Libri “Kujtimet” e Injac Zamputtit –
Shtepia Botuese “Faik Konica”
Përmbajtja e lëndës së librit “Kujtime” i Injac Zamputit
Parafjala e botuesit – 7
Hyrje – 11
Në moshën e fëmijërisë – 19
Nga adoloshenta në rini – 40
Në moshën e rinisë – 58
Dy portrete në objektivin tim – 73
Atë Gjergj Fishta – 91
Valentini dhe Albanologjia Saveriane – 112
Gjon Kolë Kujxhija – 123
Aorist i shqip – 129
Nisë botimi i njij vepre monumentale albanologjike – 150
Zhgënjime pas zhgënjimesh – 162
Kursivi i im – 235
Rruga e shtrueme me lule për me hymë në ferrin komunist – 237
Nisin mundimet e ferrit – 254
I mbikqyrun, i provokuem, i poshtnuem – 268
Mbi autoktoninë e shqiptarëve në Ballkan nga legjenda në histori – 279
I mbikqyrun, i provokuem, i poshtnuem – 290
Gëzime parrizi në mundimet e ferrit – 298
Çashtje të ndryshme – 337
Lufta ideologjike ndaj meje dhe rrjedhimet e saja – 345
Fletë nga ditari – 354
Koha e pensionit – 364
Prej epilogut në prolog -370
Fletë ditari të papunësisë sime – 372
Pasthënie
Parafjala e Botuesit
Harresa e qëllimtë apo e paqëllimtë mund të shkaktojë hutim për brezat e ardhshëm, nëse nuk dihet se si kanë rrjedhur gjërat gjatë një periudhe të caktuar. Kështu mund të ndodhë edhe me periudhat në të cilat ka jetuar e punuar Injac Zamputti. Jeta e tij ishte e bujshme dhe përjetoi shumë ndryshime historike, para, gjatë e pas Luftës së Parë Botërore, po ashtu edhe me Luftën e Dytë Botërore, jeta e vështirë gjatë komunizmit, por edhe puna aq e frytshme gjatë asaj periudhe.
Vendlindja e tij ishte Shkodra, qytet me të cilin ishte lidhur shumë. Zamputti kishte babain italian, kurse nënën shqiptare.
Zamputti është i njohur për studimet e përkthimet e tij brilante për historinë e letërsinë shqiptare. Nuk ka aspak dyshim se ky emër formoi dhe frymëzoi gjenerata të ndryshme studiuesish të rinj përmes publikimeve të tij. Puna e tij është shumë frytdhënëse për historiografinë shqiptare. E kam cekur edhe më herët se Injac Zamputti është gati “i vetmuar” për historiografinë shqiptare në llojin e punës së tij, sepse mënyra, metoda dhe dija e tij reflektojnë në publikimet e tij edhe sot e tutje.
Vepra që kemi në dorë është tejet e rëndësishme për të kuptuar dhe plotësuar veprat studimore apo përkthimet e Zamputti-t, duke u futur në brendësi të jetës së tij.
Albanisches Institut dhe Shtëpia Botuese “Faik Konica” kanë botuar disa vepra të Zamputti-t dhe kanë marrë përsipër të botojnë veprën “Kujtimet”. Këtë vepër e ka përgatitur në këtë formë Jozef Zamputti, i biri i Injacit. Ky libër është i ndarë në dy pjesë: pjesa e parë është: “Mirazhe – Arritje – Zhgënjime 1910-1944” dhe pjesa e dytë: “E pakryemja sinfoni skëterrore, 1945-1992”. Libri është i pasuruar me shumë fotografi nga jeta dhe familja e Injac Zamputti-t. Albanisches Institut dhe Shtëpia Botuese “Faik Konica” kanë botuar deri më sot disa vepra të Injac Zamputtit, prandaj duam të falënderojmë për bashkëpunimin Nazmi e Arber Rrahmanin. Një falënderim i veçantë duhet shprehur për Zef Ahmetin, për përgatitjen e këtij libri.
Do të vazhdojmë edhe më tutje me botime të Zamputti-t.
