga drejtësia dhe mirësia që shprehin në dukjen e tyre, në shërbim të popullit, por që veprimet kanë qenë kaq monstruozë, saqë s’mund ta krahasoj as me një Fe, apo sekt Fetar, se historikisht krimet janë “justifikuar” nga “mirësia ndaj popullit”. Përfundimisht dal në përfundim, se: Komunizmi është një praktikë barbare më e sofistikuar e kohërave, e cila di të manipulojë këdo për të përfituar dhe pasi e shfrytëzon, e asgjëson, kjo ka bërë që një pjesë e shqiptarëve të ndershëm, pa vetëdije janë futur në rrugën antishiptare, apo në rrugën e krimit dhe të veseve barbare e një pjesë e shkolluar e pse u detyruan të punojnë mbrenda mureve të burgjeve, kurrë nuk u rreshtuan në veprime antikombëtare…
Që me themelimin e PKSH, por që do t’i shkonte më shumë; “Dega e PKJ”, shfrytëzoi punën e Organizatës së Ballit Kombëtar për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe në bashkëpunim me Italinë, i arrestojnë patriotët dhe i izolojnë në ishullin e Ventotenes dhe pasi u liruan, bashkëpunuan, aq sa e kishin nevojën dhe pas Konferencës së Mukjes, u shpallën luftë, pra nisën luftën civile. (Nuk u arrestua asnjë komunist që burgoset në Ventotene) 
.
Fiqiri Llagami me zonjen e tij Hedije Sharra - Llagami
Fiqiri Llagami me zonjen e tij Hedije Sharra – Llagami
Në librin e Nikola M. Nikolov, me titull “Komploti Botëror” thuhet, se Rakovski, ish ndihmësi i parë Trockit, i burgosur nga Stalinit, ka qenë njeri i lexuar dhe shumë inteligjent, u shfrytëzua nga Stalini për njohjet që kishte me personalitete të ndryshme, të cilët e bënë të mundshëm paktin e tij… 
E përmenda këtë fakt, se në thelb të ashtuquajturës “Doktrina Komuniste” që nuk shprehej me fjalë, por vulosej në vepra, ishte shfrytëzimi i inteligjencës duke e mbajtur mbrenda hekurave të burgut. Ishte shtresa e intektuale e viteve ’40, që u shfrytëzua në emër të atdheut dhe të popullit, por kur ajo inteligjencë bëri dallimin midis fjalës dhe veprës kriminale të komunistëve, sigurisht ajo ishte rrezik për pushtetin, ndaj atë që e kundërshtoi e vrau, atë që ende i duhej, e mbajti gjithë jetën nëpër burgje dhe internime për të krijuar veprën “Hoxha” dhe veprën “Kadare” e jovetëm kaq, por edhe përkthimet e këtyre veprave në gjuhë të huaj, sidomos në Frengjisht e këtë më mirë sesa bëhej brenda mureve të burgut, kurrë nuk mund të bëhej në liri nga intelektualët, se në kohën që Fiqiriut u dha një vepër e Enver Hoxhës për ta korrektuar, kur ishte në Shtëpinë Botuese “Mihal Duri”, u kritikua rëndë e më pas u pushua nga puna e më vonë u arrestua për të punuar nën diktatin e fshikullës. Apo spiunët e kohës, të paraqitur si miq, merrnin nga Fiqiriu informacion të saktë mbi situatën politike ndërkombëtare të kohës, prova që më vonë do ta cilësonin atë si “Agjent”.
Studimi i jetës dhe i vëprës së gazetarit, Fiqiri Llagami, në kuadër të një libri biografik, i cili kishte mbaruar në “Ecole des hautes – etudes, rue de la sorbonne – paris, ecole de journalisme” në vitin 1935 dhe në “Universiteti de Paris, faculte de droit, crtificat d’etudes administratives et financieres” në vitin 1940, më nxiti të bëj këtë shkrim modest, për t’i paraprirë këtij libri, në të cilin, nuk bëhet thjesht biografi personale, por skaner i kushteve historiko – politike të kohës. 
