back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Tridhjetë e dy vrasësit më të mëdhenj të shekullit XX…

Gazeta

Diktatori dhe Diktatura
Diktatori dhe Diktatura

Mbi diktatorët dhe diktaturat

shënim nga Jozef Radi

Cilido që ka jetue në diktaturë e njef mirë çka asht diktatori, çka asht diktatura po dhe regjimin diktatorial, por sot asht e domosdoshme qe kët përbindësh shtypës dhe këta personazhe-Drakula, me i njoftë cilido që s’e ka jetue dhe as ka njoftë diktatura, as diktatorë e as regjime diktatoriale…
Në diktaturë jeta e njeriut s’ka asnji vlerë…! S’ka asnji vlerë as përkushtimi, as kultura, as dinjiteti i njeriut… e aq ma pak aftësitë e tij. Pse diktaturat nuk kanë nevojë për njerëz; diktaturat kërkojnë veç skllevën, prandaj punojnë sistematikisht për shplamjen e trunit njerzor, dhe konsiderojnë përjashtimin, eleminimin dhe zhdukjen e kundërshtarëve të tyne, si nji legjitimitet i dhuruem nga ndonji fuqi superiore…
Të mos e harrojmë asnjiherë se diktatura nuk asht vetëm diktatori, po krejt nji makinë propagandistike, shtypëse, mbikqyrse, intriguese, djallëzore dhe vrasëse që rri në kambë e në alarm të përhershëm…  me zhdukë gjithçka që i ban hije së keqes së tyne…
Në kët listë të përzgjedhun të 32 emnave ma të zi të historisë së këtij shekulli, (që ma merr mendja se ka qenë ma gjakatari në krejt historinë e botës), asht edhe Diktatori Shqiptar… Nuk duhet harrue se aty asht edhe krejt makina e tyne shtypse që ata vetë e kanë krijue, me përjetsue at pushtet të ngritun mbi vrasje, dhunë, poshtërime e gjak të pafajmë…
Si nji njeri që ende pjesën ma të madhe të jetës e ka kalue nën diktaturë, dhe ka jetue nën tehun ma të egër të asaj dhune, gjykoj se dëshmitë e së vërtetës mbi të shkuemen e përbashkët,  mospajtimet dhe denoncimet e krejt krimeve, (shumica e të cilave asht lanë ende qëllimisht në terr), ka me na ndihmue ne si popull që t’i avitemi të vërtetës historike, po edhe të bahemi pjesë e asaj bote, për të cilën ne kemi aspirue në krejt historinë tonë…
Njerëz: urrejini diktaturat dhe diktatorët… nëse s’dëshironi që nji ditë edhe ju vetë, të jeni mish për dhambët e tyne të përbindshëm…

Diktatura
Diktatura

Tridhjetë e dy vrasësit më të mëdhenj të shekullit XX…

Më së shumti diktatorë…

Quhen të tillë pasi shifrat e viktimave që kanë lënë pas i kalojnë mijrat. Shpeshherë edhe milionat. Emrat që figurojnë në listën e vrasësve më të mëdhenj të shekullit të 20-të, janë më së shumti diktatorë. Të kthyer në makina vrasëse, arma e tyre ka qenë politika. “Është e qartë që njerëzit e thjeshtë nuk e duan luftën. Përse një fshatar duhet të rrezikojë lëkurën e tij në luftë, kur qëllimi i tij më i madh është të kthehet në shtëpi shëndoshë e mirë? Janë drejtuesit ata që vendosin për politikën ata që e duan luftën, edhe atëherë kur flitet për demokraci, edhe për diktatura fashiste, për parlamente apo diktatura komuniste..”, ka thënë gjenerali gjerman Herman Goring duke folur për Luftën e Dytë Botërore. Shifra prej 60 milionë viktimash i faturohet orkestruesit të kësaj lufte, Adolf Hitlerit, i cili renditet i pari për nga numri i të vrarëve, përgjegjësia e të cilëve bie mbi të. Por nuk mbeten mbrapa as Stalini, Pol Poti, Mao Ce Duni, Kim Il Sung, etj.
Gazeta “Tirana Observer”, boton historitë e 32 njerëzve të cilësuar si vrasësit më të mëdhenj të shekullit 20. Cila është mënyra e ardhjes së tyre në pushtet, numri i viktimave që kanë shkaktuar regjimet e tyre, motivet të cilat i kanë shtyrë të bëhen diktatorë në vend që të bëhen heronj, si dhe detaje nga jeta e tyre personale. Si u ngritën në protesta qytetarët e Burmës, pasi diktatori Ne Win, mendonte se kartëmonedhat që pjesëtoheshin me nëntë, do sillnin fat për të dhe kombin e tij. Në këtë listë futet edhe ish-diktatori komunist i Shqipërisë: Enver Hoxha. Renditja sipas alfabetit:

Adolf Hitler (gjerman)
Adolf Hitler (gjerman)