Pjesërisht shpenzimet e këtij botimi i mbuloi autori i këtyre rreshtave, si respekt për punën dhe veprën e Injac Zamputti-t.
Albert Ramaj, Zürich 2020
Ky vёllim u pёrgatit pёr shtyp nga i biri i autorit, Jozef Zamputti.
Kёto kujtime, nё formё kronike, autori i ka ndarё nё dy pjesё: “Mirazhe – Arritje – Zhgёnjime” dhe “E pakryemja sinfoni skёterrore”. Pjesën e parë (1910-1944) autori e ka shkruar me gjuhën letrare; kjo sepse është shkruar nga fundi i viteve ‘80. Ndërsa pjesën e dytë (1945-1992) e ka shkruar në fillimet e viteve ’90 dhe është kthyer në dialektin e veriut, doemos mjaft të zbutur. Në fillim po sjellim një përmbledhje të materialeve të gazetës “Panorama” dt. 30.11.2009, të Radio Vatikanit dt. 11.12.2009 dhe një letër (pas vdekjes), për mospranimin e autorit për të bashkëpunuar me Policinë Sekrete (Sigurimin). Në pjesën e dytë autori vetë ka përfshirë një studim të tij me titull “Mbi autoktoninë e shqiptarëve në Ballkan nga legjenda në histori”. Gjatë kujtimeve të pjesës së parë janë shtuar nga ana jonë disa punime të autorit të asaj periudhe që ndihmojnë për të kuptuar e shpjeguar më mirë mendësinë e kohës dhe të autorit. Shёnimet tona do tё jenё me siglёn J.Z.
Jozef Zamputti – Panorama – 30.11.2009
.
“Pranova edhe me vdekë, por kurrsesi të bashkëpunoj me ta”.
…Dikur kam firmosur një dokument pa m’u dridhë dora. U kam thënë “jo” zyrtarëve të sigurimit që deshën me më rekrutue… Pranova me vdekë, por me ra në atë humnerë, kurrsesi. Hijet e asaj mbramje të zezë më ndoqën gjithë jetën…
“Rrëfimi i Injac Zamputtit: Pse kundërshtova të spiunoj Eqrem Çabejn – Kujtimi i atyne çasteve më ban me u dridhë dhe më pengon të them çdo gja me hollësi”.
…Bashkëkohësit e albanologut të njohur pohojnë se regjimi e ka parë me sytë e njerkës… Tërë jetën mbeti në periferinë e vëmendjes së opinionit zyrtar. Miqtë dhe të njohurit e lidhin këtë me origjinën e tij italiane. Por Zamputti nuk mbeti i izoluar vetëm prej saj… Guximi për t’i thënë jo rekrutimit nga sigurimi i shtetit e vuri në shënjestrën e organeve represive. Që këtej mbeti i padëshirueshëm për pushtetin, por jo vetëm kaq.
…Albanologu i njohur nuk duhej të fliste për këtë me askënd. Ndryshe, dihej çfarë e priste. Andaj mbylli gojën dhe vazhdoi punën me vullnet të jashtëzakonshëm.
“Studiuesi”, spiuni i munguar i dosjes “Çabej”
Në dosjen “Çabej” emri i Injac Zamputtit përmendet disa herë. Shënimet e zyrtarëve të sigurimit të destinuara për kapitullin “Bashkëpunëtorë të fshehtë” në të gjitha raste e pranojnë pa mëdyshje: Albanologu nuk pranoi statusin e agjentit… Dueli vazhdoi për disa vite… Në “Kujtimet” e Zamputtit përshkruhet vetëm njeri nga presionet e zyrtarëve të policisë sekrete.
Ndërkaq në dosjen “Çabej” janë regjistruar me dhjetra të tilla që shtrihen në një hark kohor 10 vjeçar. Në të gjitha raportet kur përmendet emri i Zamputtit shprehet “Jo”- ja e prerë përballë presionit të tyre… “Të thirret përsëri”, “Të shtërngohet më fort”, “T’i bëhet presion për familjen” : Këto janë vetëm disa nga detyrat që eksponentët e policisë sekrete kanë lënë në raportet zyrtare me siglën “Tepër sekret”. Kaq e rëndësishme ka qenë si çështje mospërfshirja e Zamputtit, saqë me të është marrë drejtpërdrejt titullari i dikasterit. Në një shënim të tij bëhet i ditur urdhëri që me Zamputtin të angazhohej nga afër zv.ministri Mihallaq Ziçishti. Por edhe angazhimi i numrit dy të sigurimit nuk ndryshoi gjë në sjelljen e studiuesit fisnik.