Fiqir Llagami ishte një intelektual me përmasa europiane, se që në fillesat e tij, ka shoqëruar në konferencë shkencore: “Mbi Shqipërinë”, profesorin Leon Rey dhe ka marrë intervista personaliteteve të larta të Francës së asaj kohe si: senatorin, z. Justin Godart, të cilën e ka botuar në gazetën “Besa” me titull “Ç’thotë për Shqipërinë Justin Godard” në nr. 859, 28 maj 1934, me z. E. V. Letzgus, drejtor i odës tregtare franko-shqiptare, me titull: “Për zhvillimin e tregtisë franko-shqiptare”, botuar në gazetën “Besa”, nr. 783, 21 shkurt 1934 etj, i cili, pas Luftës së Dytë Botërore, do të shpallej nga Gjyqin Special të 13 prillit 1945, si “Kriminel lufte” dhe do të dënohej me 20 vjet burg, për t’u pasuar më pas me kalvarin e tmerrit psikologjik që të shkaktonte emërtimi “Armik i popullit”, emërtim që të diskreditonte, para shoqërisë, para familjes, para vetes dhe me arrestimin për së dyti, në vitin 1975 dhe dënimi me 8 vjet burg, por pas tri vitesh burg, do ndërronte jetë në spitalin Nr. 2 të Tiranës, më 17.02.1978, pa e ditur kurrë se pse ishte emërtuar “Armik i Popullit” dhe pse duhej dënuar e masakruar kështu!
.
Pamja e sallës së Gjyqit Special
Pamja e sallës së Gjyqit Special
Aq sa herë vijnë pushtuesit, apo qeveritë e vendosur prej tyre, flitet për “Një frymë të re” që për fat të keq, s’ka asgjë të re, përveçse ndërrimit të “kukllave” për të belbëzuar fjalët e “aktorëve”, sipas rastit që kërkohet; herë me zë ëngjëlli, herë më zë djalli. E është pikërisht ai moment që shqiptarët mbushen me frymë, se besojnë që diçka do të ndryshojë për të mirën e tyre, ishin ato kohë, kur vërtet shqiptarët morën rrugët e botës, jo si emigrantë ekonomikë, por si studentë, të përgatiteshin për të sjellë vërtet frymën e re në trojet tona.
Është për t’u theksuar, se në kohën e Ahmet Zogut, shkuan shumë shqiptarë për studime dhe kishte plot që financoheshin edhe nga qeveria, por ajo që më ka bërë përshtypje, ka qenë ligji, që në rast se mbeteshe në klasë, apo mbaroje studimet e nuk ktheheshe në atdhe, i detyroheshe shtetin të gjithë lekët e shpenzuar, por kjo e mirë, do të thosha, kishte të keqen mbrenda, se Zogu nuk i donte për të zhvilluar Shqipërinë, por për të mbajtur sa më gjatë sundimin e tij. 
Duke u përqëndruar vetëm në faktin sesi është tentuar të përdoret Fiqiri Llagami nga qeveria e pas luftës, pa u futur në detaje tjera të jetës dhe veprës së këtij intelektuali, dua të përmend, se tentative të tilla ka pasur edhe nga qeveritë e para luftës.
“Në vitin 1931, kur Fiqiriu vazhdonte studimet në gjimnazin e Tiranës, krijohet një organizatë e re, shoqërija “Fryma e Re” që sipas deponimeve të Fiqiriut, kryetar i asaj ishte zgjedhur vetë ai dhe po sipas deponimeve të tija, ai qysh në vitin 1929, ka filluar të shkruajë artikuj letrarë, të cilat janë botuar në gazeta dhe revista të asaj kohe si në: “Gazeta e re”, revistat “Vatra”, “Ora” etj… Në vitin 1931, kishte shkruar një artikull me pseudonimin “Amikus” në gazetën “Shqipërija e Re” të Konstancës, Rumani, ku kritikohet pushteti zogist arrestohet prej dy policëve, njëri prej tyre ka qenë Besim Pazari dhe pas tri javëve në burg, lirohet… – Thuhet ndër të tjera në proces-verbalin e Ministrisë së Punëve të Brendëshme, dega e I-rë, Nr. 8 mbi “Materialet që disponohen për Fiqiri Llagamin, Tiranë, më 06.10.1957.
Në periudhën kohore, kur Fiqiri Llagami ishte nxënës ekselent në gjimnazin e Tiranës dhe kur vendi ynë ende nuk kishte një Universitet, sigurisht çdo kush do të drejtonte kërkesën për ndihmë ekonomike për të mundësuar studimin jashtë vendit, ndaj kërkesa e Fiqiriut që i bën Ministrit të Aresimit të asaj kohe, Mirash Ivanajt, nuk mund ta quajë Fiqiriun mbështetës, ose jo të mbretit Zog, megjithëse ai i kishte shpallur publikisht idetë e tia, të cilat dënoheshin si “Mendime përparimtare për kohën”. Kjo e drejtë i takon çdo shtetasi shqiptar, ashtu siç kemi bërë edhe ne në kohën e diktaturës komuniste, pavarësisht se qemë ose s’qemë me bindje komuniste, na jepnin, ose jo bursë. 
