Kalaja e Gravës o e Qestoratës në mëshirë të fatit…
nga Genc Hoti
Kush ka bërë rrugën nga Bistrica drejt Konispolit, nga rruga e re, patjetër që ka kaluar mes për mes fshatit Livadhja. Në mes të fshatit gjendet Katedralja Orthodokse e Shën Kozmait dhe majtas një rruge që të çon në thellësi të fshatrave kufitare të asaj ane. Të jeni të sigurt që pasi keni parakaluar rrugën me asfalt sytë do t’ju shohin një panoramë sa fantastike dhe aq të panjohur ku klima, begatia biologjike dhe pasurite historike të lenë pa mend. Banorët e konsiderojnë atë vend si parajsa e jetës së tyre ku bollëku ekonomik krijohet me pak punë të lidhur me bujqësinë dhe blegtorinë. Ajo që më ra në sy, edhe pse kisha punuar për disa vjet në rrethinat e Sarandës nuk e dija, ishte një kështjellë mesjetare me sipërfaqe rreth 1000 metra katrorë e pa mirëmbajtur, por që kishte një çudi: nuk kishte asnjë shenjë të pasurisë kombëtare si “Monument kulture”!!
Banorët e atyre anëve pretendonin se kjo kala nuk njihej nga historia. Ajo ndodhej midis fshatrave Gravë dhe Qestoratë dhe banorët e tyre kishin qejf ta quanin Kalaja e Gravës ose Kalaja e Qestoratës. Pamjet që shihni janë të lidhura me eksplorimin e kësaj kalaje, që sipas mendimit të ndokujt duhet të jetë e periudhës së kryqëzatave ose asaj venedikase…
Unë mendoj se duke qenë mjaft thellësi të nga deti, rreth 25 km në verilindje të Livadhjasë, për të qenë venedikase dhe ndërtimi i saj ishte me gurë të latuar të ngjitura me llaç. Banorët e zonës me hamendje thonin se duhet të jetë rreth 500 vjeçare. Kulla që shihet ishte tre kateshe. Unë them se duhet të jetë otomane, që mund të ketë funksionuar edhe si qendër administative për mbledhjen e taksave.
Kalaja në fjalë është me dy kulla në juglindje me përmasa 5×5 metra njëra tre katëshe pasi kishte shkallë të jashtme që lidhnin katet me ambjentin e jashtëm; ndërsa tjetra i kishte gjurmët e dy kateve dhe nuk dallohej shtesë kati! Ishte e shtruar me kalldrëm dhe përdorej nga vendasit si vend për blegtorinë. Kishte tre dyer në tre anët e tjera në raport me kullat ku dy ishin përballë njëra-tjetrës, ndërsa një derë përballë kullave në krah të djathtë. Muret duhet të kenë qenë më të larta, sepse në mes të kalasë ishte një kodër që rrethohej me mbeturina ndërtimesh (themelet e tyre dalloheshin qartë). E gjithë kalaja duhet të ketë pasur dy mure rrethuese me distancë 50-80 metra nga kalaja, që pak a shumë rrethonin gjithë kodrën, e cila në krahun verior lidhej me vargun e kodrave që vazhdonin nga fshati Gravë. Pikërisht në qafën që lidhte kalanë me rreshtin e kodrave ishin vendosur stanet me bagëti që e kontrollonin pothuajse gjithë kalanë nga jashtë dhe nga brenda. Kam bindjen që blegtorët e kishin kthyer kalanë në një objekt përdorimi të interesave të tyre.
Simbas meje tepër trishtues është që kjo vepër historike nuk kishte logon “Monument Kulture – Mbrohet nga Shteti”, sepse mbasi kontrollova në Wikipedia lexova se “ka pasur katër kulla”, dmth shumë vonë paskan filluar me e shkatërrue. (sot vetëm dy ekzistojnë) Mbasi kështu ka ndodhur edhe me Kalanë e Dajtit ku tre kullat u zhdukën brenda dy vitesh…
.
Marrë nga muri i Fb i Genc Hotit, 12 korrik 2021