back to top
8.5 C
Tirana
E mërkurë, 11 Dhjetor, 2024

Babë u kry… nga Jozef Radi

Gazeta

Lazer dhe Jozef Radi 17 Janar 1996
Lazer dhe Jozef Radi 17 Janar 1996

Babë u kry…

nga Jozef Radi

Ishte nji ditë vjeshte me shi, k’tu e pesë vjete të shkueme. Un isha n’kërkim të nji mundësie me e krye veprën tande, e jo veç njashtu si un e mundja, po edhe njashtu si ti e meritoje… Me mendue asht bukur, po me ju përveshë punës, e me naltue nji monument, kur ti s’ke asgja veç dëshirës së mirë, s’asht fort e lehtë me ia dalë…
E pra sot, n’se mundem me i kërkue borxh nji klithmë Ajkunes, kisha me e rrzue kupqiellën, tue thanë: Babë u kry…!

Shumë kohë ma parë, edhe pse n’moshë të thyeme, ti njashtu me shpirt nëpër dhambë, botoje herë nji libër e herë nji tjetër, e kur unë t’thoja: “Po mos u ngut o babë, se nji ditë kem me i botue!” Ti më kqyrshe drejt e n’sy me nji xixllim besimi e m’i thoje do fjalë trishtuese, që kishin aq dhimbë mbrenda: “T’botoj çka të mundem vetë, sa t’jem gjallë, se kur të des, keni me i hjedhë në plehna, tana k’to letra të miat!” E pra, s’ishte e vërtetë babë… Prej 23 veprave tua, ku ma shumë se gjysa kanë qenë dorshkrime, sot s’ka ma asnji ksisoji, e me at xixllimin tand të dikurshëm ndër sy, sot në sytë e mi asht nji pikë loti përvluese n’gzim sa s’thuhet ma, sepse sot mundem me t’thanë veç njaq: Babë u kry!

Lazër Radi - Robert Elsie - Jozef Radi 1992
Lazër Radi – Robert Elsie – Jozef Radi 1992

Kur ishte ende errsinë diktature, e ti jetoje përvuejtshëm me nji pension pleqnie, ku ma shumë se gjysën e shpenzoje për cigare, e kur të shkruemit ishte sakrilegj shenjue prej djajsh… asht nji ditë kur un t’jam lutë me i shkrue kujtimet tua, se njajo e keqe e jona, nji ditë kishte m’u kputë prej s’trashi, e ti n’mosbesim ke heshtë, ama lutjen teme e kishe ndigjue dhe e kishe ruejtë… e ditë mbas ditë, e natë mbas nate ke shkruejtë e ke shkruejtë pa rreshtë, mbshtetë në shezlong e mbshtetë në karrige, jo thjesht jetën tande, po edhe jetën e krejt atyne që kishin hikë pa lanë as zanin e as veprën e tyne. E kshtu, n’ditën që ra Statuja e së Keqes, t’i e braktise kampin e vuejtjeve, tue marrë me vedi tana “zhgarravinat” tua, e sërish ditë mbas dite e natë mbas nate, i rrahë ndër taste t’nji makine dhe i banë do libra me zbukurue veç murin e nji banjoje që e kishe ba studio të andrrave tua të çmenduna… E prej atyne fletash të vjetrueme, dolën do libra të parë e sot librat e tu janë mysafir ndër sa e sa shpija t’atyne që të ma shumë s’të njofin, edhe pse s’të kanë pa kurrë, të duen edhe pse mbi ty asht i naltuem muri urrejtjes…
E unë sot s’gjej tjetër fjalë ma të shenjtë me ta kumtue veçse: Babë u kry!