Radio Vatikani – 11.12.2009
“Ai që nuk pranoi të rekrutohej”
Në dosjen “Çabej” ndeshen një sërë emrash të fshehura pas pseudonimeve të përçudnuara: “Dhelpra”, “Edija”, “Prurësja”, “Gjevreku” etj…
Por nuk munguan Njerëz që, duke vënë në rrezik veten e familjet e tyre, nuk pranuan të zhyteshin në llumin e spiunimit… Nga kjo dosje del në dritë edhe emri i Injac Zamputtit. Ç’do të thoshte të mos pranoje të bëheshe spiun në kohën e diktaturës, kёtё e dinë mirë vetëm ata që, heroikisht, nuk pranuan të bëheshin hafije, duke ia mbyllur vetes të gjitha rrugët, veç asaj që çon drejt Mbretërisë së amshuar. Pikërisht me këtë Mbretëri lidhet letra e mëposhtme shkruar nga i biri i Injacit, Jozefi. Plot me krenari të ligjshme, nis me titullin thellësisht prekës:
Faleminderës, babë!
(Letër mbas vdekjes)
Pas botimit në gazetën “Panorama, e lexon për ne vetë Jozefi: “Po ta shkruej këtë letër në dialektin e dashtun tand (edhe temin) me të cilin linde dhe u rrite. Jam në dhomën ku mbylle sytë për herë të fundit, tashti me kompjuter, ku nuk reshte së rrahuni makinën e shkrimit derisa nuk pate ma forcë e, mbasandej, me dorën që dridhej duke shkrue gjithnji për Shqipninë e Historinё e saj.
M.Në qoftë se ti je duke lexuar këto fjalë që unë po shkruaj për ty, ti tashmë duhet të jesh rritur, duhet të jesh me arësim dhe i ditur, duhet të jesh duke vazhduar ciklin e jetës sate, kurse imi do të ketë mbaruar.
Shkruaj për ty që të të lë jo kujtimin tim, – sepse në qofsh edukuar siç është edukuar biri im, babai yt, ti kujtimin e gjyshit do ta mbash deri në vdekje – por që të të lë diçka të qartë nga mendimet e mija. Dhe do të jem i lumtur në jetën tjetër, që unë vazhdoj ta quaj të vërtetë, nëse do të të ndihmoj ndopak për të kaluar dallgët e jetës, pa u mbytur në to. Shpesh herë unë kam qenë duke u mbytur në dallgët e jetës sime dhe, në qoftë se, do të shpëtoj deri në fund, këtë ia detyroj asaj dore që unë vazhdoj ta quaj hyjnore.
Për presionet për rekrutim nuk na ke folë asnjëherë, për të mos na shqetësue, por i ke mbajtë për vedi. Vonë, shumë vonë, me ardhjen e demokracisë, fillove të më tregosh për atë stuhi që ke kalue. E ke lanë edhe në kujtimet e tua. Gjithnji mendoja: po sikur atë firmë për mosbashkëpunim ta kenë përdorë në kahun e kundërt? Por ja që doli e vërteta. Ata që ta morën firmën e dërguen te shefat e tyne për me tregue se ti nuk rekrutoheshe, nuk mund të baheshe spiun i tyne. Pasojat? Frika e madhe për vedi e për familjen të shoqnoi gjithë jetën. Sapo ndigjoje ndonjë batutë kundra regjimit, qoftë edhe nga pjesëtarët e familjes, e ndaloje bisedën ose dilje në dhomë tjetër.
