Mbi unjisimin e gjuhës…
Pjesë e shkrimit të At Giuseppe Valentini
Marrë prej “Koha Jone” Paris – Vj 16. Nr. 4-6 Viti 1977
.
…Rragata e gjuhës, e veças ajo e gjuhës së njëjtë për gjithë Shqipënin, asht rragatë e vjetër, e ndërlikueme e e bamun e pazgillshme e deri sot e pazgillun pse e përzieme me kujdesë politike. Mue s’më përket me u dhanë shqiptarve e këshille politike, veç si historianë e si studiues giuhnash mund të vërej se nji njësi gjuhsore mund të jetë argument politik i mire i njisisë kombtare, po kje giuha nji veti, kur përkundra, për aresyena politike, giuha unisohet me dekret, nuk vlen asnji solde për atë qëllim politik qi dekreti synon. E arsyeshme ka kenë lëvizja e tash 70 vjetve qi desht unjisimin e gjuhës për aresyena politike kundra shpifjes së kojshive qi mohojshin njisin e Shqipënin tue thanë se Shqiptarët as e kanë nji giuhë të përbashktë. Por sot aresyena të tilla nuk i vet ma kush. Gjithkush e pranon se nji komb asht Franca me gjithë “langue d’oc”, me gjithë “basques”, me gjithë “bretons” qi flasin giuhën e tyne me qinda mijash, e lene ma Zvicera me kater giuhe e po’ aq kombe. E po’ Shtetet e Bashkueme t’Amerikës, e ma tepër ehde Rusia e Kina? A dro malazezt kanë me thanë se Shkodranët jane shkje pse flasin gegnisht, a por Grekët se Korçarët janë grekë pse flasin tosknisht? E vetmja rrugë për t’u rrahë me anë të giuhës, për me pohue dinjitetin kombtar asht ajo e prodhimit të veprave me volere të naltë letrare. Çudë si nji shtet qi i thotë vedit “Republikë Popullore” nuk e di se nji letërsi përnjimend e gjallë do të mbajë përherë lidhunì me giuhën e natyrshme të popullit e jo aq me atë të burokracisë kjoftë kjo edhe burokracija e arsimit, a por me abstraktizmet e shkencës o të teknikës. Për këtë arsye, në mos tjetër, do të lehet qi toskët të flasin tosknisht e gegët gegnisht. Gjithashtu edhe të shkruejnë. Ndryshej do të thohet se jo veç letërsi gege zamadhe e bujare, por edhe gegnishtja mbaruen kah gjysa e këtij shekulli, ma tepër se vetë toskërishtja u bastardhue e u prish qysh se filluen gegët me e përçapë ne e veten! Kjo mund të shifet kjartë edhe tash kur filluen kosovarët me shkrue, rrezikzezët, me nji fare tosknishtje magjypsh!
.
.
Kaq asht e vërtetë kjo teori, sa sot përhapet anë e kand në botë lëvizja për “pshtimin e kulturave të kërcënueme” nën mbrojtjen e UNESCO-s. E do mbajtë parasysh edhe se nji letërsi fisnike me rrajë, do të mbajë edhe lidhuni me të kaluemen e vet, ndryshej e han dreqi, dmth, nuk asht ma në gjendje me i njehë kavaljetet e veta porsi kaptina të historisë së vet porsi brezni të fisit, veprat e të parvet s’ka me kenë kush që i kupton në thalb, e shpirti i kombit bahet abstrakcjon e jo gjà gjith herë e gjallë ndër të njajtat shprehje.
Për këtë arësye druè edhe se ndryshimet è bame arbitrarisht në morfologji, në fonetike e në orthografi mos janë fika e sa vlernave të veçanta të shqipes. Kundrejt këtyne jam i sigurt se Dom Ndre Mjeda kaq i naltuem prej diktatorvet e të soçem do t’i mallkojë prej vorri.
.
Marrë nga vëllimi i dytë Plejad prej “At Giuseppe (Zef) Valentini”
.