Un, t’kam ardhë n’jetën tande në ditët e Gazepit, kur ty mbasi t’kishin lirue prej nji burgu t’gjatë e t’padrejtë, t’kishin hjedhë diku maleve të Kurveleshit midis 100 burrash, që sot me ua përmendë emnat, do ta kishte ulë kryet cilado akademi e botës, (veç jo ajo jona), njaty t’erdh, po prej burgu edhe ajo grueja jote, e lirueme pse tuberkulozi e kishte çue deri n’ditt e mbrame të dekës, e që kishte me t’u ba pjesë e nji racioni… mandej t’erdha edhe un, e kështu mbijetueme me at bukë të shenjtë, tri vetë n’nji hise buke, (as n’legjenda s’ka ndodhë ksisoji) e krejt thjeshtë tue hangër vetvedi un mbrritën deri n’buzë të dekës të tre (unë prej s’pangrani e jus ë dëshpëruemi), po asht nji Zot I Madh n’kët botë, që edhe prej humnere na shkuli e na ruejti të treve, e jo vetëm po ju dhuroj edhe fmijë ttjerë, po edhe ditë të lume, po edhe mendje të kthjelltë, po edhe shpirt të pasun, po edhé libra të vërtetë, po edhe dekë me kapak florinit… Sepse diku në qiell ka qenë e shkrueme Babë me u kry, ndaj u Kry Babë!

Ka qenë mundim i madh babë, pse edhe kohnat nëpër të cilat kam kalue, s’më kanë qenë fort të lehta, po sa ma t’vshtirë bahen kohna, aq ma i madh duhet vullneti, m’kshillojshe dikur, prandej në kët’ udhtim asnjiherë s’jam ndje i vetëm, por me shumë tjerë, po shumë ata e dijnë cilët janë, e unë spo ua përmend emnat se bahen shumë, e ndërkohë rrugës, janë shtue shumë ata që t’kanë dashtë e kanë me vazhdue me të dashtë pa pra, sepse ti ishe Njeri i Mirsisë, Njeri i Paqes, Njeri i Dashnisë, Njeri që fjetë në paqe me shpirtin tand njeri që i dhe Atdheut at që Atdheu s’ka me ta kthye kurrë, sepse kështu asht e ndërtueme jeta, ku shpesh e Keqja e hyp Pegasit dhe e Mira shkon tue topallue… veçse shkon ama, pa u lodhë e mbrrin ku s’ka Pegas i s’Keqes me mbrritë. Prandej, prej skutave ma thella të besimit tim, jam tue t’thirrë: U kry Babë!
E ti kudo që të jesh s’ke me bubullue hareje, pse s’ke pasë kurrë dëshira ksisoji, po ke me thanë njashtu nën za: “Hallall bir, njajo bukë që t’kam dhanë edhe kur na ka mungue krypa…!” -Pse krypa asht te kjo pikë loti që më rrjedh prej gëzimit e m’ásht ndalë ndër buzë… Sepse: U kry Babë, përkundër gjithçka që ende vazhdojnë me mbjellë urrejtje, kur t’i kshillon dashni e vlerë…
Babë, u Kry!

S’e di sa mundesh me qenë ti krenar për mue, si ti s’flet ma, veçse prej naltsive ku je ngjit e kqyr seri kët bote, e ndoshta trishtohesh! Veç un mundem me t’thanë me vizhdan të shpirtit, se jam fort krenar për ty Babë, e asnji vuejtje qa ta shkaktuen ty po edhe ne tjerve s’ma ka trazue shpirtin, pse e kam pasë gjithkund mbas vedit njat hijen mbrojtëse tanden… Prandej: U kry Babë!
E kjo fjalë s’asht veç jemja, po e krejt atyne, njerzve që mbrrijnë me i lexue kumtet që na vijnë prej amshimit!
Babë u Kry!

Asht sërish vjeshtë, ndoshta jo me shi si at’herë, pesë vjete të shkueme… e un jam ndër ethet e nji pune t’mbarueme, pse mujta me e krye njashtu si ti e meritoje… Me mendue asht bukur, po me krye nji mision, asht sublime, e un jam ndalë e s’di a jam tue qeshë a tue qa prej gëzimi… Sot jam ma fmi se asnjiherë n’jetë, ndaj mërmëris me vedi: U kry Babë!

Tiranë, 20 nantor 2021

.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.