back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Abdulrazak Gurnahu – Çmimin Nobel ne Letersi per vitin 2021 nga Alison Floodi

Gazeta

Abdulrazak Gurnahu - Nobel 2021
Abdulrazak Gurnahu – Nobel 2021

Abdulrazak Gurnahu – Çmimin Nobel ne Letersi per vitin 2021

nga Alison Floodi

Romanshkruesi zanzibarian bahet shkrimtari i parë zezak afrikan në 35 vjet që fiton çmimin prestigjioz

7 Tetor 2021 The Guardian
Çmimi Nobel në letërsi iu dha romanshkruesit Abdulrazak Gurnahu, për “depërtimin e tij të pakompromis dhe të bashkëndjemë në efektet e kolonializmit dhe në fatin e refugjatit në hendekun midis kulturave dhe kontinenteve”.
Gurnahu u rrit në një nga ishujt e Zanzibarit para se të ikte nga përndjekja dhe të mbërrinte në Angli si student në vitet ‘60. Ka botu 10 romane, si dhe një numër tregimesh. Anders Olssoni, kryetar i komitetit të Nobelit, tha se romanet e Gurnahut – nga debutimi i tij “Kujtesa e largimit”, rreth një kryengritjeje të dështueme, deri te më e fundit “Përtej-jetët” – “nga përshkrimet stereotipike dhe hapim pamjen tonë kah larmia kulturore e Afrikës Lindore, të panjohun për shumë në pjesë të tjera të botës”.
Asnjë shkrimtar zezak afrikan nuk e ka fitu çmimin që nga Wole Soyinka në vitin 1986. Gurnahu asht shkrimtari i parë zezak që ka fitu këtë çmim që nga Toni Morrisoni në vitin 1993.
Romani i katërt i Gurnahut, “Parajsa”, u përzgjodh për çmimin Booker në 1994, dhe i gjashti, “Buzë detit”, ishte në listë në vitin 2001. Olssoni tha se Parajsa “ka një referencë të qartë për Joseph Conradin në portretizimin e udhëtimit të heroit të ri të pafajshëm, Jusufit, në zemrën e errësirës”.
“[Gurnahu] ka depërtu vazhdimisht dhe me bashkëndjesi të madhe në efektet e kolonializmit në Afrikën Lindore, dhe efektet e tij në jetën e individëve të zhvendosur dhe emigrantë,” u tha Olssoni gazetarëve në Stokholm.
Gurnahu, i cili ishte në kuzhinë kur u informu për çmimin e fituem, tha se besonte se kjo ishte një proçkë.
“Mendova se ishte një shaka,” tha ai. “Këto gjëra, se cilët janë garuesit, zakonisht fliten paraprakisht me javë, ose nganjëherë me muej, kështu që nuk ishte diçka që më shkonte në mendje. Unë thjesht po mendoja, pyesja veten se kush do ta marrë atë çmim?”
“Jam i nderuem që më jepet ky çmim dhe i bashkohem shkrimtarëve që më kanë paraprirë në këtë listë. Asht fantastike dhe ndihem shum krenar”.
Redaktorja e tij për një kohë të gjatë, Alexandra Pringlei në Bloomsbury, tha se fitorja e Gurnahut ishte “ma e merituemja” për një shkrimtar që nuk ka marrë ma parë njohje të duhun.
“Aj asht një nga shkrimtarët ma të mëdhaj të gjallë të Afrikës, dhe askush nuk e ka vu re ndonjëherë. Kjo thjesht më ka mundu shum. Bana një podkast javën e kalueme dhe aty thashë se aj ishte një nga njerëzit që kishte qenë vazhdimisht i shpërfillun. Dhe tash ndodhi kjo,” tha ajo.
Pringlei tha se Gurnahu kishte shkru gjithmonë për shpërnguljen, “por në mënyrat më të bukura dhe përhumbëse për atë se çfarë asht ajo që i ban që njerëzit me u zhvendosë dhe me i hedh ata nëpër kontinente”.
“Nuk asht gjithmonë azilkërkimi, mund të ketë shumë arsye, mundet me qenë zanat, mundet me qenë tregti, mundet me qenë arsim, mundet me qenë dashuni,” tha ajo. “I pari nga romanet e tij që mora në Bloomsbury quhet “Buzë detit” dhe ka këtë imazh shqetësues të një burri në aeroportin Heathrow me një kuti të gdhendur temjani, dhe kjo asht krejt çfarë ka. Aj vjen, dhe e thotë vetëm një fjalë, e kjo asht ‘azil'”.
Pringlei tha se Gurnahu asht një shkrimtar i randësishëm aq sa Chinua Achebeja. “Të shkruemit e tij asht veçanërisht i bukur dhe i randë, e gjithashtu humoristik, i kandshëm dhe i ndjeshëm. Asht shkrimtar i jashtëzakonshëm që shkrun për gjana vërtet të randësishme.”
“Përtej-jetët”, botu vitin e kaluem, tregon historinë e Ilyasit, i cili u rrëmby nga prindët e tij prej trupave koloniale gjermane si djalë dhe u kthy në fshatin e tij pas shumë vitesh luftimi në luftë kundër njerëzve të tij. Aj u përshkru në “Guardian” si “një roman bindës, një që i ban bashkë të gjithë ata që ishin mendu me u harru dhe refuzon me i fshi ata nga kujtesa”.
“Në universin letrar të Gurnahut, gjithçka ndryshon – kujtimet, emnat, identitetet. Kjo ndoshta sepse projekti i tij nuk mund të përfundojë në asnjë kuptim definitiv,” tha Olssoni. “Një hulumtim i pafund i nxitun nga pasioni intelektual asht i pranishëm nëpër gjithë librat e tij, dhe po aq i spikatur tani, në “Përtej-jetët”, ashtu sikur kur filloi të shkrunte si refugjat 21-vjeçar.”
Maya Jaggi, kritike dhe anëtare e jurisë së Çmimit Costa 2021 tha: “Gurnahu, të cilin e intervistova për herë të parë për “Guardian” në vitin 1994, asht një shkrimtar i fuqishëm dhe me nuanca, lirika eliptike e të cilit i kundërvihet heshtjes dhe gënjeshtrave të imponueme të historisë perandorake kur ishte fëmijë në Afrikën Lindore. Vepra e tij delikate asht po aq e fuqishme kur flet për të metat brutale të kulturës tregtare që la si pasojë ajo, siç ishin mizoritë e kolonializmit britanik dhe gjerman, veçanërisht gjatë Luftës së Parë Botërore, dhe “aktet e herëpashershme të terrorit” që ai përjetoi si një person i zi në Britani – tue i shndërru ata në një triumf komik në romanin e tij të vitit 1988, “Udhë pelegrinësh.”

