back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Tuneli i Llogorasë dhe llogaria e Llogorasë – nga Gëzim Zilja

Gazeta

Gëzim Zilja
Gëzim Zilja

Tuneli i Llogorasë dhe llogaria e Llogorasë

nga Gëzim Zilja

Gara për tunelin e Llogarasë është nisur më 20 qershor 2020 dhe është anulluar tri herë. Sipas ish-kryetarit të KLSH, deputetit Bujar Leskaj: “…Qeveria në mënyrë të pashpjegueshme, zgjodhi ofertën me vlerë 140 milionë euro, kur në mars të vitit 2021, për këtë prokurim, refuzoi një ofertë me vlerë 110 milionë euro të një konsorciumi të përbërë nga një kompani turke dhe një shqiptare!? Dëmi ekonomik dhe abuzimi në këtë vepër është jo pak, por 30 milionë euro!…” (Shih: Gazeta Panorama 15.11.2021).
Gjatësia e Tunelit të Llogorasë do të jetë 5.9 km dhe do të bëjë kalimin nga Dukati në Palasë për 10 minuta. Nga porta hyrëse e tunelit, duke ndjekur rrugën e ekzistuese duhen 30 minuta deri në Palasë. A ia vlejnë miliardat e planifikuara, kur fitohen vetëm 20 minuta kohë dhe turistët vështirë të braktisin Qafën dhe bukuritë mahnitëse të Llogarait për të fituar 20 minuta?! A është Vlora gati për tunele, porte e aeroporte luksi?!

Tuneli i Llogarase - projekti
Tuneli i Llogarase – projekti

Qyteti vuan sidomos në verë mungesën e ujit. Janë mijëra vlonjatë që kthehen në verë për pushime në shtëpitë e tyre, sidomos nga Italia e Greqia. Në gjendjen skandaloze të mungesës së ujit dhe rrugëve lidhëse brenda lagjeve, ata marrin shtëpi me qira në zonat me ujë ose mallkojnë veten dhe ia mbathin andej nga kanë ardhur. Zona turistike si Radhima, Orikumi, Dukati e Llogorai, kanë ndëprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike. Lagjet informale pas fushës së aviacionit e deri në Pyllin e Sodës, jetojnë pa asnjë shërbim social. Mijëra njerëzve aty u mungojnë rrugët, ndriçimi, ujët e pijshëm, kanalizimet, kazanët e plehrave dhe shërbime të tjera bazike.
Vlora ka rreth 140.000 banorë. Në standardet e sotme duhet që për çdo banor të ketë të paktën 7m2 deri në 8m2 sipërfaqe të gjelbëruar. Në vitin 2000 kjo shifër ishte 2.5m2 gjelbërim/banor. Sot të dhënat janë 1.55 m2/ gjelbërim/banor me tendencë uljeje të mëtejshme. Kjo “përkthehet” që Vlora nga një qytet ku aroma e jodit dhe portokallit ndihej deri në Sheshin e Flamurit, sot ka ajër të ndotur dhe prania e dioksidit të karbonit (CO2) është tetëfishuar krahasuar me dhjetë vjet më parë.
Zhdukja e gjelbërimit dhe betonimi i Vlorës, duke e katandisur në 1.55m2/ gjelbërim për banor, është krim mjedisor, dhe bëhet thjesht për të vjedhur. Pak gjelbërim, shumë sëmundje kanceroze, të mushkrive, zemrës, veshkave etj.
Gjatë ndërtimit të Shëtitores sipas ambientalistëve lokalë, veç zhdukjes së gjëlbërimit tradicional, është llogaritur që rilindja për çdo palmë qerose apo rrap (jo palma, bimësi e pemë tradicionale) të mbjellë, ka derdhur mbi 7 (shtatë) m3 beton. Lind nevoja urgjente e rivlerësimit të Kurorës së Gjelbër, që rrethonte qytetin, rehabilitimit të pyjeve të Sodës e të Zvërnecit dhe krijimi i parqeve të reja.

