back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Çfarë prindi je ti…?! . nga Emin Azemi

Gazeta

Dilemat e jetës
Dilemat e jetës

Çfarë prindi je ti…?!

nga Emin Azemi

Çfarë prindi je ti, kur fëmijës tënd nuk mund t’i dalësh zot, nuk mund t’i sigurosh mbështetje për të ardhmen e tij… Ai, një mbrëmje gushti ta zë frymën me një lamtumirë të gurtë dhe merr me vete gjithë peshën e zhgënjimit, pas pritjes disavjeçare për t’u punësuar këtu në vendlindje, e cila ngadalë por sigurt, po bëhet vendshpërngulje! 
Vendlindja tash e tutje do të përdoret vetëm për skena dasmash gjatë muajve të verës, dhe për disa fotografi që do të futen në kornizat e kujtimeve të vrara, kurse në vjeshtë dhe në dimër do të numrohen në gishtat e dorës oxhaqet e shtëpive që do të nxjerrin tym… Mbi çatitë e tyre vetëm kukuvajkat do ta këndojnë baladën e dhimbshme të ndarjes dhe përmallimit…
Një ditë edhe mua këmbëkryq mund të më gjeni të strukur në ndonjë varg të këtyre baladave, me shikim nga rruga e gjatë e ikjes së fëmijëve tanë, të cilët na u rritën para kohe me gajlet që t’i sjell papunësia e mjerimi…
Çfarë prindi je ti që e lejon fëmijën të braktisë shtëpinë dhe të shkojë dikund në fund të botës, pa asnjë adresë se ku do të ngrysë natën… ku do ta zbardhë ditën… Ai ikë pezmatueshëm me gjithë peshën e akuzës ndaj teje si prind se pse nuk u bëre edhe pak më lojal ndaj partisë… Mbase “diploma” e quajtur lojalitet do të kishte mundur të ma zbrapste fëmijën nga udha e poshtër e mërgimit… Kush e di…. mbase…?!
Çfarë prindi je ti që lotët i fsheh nga nipi i vogël, i cili mendon se babai i tij do të kthehet shpejt posa t’ia blejë lodrën e preferuar… Por, ai nuk e di se babai i tij nuk do të kthehet shpejt… Ai nuk e di se mjeshtria e lojalitetit ndaj partisë është e lindur, e jo e mësuar…. Ai nuk e di, prandaj edhe më pyet, se pse m’u kanë lagur sytë. Më bën edhe pyetje të tjera, por unë bëhem sikur nuk po e dëgjoj mirë… por sërish nga ai fshehem që të derdh lotët e zhgënjimit e trishtimit në një skutë të oborrit të lënë shkret nga mungesa e birit tim… 
Nipi i vogël mendon se vetëm të vegjëlit qajnë, por nesër kur të rritet do t’i kujtohet skena e një qyqani kinse prind, teksa po luftonte me ndjenjat e veta të trazuara nga përplasja e derës para hundës që ta dhuron biri yt pas pritjeve disavjeçare për punësim këtu në vendlindje…
Sa i paaftë dhe i mjerë ndjehet njeriu para fëmijës që të lë pa tekst kur i kërkon të mos ikë jashtë… Me se ta joshësh atë, çka t’i thuash, çka t’i premtosh… Apo, sërish ta gënjesh se në stinën e ardhshme të mashtrimeve do të tentosh të bëhesh lojal ndaj partisë… Sërish ta gënjesh se e ke njëfarë kinse miku në parti, i cili të ka premtu se do ta punësojë birin tënd… Por, shumë vonë do ta kuptosh se premtimi i tij paska qenë një lojë që dinë ta luajnë vetëm ata që para se të ta punësojnë birin tënd, kishin punësuar gjithë farefisin e tyre dhe tani në listë të pritjes për t’u punësuar iu kishin mbetur vetëm pulat, macat, qenushët e shtëpisë!
Çfarë hamam prindi je ti….??!!

Marre nga muri i fb i Emin Azemi, 10 gusht 2021

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.