Mendoj, se ishte kjo arsyeja që pasi bëri kërkesën për bursë, e sorollatën nga Ministria e Arsimit, në Ministrinë e Punëve të Brendëshme për t’i vënë kushte, nëse do të bëhej bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit.
Ashtu siç shkruhet në relacionin “Tepër sekret” që përmenda pak më lart, se: “Në vitin 1933, mbasi kryen gjimnazin, i drejton një lutje ish Ministrit të Arësimit, Mirash Ivanajt, për të siguruar një bursë, por ky, pse Ministria e Arësimit “nuk dispononte fonde” e ka rekomanduar tek ish Ministri i Punëve të Brendëshme, Musa Juka, i cili e thirri vetë në shtator 1933, dhe i komunikoi se ishte aprovuar një gjysëm burse me 120 franga në muaj… Disa nga detyrat që i kishte çaktuar Musaj atij janë: të fliste gjithmonë mirë në ambientin e huaj, sa herë do të konstatonte ndonjë gjë për të arratisurit e asaj kohe… të njoftonte menjëherë Musanë…” por gjatë viteve të studimit, e pse thuhet se ai ka raportuar vazhdimisht, por asnjë dokument nuk e fakton këtë, për sa i përket spiunimit të arratisurve, ndërsa në propagandimin e Shqipërisë, ka marrë pjesë aktive dhe jovetëm kaq, por ka punuar për propagandimin e njohjes së Shqipërisë në Francë, si në Konferencën me Profesorin Rey, si udhëheqës i kërkimeve arkeologjike në Shqipëri për rreth 10 vjet, të cilat vërtetohen me dokumente, por këto do t’i bënte çdo shqiptar i ndershëm. Por mënyra se si e presin Fiqiriun pasi kthehet nga studimet, bën të mendosh, se ai nuk i “Ka kryer mirë detyrat” e Ministrit të Punëve të Brendëshme, Musa Juka…
Problem i riatdhesimit të Fiqiriut, pasi mbaron studimet në Sorbonë të Francës, sigurisht do kishte të bënte me njerëzit e pushtetit të at’hershëm, të cilët i premtuan se do ta vendosnin në institucione të rëndësishme, por ndodhi ajo që s’pritej, sapo zbriti në tokën italiane, u arrestua në vtin 1942, nga karabineria italjane, në kohën kur ky po kthehej nga Franca për në Shqipëri, ku është mbajtur në izolim gati për tre muaj…” Fakt tjetër ështe se pasi lirohet e kthehet në Shqipëri por as nënkryetar Bashkie nuk e emëruan e pse ai vend pune ishte jashtë politikës. 
Në proceverbalin e mbajtur në datën 11.05.1961, Fiqiriu deklaron para komisionit hetimor të formuar prej: Sino Zhupës, Frederik Nosit, Delo Balilit, Jahja Hatibit se: “Deri në vitin 1942, kam qenë në Paris, ku shtatë vjet më para pata mbarue Fakultetin e Gazetarisë. Për t’ardhur në Shqipëri, kam shkruar një letër Mustafa Krujës si dhe Kolë Bib Mirakajt, tue u bamë natyrisht oportunitetet e rastit duke premtue. Megjithëse ekonomikisht nuk kam qëndruar mirë, nuk kam pranuar ofiqe politike, as bashkëpunime me organet e okupatorit, megjithëse janë kërkuar herë pas here, se do të punojsha me pronë në Shqipni me premtimin se do të kisha përkrahjen e tyre. 
Gjatë kohës që Kolë Bib Mirakaj ka qenë Ministër i Punëve të Brendëshme, i kam parashtrue me gojë lutjen time që të emërohesha si Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, pse ndodhesha në gjendje të vështirë ekonomike dhe nga ana tjetër, ai ishte një ofiq pa përgjegjësi politike dhe adapt për mua që isha diplomuar edhe me studime administrative. Definitivisht ai ofiq nuk m’u dha, se n’atë vend u muer Nikolla Kotte që ishte më i përkrahur.