Adolf Hitler
Adolf Hitler i cilësuar si diktatori më i egër jo vetëm i shekullit XX, por i të gjithë kohrave. Gjatë regjimit të tij janë vrarë mbi 60 milionë njerëz, duke e bërë atë një nga vrasësit më të mëdhenj në botë. Në vitin 1933, Adolf Hitler zgjidhet kancelar i Gjermanisë, pas fitimit të zgjedhjeve nga partia naziste (nacional-socialiste)  që ai drejtonte. Menjëherë pas kësaj, në vitin 1934, ai instaloi në vend diktaturën, duke eliminuar të gjithë kundërshtarët dhe partitë e tjera politike si dhe filloi sulmin kundër hebrenjve në Gjermani. Në vitin 1939, Hitleri urdhëron pushtimin e Polonisë, duke nisur kështu edhe Luftën e Dytë Botërore, kurse në vitin 1941, ai miraton një plan për shfarosjen e çifutëve. Me humbjen e luftës dhe fitimin e saj nga aleatët dhe sovjetikët, më 30 prill 1945, Hitleri vret veten në bunkerin e tij në Berlin së bashku me shoqen e tij, Eva Braun.

Ante Paveliç (kroat)
Ante Paveliç (kroat)

Ante Paveliç
Ka pasur të njëjtin pseudonim me Millosheviçin. Kreu i Kroacisë gjatë viteve ’41-’45, është quajtur “Kasapi i Ballkanit”. Sipas të dhënave, gjenocidi që aplikoi Paveliç, shkaktoi 300 mijë deri në 1 milionë të vrarë, ku përfshihen 30 mijë hebrenj, mbi 29 mijë romë dhe 300-600 mijë serbë. Në vitin 1941, Paveliç, drejtues i grupit terrorist “Ustashe”, me ndihmën e Musolinit vendoset kryetar i “Shtetit të Pavarur të Kroacisë”, dhe sapo merr detyrën deklaron se do të jetë “purifikuesi” i Kroacisë dhe se do të eliminojë “elementët e huaj”. Pikërisht në këtë moment fillon spastrimi i serbëve, ebrenjve dhe romëve. Sllogani i “Ustashe” ishte: “vrit një në tre, dëbo një në tre, dhe ndryshoji fenë një në tre”. Masakrat filluan në fshatin serb Gudovac në Bosnjë-Hercegovinë, në 27 prill, dhe vazhduan deri në fund të luftës, kur Paveliç u largua pas ardhjes së partizanëve.

Anastasio Somoza (nikaraguen)
Anastasio Somoza (nikaraguen)

Anastasio Somoza Debayle
Debayle qe President i Nikaraguas prej dy mandatesh, nga viti 1967 deri në vitin 1979. Megjithëse nuk ka të dhëna të sakta për viktimat gjatë regjimit të tij diktatorial, Debayle mbahet përgjegjës për të paktën 50 mijë të vrarë gjatë “revolucionit” nikaraguan dhe për 120 mijë të arratisur nga vendi. Agresion ndaj opozitës, censurë e ashpër ndaj medias, presidenti i Nikaraguas u kthye në një nga diktatorët më të egër të kohërave. Çdo përpjekje për ta rrëzuar atë, shoqërohej me një reagim akoma më të ashpër që do të thotë: censurë, torturë dhe vrasje. Në vitin 1970, me anë të një revolucioni, Fronti Nacional Liberal pas përpjekjeve të herëpashershme arrin të fusë nën kontroll pjesën më të madhe të Nikaraguas, përveç kryeqytetit, ku ndodhet edhe Debayle. Ky i fundit detyrohet të japë dorëheqjen dhe largohet për në Paraguaj. Në vitin 1980, vritet atje nga një grup gueril i majtë.

Ahmet Qemal Pasha (turk)
Ahmet Kemal Pasha (turk)

Ahmet Qemal Pasha
Ahmet Qemal Pasha, Ismail Enver Pasha dhe Mehmed Talat Pasha, janë futur si vrasës në historinë e shekullit të 20-të, me një emër, “Tre pashallarët”. Të tre, drejtues të xhonturqve në kohën e Perandorisë Otomane, mbahen përgjegjës se në periudhën 1914-1918 kanë vrarë rreth 600 mijë armenë, mbi 300 mijë grekë dhe mbi 100 mijë asirianë. Me një grusht shteti, drejtuesit e turqve të rinj marrin kontrollin e Perandorisë, duke vënë një diktaturë militariste të drejtuar nga të tre ata, Qemal, Enver dhe Talat. Ka debate të shumta për shkallën dhe rrethanat e “Holokaustit kristian aziatik”. Ata që janë prekur, armenët, grekët dhe asirianët, besojnë se dëbimet dhe masakrat ishin të planifikuara sipas skemës së madhe të pastrimit etnik të Perandorisë Osmane. Tre pashallarët u vranë në periudha të ndryshme pas vitit 1918.

