back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Një gur i çmuar në gjerdanin e humorit shkodran…⁠ – Pak rreshta per Paulin Preka nga Ramazan Çeka

Gazeta

Paulin Preka (1935-2021)
Paulin Preka (1935-2021)

Një gur i çmuar në gjerdanin e humorit shkodran

pak rreshta per Paulin Preka nga Ramazan Çeka

Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare, Paulin Preka “Mjeshtër i Madh” i humorit

Paulin Preka ishte ma eleganti ndër humoristat shkodranë.
Batuta e tij ishte ma e lehtë se pupla. Me ballin e gjanë dhe sytë e amël,
skofiar dhe hijelehtë, portreti i tij mbart kuintesencën e racës shqiptare.
Kushdo që kërkon me shijue freskinë mendore, higjienën e shpirtit,
tue ndreqë gabimet përmes të qeshunës, mundet në çdo kohë me ndjekë hitet e tija ndër vite.
Zoti ia lehtësoftë atij shtegtimin e mbramë, si na e lehtësoi ai ne jetën, në kohët ma t’errëta!
Astrit Cani

Paulin Preka dhe Ramazan Ceka
Paulin Preka dhe Ramazan Ceka

Nëqoftëse do të ekzistonte një galeri, jo me piktura e skulptura, por në mënyrë butaforike, ku figurat përfaqësojnë tipa dhe personazhe që shprehin karaktere të cilët duhet të pasqyrojnë jetën njerëzore me të mirat dhe të metat e saj, do të duhej një specialist. Ta dini mirë se ky specialist ishte Paulin Preka. Ky ishte brigadieri, karpentieri, biçiklisti, doktori, muratori, profesori, dashnori, Cuku e Luku, pasaniku e i munduari, fukaraja e deputeti, malësori e fusharaku, intelektuali e i padisiplinuari e çfarë mund t’i kishte shkuar mendja çdo skenaristi e regjisori për t’ia besuar një rol atij. E përsëris edhe një herë, ky ishte aktori Paulin Preka.
E gjen në skeçe, kuplete dhe parodi, me një diksion të pastër që i referohet të folmes tipike shkodrane, me një vesh muzikor të admirushëm, me një plastikë që në fillimet e tia ia favorizonte mosha, si dhe eksperiencën e fituar, duke u radhitur në plejadën e shquar të aktorëve humoristë shkodranë që e pranuan në gjirin e tyre si të barabartë.
Paulin Preka ka lindur në Shkodër më 2.02.1935, në një familje të varfër. Ai kishte edhe një vëlla më të madh dhe dy motra. Puna e lodhshme e të atit, një punëtor shumë i nderuar dhe përkujdesja e jashtëzakonshme e së ëmës, i rritën dhe i edukuan me dashurinë ndaj Zotit, ndaj mëhallës, ndaj vendlindjes, por edhe ndaj integrimit të tyre në vlerat qytetare të Shkodrës dhe që ishin rruga ku Paulini hodhi hapat e parë, i prirur nga talenti i tij për të shkruar biografinë e tij artistike, e cila vite më vonë do ta radhiste në brezin e artë të aktorëve që krijuan një plejadë të papërsëritshme.
Dy fjalë për fillimet e Paulinit:
Në moshën 8 vjeçare, fare i vogël, u bë pjesmarrës në shoqërinë artistike të Kishës Katedrale të qytetit të Shkodrës, e cila aktivizoi fëmijë dhe të rinj, jo vetëm në aktivitetet fetare, por edhe në aktivitete kulturore dhe edukative, ku tematikat i afronin këta fëmijë me kryeveprat e letërsisë botërore të interpretuara në skenat e vogla të qytetit të Shkodrës. Pikërisht në këtë kohë dhe në këtë moshë, daton edhe interpretimi i parë i Paulin Prekës, i cili në melodramën “Shtatë Xhuxhmaxhuxhat”, interpretoi rolin e tij të parë “Knapsi”. Melodrama u pëlqye së tepërmi nga publiku artëdashës shkodran dhe bashkë me bashkëmoshatarin Çesk Jubani u vlerësuan me çmim të parë.
Ky djalë simpatik, i shkathët dhe i zgjuar, e mbi të gjitha i talentuar do të bënte që rreth viteve 1945-1946 në moshën 11 vjeçare, mësuesi Lec Sekuj ta sillte në skenë me dramën “Djemtë e Rrugës Pal”, të shkrimtarit hungarez Ferenz Molnar e cila u interpretua nga nxënësit e shkollës “Pashko Vasa”. Në këtë dramë Paulini interpretoi një ndër rolet kryesore.
Rreth viteve 1947-1948, hapet në Shkodër Shtëpia e Pionierit, ku u formua krahas rretheve të tjera edhe rrethi i teatrit, i cili zhvilloi shumë aktivitete që krijuan një traditë edhe për shumë vite me radhë.
Kështu në vitet ’50 në këtë qendër kulturore u shfaqën tri drama për fëmijë të autorit rus Arkadi Gaidar, ku Paulini në një moshë fare të re shpalosi talentin e tij të lindur.
Janë vitet e para pas Çlirimit të cilët ndikuan edhe në gjendjen ekonomike të familjeve shqiptare, ku shpesh edhe në moshë të re, rinia do të ishte pjesëmarrëse në çdo ndërmarrje ekonomike. Kështu, që në vitin ’52, për këto arsye edhe Paulini në moshën 17 vjeçare filloi punë në një ndërmarje të qytetit të Shkodrës.
Në vitin 1953, falë pasionit dhe vullnetit që e karakterizonte Paulinin, u aktivizua pranë Shtëpisë së Kulturës dhe po në atë kohë nën drejtimin e regjisorit të mirnjohur Andrea Skanjeti, u shfaq e para premierë estrade amatore “Estradë në Penxhere” ku protagonistë ishin Tano Banushi dhe Paulin Preka, të cilët sollën një frymë të re në skenën e teatrit të humorit në qytetin e Shkodrës.
Në vitin 1954, kur sapo ishte kriju “Klubi i Punëtorëve” e ftuan të luante një rol tek drama bullgare “Traktoristët” me regjizore Violeta Sekuj. Me këtë dramë konkuroi në Takimin Zonal të Veriut ku u shpall Laurat i këtij takimi, duke u vlersuar me diplomë nderi për interpretim të lartë artistik.
Në fund të vitit 1954, u mobilizua në shërbimin e detyrueshëm ushtarak ku aktivizohet në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë pranë Esradës së Ushtarit në role të ndryshme si, konferencier, recitues e pse jo edhe si aktor, deri në fund të shërbimit, në vitit 1956.