Për të përballue nevojat familjare, kam pranue me dhanë mësim të gjuhës frengjishte në fillim dhe më vonë të gjuhës shqipe dhe histori në Institutin Femëror të Tiranës dhe mbas mbylljes së këtij Instituti, unë mbeta pa punë, sepse punojsha me orë dhe u detyrova të nipsha mësime private të gjuhës frengjishte dhe me të ardhurat e këtyre mësimeve, kam jetue deri në kohën, kur qeveria e Mitrovicës dekaroi se lihesh i lirë shtypi. 
Vendosa atëherë me nxjerrë një gazetë opozitare, natyrisht brenda kufijve që lejonte situate e atherëshme me qëllim që të predikojë bashkimin e rinisë, rreth idealit të Atdheut, denigrimin e vëllavrasjes dhe githë atyne që ishin banë shkaktar për ardhjen e Italisë në Shqipëri dhe demaskimi i gjithë personave që kishin shërbyer Fashizmit si për shembull: Mustafa Krujën, Hilmi Lekën, Kolë Bibën, Maliq Bushatin, Qazim Mulletin, e të tjerë. 
Në numurin 3 të kësaj gazete kam botuar një artikull në të cilin kam ekzaltuar rininë dhe u çfaqa kundra çdo lidhjeje me çdo okupator, në konseguencë të këtij artikulli m’u komunikua urdhëri i Prefekturës të më ndalonte vazhdimin e botimit të gazetës dhe u informova se do merreshin masa burgimi kundër meje. 
Me këtë rast kam bërë një manovër oportuniste duke shkue në Tufinë për të takue Abas Kupin dhe për të kërkue ndihmën e tij, i kam marrë një intervistë në të cilën çfaqte idetë e tija përsa i përket çështjes së Kosovës… Këtë intervistë duket se organet e Qeverisë Mitrovica e kanë gjetur të shkruar jo në kundërshtim me interesat e tyre dhe me ndërmjetësinë dhe të Abas Kupit, më lejuan ta vazhdoja botimin…
Kjo gazetë ishte në opozitë me pushtuesin dhe bashkëpunëtorët e tij, ndaj pas 2 muaj e gjysëm, merret urdhëri për mbylljen e saj nga Prefektuara në kohën e pushtimit, akuzohet si komunist dhe në kohën e komunizmit, akuzohet si tradhëtar dhe “Kriminel Lufte”, kjo lojë e rrezikshme e politikës të ashtuquajtur shqiptare duket qartë, se pavarësisht në je legalist, ballist, komunist, ose i pa organizuar, siç ishte dhe Fiqiriu, nëse shfaqte shenja patriotike në shërbim të popullit, atdheut, kombit, ishte i destinuar të vritej, burgosej, internohej, persekutohej moralisht derisa të bëhej njeri i padëshiruar për shoqërinë, familjen dhe fëmijët e tij. 
Ishte e qartë, që një njeri si Fiqiri Llagami, i biri Myslym Llagamit, i cili ka qenë njeri shumë i zoti, një avokat me famë në Tiranën e fillim shekullit të kaluar, por vuajti për një arësye të vetme; kërkonte lirinë për kombin e tij dhe u burgos nga turqit, serbët dhe nga shqiptarët, ku për bashkëshorte kishte të bijën e patriotit Hasan Sharra, i cili e ktheu shtëpinë e tij në seli të ministrive të qeverisë së Ismail Qemalit, një njeri që mbante në shtëpinë e tij hartën e Shqipërisë Etnike, do të kishte fatin e gjithë patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë të asaj kohe, se shkrimet e gazetës “Shqipnia” ishin jo vetëm në kundërshtim me qeverinë, por edhe me Partinë Komuniste, e cila përfaqësonte pushuesin e radhës; Jugosllavët. Prandaj përpos ndalimit përfundimtar të botimit të saj, pas dy muaj e gjysëm aktivitet patriotik, pas çlirimit dhe ripushtimit nga sllavizmi, do vazhdohej të merreshin me botuesin e saj, për ta quajtur “Kriminel Lufte” dhe në gjyqin e posaçëm 13 prill 1945, do të gjykohej dhe dënohej me 20 vjet heqje lirie, konfiskim pasurie dhe heqja e të drejtave civile. Në këtë gjyq famëkeq, ku u gjykuan rreth 60 veta, ku disa u pushkatuan, disa u dënuan me 30 vjet burg, disa me 20 vjet burgë, me 5 vjet dhe vetën 2 persona dalin të pafajshëm… 
Akuza absurde ndaj tij ishte: “Ka qenë vegël e propagandës armike si propagandist e gazetar (Sidomos në gazetën “Shqipnia”), akuzë të cilës ai i përgjigjet para trupit gjykues: “Unë që vullnetarisht qëndrova larg aktivitetit politik, qysh prej vjetit 1935 (Datë e kryemjes së studimeve të mija universitare, në degën e gazetarisë dhe administratë) dhe deri në botimin e shkurtër të “Shqipnisë” (mars-prill 1944) Unë, që nuk botova asnjë gazetë politike për gjatë një periudhe 10 vjeçare, s’ka dyshim se nuk isha aq budalla e injorant, sa që, tamam kur okupatori dhe regjimi ishin n’agoni të bahesha avokati tyne! Dhe avokat pa shpërblime! 