Augusto Pinochet (kilian)
Augusto Pinochet (kilian)

Augusto Pinoçet
Augusto Pinoçet ishte një gjeneral ushtarak, por që e qeverisi Kilin si diktator, nga 11 shtatori 1973 deri në mars të 1990. I ardhur në pushtet pas një grushti shteti ushtarak, Pinoçeti është cilësuar si një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të kaluar. Ai është përgjegjës për vrasjen e 3.197 njerëzve dhe burgosjen e shumë të tjerëve, krime që ai i ka bërë gjatë regjimit të tij diktatorial. Në vitin 1988, regjimi i tij mori fund pas një referendumi popullor. Por me gjithë akuzat e shumta dhe proceseve gjyqësore, Pinoçeti nuk u dënua asnjëherë për krimet e tij. Ai vdiq në 10 dhjetor 2006.

Benito Mussolini (italian)
Benito Mussolini (italian)

Benito Musolini
Një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të XX është edhe diktatori italian, Benito Musolin, i cili e futi Italinë nën një regjim fashist nga viti 1922 deri në 1943. Ai akuzohet se gjatë 11 viteve të regjimit të tij janë vrarë mbi 400 mijë italianë dhe mbi 30 mijë etiopianë, të cilët janë vrarë gjatë pushtimit të Etiopisë nga Italia. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai u fut në luftë, duke u bërë aleat me Gjermaninë naziste të drejtuar nga Adolf Hitleri. Gjatë regjimit të tij, ai drejtoi në mënyrë të egër, duke vrarë dhe zhdukur çdo kundërshtar të tij. Pas fitores së forcave aleate në Itali, më 18 prill 1945, gjatë një tentative për t’u arratisur në Zvicër, ai arrestohet nga forcat partizane italiane dhe pushkatohet menjëherë së bashku me të fejuarën e tij, Klareta Petaçi.

Elie Hobeika (libanez)
Elie Hobeika (libanez)

Elie Hobeika
Në listën e vrasësve më të mëdhenj të shekullit të XX është edhe libanezi Elie Hobeika, i cili gjatë luftës civile në Liban, në vitet 70-80, ishte komandant i “Forcave Libaneze”, një ushtri që financohej nga Siria. Elie Hobeika është akuzuar se ka urdhëruar për masakrat e kryera në dy kampe refugjatësh në Liban, ku janë vrarë 1700 gra dhe fëmijë palestinezë. Gjithashtu ai është edhe autor i shumë vrasjeve të popullsisë së pafajshme gjatë luftës civile në Liban, por edhe të kundërshtarëve të tij politikë. Ku për të ekzekutuar kundërshtarët e tij ai shpesh përdorte shpërthimet me eksploziv në vende të populluara, ku si pasojë mbesnin të vrarë edhe shumë njerëz të pafajshëm. Por me gjithë krimet e tij, ai nuk u dënua asnjëherë. Elie Hobeika vdiq më 22 janar të vitit 2002, nga një shpërthim me eksploziv.

Enver Hoxha (shqiptar)
Enver Hoxha (shqiptar)

Enver Hoxha
Në listën e vrasësve më të mëdhenj të shekullit të XX, është edhe diktatori i vendit tonë, Enver Hoxha. Ai akuzohet se gjatë regjimit të tij, janë vrarë, zhdukur dhe internuar mijëra njerëz në Shqipëri. Enver Hoxha është cilësuar edhe si një nga diktatorët më të egër të shekullit të kaluar. Ish-diktatori shqiptar erdhi në fuqi pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ku forca politike që ai drejtonte luajti një rol të madh në çlirimin e vendit. Pas ardhjes në fuqi të Partisë Komuniste, Enver Hoxha, që ishte edhe kreu i saj, instaloi një regjim të egër diktatorial, duke zhdukur të gjithë kundërshtarët e tij politikë. Ai e drejtoi vendin me një regjim të egër nga viti 1945 derisa vdiq në vitin 1985.

Ferdinand Marcos (filipinas)
Ferdinand Marcos (filipinas)

Ferdinando Marcos
Nuk ka shifra për vrasjet që janë bërë në Filipine gjatë regjimit të tij, por ato mund të jenë me mijëra, dhe demokracia dhe ekonomia atje janë shkatërruar. Ferdinando Marcos, u zgjodh si president i Filipineve në nëntor të vitit 1965, me premtimin se jeta e filipinasve do të përmirësohej. Megjithatë, në mandatin e tij të dytë si kreu i shtetit, rritja e të ardhurave ngadalësohet dhe cilësia e jetës fillon të shkatërrohet. Dhuna dhe krimi fillojnë të bëhen ngjarjet e ditës. Destabiliteti rritet, derisa studentët demonstrues mësyjnë drejt Pallatit Presidencial. Manila dhe qytete të tjera tronditen nga bombardime. Figura të opozitës, gazetarë, studentë dhe aktivistë arrestohen. Gazetat mbyllen dhe fillon censura e fortë. Demonstratat dhe grevat bëhen të paligjshme dhe Marcos ndryshon kushtetutën, e cila nuk lejonte një mandat të tretë për president, duke i dhënë vetes pushtet të pakufishëm. Marcos vdes në ’89-ën nga një atak zemre, ndërsa ishte në mërgim në Honolulu, para se të gjykohej.

