back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Udhëtimi drejt origjinës – nga Lindita Komani

Gazeta

Lindita Komani
Lindita Komani

Udhëtimi drejt origjinës 

nga Lindita Komani

Udhëtimi im i parë në origjinë për mua ka qenë ndër më interesantët e të rëndësishmit, ndoshta për arsyen e thjeshtë se ka qenë i larmishëm, i shtrirë në disa treva dhe i shtrirë në kohë – secila prej etapave të tij ka ndodhur atëherë kur koha ishte pjekur për të. 
Ai ka nisur që me vajtjen e parë në Berat kur isha fëmijë, ka vijuar me Gjakovën pas luftës në Kosovë, kur na u bë i mundshëm udhëtimi i lirë, më tej me Trenin në Devoll dhe përfundoi këtë vit me dy udhëtime të paparashikuara, në Janinë dhe në Koman. Sot që kam ditëlindjen jam e lumtur që këtë udhëtim të parë që zgjati mbi tridhjetë vjet mund ta quaj të përfunduar. 
 .
Liqeni i Komanit - Gusht 2021
Liqeni i Komanit – Gusht 2021

***

Për në Koman u nisëm nga Shkodra në mëngjesin e datës 1 Gusht. Synimin e kishim të kapnim tragetin që bën udhëtimin në kanionet e Drinit apo liqenit të Komanit. Rruga nuk ishte e lehtë për një veturë. Gjarpërushe dhe vende-vende e paasfaltuar, ajo shtrihej në brezin e pishave dhe ofronte pamje të bukur e aromë të mirë. Makinat që lëviznin në të njëjtin drejtim ishin të shumta, përfshi autobuzë të cilët si më të sprovuarit në këtë rrugë të përditshme guxonin dhe parakalonin. Arritëm në kohë për ta parë tragetin sesi po nisej. I bëmë mirupafshim pasagjerëve. Disa burra që punonin aty në port na ofruan të na çonin me motoskaf dhe të ngjiteshim në rrugë e sipër, por trageti ishte stërplot dhe nuk e shtymë fatin. 
Ç’të bënim? Të njëjtët burra që u ofruan të na ndihmonin, na sugjeruan udhëtimin tjetër për të cilin nuk ishim as shpirtërisht të përgatitur, për në lumin e Shalës. I njohur dhe promovuar nga vendasit si Te Blinat e Gurit të Lekës dhe nga agjencitë turistike si Tailanda e Shqipërisë apo dhe e Europës, ky destinacion ishte në fakt ai i synuari nga dhjetëra makinat që kishim hasur rrugës. Të huaj me gjuhë, veshje dhe dukje të larmishme nguteshin grupe-grupe drejt varkave 20-30 vendëshe për t’u nisur.
Pamë njëri-tjetrin sa me entuziazëm aq edhe me habi. Vendosëm të niseshim edhe ne.
Përreth një orë e gjysmë lundruam në kanionin e gjelbër që gjelbëronte edhe liqenin. Na përshëndesnin dhe përshëndesnim udhëtarët në varkat e tjera. Nuk di pse njerëzit bëhen më miqësorë në aventurë dhe me t’u kthyer në realitet bëhen prapë indiferentë. Nga një varkë e prenotuar mesa duket për vetëm një familje morëm përshëndetjet më të papritura: katër gra të mbuluara krejtësisht me të zeza e të cilat na shihnin nga hapësira si vizë e çelur tek sytë na përshëndetën me gjeste dhe fjalë bashkë me burrin të cilit i përkisnin. 
Në disa pika gjatë rrugës shiheshin kryqët përcaktues të besimit të banorëve të zonës. Ishin krijuar vendndodhje për të mirëpritur turistë, një resort spikaste veçanërisht mes të tjerëve. 
Aty ku lumi i Shalës bashkohej me Drinin/liqenin ngjyra e ujit befas ndryshoi dhe hymë në përfytyrim. Por sado e sido të përfytyroje, pritshmëritë u tejkaluan në mbërritje. Në hapat e parë nga zbritja nga varka që u sistemua në zallin e bardhë, u hap një pamje si e dalë nga filmi The Beach. Jo se peizazhi ngjan me atë që shihet në film, por çudia në atë që ndien teksa i afrohesh asaj që shihet dhe përjetohet aty m’u duk i njëjtë.
