back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Rrahman Parllakut rreth masakrës partizane në Buzëmadhe – Letër nga Remzi Islamaj – partizan, dëshmitar në masakër

Gazeta

21 të pushaktuarit e Masakrës së Buzmëdhes - 28 shtator 1944
21 të pushaktuarit e Masakrës së Buzmëdhes – 28 shtator 1944

Rrahman Parllakut rreth masakrës partizane në Buzëmadhe

Letër nga Remzi Islamaj – partizan, dëshmitar në masakër

Miq, masakra partizane në Buzëmadhe të Kukësit,
është masakër e partizanëve të komanduar nga Shefqet Peçi,
nuk është masakër komuniste se partizanët agresorë nuk ishin komuniste
dhe askush nuk e dinte në atë kohë komunizmin, por siç thotë kënga në Lusën,
ata ishin një “ushtri e paemën, gjysma mashkull e gjysma femën…”
Pa përralla, me shto ujë e shto miell, dëshmitë më tronditëse i ka dhënë
partizani më poshtë, i cili nuk llogarit në politikë, nuk flet për vota,
nuk ka interesa tjera veç të lehtësojë shpirtin e të mund të vdesë…
Rexhep Shahu
Letra botuar te Revista Kulturore ILLZ
Letra botuar te Revista Kulturore ILLZ
I dashur dhe shumë i nderuar Rrahman Parllaku,
Janë shumë arsye që ju drejtohem me këtë letër, nuk është e rëndësishme që t’i rendis, por diçka dua ta përmend.
Kam patur shansin që t’ju njoh që nga fundi i vitit 1942, në Vlorë, atëherë isha i vogël, por pikërisht ajo moshë e dallon më mirë njerzillëkun dhe ëmbëlsinë e njeriut.
Je i dashur tashmë, miku im, dhe i tillë keni mbetur për të gjithë jetën, një pjesë të së cilës kam patur fatin t’ju shoqëroj.
Është kjo arsyeja që të gjithë ju duan dhe ju respektojnë pavarësisht nga orientimi politik.
Para disa kohësh, në një emision televiziv ishit mbledhur në Kukës një grup drejtuesish të krahinës dhe gjatë bisedës dëgjova që Muharrem Bajraktarin e cilësuat si një nga personalitetet më të mëdhaja të asaj krahine.
Edhe unë jam dakort me mendimin tuaj, megjithëse brigada jonë pati humbjet më të mëdha në historinë e saj në këtë zonë, por faji nuk ishte i tyre.
Ajo krahinë ka lindur burra të lavdishëm në historinë e saj dhe kam dëshirë që padyshim t’ju përmend edhe juve midis tyre.
Padyshim e dini mirë historinë e dhimbshme të fshatit Buzëmadhe, por kam dëshirë të përmend edhe një episod që ka lidhje me këtë ngjarje, të cilën e kam përjetuar direkt.
Dy kompanitë, e para dhe e dyta, e batalionit të parë, ndodheshin në Shishtavec, dhe natën që ishte dhënë urdhëri që të ngriheshin të gjithë lumjanët kundër nesh, të dy kompanitë u larguan për një aksion (me ata ishte edhe komisari i batalionit Kadri Hazbiu dhe zëvendësi i tij Et’hem Gjinushi).
Unë edhe sot nuk e di pse u larguan. Në një ndërtesë na lanë 13 partizanë, (siç duket të paaftë për atë aksion) midis tyre isha edhe unë dhe tre shoqe partizane. Na lanë ato armatime që quheshin të rënda dhe një përgjegjës që quhej Dane Derraj.
Aty nga mesi i natës filluan nga jashtë të qëllonin në drejtimin tonë. Ishin shumë. Ne fillimisht u përgjigjem duke qëlluar kot, ndërkohë përgjegjësi ynë zbuloi një mesorie midis dy ndërtesave dhe na urdhëroi të largoheshim duke lënë në vend gjithë armatimet e rënda. Nata ishte plotësisht e errët dhe ne po ecnim ku na çonin këmbët. Afër mëngjesit u ndodhëm në majën e një kodre pas të cilës vazhdonte një pllajë e gjerë.
Të dy kompanitë u kthyen ndërkohë. Fshati i priti me të shtëna që nuk vazhduan gjatë. Ne nuk u kthyem mbrapa. Pasi u hap dita takuam dy blegtorë, djem të rritur, që nuk dinin çfarë kishte ndodhur.
Ju lutem nëse mund të na tregonin rrugën për në Bicaj ku mendonim se ndodhej shtabi i brigadës. Njëri prej tyre e pranoi të na shoqëronte.
U nisëm dhe fshati i parë që hasëm ishte Buzëmadhja, por nuk u futëm në fshat. Vazhduam rrugën që kalonte jashtë fshatit.
Mbasi u larguam nga fshati, qëndruam në një vend (me sa më kujtohet ishte një gurore) dhe po vrojtonim poshtë nesh njerëz të armatosur. Nuk dinim, ishin fshatarë apo partizanë.
Ndërkohë fshatarët që ishin mobilizuar na diktuan, na u afruan dhe na vunë, pa i diktuar, pushkët në trup (ishte e pamundur çdo lloj rezistence), na çarmatosën dhe na çuan në fshat.
Aty u diskutua dhe në fund u vendos të na pushkatonin.
Ndërkohë që një mitroloz u vendos para nesh, ndodhi një çudi.