Francisco Franco (spanjoll)
Francisco Franco (spanjoll)

Francisco Franco – Bahamonde
Diktatori i Spanjës, i vënë në krye të shtetit më 29 shtator 1936, akuzohet se me trupat e tij nacionaliste ka shkaktuar vdekjen e mbi 500 mijë vetëve gjatë Luftës Civile të Spanjës. I ndihmuar nga Hitleri dhe Duçja, Franko fitoi luftën pa kushte pas 3 vitesh, më 1 prill të 1939-ës. Rreth 500 mijë republikanë u arratisën nga vendi për të gjetur një vend më të sigurt jashtë. Ndërkohë me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, megjithëse Franko njihej si përkrahës i fashizmit, ai mbajti pozicion neutral dhe e shmangu përfshirjen e Spanjës në luftë. Franko e mbajti pozicionin e tij në krye të shtetit deri kur vdiq, më 20 nëntor të vitit 1975. Busti i tij i fundit në Madrid, i vendosur në ambiente publike, u hoq në mars të vitit 2005.

Duvalier at e bir (haitianë)
Duvalier at e bir (haitianë)

François Duvalier, Jean-Claude Duvalier
François Duvalier u zgjodh president i Haitit më 22 shtator të vitit 1957. I vetëshpallur president përjetë i Haitit, Duvalier vendosi një regjim të përqendruar në Haiti, dhe së bashku me djalin e tij, të cilin e shpalli pasardhës të kreut të shtetit, Duvalier akuzohet të ketë vrarë 20-60 mijë njerëz. I përballur me grushte shteti, të cilat tentonin ta përmbysnin nga kreu i shtetit, Duvalier reagonte me shtrëngime të mëtejshme, duke eliminuar rivalët e tij. Vdes në vitin 1971 dhe pushteti i transferohet djalit të tij 19 vjeç, i cili bëhet presidenti më i ri në botë. Demonstrata të shumta dhe me viktima shoqëruan presidencën e Duvalierit të ri. Ky largohet nga vendi në ‘86-ën, dhe aktualisht jeton në Francë me shpresën për ta rimarrë pozicionin e tij.

Haji Soeharto (indonezian)
Haji Soeharto (indonezian)

Haji Mohammad Soeharto
Soeharto shërbeu si ushtarak në luftën për pavarësi të Indonezisë, por kulmi i karrierës së tij ishte emërimi si president në vitin 1967, post të cilin e mbajti gjer në vitin 1998. Regjimi i tij u shoqërua me spastrime politike dhe me vdekjen e mbi dy milionë njerëzve, sidomos komunistë indonezianë dhe kinezo-indonezianë. Ai nxori jashtë ligjit partitë komuniste dhe kinezët etnikë. Roli i tij në Timorin Lindor ka pasur mjaft ndikim. Suharto u detyrua të jepte dorëheqjen si president në maj të vitit 1998, për shkak të demonstratave masive. Megjithëse është debatuar shumë për gjykimin e tij për gjenocid, kryeprokurori i Indonezisë ka deklaruar se Soeharto nuk mund të dalë në gjyq, pasi vuan nga një sëmundje e trurit.

Hermann Gòering (gjerman)
Hermann Gòering (gjerman)

Hermann Göring
Komandant i ushtrisë gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ministri i Aviacionit Gjerman, Hermann Göring është shpallur fajtor për vrasjen e miliona njerëzve. I cilësuar si një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të XX, ai është përgjegjës edhe për zhdukjen e miliona hebrenjve, kjo pasi ai është autori i organizimit të eliminimit të tyre. Hermann Göring ishte një nga mbështetësit më të besuar të Hitlerit dhe ishte nga drejtuesit kryesorë të partisë së tij. Ai ishte themeluesi i shërbimit sekret famëkeq gjerman të quajtur “Gestapo”. Gjithashtu Göring është përgjegjës edhe për vjedhjet e veprave të artit në të gjitha vendet që Gjermania pushtoi. Ai arrestohet më 8 maj 1945 nga forcat aleate dhe gjatë procesit të Nurembergut dënohet me vdekje. Por vetëm pak orë para ekzekutimit, më 15 tetor 1946, ai vret veten duke u helmuar me cianur.