Me qindra të rinj ndodheshin aty. Lëviznin në zall, hynin e dilnin nga lokalet, qëndronin shtrirë për t’u rrezitur dhe… laheshin në lumin brisk të ftohtë e me ngjyrën më të bukur. Për të tjerët ndoshta është thjesht trendi i radhës siç ishte më herët Dhërmiu, Jala, Gjipeja, Kakomeja, Ksamili e sa të tjerë plazhe me ujin me ngjyrë të paharrueshme, unë e përjetova si larje në ujë të bekuar. Një lumë ku të pastrohesh nga e keqja dhe pasojat e saj mbi shpirtin. Trimëria ime në ujin pak më shumë se 10 gradë tejkaloi atë që mendoja se e kisha brenda vetes. Diell, zall, ujë i bekuar, aromë e mirë, zëra dhe gjuhë të shumta, gazmend dhe trimëri, këta ishin përbërësit e ditës.
Dy gra me burkini nuk lodheshin që nuk lodheshin. Dilnin nga uji, ngroheshin dhe hynin përsëri. Burrat e tyre, në pamje nga zona Pakistan apo Indi apo Bangladesh i shihnin nga bregu. Një vajzë nga Kazakistani që e kisha ndeshur më herët në një lokal, ishte po ashtu aty që hynte e dilte.
.
Udhëtim nëpër Lumin e Shalës
Udhëtim nëpër Lumin e Shalës
-Po si e gjete rrugën për në Shalë? – e pyeta me shaka.
-Një shoqe e imja punon në një organizatë ndërkombëtare në Tiranë. Atë vizitova dhe ajo më tha që duhet të vijmë patjetër.
-Po tani si mendon pasi e pe dhe po e përjeton, a duhej të vije patjetër?
-Po, po, është shumë bukur! Jam pa fjalë! – tha vajza.
Me sa duket ata qindra duhet të vinin patjetër dhe shumica e tyre ishin të huaj. Me qindra të tillë udhëtojnë për te Blinat e Gurit të Lekës çdo ditë, gjatë gjithë verës… 
Në orën 16:00 u bë mbledhja e detyruar për kthimin në portin e Komanit. Të rinjtë që ndeshnim na shihnin me habi. Ky vend me sa dukej nuk ishte për prindër të moshuar. Edhe më mirë u ndjeva prej kësaj, krenare për të dy që e përballuan rrugën e lodhshme dhe e shijuan ditën, ndonëse vetëm nga hija e lokalit ku qëndruam. 
Numërova mbi 30 varka që ishin rreshtuar si sardele mbi zall. Sa u bënë mbarë të dilnin me radhë u deshën mbi 30 minuta. Timonieri, i cili më ngjante aq shumë me një aktor të paidenitifikueshëm aty për aty e kishte me ngut dhe na çoi në port me shpejtësinë që stërkalat e ujit që varka ngrinte na u kthyen në një dush freskues përreth një orë. Askush nuk u ankua. Sot që po shkruaj arrita ta identifikoj në kujtesë se me cilin aktor djali timonier ngjante si të ishte i biri identik: Arnold Vosloo të cilin e njohim si Imhotepi tek The Mummy ose si Colonel Cotzee tek Blood Diamonds.
Në zbritje u drejtova të marr ujë tek një frigorifer ku shërbente një djalë që ngjante sikur të ishte i biri identik i Paul Newman. Dy gra para meje, pa pritur për shërbimin e djalit, sulmuan frigoriferin dhe duke mos vënë re nga hapej, po e vandalizonin nga ana tjetër e derës. Djali, në dukje shumë i shqetësuar, ndërhyri dhe u tha që kjo ishte detyra e tij. U zgjati pijet që ato kërkuan në një anglishte arabe, ato paguan dhe teksa ato largoheshin ai tundi kokën në moskuptim.
-Nga vijnë? – e pyeta.
-Nga Egjipti.
-Po si e kanë gjetur rrugën për këtu? A ia vlen që të vijnë?
-Ua ka shtruar i gjati – tha. – Ka bërë reklamë dhe ata si zbresin nga avioni me vrap vijnë këtu. Dhe nuk sjellin asgjë për turizmin. Na blejnë ujë e lëng molle dhe shishet e zbrazura i hedhin kudo.
U ndjeva jo mirë. A thua se nuk mjaftojnë mbeturinat që lëshojnë prej vitesh vendalinjtë. Në hyrje të tunelit qëndron shkruar një thirrje e bukur në shqip dhe anglisht nga një banor i njohur i zonës:
“Ju lutem shijoni këtë vend të zotave si shtëpunë tuaj.
Ju lutem respektojeni dhe mbajeni pastër.
Në parajsë nuk ka mbeturina!”
Sa i përgjigjen asaj thirrjeje? Në liqen shiheshin të lundronin shishe të zbrazura plastike, diku pak e diku më shumë e diku aq sa të dhimbte zemra.
Në kthimin që nuk kishte ngutjen e mëngjesit për të kapur tragetin, dallova se të gjitha tabelat aty ishin në anglisht. Banorët e zonës ishin përshtatur me faktin që shtëpia e zotave që u ka rënë për hise do të mirëpresë në vazhdimësi të huaj.
.
Marrë nga muri i Fb i Lindita Komanit, 31 gusht 2021
.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.