Porti i Vlorës
Porti i Vlorës

Shëtitorja nga Skela deri të tuneli ndotet nga ujrat e zeza (tetë kanale) që derdhen lirisht në det, prandaj Vlora nuk ka për të pasur kurrë jo turistë elitarë, por as nga ata që psonisin në marketet rrotull lagjeve. Shëtitorja nuk ka park çlodhës, teatër, kinema, librari, bibliotekë, galeri artesh, muze, podiume të thjeshta, ku mund të këndohet e kërcehet, vepra arti të traditës apo historisë. Madje nuk ka as as tualete apo një çezmë, ku të freskohesh ditëve të nxehta. Në krah të Kripores janë me dhjetëra hektarë tokë e pashfrytëzur, si toka të kripura. Aty mund të ndërtohet një qytezë sportive, ku të zhvillohen aktivitete sportive për të gjitha moshat. Nuk ka pse masakrohet Pylli i Sodës, duke ngritur fusha sportive në mes të tij. Papunësia kap shifra alarmante. Qyteti ka pasur një kombinat ku konservoheshin nga frutat e perimet e krahinës deri mishi e sardelet. Aty punonin qindra gra e burra e prodhimi cilësor eksportohej në Europë. Kjo traditë është shkatërruar plotësisht. Flota e peshkimit një nga krenaritë e qytetit është degdisur në Zvërnec në kushte primitive. Asaj duhet t’i kthehet krenaria e dikurshme, duke e sjellë sërish në Skelë dhe aty pranë të ndërtohet një merkato peshku moderne. Duhet të zhvillohet e ringrihen institutet e ullirit, pemëtarisë e vreshtarisë. ku punonin shkencëtarë të vërtetë për shtimin e përmirësimin e kultivarëve të ullirit, pemëve frutore e vreshtarisë të përshtatura për klimën vendase, të një cilësie shumë më të lartë nga këto që importohen. Vlora antike me muret e saj vazhdon të varroset në beton, dhe qytete antike si Amantia, Ploça e Oriku apo Kalaja e Kaninës janë në mëshirën e Zotit. Nga Vlora deri te Tuneli, rreth 6 km, nuk ka asnjë vepër artistike, shtatore, monument, që të përjetësojë ngjarjet e figurat historike. Ç’lidhje ka Muzeu i Pavarësisë me piramidat buzë ujit, rrathët e betonit herë si kuleçë e herë si petulla me një pishë të tharë në mes dhe ai koçeku betonit që zgjatet pa kuptim?
P.S. Paratë e hedhura për Rrugën Panoramike, ndërtuar mbi kodrinat e Vlorës, që u inaugurua këtë behar me tamtam-e e tralala-ra nga kryministri dhe ministrja Balluku, shkuan për për dhjamë qeni. Numri i makinave në 24 orë nuk e kaloi kurrë atë të kokrrave të tespiheve të një turku mysliman. Tani në dimër nuk ka fare trafik dhe rruga shfrytëzohet nga çobanëria për të çuar e marrë nga kullotat delet, dhëntë, dhitë, cjepët e lopët. Kjo duket qartë nga kakërdhitë e bajgat me të cilat mbushet rruga panoramike çdo mëngjes e mbrëmje. Investimet miliardëshe që janë hedhur këto nëntë vjet në Vlorë kanë pasur ndikim të papërfillshëm në përmirësimin e mirëqënies dhe shtimin e vendeve të punës, me gjithëse numri i banorëve zvogëlohet çdo vit. Nëntë muaj vlonjatët pinë kafe, hanë trahana e presin beharin, të fillojnë të bubrrojnë. Tuneli, aeroporti dhe porti janë dhurata, që kryeministri i bën vetes, qeveritarëve, miqve oligarkë dhe mafies ndërkombëtare, që kanë pushtuar bregdetin. Asgjë nuk e lidh kryeministrin me këtë qytet të bekuar veç grabitjes, kapriçios dhe delirit të madhështisë.

.
Botuar më 23 nëntor 2021, në gazetën “Telegraf”

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.