Idi Amin (ugandez)
Idi Amin (ugandez)

Idi Amin

I cilësuar si “Kasapi i Afrikës”, Idi Amin është akuzuar për vrasjen e rreth 300 mijë njerëzve. I lindur në vitin 1923, në veri të Ugandës, dhe i rritur mes tensionesh të grupeve etnike në vendin e tij, Idi Amin u ngjit në krye të Ugandës në janar të vitit 1971, me anë të një grushti shteti. Ai akuzoi kryeministrin e Ugandës, Milton Obote (deri pak kohë më parë, përkrahësin më të fortë të tij), për një regjim të korruptuar, për paaftësi, etj. Sapo erdhi në pushtet ai filloi një fushatë persekutimi të “besnikëve” të Obote dhe rivalëve të tij, duke vrarë rreth 300 mijë njerëz, në mes tyre, njerëz të thjeshtë, ministra, krerë të drejtësisë, diplomatë, gazetarë, akademikë, etj.

Ion Antonescu (rumun)
Ion Antonescu (rumun)

Ion Antonescu
Kreu i Rumanisë në vitet 1940-1944, Ion Antonescu është një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të XX. Ai është përgjegjës për vrasjen e 300 mijë e hebrenjve në Rumani si dhe të 500 mijë ushtarëve rumunë, të cilët vdiqën gjatë betejës së Stalingradit në Rusi. Ion Antonescu ishte një nga gjeneralët më të famshëm në Rumani. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas pushtimit të disa tokave të Rumanisë nga Bashkimi Sovjetik, në shtator të vitit 1940 ai u emërua nga Mbreti i Rumanisë, kryeministër i vendit. Menjëherë Antonescu lidhi aleancë me Gjermaninë naziste dhe instaloi në vend të njëjtën diktaturë si Hitleri. Ai u arrestua në vitin 1944 dhe u pushkatua nga forcat sovjetike më 1 qershor 1946.

Josif Stalin (rus)
Josif Stalin (rus)

Josif Stalin
Ai është një nga diktatorët më të egër dhe një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të XX. Josif Stalin është përgjegjës për vrasjen e gati 30 milionë njerëzve, shumica e të cilëve bashkëpatriotë të tij, si dhe burgosjen e miliona të tjerëve. I ardhur në fuqi pas vdekjes së Leninit, në vitin 1928, Stalini zhduku të gjithë kundërshtarët e tij politikë. Ai drejtoi Bashkimin Sovjetik deri në vitin 1953, kur edhe vdiq. Epoka e tij është cilësuar si nga më të egrat e regjimit komunist që ishte instaluar në Bashkimin Sovjetik që nga viti 1918. Stalini është akuzuar për krime të mëdha kundër ukrainasve dhe polakëve si edhe banorëve të republikave të tjera që formonin Bashkimin Sovjetik.

Joseph Goebbels (gjerman)
Joseph Goebbels (gjerman)

Joseph Goebbels
Ministri i Propagandës i Gjermanisë naziste, Goebbels është përgjegjës për vrasjen e 46 milionë njerëzve, dhe për këtë është cilësuar si një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të XX. I diplomuar për letërsi dhe psikologji në një nga universitet më të mira në Gjermani, Goebbels ishte personi që udhëhoqi propagandën e partisë naziste të Hilerit, duke bërë që partia e tyre të fitonte zgjedhjet në vitin 1933. Pas ardhje në fuqi të partisë naziste të Adolf Hitlerit ai u emërua ministër i Propagandës, duke luajtur një rol të madh në ekzekutimet e hebrenjve dhe të kundërshtarëve politikë. Pas vetëvrasjes së Hitlerit, një ditë më pas, më 1 maj 1945, ai u vetëzgjodh kancelar i Gjermanisë, por vetëm për një ditë, pasi edhe ai vrau veten së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët e tij.

Josef Mengele (gjerman)
Josef Mengele (gjerman)

Josef Mengele
Mjeku gjerman i kampit nazist të Aushvicit, është cilësuar si një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të XX, madje është quajtur edhe “Engjëlli i vdekjes”. Kjo për shkak të eksperimenteve vdekjeprurëse që ai kryente me çifutët e burgosur në Aushvic. I diplomuar për mjekësi në universitetin e Frankfurtit, në vitin 1935, ai ishte edhe anëtar i forcave naziste “SS”. Në vitin 1943, Josef Mengele largohet nga Gjermania për në Poloni, ku merr drejtimin e kampit të përqendrimit gjerman Aushvic. Gjatë qëndrimit të tij ai i përdorte të burgosurit për të kryer kërkime shkencore. Madje mendohet që rreth 3000 mijë fëmijë binjakë janë vrarë për shkak të eksperimenteve që ai kryente mbi ta. Ai vdiq në vitin 1979 në Brazil, ku qëndronte i fshehur prej 30 vitesh.