Ma vonë erdhi stuhia e ’67. Deshën me të fundosë por, siç duket, ndonjë urdhën nga nalt tha: “lereni të punojë”. Dhe ti u zhyte gjithnji e ma thellë në botën e dokumenteve të mesjetës, në botën e Shkrimtarëve të Vjetër, në shoqni me Buzukun, Bogdanin, me relacionet e Budit e Bardhit, me leximet e vështira të mbishkrimeve të vjetra etj. Dhe prej dorës tande dolën shumë punime e, sidomos, 10 vëllime me dokumente të transkriptueme e të përkthyeme, një burim i pashtershëm për Historinë Mesjetës shqiptare.
Doemos, t’i sillnin të tjerët fotokopjet e mikrofilmat nga jashtë e ty, edhepse të ftonin në konferenca të ndryshme, nuk të lanë asnjëherë të dilje nga Shqipnia.Por, për ty, kobi ma i randë ishte mbyllja e kishave, ndalimi i fesë. Nga muret e shtëpisë sonë u hoqën fuguret që u ruejtën në fundet e arkave. Na mësove si me u lutë në heshtje e si me e ba kryqin fshehtas në krahnor.Të lanë gjithë jetën në një shtëpi me katër familje në një korridor me një banjë të përbashkët. Me sa duket që me të kontrollue e me të mbikqyrë ma mirë. Punoje në një tavolinë të vogël, shpesh në prehën, i mbështjellë me një batanije në ditët e ftofta të dimnit. Por, me punën tande e me heshtjen tande, dijte me i përballue dallgët që të vinin nga të gjitha anët. Ishe në një pozicion shumë të vështirë: për “ata” matanë Adriatikut, ti punoje për “këta”, ndërsa për “këta”, ti punoje per “ata”. “Këta” të quejtën edhe “buburecë e zezë e Vatikanit”.
Asnjëherë nuk ta njoftën laurën e Universitetit të Triestes; shkove pa marrë asnjë titull, megjithëse shumica të nderonin me fjalën “profesor”.
Kur erdhi demokracia, kërkove takim dhe u rrëfeve me atin tand shpirtnor Atë Gardinin (që për mrekulli të Zotit ishte ende gjallë) dhe “ata” të besuen (sepse rrëfimi asht i shejtë) se ti nuk ishe përlye asnjëherë. Shpërtheve menjëherë në fillimet e viteve ’90 me dy libra: “Ekskursion në dy vepra të Kadaresë” dhe “Fishta – koha, njeriu, vepra” e me artikuj të tjerë derisa mbylle sytë.
Faleminderës, babë! Këto fjalë i drejtohen edhe nanës sonë të dashtun që dijti me përballue bashkë me ty gjithë këto stuhi e të qëndroi gjithnji pranë. Pushoni në paqë! Na keni lanë pasuninë ma të vlertë: ndershmërinë.
P.S. Këto fjalë mund t’i kishte shkrue secila nga pesë motrat e mija e, ndoshta, edhe ma mirë.
Shtesë e Radio Vatikanit: Duke shfletuar “Komedinë Hyjnore” të Dantes, gjejmë edhe adresën e mundshme, për dërgimin e kësaj letre të jashtëzakonshme: Injac Zamputti, Parriz, Qielli i katërt i Diellit; pranë shpirtnave të ditun (e të pashitun).
Pjesa e parë – Mirazhe – Arritje – Zhgënjime (1910 – 1944)
Hyrje (e Autorit)
Do të përpiqem, pra, të nxjerr nga thellësitë e shpirtit tim ngjarje, fakte dhe njerëz që kanë kaluar pranë meje ose në të cilat e me të cilët kam marrë pjesë drejtpërdrejt në veprim. Do të ndjek metodën e veçantë që i kam caktuar vetes në këto kujtime, dmth: vetja ime, qysh nga fëmijëria deri në pleqëri, të shërbejë jo për të tentuar një autoportret, por për të nxjerrë në dritë vlerat dhe të metat e shoqërisë në gjirin e së cilës u linda, u rrita dhe veprova. Synimi i kësaj metode është që çdo gjë imja, edhe më intimja, të jetë e të dalë sa më përgjithësuese dhe të marrë karakter sa të jetë e mundur informativ dhe edukativ për breznitë që rriten, sigurisht në kushte të ndryshme nga të miat, por që fizikisht duhet të kalojnë nëpër fazat nga kam kaluar unë dhe çdo qenie njerëzore: qysh nga fëmijëria, nëpër adoleshencë e rini dhe deri te mosha madhore e në pleqëri.
