back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Në vend të një requiem për Kolec Çefën! – nga Dom Gjergj Meta

Gazeta

Kolec Cefa (1937-2021)
Kolec Cefa (1937-2021)

Në vend të një requiem për Kolec Çefën!

nga Dom Gjergj Meta

Kolec Çefa paska vdekë! Paska vdekë një burrë i vyer!
Lajmin ma dha Klaudia Bumçi e Radio Vatikanit. Më erdhi keq, por më shumë turp nga vetja që Koleci jo vetëm ka vdekë, por tashma edhe qenka varrosur në Shkodër e nuk kam qenë për me i thanë dy uratë e me ia hedhë një grusht dhè. 
Për ma shumë asnjë rresht nekrologji apo një kronikë sado të vogël lajmesh, së paku në tv lokale të Shkodrës, për një njeri i cili ia kushtoi jetën e tij arsimit dhe kulturës, punoi me Mons. Frano Illinë, botoi libra e shkrime duke lartësu punën dhe rezistencën e klerit në Shqipëri, na dhuroi tekste kritike dhe dokumenta të panjohur për Fishtën, shkrime të shumta, përmbledhë në vëllimin “Kur e vërteta flet ndryshe” botuar në vitin 2010. Koleci nuk mund të ikte kështu, anonim. Nuk e meritonte. 
Koleci u lind në Shkodër me 26 shkurt të vitit 1937 prej Tefës e Rozës. Punoi mësues në Pukë e në Katunde të Shkodrës ku e kujtojnë me shumë respekt.

Intelektuale Shkodrane midis te cileve, Willy Kamsi, Zef Zorba, Kolec Cefa, Ndreke Luca e tjere
Intelektuale Shkodrane midis te cileve, Willy Kamsi, Zef Zorba, Kolec Cefa, Ndreke Luca e tjere

Kolecin e kam njohur personalisht në Tiranë kur kam qenë prift krejt i ri në Katedralen e Tiranës. Aty vinte në meshë për çdo ditë diele. U bëmë miq e shkoja shpesh ta takoja te shtëpia e tij. Një burrë i urtë e i shtruar, energjik në biseda, plot dije e kujtesë historike, një katolik i devotshëm. Kishte zgjedhur të jetonte i pamartuar, por i përkushtuar ndaj kulturës dhe historisë, sidomos për pjesën veriore e veçanërisht për Shkodrën që nuk e hiqte nga goja. 
Vitet kalonin e unë lëviza për misione të tjera, por sa herë qëllonte puna në Tiranë ne shiheshim e bisedonim, edhe pse shkurt, në shkallët e Katedrales së Shën Palit. 
Trupi i tij i gjatë, flokët e bardha dhe biseda e shtruar e bënin Kolecin një burrë dhe bashkëbisedues të këndshëm. 
Kishte gjithmonë diçka për të thënë. Kishte njohur pothuajse të gjithë meshtarët e vrarë apo të burgosur e mund të fliste për secilin prej tyre. U kushtoi shkrime e jetshkrime, përderi edhe Marie Tucit të stigmatineve. Me gegnishten e tij shkodrane Koleci dëgjohej pa t’u bërë i mërzitshëm. 
Kohët e fundit nuk e kisha parë më e as kisha dëgjuar për të. Sigurisht vdekja vjen një ditë për të gjithë e nuk mund të bëjmë tjetër veçse t’i përgatitemi asaj sa më mirë të jetë e mundur. Koleci me siguri, me fenë e gjallë që ka pasur, i është përgatitë asaj. Vdekjen ia kemi hak Zotit, por anonimatin nuk mund t’ia lejojmë vetes, sidomos për njerëz si Kolec Çefa që i kanë dhënë diçka vendit, shoqërisë, historisë dhe kulturës. E Koleci i ka dhënë edhe Kishës. 
Pushofsh në paqe Kolec e na fal që vetëm tash u kujtuam për ty. Fale edhe Shkodrën që aq shumë e deshe, por që ndoshta e hutuar nga jeta e zymtë e këtyre kohëve, nuk u kujtua për një bir të sajin të devotshëm. 
Krishti të pastë në parriz Kolec!
+ D. Gjergj Meta

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.