Jorge Videla (argjentinas)
Jorge Videla (argjentinas)

Jorge Videla
Jorge Videla ishte një gjeneral argjentinas, diktator dhe president i vendit nga viti 1976 deri në vitin 1981. Videla është cilësuar si një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të XX dhe është akuzuar për vrasjen e 30 mijë njerëzve. Ai erdhi në pushtet me anë të një grushti shteti, duke rrëzuar qeverinë e drejtuar nga Izabela Peron. Gjatë regjimit të tij ai u bë i njohur për dhunën dhe eliminimet që ai u bëri ndaj kundërshtarëve politikë. Videla u bë i njohur në arenën ndërkombëtare edhe për konfliktin me Kilin në vitet ‘77-‘78. Në vitin 1983 ai arrestohet dhe dënohet me burgim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit, por në vitin 1990, ai lirohet nga burgu për shkak të moshës së tij.

Jose Efrain Rios Montt (guatemalas)
Jose Efrain Rios Montt (guatemalas)

José Efrain Ríos Montt
Jose Efrain Rios Montt, ose ndryshe “Gjenerali”, akuzohet për vrasjen e rreth 70 mijë fshatarëve majanë dhe politikanëve disidentë në Guatemala. Ai u vu në krye të Guatemalës në vitin 1982, duke sunduar si diktator. 14 muajt e drejtimit të Rios Montt, ishin muajt më të përgjakshëm të historisë së Guatemalës që pas invazionit të spanjollëve 400 vjet më parë. Të gjithë të dyshuarit si simpatizantë të guerilasve u vranë masivisht në mënyrë barbare, duke përfshirë edhe përdhunimet e grave dhe vajzave dhe përdorimit të gjerë të torturës. Gjatë periudhës së drejtimit të Montt, rreth 100 mijë persona janë vrarë ose “zhdukur”, dhe 500-1.5 milionë janë larguar nga vendi. Diktatori i Guatemalës u rrëzua nga regjimi në vitin 1983, nga një grusht shteti.

 

Kim Il-Sung (korean)
Kim Il-Sung (korean)

Kim Il Sung
Kim Il Sung, kreu i Koresë së Veriut, i cilësuar si “Udhëheqësi i madh”, akuzohet si përgjegjës për vrasjen e 3 milionë njerëzve gjatë luftës civile të Koresë. Rreth 1 milion koreano-veriorë vdiqën nga uria gjatë regjimit të Kim Il Sung. Pas ndarjes së gadishullit të Koresë në atë të Veriut dhe atë të Jugut, Kim Il Sung vendosi regjimin e tij komunist, i ndihmuar nga Kina dhe Bashkimi Sovjetik. Në vitin 1950, ai nis sulmin ndaj Koresë së Jugut pa paralajmërim, luftë e cila përfundoi në vitin 1953. Sipas të dhënave, mbi 2 milionë civilë u vranë, ndërsa shënohen rreth 317 mijë ushtarakë të vrarë, 304 mijë të plagosur dhe 102 mijë të zhdukur në luftë. Koreja e Jugut pati gjithashtu humbje të mëdha. Kim Il Sung vdiq në vitin 1994, duke ia lënë pushtetin djalit të tij, Kim Jong Il. Në Korenë e Veriut u mbajtën 3 vjet zi për vdekjen e diktatorit.

King Leopold II (belg)
King Leopold II (belg)

King Leopold II of Belgium
Mbreti Leopold II i Belgjikës, i cili u vendos si sovran i Kongos në vitin 1885, akuzohet për vrasjen e 15 milionë kongolezëve. Monarku i Belgjikës, duke shtuar skllavërinë në Kongo, provokoi revolta të shumta të fiseve kongoleze, të cilat u shtypën me ashpërsi. Vendosja e monopolit të shtetit mbi kauçukun dhe fildishin, i shtonte nevojat për të rritur numrin e skllevërve. Mbreti Leopold II urdhëroi forcat e rendit të detyronin me forcë kongolezët t’u bindeshin kërkesave të tij. Fshatra u dogjën, burra, gra dhe fëmijë u masakruan ose u detyruan të bëheshin skllevër. Për të verifikuar suksesin e patrullimit, forcat e rendit u urdhëruan që të sillnin dorën e djathtë të viktimës për çdo plumb të qëlluar. Ushtarët detyroheshin të prisnin duart e njerëzve të gjallë për të justifikuar çdo plumb të shkuar dëm.

MaoTseTung (kinez)
Mao Tse Tung (kinez)

Mao Tse-Tung
Pseudonimi i tij ishte “Timonieri i madh” dhe cilësohet si shprehja më e lartë e marksizmit. Kreu i Kinës, Mao Tse-Tung akuzohet se është përgjegjës për vdekjen e 14-20 milionë njerëzve nga uria gjatë “Kapërcimit të madh përpara”. Plus këtyre, shtohen edhe dhjetëra mijëra të vrarë dhe miliona jetë të shkatërruara gjatë “Revolucionit Kulturor”. Mao Tse Tung, një nga diktatorët më të mëdhenj në botë, u vendos në krye të Kinës më 1 tetor të vitit 1949. Një ndër ndërmarrjet e tij ishte dhe “Kapërcimi i madh përpara”, një iniciativë që i shpërndante të gjithë intelektualët e punëtorët, për të punuar në fshatra, fabrika e miniera. Shkurtimet e ushqimeve dhe rezultatet e ulëta në prodhim, shkaktoi demoralizimin i punëtorëve. Sipas të dhënave, nga viti 1958-1961, 14-20 milionë njerëz vdiqën nga uria. Pas këtij dështimi, Mao jep dorëheqjen si kryetar i Republikës Popullore të Kinës, por qëndroi në pozita të larta në kupolë. Mao Tse-Tungu vdiq në moshën 82-vjeçare, në vitin 1976.