Një i moshuar, (po nga ky fshat), u vendos midis nesh dhe mitralozit dhe tha: “Jo bre burra, këta nuk do i pushkatoni para se të më pushkatoni mua, sepse këta që ju kapët kaq lehtë ishin në besën e djalit tim”.
Çudia ndodhi dhe ne nuk na pushkatuan. Djali që na shoqëronte ishte vërtetë djali i të moshuarit.
Na futën në një kasolle dhe na ushqyen. Aty na mbajtën dy ditë.
Ndërkohë forcat e të dyja anëve u bashkuan dhe lufta u ashpërsua dhe, (siç ti e di më mirë), u vranë disa partizanë së bashku me komandantin e bataljonit të tretë Hysen Çino.
.
Një shënim nga Masakra e Buzmadhes
Një shënim nga Masakra e Buzmadhes
Pasi mbaroi lufta, një pjesë e batalionit të tretë erdhi në fshat, ne u liruam dhe u nisëm menjëherë në batalionin tonë pa u treguar se ç’na kishte ndodhur.
Ata kishin marrë urdhër, kur të largoheshin nga fshati të merrnin me vete të gjithë meshkujt që ndodheshin në fshat.
Në mos gabohem ishin 23 vetë, midis të cilëve ai i moshuari që na shpëtoi jetën, vëllai i tij dhe i biri që na shoqëroi ne, pra tre vetë nga një familje.
Ata siç dihet u pushkatuan të gjithë dhe kuptohet, familjet e tyre u quajtën armike të pushtetit për afër 40 vjet.
Kjo histori u mbyll, dhe me sa di unë, u quajt si e harruar.
Djali që na shoqëroi ishte i martuar dhe kishte një fëmijë 4 vjeç.
Këto që shkruajta ishin për të bërë lidhjen e asaj që ndodhi në vijim, se ju me siguri i dini më mirë se unë. Se jo vetëm që në këte kohë nuk ishit partizan i thjeshtë por në udhëheqje të brigadës, dhe gjithashtu nga e njëjta krahinë, e cila për mua është nga krahinat më të mrekullueshme të vendit tonë.
Siç e dini, Et’hemi (Goliku) ka qenë deputet i kësaj krahine, mbas 36 vjetësh d.m.th. në vitin 1980 ai djali i vogël ishte bërë 40 vjeç.
Ndodhia që shkruajta më lart në Buzëmadhe nuk ishte harruar dhe ky djalë ishte informuar që gjyshi i tij kishte shpëtuar nga vdekja disa partizanë. Vendosi t’i drejtohet familjes së Et’hemit, aty gjeti Nailen të cilën e pyeti nëse njihte ndonjë nga ata partizanët dhe ajo i dha emrin tim, që në atë kohë banoja në Durrës.
Isha vetëm dhe po lyeja shtëpinë. Ra zilja, i hapa derën dhe më doli përpara një djalë i bukur, i veshur alla lumjançe.
Më pyeti kush jam dhe vazhdoi: Partizan i Brigadës së Pestë?
I thashë: Batalioni i parë, kompania e dytë, ma ktheu ai.
M’u lut në mund t’i tregoja historinë çfarë kishte ndodhur përpara 36 vjetësh në fshatin Buzëmadhe. Ia tregova. Dhe më tha a mund të ma japësh me shkrim. Pse jo, i thashë, kur kjo është një e vërtetë.
Ia shkrova dhe ia dhashë. Diku e ka paraqitur. Ata i kërkuan edhe vërtetimin e firmës time. Erdhi përsëri dhe kur u ndamë më tha do të kem mik në këtë jetë dhe në jetën tjetër.
Pas 8 vitesh erdhi në shtëpinë time së bashku me një mikun e tij. E pyeta nëse i vlejti ai dokument që i dhashë.
Ky miku im është sekretari i organizatës së partisë. Në kushtet e para ai nuk do të vinte me mua. Çeshtja e burrave që humbën jetën në Buzëmadhe është shqyrtuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe ata të gjithë janë quajtur viktima. U bëmë edhe ne qytetarë të këtij vendi si të tjerët. Madje na kanë dhënë dhe një të drejtë studimi në familjen tonë.
Pse e shkrova këtë letër kur shumicën e tyre ju i dinit.
Unë do kisha dëshirë të vija vetë në Shqipëri dhe t’ju takoja, por e kam të pamundur se jam shumë i sëmurë. Kam një thyerje në shtyllën kurrizore që mjekët e këtushëm, për shkak të moshës, nuk më operojnë. Lëviz me shumë vështirësi.
Çdo natë, sa dhe gjumin e kam të vështirë, kujtoj jetën time dhe vazhdimisht kujtoj atë plakun (të tillë mund të formojë vetëm ajo krahinë heroike) që sakrifikoi jetën e tij që neve të jetojmë të gjithë jetën tonë.
Të lutem shumë, bëj një përçapje në të gjitha institucionet që këtij personi t’i njihet një meritë e veçantë që rrallëkush e bën. Ai sigurisht nuk do të ngjallet që ta shijojë këtë nder që i bën atdheu i tij, por do jetë një nder për famijen, për nipërit dhe mbesat e tij dhe për gjithë krahinën e Lumës që rriti një burrë të tillë.
Jam koshient që të kërkosh një detyrë nga një i moshuar si ti është një krim, por këtë mund ta bësh vetëm ti i dashur Rrahman. Edhe po nuk munde, ti për mua mbetesh Rrahmani im i dashur dhe i nderuar.
Të përshëndes dhe të uroj shëndet ty dhe gjithë familjes tënde.
Pragë, 5 Gusht 2017
.
Botuar ne Revisten Illz
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.