Faktet njerëzore janë kaq komplekse dhe, njëkohësisht, kaq të ngjashme edhe pse jo të barabarta, saqë, edhe pas mijëra vitesh, mund të shohim të pasqyruara në to disa anë të vetes sonë. Përndryshe si do të na interesonin, ta zemë, heronjtë e Homerit?
[Shënim: Po sjellim parathënien e melodramit “Damjani Himarjot” të shkruar nga vetë autori, botuar në numrin përkujtimor të “Lekës” më 1937. Nuk i ka vënë në fund emrin, siç ishte zakoni, vetëm “Redaksija”. Kemi ruajtur grafinë e atij botimi duke shpjeguar ndonjë fjalë a shprehje. – J.Z.]
Damjani Himarjot – Punim letrar i Rrethit të Lekës
Melodrami qi paraqesim âsht fryti i së përkohshmes sanë1.
Nuk besojmë se do të na e marri per të keq gjikimin tanë2 Auktori, i cili mâ se nji herë na tha se mos t’ishte kênë arkivisti i Lekës me e gjetë atë fëtyrë sympathike të Damjanit nuk do të kishte marrë nji personalitet dramatik në mende, në zêmer, në pendë të tì.
Gegë auktori, toskë Damjani. Shkodranë njêni, himarjot tjetri.
Por epizodi i Damjanit e i burravet të Himarës e ndezin zêmren e njij shkodrani që rrî dita me ditë në kuvend e në perpjekje3 me Malet e Shkodrës, pse analogjina të çuditshme burrnije, bese e zakoni gjenden nder këto dy ekstreme gjeografike shqiptare. E âsht e arësyeshme: janë bijt e njij nane.
Malsorët në përpjekje të padame me malazez, i a ruejn Shqipes të patrazueme çerdhen qi ka ngulë nder male të tyne.
Himarjott n’ânë tjeter, në përpjekje me grek i a ruejten çerdhen Shqipes Vlonjake.
Të dàm e të paprîs të parët, bashkohen kur t’i lypë Shqipnija e kan në krye nji burrë të vetin.
Të dàm e të paprîs të dytët, bashkohen kundra saraçenvet e ndo’j burrë i veti u a ndezë zêmrat, e nuk pritojnë të flijohen.
Të dyja ânët e dijn se nuk munden me e fitue shpejt lirìn e humbun, por së paku shkëndìn e lirìs e ruejn nder zêmra.
Njiqind vjet? Dyqind?
…Mâ e mâ, deri sa të vijë dita. Kështu menduen e kështu vepruen.
Âsht pergjakë e kjàn Shqipnija. I kanë ikë o i janë farue djelmt. Anì4: ka asish, nji nder njimij, qi e ndiejn në zêmer të vet gjenin shqiptàr, e kur u bjen rasa, Scevola të rij, përballojnë rrezikun e gjaku i tyne, pikë-pikë, ndezë zêmrat shqiptare.
E grueja?
Kambë për kambë me trima5, malcorja e himarjotja ku e lypi puna aty u gjet.
Mos t’kishte kênë dora e grues shqiptare qi në pëlhurë të kuqe të qitëte Dykrenaren, e tash e mâ vrap6, t’ua paraqitëte burravet per bashkim,
Flamuri s’do t’ishte gjetë gadi per Deçiq e Vlonë
1.sanë – sonë.
2.tanë – tonë.
3.përpjekje – (këtu) takim, lidhje
4.anì – s’ka gjë
5. trima – (këtu) burra
Në moshën e fëmijërisë
Kështu që fëmijëria ime më ka kaluar nëpër të zezat e Rrethimit të Shkodrës (1912-13), nëpër kohën e shkurtër të Internacionalit (1913-14), nëpër pushtimin austriak gjatë Luftës së Parë Botërore (1916-18), nëpër fazën e dytë të Internacionalit (1918-19) dhe nëpër fazat e revolucioneve të brendshme në kërkim të stabilitetit të shtetit shqiptar (1920-24).