Ne Win (birmanez)
Ne Win (birmanez)

Ne Win
“Babai i madh” erdhi në pushtet në vitin 1962 me anë të një grushti shteti. Kreu i Burmës e mbajti regjimin e tij diktatorial deri në vitin 1988. Rreth 3-10 mijë të vrarë janë regjistruar në të ashtuquajturën “Demokracia e Pranverës”, protesta të mëdha të drejtuara nga studentë ndaj regjimit militar. Protestat nisën pas vendimit të Ne Win-it për të riqarkulluar kartëmonedha, të cilat përpjesëtohen me numrin nëntë. Win, i cili ishte i fiksuar pas miteve dhe numerologjisë, e konsideronte 9-n si numër me fat, por pa u shqetësuar se kjo “profeci” do t’u hiqte vlerën kursimeve të shumë njerëzve, aq më tepër që s’do të kishte asnjë kompensim. Regjimi u përgjigjet protestave duke hapur zjarr dhe duke vrarë mijra demonstrues. Win rrëzohet nga pushteti në vitin 1988. 10 vjet më vonë vdes në moshën 92-vjeçare në gjendje arresti shtëpiak.

Nikolae Ceausescu (rumun)
Nikolae Ceausescu (rumun)

Nicolae Andruta Ceausescu
Ceausescu mund të kishte qenë një hero, por në historinë botërore u fut në listën e diktatorëve më të mëdhenj të shekullit të 20-të. I quajtur “Gjeniu i Karpateve”, kreu i Rumanisë akuzohet për vrasjen e rreth 5 mijë njerëzve gjatë revolucionit të vitit 1989 që e përmbysi Ceausescu-n. Ndërkohë në listën e vrasjeve shtohen edhe me mijra vdekje gjatë viteve’80, të shkaktuara nga privimet e regjimit, të cilin ai drejtoi. Ai ishte president i Rumanisë dhe kreu i Partisë Komuniste. Në vitin 1989, pasi u rrëzua nga kreu i shtetit, Ceausescu u dënua për krime në masë dhe u ekzekutua së bashku me bashkëshorten e tij.

Pol Pot (kamboxhian)
Pol Pot (kamboxhian)

Pol Pot
Pol Pot ishte drejtues i Partisë komuniste në Kamboxhia (Khmer Rouge) dhe kryeministër nga viti 1976-1979. Gjatë kohës së regjimit të tij diktatorial janë vrarë mbi 3 milionë kamboxhianë. Sapo erdhi në pushtet, Pol Ploti deklaroi “Vitin Zero”, dhe drejtoi një program të pamëshirshëm të “purifikimit” të shoqërisë kamboxhiane nga kapitalizmi, kultura perëndimore, feja, etj. Me mijëra vetë u ekzekutuan. Sipas të dhënave, në një qendër ku mbaheshin njerëz të arrestuar, janë torturuar dhe ekzekutuar rreth 15 mijë “elementë antiparti”, ku përfshiheshin edhe gra e fëmijë. Të paktën edhe 20 qendra të tilla operonin në vend në atë kohë. Kulmi i regjimit arriti në vitet ’77-’78, kur Pol Pot nisi një fushatë gjakderdhjeje kundër “armiqve të fshehur”. Të paktën 200 mijë vetë janë ekzekutuar në atë kohë.

Yasuhiko Asaka (japonez)
Yasuhiko Asaka (japonez)

Prince Yasuhiko Asaka
Ai cilësohet si orkestruesi i masakrës së Nanjing, ku u vranë 200-350 mijë civilë kinezë dhe ushtarë të dorëzuar. Robërit kinezë u torturuan, u dogjën të gjallë, u vranë me bajoneta në formë masive. Maskara ndodhi në vitin 1937, gjatë luftës së dytë kino-japoneze. Anëtari i familjes mbretërore, në atë kohë ishte komandant i forcave japoneze. Pas masakrës ai u thirr në Tokio, por nuk u ndëshkua. Në vitin 1938, mbreti Hirohito e emëroi Asakën në Këshillin Suprem të Luftës. Megjithëse në vitin 1946, në Tokio u bë gjyqi për krimet e luftës, dhe dy funksionarë u pushkatuan për masakrën e Nanjing, Asaka vetëm sa u pyet për përfshirjen e tij në këtë ngjarje, por nuk u gjykua, pasi kishte imunitet si anëtar i familjes mbretërore.