Paulin Preka mes miqsh artiste
Paulin Preka mes miqsh artiste

Viti 1957, e në vazhdim ishin mjaft të ngarkuar me aktivitete dhe ai edhe pse punonte marangoz në kooperativën e punim drurit, pasditeve aktivizohej në Shtëpinë e Kulturës nën drejtimin e të mirënjohurit Andrea Skanjeti. Atë vit kjo trupë shfaqi dramën “Rinia e Baballarëve”, një dramë që zuri vendin e parë në Lëvizjen Amatore Kombëtare. Në këtë dramë iu besua një rol me peshë mjaft të madhe, të cilin e interpretoi në mënyrë të shkëlqyer.
Trupa teatrore është krijuar që në vitin 1949, por shfaqjet e saja do e gjejnë vehten në kushte komode në kohën kur kjo trupë do të interpretojë në skenën e Teatrit “Migjeni” që deri në ditët tona do të ishte një tempull legjendar i artit dhe i kulturës.
Duhet theksuar se trupa amatore e Shtëpisë së Kulturës, në vitin ’57, vë në skenë një komedi brilante që mirëpritet me duartrokitje në një turne në qytetet kryesore të vendit, duke u bërë kështu bërthama e trupës së ardhshme profesioniste të teatrit “Migjeni” dhe premisa e teatrit të estradës që nuk do të vononte të jepte shfaqet e para në këtë teatër.
Në vitin 1957, qyteti i Shkodrës ka teatrin e vet, një tempull që do të bënte histori në jetën artistike të qytetit, por edhe në rang republike e më gjerë. Ky tempull do të mblidhte në gjirin e tij djemtë dhe vajzat më të talentuar shkodranë, të cilët në atë skenë, në atë sallë dhe para atij publiku artdashës do të bënin shkollën dhe akademinë e tyre. Në këto ambiente, mes gjirit të kësaj trupe u rrit profesionalisht edhe aktori i mirënjohur Paulin Preka, i cili jetën jashtë teatrit e bënte vetëm kur shkonte në shtëpi.
Për rreth 9 vjet që punoi si aktor drame, Paulin Preka interpretoi në disa role kryesore, ndër të cilët mund të veçojmë dramatizimin e romanit “Këneta”, përgatitur dhe vënë në skenë nga regjisori Esat Oktrova, ku Paulini u shqua në këtë shfaqje.
Regjizori i trupës profesioniste, Lec Shllaku e ftoi të interpretonte tek drama “Shtatë Shaljanët” të të madhit Ndrekë Luca në rolin e Abdullahut (birit të vezirit të Shkodrës), dramë që duke u interpretuar nga mjeshtrat aktorë të dramaturgjisë shqiptare, pati një jetëgjatësi të habitshme.
Sipas studiuesit Isa Alibali, në atë kohë u vu në diskutim: ku do të shquhej në të ardhmen Paulini, në teatër apo estradë dhe Paulinin e gjejmë aktor të estradës së sapokrijuar, që me aftësitë e tij rifreskoi këtë gjini, duke u bërë kështu për vite me radhë një ndër interpretuesit më brilant të skenës. Një vit më vonë për arsye të mungesës së materialeve letrare, Paulini provoi për herë të parë t’i vijë në ndihmë trupës së estradës duke shkruar skeçin e tij të parë “Bacë Byreku” i cili u luajt nga mjeshtrat Tano Banushi, Zyli Miloti dhe Jolanda Shala dhe që do ta radhiste më vonë atë edhe në radhën e autorëve humoristë.
Ndër pjesët më brilante të repertorit 40 vjeçar të estradës interpretuar nga Paulin Preka, aktorët e mësipërm, si dhe një brezi më të ri mund të veçojmë: “Fotografi”, “Kola i dritave”, “Familja-A, familja-B”, “Tuçi e Lokja”, “Dasme e Refikut”, “Mini e Minusha”, “Wikend 96-76” etj.
Që nga viti 1967 e deri më sot janë shkruar nga aktori dhe autori Paulin Preka me qindra skeçe, parodi, dialogje e monologje. Materialet e tij janë pëlqyer dhe janë kërkuar e luajtur nga trupat profesioniste të rretheve të ndryshme si ajo e Peshkopisë, Kukësit, Estradës së Ushtarit, Durrësit, Beratit, Elbasanit, Pogradecit si dhe nga lëvizja amatore e qendrave të punës të qytetit të Shkodrës, nga Mirdita, Lezha, Puka etj.