Vepra te Abdulrazak Gurnahut
Vepra te Abdulrazak Gurnahut

Gurnahu leu në 1948, dhe u rrit në Zanzibar. Kur Zanzibari kaloi nëpër periudhën e revolucionit në vitin 1964, qytetarët me origjinë arabe u përndoqën dhe Gurnahu u detyru me u largu nga vendi kur ishte 18 vjeç. Filloi me shkru si refugjat 21-vjeçar në Angli, tue zgjedhë me shkru në gjuhën angleze, edhe pse suahilishten e ka gjuhë amtare. Romani i tij i parë, “Kujtesa e largimit”, u botu në vitin 1987. Deri vonë ka qenë profesor i letërsive angleze dhe postkoloniale në Universitetin e Kentit, deri kur doli në pension.
Me vlerë prej 10 milionë koronash suedeze (840,000), çmimi Nobel për letërsi iu dha shkrimtarit që konsiderohet me qenë, sipas fjalëve të testamentit të Alfred Nobelit, “personi që do të ketë prodhu në fushën e letërsisë veprën ma të shqueme në një drejtim ideal ”. Fituesit sillen që nga Bob Dylani, i cituem për “krijimin e shprehjeve të reja poetike brenda traditës së madhe të kangës amerikane”, deri te Kazuo Ishiguroja “i cili, në romane me forcë të madhe emocionale, ka zbulu humnerën nën ndjenjën tonë iluzore të lidhjes me botën”. Sipas Ellen Mattsonit, e cila ka në vend në Akademinë Suedeze dhe në komitetin e Nobelit: “Meritë letrare. Kjo asht e vetmja gjë që vlen”.
Fituesi i Nobelit zgjidhet nga 18 anëtarët e Akademisë Suedeze – një organizatë e respektueshme dhe misterioze që ka ba përpjekje për me u ba ma transparente pasi u godit nga një skandal abuzimi seksual dhe keqpërdorimi financiar në vitin 2017. Çmimi i vitit të kaluem iu dha poetes amerikane Louise Glücku – një zgjedhje e pakontestueshme pas zhurmës së provokueme nga fitorja e shkrimtarit austriak Peter Handke në vitin 2019. Handkeja kishte mohu gjenocidin e Srebrenicës dhe mori pjesë në funeralin e kriminelit të luftës Slobodan Miloševići.
Çmimi Nobel për letërsinë asht dhanë 118 herë. Vetëm 16 nga çmimet u janë dhanë grave, shtatë prej tyne në shekullin 21. Në vitin 2019, akademia suedeze premtoi se çmimi do të bahej më pak “i orientuem kah mashkujt” dhe “eurocentrikët”, por vazhdoi me i dhanë dy çmimet e saj të radhës dy europianëve, Handkes dhe shkrimtares polake Olga Tokarczukut.

.

Marre nga muri i FB i Agim Morines, 7 tetor 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.