back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Për një Konventë elitare dhe unike të PD – nga Romeo Gurakuqi

Gazeta

Profesor Romeo Gurakuqi
Profesor Romeo Gurakuqi

Për një Konventë elitare dhe unike të PD

nga Romeo Gurakuqi

Partitë janë bashkime të lira të qytetarëve, bazuar mbi një filozofi politike drejtuese, mbi të njëjtat parime publike, por në asnjë rast ato nuk mund të jenë njësi vepruese të bazuara mbi besnikërinë turmave qe zvarriten mbas individëve.
PD lindi në fillesë si organizatë e Studenteve dhe e Desidencës kundër regjimit komunist dhe fryma që e ka programuar atë në start ka qënë rivendosja e lirive, kushtetutshmërisë, shtetit të së drejtës, rivendosja e barabartë e të gjithë qytetarëve para ligjit, demokratizimi, europianizimi, qytetarizimi dhe profesionalizimi i drejtimit politik të vendit me synim kthimin e Arbnisë së varfnueme dhe të ç’orientueme, me ftyrë nga Perëndimi. 
Mirëpo, në këtë vend për 30 vite, parimet e mësipërme nuk u zbatuan dhe gradualisht, vendin e Bllokut dhe të Byrosë Komuniste e zunë Kontrollorët e Rinj të Politikës, të cilët shumë shpejt u bënë pronarë të ligjshëm vilash në Kunorën e Tiranës, Lalëz, Palasë e gjetkë. 
Pikërisht këto “pronarë te rinj” deformuan kuptimin mbi Kushtetutën, Parlamentin, Drejtësinë, Lirinë e fjalës, të Drejtën e pronës, Lirinë e Shtypit, Barazinë e qytetarevë para ligjit, Procesin e lirë dhe të ndershëm zgjedhor, Orientimin strategjik të vendit, etj. 
Pra, kupola drejtuese tradhëtoi dhe vrau ëndrrën e Desidencës shqiptare, të Themeluesve të Shtetit Shqiptar dhe atyre që përmbysën Diktaturën, guximtarëve të ngjarjeve mes 14 Janarit 1990 dhe 2 prillit 1991.
Ma e keqja është se në këtë vend nuk dallohet dot më kufiri në mes shtetit, institucioneve të tij ligjzbatuese, hierarkisë vendimarrëse politike dhe krimit të organizuar, që ka bllokuar çdo hapësirë të lirë të Tiranës, të të gjitha qyteteve dhe bregdeteve shqiptare.
31 vite pas 8 dhjetorit 1990, kemi një shtet të dështuar në pikëpamje të funksionalitetit institucional, shumë parti dhe një shoqëri të tanë, te komanduar, jo nga vullneti i qytetarëve zgjedhës të lirë, por nga kasta politike vendimarrëse dhe patronazhiste, që kanë parcelizuar hapësiren publike dhe vijojnë ta mbajnë të varur atë, bazuar në interesat e tyre, të grupazheve që kanë sajuar dhe familjeve të tyre të pasuruara në kurriz të mirëqënies së popullit.
Kriza që po kalon sot PD është në fakt pjesë e krizës së madhe, që po kalon Shqipëria, këto 9 vite e pushtetit monopartiak që ka instaluar kaosin, rrumujën, degradimin e sistemit kushtetues, politik dhe juridik në vendin tonë. Por ajo krize e partisë ma të madhe opozitare është edhe dicka ma shumë: është krize e shkaktueme nga degradimi gradual organizativ, politik dhe ideologjik, i forcës politike në majen e vet udhëheqëse, në ciklin e saj fundor kohor, e shperthyeme, jo nga ndonje vetedijshmeri e udhëheqësve për ta reformuar, por nga ndërhyrja që dezikuilibroi, e faktorëve të jashtëm miqësor, që kërkojnë një Opozitë të Mirëfilltë dhe të Pastër.
Humbja e paralajmëruar në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, heshtja e fajtorëve dhe urdhërdhenesve të listave të gjysmëorëshit të fundit, para disfates se tretë te radhes, nuk mund te kalohej lehtë nga populli demokrat dhe partnered, pavarësisht Kuvendeve të Sajuara të kinse unitetit.
Po ashtu, nuk duhet të harrojme se edhe Mbytja që vetë Kundër-Opozita e Zemërthyerjeve të 2017 i bëri nismës së shoqërisë intelektuale, demokratëve me mbështetjen e Aleatëve Perëndimorë, për Reformimin rrënjesor të Republikës së Oligarkisë, të Korrupsionistëve dhe Krimit të Organizuar, përpjekjeve për ndryshimin me themel të tabanit që prodhoi deformimin e demokracisë, ishte një nga impostimet më reaksionare, më dritëshkrutëra, që mund të ketë ndodhur ndonjëherë në historinë politike të Shqipërisë.
Partitë politikë prej së paku 13 vitësh janë kthyer mirëfilli në Piramida Kontrolli, me demokraci formale dhe pa një shtresë elitare në drejtim. Liria e Mendimit nuk ekziston, vendimarrja është e diktuar si në kohën e Fronteve Demokratike, kulti i kryetarëve mbisundues. Përdorimi i turmave për linçime të atyre, që mendojnë ndryshe, përdorimi dhe blerja e mediave, ndërtimi i zyrave të llogarimbajtjes dhe sulmeve të pilotuara, janë pjesë e metodave, që përdoren në këtë sferë të jetës publike shqiptare, që po ashtu janë të papajtueshme për një shoqëri të lirë. Respekti ndaj kundërshtarit politik, ose mendimit ndryshe brenda partisë nuk ekziston. Sot, Kriza e PD na shfaqet si një krizë mes Udhëheqësve të saj dhe elektoratit të djathtë, shoqërisë normale që aspiron një të ardhme më të mirë, intelektualëve që nuk honepsin populizmin, përdorimin e turmave dhe zhdukjen e arsyes së shendoshë nga veprimi dhe vendimarrja politike. Ditët e fundit është arritur deri aty sa “të vërtetat”, e mira dhe e keqja, u jepen turmave shabllon, si aksioma që nuk duhet të diskutohen më nga askush. E pavërteta dhe marrëzia në arsyetim mbisundon gjithandej në sferën publike të të djathtës shqiptare. Ndërsimi i turmave është taktikë vepruese. Prej kohësh PD vuan mungesën e intelektualëve dhe profesionistëve, pasi vendin e tyre e kanë zënë delitantët servilë dhe batakçinj. Kjo parti ka probleme të rënda me lirinë dhe të vertetën, me standardet e një partie kristian-demokrate (popullore), probleme me tolerancën ndaj mendimit ndryshe dhe edukatën e urtësine qytetare. Formalizmi në programimin konservator dhe kapja e sferës oborrtare nga personazhe, që nuk përfaqësojnë asgjë ne pikepamje te dobise shoqerore, e kanë dëmtuar imazhin e PD para syve të elektoratit të djathtë.
Drejtuesi aktual dhe oborrtarët, nuk kuptuan kurrë, madje nuk deshën të kuptonin, se përtej anëtarësisë, janë edhe rreth 650000 votues të PD, njerëz të lirë që mendojnë, shpresojnë dhe kontribuojnë në një shoqëri demokratike; janë mijëra shqiptarë të rinj të mirëshkolluar, me kokën plot që nuk durojnë më shabllone dhe politika meskine të ndërtueme për shpëtimin e pak njerëzve dhe familjarëve të tyre.
Pra, kemi të bëjme ende me një Guvernë Qendrore Partiake, që edhe pse duket ne dy vektore të përkundërt, njëlloj nuk di të pikasë të Djathtën dhe Elektoratin Gri, për të gjeneruar burimet e veta njërëzore dhe për të vetëpastruar sistemin. 
Një dore skifterësh profesionistë, të vetëquajtur njerëz “ me kontribute“ vazhdojnë të sketërrisin të rinjtë shpresëdhënes, të maturuar dhe të profesionalizuar, bijë të Desidencës së Mirëfilltë shqiptare. Asnjë hapësirë kurrë nuk iu la atyre.