Aftësitë e tija si aktor, por dhe si autor libretesh, deri te gjinitë e vogla të humorit: skeçe, parodi, kuplete, pantonima, monologje e dialogje, grimca humoristike etj., kanë një vazhdimësi deri në këto ditë që po flasim, sepse plotësojnë figurën e këtij artisti të kompletuar si interpretues dhe shkrimtar.
Pas viteve 1990, janë një sërë premierash të shkruara si librete të vëna në skenë, si ajo e të shtunave gazmore në RTSH në vitin 1994, ku spikasin materialet e “Ndihmave humane”, “Liçensa”, “Dasme e Refikut” e mandej në këto vite materiale që kanë mbetur në kujtesen e spektatorëve si “Krapi”, “Kena harru baben”, “Urgjenca”, “Pikniku 1977 e 1997”, materiale në vargje si “Eksodi”, hapja e recitalit të Sandër Ruçit “Çka t’tha?” e shumë e shumë të tjera, si “Operacioni i dajës”, “Udhëtim me mikrobuz” etj.
Në vitin 1998-1999 një mori poezish që janë të arkivuara nga familja, të cilat u transmetuan fillimisht në Radio Klan e mandej edhe në Radio Shkodra të tilla si “Një letër mikut tim”, “Prostitutës”, “Tomasit”, “Shkodër loces”, “Zotni”, “Andërr grash”, “Pensioni” etj.
Paulini i përket dy zhanreve skenike: teatrit të dramës dhe atij të humorit, rreth 9 vite në dramë dhe 37 vite në estradë, karrierë plotësisht e mjaftueshme për të krijuar personalitetin e tij.
Nuk mund të mos mbahen mend nga publiku shkodran interpretimet brilante të Paulinit përkrah gjigandëve të skenës: Tinka Kurti, Roza Xhuxha, Prengë Lëkunda etj. në rolin e Murrashit tek drama “Toka jonë” shkruar nga Kol Jakova, si dhe rolet kryesore tek “Një tragjedi amerikane” shkruar nga Teodor Drajzer, “Familja e peshkatarit” shkruar nga Sulejman Pitarka, “Bileta e lotarisë” shkruar nga Gjergj Vlashi, Niqiforin në komedinë “Shoku Niqifor” shkruar nga Pëllumb Kulla, si dhe freskinë që solli gjatë pjesmarrjes në tri operata.
Paulin Preka me aftësitë e tij doli jashtë kufizimeve konvencionale, si një talent i lindur ai shkëlqeu edhe si aktor i artit të shtatë. Është nëpunës brilant në zgjidhjen e një situate komike tek filmi “Çifti i lumtur” një ndër perlat e kinemasë shqiptare të komedisë për të kapërcyer vite më vonë përsëri në këtë zhanër me komeditë filmike “Pak fresk sonte”.
Paulini nëpërmjet punës së tij intensive, arriti të meritojë nga publiku duartrokitjet dhe simpatinë, ndërsa nga institucionet shtetërore vlerësime të larta.
Në vitin 1974, laurohet me urdhërin “Naim Frashëri i Klasit të III”, në vitin 1980 me urdhërin “Naim Frashëri të Klasit të II”, në vitin 1988 me titullin e Lartë “Artist i Merituar”.
Në vitin 1996, pak muaj përpara se të mbyllte marrëdhëniet e punës me teatrin “Migjeni”, në takimin e trupave Profesioniste në Tiranë, u vlerësua si “Aktori më i mirë i Karrierës”, “Krenaria e qytetit” në vitin 2009 dhe “Nderi i Komunës” Bushat në vitin 2012.
Në qershor të vitit 2018 dekorohet nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Për të ditur diçka më tepër rreth figurës së aktorit të mirënjohur Paulin Preka iu referuam monografisë së “Artistit të Popullit” Tano Banushi ku studiuesi Isa Alibali i kushton një vëmendje të veçantë edhe aktorëve të tjerë pjestarë të trupës profesioniste të qytetit të Shkodrës: “Aktori i mirënjohur Paulin Prenka, e ka filluar punën që në vitin 1958 si aktor i estradës. Në premierën e parë, së bashku me Tanon Banushin, ishin konferencierë të shfaqjes, që luajtën rolin kryesor në suksesin e saj.