Radovan Karadziç (serb)
Radovan Karadziç (serb)

Radovan Karadziç
Politikani serbo-boshnjak është akuzuar për vrasjen e 20 mijë njerëzve gjatë luftës në Bosnje- Hercegovinë në vitet 1992-1995. I shpallur president i Republikës Serbe të Bosnje-Hercegovinës në vitin 1992, Radovan Karadziç akuzohet se ka urdhëruar gjatë luftës së Bosnje- Hercegovinës spastrimin etnik të myslimanëve boshnjakë. Në vitin 1996, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e akuzoi Radovan Karadziçin për krime lufte dhe gjenocid ndaj myslimanëve të Bosnjës dhe popullsisë kroate. Ai tani po gjykohet nga Gjykata e Hagës për krime ndaj njerëzimit.

Rafael Trujillo (domenikan)
Rafael Trujillo (domenikan)

Rafael Trujillo
President i Republikës Domenikane nga viti 1930 deri në vitin 1961, Trujillo akuzohet për vrasjen e rreth 20 mijë haitianëve në vitin 1937. Kësaj i shtohet edhe një listë e madhe e disidentëve domenikianë dhe figura të opozitës, të vrarë gjatë regjimit të tij 31-vjeçar. Masakra e vitit ‘1937 filloi pas kapjes dhe ekzekutimit të disa agjentëve domenikianë në Haiti. Trujillo e përdori këtë si justifikim për të përforcuar vijën kufitare me Haitin dhe për të spastruar Republikën Domenikane nga haitianët. Rreth 200 mijë civilë të paarmatosur u vranë. Viktimat u identifikuan, pasi iu kërkua të shqiptonin fjalën “majdanoz”, për t’u dalluar nga theksi nëse ishin haitianë apo jo. Masakra u quajt “El Corte” (Prerja). Trujillo në një fjalim e përshkruan masakrën si një sfidë për haitianët, që i karakterizon si një racë inferiore, e cila për shkak të superioritetit të saj në numër, ka dominuar dhe poshtëruar domenikianët për më shumë se një shekull.

Ratko Mlladiç (serb)
Ratko Mlladiç (serb)

Ratko Mladiç
Gjenerali serbo-boshnjak Ratko Mladiç është ndoshta ndër vrasësit më të fundit të shekullit të XX. Ai është akuzuar për vrasjen e 8100 myslimanëve boshnjakë gjatë luftës në Bosnje-Hercegovinë në vitet 1992-1995, si dhe 10 mijë boshnjakëve të tjerë. I arsimuar në akademinë ushtarake në Jugosllavi në vitet ’60, Mladiç i ngjiti shumë shpejt shkallët e karrierës ushtarake. Në vitin 1992, ai emërohet komandant i ushtrisë serbo-boshnjake të Republikës Serbe të Bosnje-Hercegovinës. Ai është akuzuar edhe për masakrën e Srebrenicës, një nga më të mëdhatë e ndodhura në Europë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1996, ai u akuzua nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krime kundër njerëzimit. U arrestua para disa viteve dhe tani është duke u hetuar.

Sadam Hussein (iraken)
Sadam Hussein (iraken)

Sadam Husein
Ish-diktatori irakian është cilësuar si një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të kaluar. Ai është akuzuar se gjatë regjimit diktatorial në Irak ka vrarë me mijra njerëz, ndër ta shumë kurdë dhe shiitë. Sadam Hysein erdhi në fuqi në vitin 1979 dhe qëndroi në pushtet deri në vitin 2003 kur forcat ushtarake anglo-amerikane rrëzuan regjimin e tij. Gjatë regjimit të tij diktatorial, Sadami eliminoi të gjithë kundërshtarët e tij politikë dhe e drejtoi vendin në mënyrë të egër, duke ndjekur një politikë shfarosëse kundër kurdëve që banonin në Irak dhe fiseve shiite. U arrestua në 13 dhjetor 2003, dhe pas një procesi gjyqësor u dënua me vdekje. Ekzekutimi i tij u krye më 30 dhjetor 2006.

Sllobodan Miloseviç (serb)
Sllobodan Miloseviç (serb)

Sllobodan Millosheviç
I quajtur ndryshe edhe “Kasapi i Ballkanit”, Sllobodan Millosheviç është përgjegjës për vrasjen e 230 mijë njerëzve dhe shpërnguljen e nga trojet e tyre e 3 milionë të tjerëve. Në vitin 1989, Millosheviç merr postin e Presidentit të Republikës së Serbisë, të cilin e mban deri në vitin 1997. Nga 1997 deri në vitin 2000 ai zgjidhet president i Republikës Federale të Jugosllavisë. Millosheviçi u akuzua për krime kundër njerëzimit për operacionet e ushtrisë jugosllave në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë. Millosheviçi u gjet i vdekur në qelinë e tij në Hagë, më 11 mars 2006, disa muaj para se të përfundonte gjykimi i tij në Hagë.
(Marrë nga Tirana Observer)

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.