Faktorët që determinuen vendosjen e botimit, i kam shfaqë sinqerisht në “Pro – Memorja”; shokët e maleve, qysh para botimit, kanë qenë lajmërues mbi programin e fletores, program që ja kam pasur dhanë Nexhmedin Shehit, i cili, natyrisht e ka komunikue aty ku duhesh. “Shqipnia” porsa doli u pritë me enthuziazmë dhe në të bashkëpunuen shumë shokë në ilegalitet, si Demir Godelli, etj…
Sot s’është vështirë të kritikosh okupatorin dhe njerëzit e tij, “Shqipnija” ka luftue mu në kohën që ata kishin pushkën në dorë dhe ne vetëm pendën dhe flakën e dashurisë për Atdhe…” 
Kështu, në dëshmisë e penalitetit, në dokumentin e datës 26.11.1975, thuhet: “Me vendim të gjykatës speciale me Nr. (ska) datë.14.04.1945, është dënuar për krime lufte me 20 vjet heqje të lirisë…” por më vonë i falen 10 vjet me rastin e 28 nëntorit dhe në vitin 1954, lirohet nga burgu për të provuar më vonë burgun më të rëndë, atë të terrorit psikologjik, duke e dërguar në internim në Lushnjë, për një vit, por kthehet në Tiranë pas 6 vitesh për të nisur kalvari i papunësisë, varfërisë së tejskajëshme dhe përndjekjes nga operatorët e sigurimit të shtetit, të cilët i çfaqeshin miq… 
Nuk kam prekur me dorë një dosje kaq voluminoze sesa të Fiqiri Llagamit e në të njëjtën kohë, një dosje e mbushur me: “Më tha, i thashë”, apo “doli nga shtëpia, kaloi rrugën, u takua me… u nda pastaj…” O zot i madh, çfarë është bërë me shqiptarët vetëm e vetëm për t’i pasur nën kontroll, për t’i robëruar e masakruar deri në palcë!
Kështu pasi shkruhej përralla – telenovelë bëhej arrestimi me akuzën “Armik i popullit” dhe në vitin 1975, arrestohet dhe më datën 30.11.1075 dënohet me 8 vjet burg, “Për agjitacion dhe propogandë”, akuzë që Fiqiri Llagami e kundërshtoi me forcë dhe nuk e pranoi, por siç e thashë edhe në fillim, i erdhi në ndihmë vdekja e parakohëshme për ta shpëtuar nga ferri komunist, se më 17.02.1978, ndërroi jetë në spitalin Nr. 2, të Tiranës.
Rrugëtimi i jetës së Fiqiri Llagamit, është si e shumë intelektualëve shqiptarë të asaj kohe, por për fatin e keq, edhe të kësaj kohe pa kohë të mirë për shqiptarët, por të shkruash për jetën dhe veprën e tyre, është detyrë e çdo intelektuali, shkrimtari, studiuesi, për të kuptuar ku ishim, ku jemi dhe ku duhet të shkojmë!
E kam thënë shpesh, e përsërit deri në monotoni, se shtresa e intelektualëve të viteve ’40 as ka qenë ndonjëherë, as ka për të ardhur kurrë për Shqipërinë dhe kombin tonë, vrasja, burgosja, internimi, diskriminimi i tyre nga sistemi komunist, ka qenë fatkeqësia më e madhe e kohrave. Humbjen e parakohëshme të këtyre intelektualëve e ndjeu jovetëm Shqipëria e atëherëshme, Shqipëria e diktaturën komuniste, Shqipëria e sotme, por do e ndjejë edhe Shqipëria e nesërme…
Tiranë, më 31 korrik 2021
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.