Gjyshi im, Giuseppe (Xhuzepe) Zamputti (e shkruanim edhe Zamputi), mjek i ikur nga Italia më 1870, doli në Raguzë (Dubrovnik) ku u martua me Luigjan nga familja e njohur raguzane Raçiç. Prej këndej kaloi në Turqi për të gjetur punë. Qe dërguar prej Portës së Lartë në Shqipëri me detyrën e mjekut bashkiak në Kavajë. Më pas kaloi në Durrës. Në Kavajë lindi babai im, Romolo, më 1876 dhe qe pagëzuar në Durrës më 29 maj të atij viti, siç e dëshmon Fedja apo Dëftesa e Pagëzimit lëshuar prej personalitetit të njohur në historinë e Shqipërisë, Dom Nikollë Kaçorri. Kur gjyshi arriti moshën e pensionit erdhi familjarisht në Shkodër ku, ndërkohë, babai im studionte teologjinë në Seminarin Papnor. Shkodra, asokohe, paraqiste një mjedis disi më të ngritur se vendet e tjera. Veç të tjerash (kleri, kishat, shkollat etj.), kishte edhe një elitë qytetare (tregtarë dhe familje që frekuentonin tregjet e Italisë, Turqisë etj.), por sidomos kishte një kolektiv përfaqësish konsullore të shteteve evropiane që interesoheshin për Ballkanin. Kishte disa farmacistë që kishin hapur farmacitë e para (Perikli Mozali, Simon Tironi etj., gjithësej 6 farmaci). Kështu që gjyshi im, siç e dëshmon edhe një fotografi, shërbente pranë farmacisë së Perikli Muzalit te Fusha e Çelës. Gjyshi vdiq më 1900.
Nga ana e nënës kam gjak shqiptar. Ajo qe bijë e një malësori të rënë në Shkodër prej Temalit. Kishte qenë martuar më parë, vajzë gjashtëmbëdhjetë vjeçare, në Ulqin te një tregtar i quajtur Lush Toma.
Njëzetvjeçare mbeti e vejë dhe u kthye në Shkodër te nëna e vet, duke sjellë me vete vajzën e njomë, motrën time, Çile Toma, e cila, pastaj, në fëmijërinë dhe rininë time, pati një peshë kryesore në edukimin tim.
Nëna ime, Nine (Antonjeta), përveçse grua punëtore dhe e ndershme, ka qenë edhe e bukur, siç e dëshmojnë edhe fotografitë që ruaj. Kjo shpjegon se si një bijë malësori tërhoqi vëmendjen e familjes lëtine Zamputti.
Babai im, me nënën e vet dalmatine, banonte në një shtëpi komshi me mamën time (unë e kam quajtur mamë dhe prandaj këndej e tutje do ta lakoj emrin e dashur sipas kësaj trajte). Duke e parë këtë nuse të vejë, me ato cilësi e veti që thashë, e kërkoi për shoqe të jetës. Ishte një gjë shumë e rrallë, për të mos thënë unike, në mjedisin shkodran ku fejesat e martesat bëheshin jo në këtë mënyrë të drejtpërdrejtë por me anën e ndërmjetësve (shkuesve) ku më shumë peshonte interesi ekonomik i të dy palëve se sa vlera shpirtërore e çifteve që do të krijonin familjet e reja.
Kur ia thanë mamës, kjo në asnjë mënyrë nuk deshi të pranonte sepse, siç ma thoshte pastaj ajo vetë, e konsideronte veten të padenjë për një lëtin që punonte në konsullatën italiane me detyrën e Shefit të Postës. Duhet ditur se, në regjimin turk, përfaqësitë konsullore kishin të drejtën të mbanin zyrë postare ku, veç korrespondencës zyrtare që shoqërohej me kavaz (roje) deri në kufi të shtetit, mund të gjenin shërbim edhe vendasit privatë.