Paulin Preka shpejt u bë një partner i denjë për Tano Banushin, mësoi prej tij dhe prej aktorëve të tjerë, shpesh herë duke pasur përparësinë dhe u harmonizua bukur me gjithë kolektivin e aktorëve, ndikoi fuqishëm në rritjen cilësore të estradës jo vetëm me interpetimet brilante, por edhe me shkrimet humoristike shumë të bukura që kanë firmën e tij. Aftësitë e tij erdhën gjithnjë duke u rritur dhe ai shkëlqeu me të gjithë elementët si një aktor brilant, shumë i dashur për spektatorët dhe gjithnjë i pëlqyeshëm dhe i freskët…”
Do të ishte shumë i mangët shkrimi im sikur të mungonin opinionet dhe vlerësimet e një hirësie të nderuar të dramaturgjisë shqiptare, shkrimtarit dhe dramaturgut prof. Fadil Krajës, i cili tha për Paulinin: “Paulin Preka mbetet një ndër ata aktorët nga më të shquarit që shkruan historinë brilante të Teatrit Profesionist “Migjeni” të Shkodrës. Është një ndër figurat më të spikatura dhe më gjurmëlënëse në historinë e estradës Shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Shkodrës në veçanti. Aktor i kompletuar me dhunti të jashtëzakonshme për t’u shquar në të dy planet, në tragjiken dhe komiken, për të luajtur “të mirin” dhe “të keqin” si në dramë, si në komedi, si në filma artistikë të njohur. Aktor me një plastikë për t’u pasë zili, me një zë melodioz baritoni që i bëri popullore e të pashlyer në kujtesë shumë kuplete e parodi. Ashtu si Bik Pepa, ai ishte poet kupletist i shquar, por edhe autor parodishë, skeçesh dhe komedishë me një akt që kujtohen edhe sot. Janë aktuale edhe sot dhe kujtohen skeçi në vargje “Harapi”, apo komedia brilante parodizmi i dramës së njohur “Toka e jonë” të Kol Jakovës, duke i sjellë personazhet në ditët tona të demokracisë.
Largimi i tij jashtë vendit ka lënë një boshllëk të dukshëm në Teatrin “Migjeni” dhe do dekada vitesh të zëvendësohet. Jam krenar që Paulini interpretoi në shumë pjesë të miat, si “Çështja familjare”, “Dopio gjashta” etj. Mbi të gjitha jam krenar që Paulini është ndër miqtë e mi më të mirë!”
Zyliha Miloti: “Mjeshtre e madhe” në një bisedë për Paulinin u shpreh: ”Paulin Preka është një partner shumë i denjë dhe i talentuar, qoftë si aktor, si artist, qoftë si njeri i jashtëzakonshëm dhe një shkrimtar i mrekullueshëm i humorit. Pranë këtij partneri jam ndjerë shumë e sigurt me një vërtetësi të madhe interpretative dhe me një sukses të garantuar nga shfaqja në shfaqje. Tek Paulini kam parë njeriun e sinqertë pa egoizëm si artist dhe shumë i dashur, i komunikueshëm në shoqëri.
Me një aftësi të jashtëzakonshme, i paarritshëm në improvizimin e momenteve të humorit, në shoqëri e tavolinë, që rrallë artistë e kanë.
Më vjen keq për këtë partner i cili më mungon jo vetëm mua por edhe kolegëve të mi, jo vetëm si aktor por edhe si shkrimtar, njeri i cili i mungon shumë skenës shkodrane dhe spektatorit shkodran e shqiptar…”
Paulin Preka me familjen e tij prej vitesh jetoi në Itali, ishte shumë i lumtur së bashku me bashkëshorten e tij Kristinen dhe fëmijët, të cilët kanë krijuar familjet dhe të ardhmen e tyre dhe si trashëgimtarë të familjes Preka bëjnë përpjekje të mbajnë gjallë atë që mund të quhet “Dosja artistike Paulin Preka”, ama, mendoj se kjo dosje faqen e parë dhe faqen e fundit i ka në Shkodër.
Ngushllime familjes, artistëve të Shkodrës e gjithë Shqipërisë për humbjen e njeriut më të çmuar të artit.
Pushofsh në Paqe i Madhi Paulin Preka!
4 Shtator 2021
⁠.
Marrë nga muri i Fb i Ramazan Çekës, 4 shtator 2021

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.