Mama nuk mund ta mendonte si mund të ishte e denjë t’i rrinte përkrah atij djali që frekuentonte shtresat më të larta qytetare. Ajo, bijë malësori, e vejë me një vajzë dhe me nënën të panjeri e plot halle për jetesë, si të shkonte e t’ia zinte derën atij djaloshi të dalluar? Veç kësaj, ajo e ndiente veten shumë poshtë nga ana kulturore (jo se ishte analfabete, sepse në Shkodër kishte mundësi për arsim, sado rudimental, edhe për vajzat), dhe nuk mund ta mendonte si mund të ishte gruaja e një burri me gjithë atë kulturë, që dallohej sidomos si njohës i gjuhëve të huaja dhe që kishte pasur rastin të bënte një udhëtim edhe në New York. Çdo gjë do të rregullohej në shtatë vjetët e bashkëjetesës që mama kaloi me babain tim: ai e bëri mamën një nga më të paraqitshmet nuse të elitës shkodrane, e veshi me rrobat më të bukura të modës evropiane të atëhershme dhe e paraqiti nëpër sallonet ku mblidhej elita për të kaluar mbrëmjet festive.
Megjithatë, babai deshi që mama t’i kishte përherë të gatshme rrobat karakteristike shkodrane dhe, për të hequr mallin e rinisë dhe të kontaktit të parë shpirtëror me mamën, shpesh e detyronte t’i vishte ato rrobe nëpër shtëpi. Kur mama ma thoshte këtë, fytyra e saj shndriste.***
…Incidenti që i ndodhi babait tim, po në atë vit që linda unë, meriton të kujtohet këtu.
Siç e thashë, ai frekuentonte elitën shkodrane. Një mbrëmje, para se të kthehej në shtëpi, po qëndronte në grup me disa shokë në krye të rrugës që, përballë ish Bashkisë (Beledijes), çonte në Perash ku ne banonim. Këtë rrugë e quanim Rruga e Spitalit, meqë në këtë rrugë ishte ndërtesa e spitalit që kishte ndërtuar dhe administronte Austria…
Një bej shkodran (nuk do t’ia them emrin dhe arësyeja do të dalë më poshtë), me dashje, bëri që t’i harbohej kali dhe shkoi e i ra babait tim duke e rrëzuar përdhé… Mama më thoshte se beu e kishte bërë padashje dhe një qëndrim të tillë mban për këtë fakt edhe gazeta që botonte Dom Ndoc…
.
Testament Shpirtnor
edhepse m’dha trishtim
harè ka qenë për mue
sepse përherë
asht dhimbja dashuni
asht dashunia gëzim
gëzimi asht rini
rinia asht pranverë!
.
Niko Todhri
Më kujtohet që në vitet ‘80 botoi në gazetën “Drita” historikun e Himarës në periudhën e mesjetës, koha që në Shqipëri filloi përhapja e islamizmit. Krahasuar me autorë të tjerë mjaft të njohur si M. Zeqo, A. Buda, por dhe më pak të njohur mbas viteve ’90, Zamputti veçon. Ishte skrupuloz, i çliruar nga nacionalizma dhe ideologjia e kohës, i saktë në burimet arkivore. Nëse më kujtohet mirë athere kishte titullin “bashkëpuntor i vjetër shkencor!”
Aferdita Hall
Letër mbas vdekjes! Sa prekës edhe dinjitoze! I jati i mësoi ndershmërinë dhe të qenit vetvetja!
Shqipe Nebiaj
Respekt për këtë intelektual me vlera. Unë e kam njohur nga vajza e tij, mikja ime e mirë Karmela Haçi.
Lizabeta Pollo
Familje e naltë… kështu e kujtoj nga bisedat që bënte im atë me axhën e madh.
Odeta Zhegu
Personalitete që i bëjnë nder kulturës shqiptare!
Klaudia Gargjola Shllaku
Personalitete që punune për të nderue vedin dhe Atdheun, që lanë gjurmët intelektuale për t’u kujtue me respekt!
Marko Shipcka
Respekte pa fund për zotin Injac. Kam patur fatin të jem komshi me këtë familje. Jetonin në një apartament me shumë familje në një hyrje. Në çdo moment të ditës atë njeri e shikoje duke punuar në një makinë shkrimi Olivet. Të shikonte në rrugë, mua fëmija i tij, hiqte kapelën dhe me buzëqeshje më përshëndeste. Nuk më hiqen nga mendja këto veprime të “vogla” por, që flasin shumë. Për sa i përket veprave të tij, kam lexuar shumë. Dua të theksoj se, sëbashku me zonjën e tij, rriti dhe edukoi fëmijë të mrekullueshëm. Respekte pa fund për këtë figurë të çquar.
Ciljeta Bome
Ah, sa ma ke bërë qefin z. Jozef, me kët intelektual z. Njac Zamputti!
Kam pasur rastin ta njoh nga afër z. Njac dhe z. Roza, të shoqen!! Dy njerëz të mrekullueshëm, të edukuar, të dashur me mua, të respektuar me familjen tonë megjithëse ruheshim të gjithë nga njeri-tjetri… se ashtu ishte koha!! Dhe djali dhe nusja ishin profesorë në Universitet, por shumë shumë njerëz të edukuar dhe të veçuar nga masat sepse kuptohet që ishin të rrethuar nga vëzhgimet e keqbëresve komunist. Jetonin komshinj me tezen time te rruga Elbasanit, te pallati ermenëve ngjitur me gjuhët e huaja. Ato shtëpi ishin kaq të vogla, dhe madje tualetin e ndanin me familjen e tezes, dmth e kishin të përbashkët. Por kurrë nuk ndërruan dy llafe, vetëm dashuri ndërmjet dy familjeve për dekada me rradhë… Mbaj mend bibliotekën e z. Njac… nuk kam parë kurrë një bibliotekë kaq të madhe në jetën time. Një këshillë që më ka dhënë që e vogël z. Njac e mbaj mend gjithmonë: “Çiljet mos e humb kohën kot, kurrë… lexo… vetëm lexo të lutem!! Ti je një fëmijë intelegjent!! Kam vetëm kujtime të bukura me kët familje të nderuar!! Që atëhere e kuptoja që z. Njac nuk ishte si të tjerët, por njeri me shumë vlera!!!
Dritë i pastë shpirti!!
Jozef Radi
Ciljeta Bome Një shënim me shumë vlerë që do t’i bashkohet shkrimit, sepse është figura e njëlloj intelektuali e parë me sytë e një fëmijë… Të falenderoj që dhe edhe ti dhe nji kontribut sado të vogël të portretit të tij…!
Ciljeta Bome
Ishte kënaqësi kur lexova emrin e këtij albanologu të madh!! Për sytë e mi ishte dhe mbetet gjigand!! Harrova të shtoj dhe diçka tjetër… kur kthehesha nga shkolla ime fillore, që ishte ke rruga e Elbasanit, z. Njac kthehej përditë nga biblioteka kombëtare me gazeta në duar!! Ajo ishte përshëndetje pothuajse e përditshme!! Të falenderoj përzemërsisht z. Jozef që shkruar për këtë njeri me vlera të mëdha!!!
Jozef Radi
Ciljeta Bome e gjitha kjo është pjesë e shkëputur nga nga libri i tij, plus parathënien e autorit dëshmitë e të birit dhe çka përmban libri… Unë thjesht jam gërmues dhe përcjellës në këtë rast… asgjë me shumë…!
Sait Saiti
Njaci prej duerve të jezuitëve doli tamam usta!
Thoma Note
E kam njoh që fëmijë këtë figurë të ndritur përmes vëllimit me tregime elegante “Nan hijen e Rozafës” të cilin e ruaj ende në bibliotekën time personale. I ndrittë shpirti!
Ky vëllim dhe përkthimi i “Zemra” të De Amicis, botime të viteve paraçlirimt në një gegnishte elegante me kan ba me e dashunue gegnishten që në fëmini, prandaj i shoh me simpati përpjekjet e disa studiuesve për rishikimin e vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit 1972, pavarësisht se gjuha ime letrare është në toskërisht.