Në këto rrethana vijmë tek dy Kuvendet pretenduese:
Palët nuk po bien dakord për daten kur duhet të mblidhen të njëjtet njerëz dhe e njëjta përfaqësi politike. Pyetja është pse nuk bien dakord për ditën kur do të “triumfojë demokracia”, ndërkohe që thelbesore është që ajo “festë e madhe dhe e pambarimtë”, të ndodhë?!
Besoj se arsyeja e divergjencës ka të bëjë me synimet kontrolluese krejtësisht të ndryshme të ideatorëve të kësaj kundërvënieje reciproke, me rendet e paperputhshme të punës së kuvendit të parashikuar, synimet përjashtimore te gjithesecilit dhe një karshillek i domosdoshem per t’u adresue në derën perëndimore, që nuk pyet në fakt, as për ata dhe as manierat meskine që ata përdorin.
Në pamje të parë duket një kaos për asgje. Në fakt, levizjet kanë për objektiv kontrollin e vendimarrjeve, që gjithsesi, në këtë klimë të krijuar, do të jenë tërësisht jodemokratike, populiste, te imponuara mbi njërëz që nuk i thojnë kurrë jo “Hyjit”, kundrejt parimeve mbi të cilat funksionojnë konventat e partive simotra popullore dhe aspak elitare në tribunen e fjales se arsyeshme.
Dëmi që po i bahet Shqipërisë nga kundërvenia ndaj interesave të saj strategjike, parimeve demokratike, irracionaliteti vendimmarres, interesat pjesore mbisunduese të individeve, është i jashtëzakonshem, sepse po eliminon rindërtimin, mobilizimin e një Opozite Intelektuale, te Arsyeshme, Civile, Anti- Establishment, me rradhë hierarkike profesionalizmi, arsimimi, të fjalës, veprës dhe figurës.

Futja nder keto dy rrugica pa krye, po pengon kalimin e drejtimit nder duart e nje udheheqesie te re te moderuar, te urte, qe i perket formacionit vertete europianist dhe po riskon mbajtjen edhe me tutje formale, te raporteve me Aleatet Strategjike.
Une e di se çdo thirrje për kujdes, moderim, tërheqje dhe negociatë është e kotë të bëhet, në një “Pallat” që është caktuar të mbahet ose të merret me cdo kusht dhe cdo mjet.
Megjithate une do e shkruaj skemën e daljes nga kriza që shkon në të mirë të qytetarëve:
Në qoftë se nuk do të dëgjohet zëri i demokratëve për mbajtjen e një Kuvendi të Vetëm, në formën e një Konvente Elitare Konservatore, të dyja metingjet e planifikuara do të ndodhin dhe përçarja do shkojë në të mirë të konsolidimit të qeverisë së PS. Ato që do të humbin nga përcarja e damkosja e Opozitës, janë qytetarët e Shqipërisë, populli i thjeshtë i përjashtuar nga vemendja e qarqeve vendimarrëse të Tiranës zyrtare.
Prandaj është e mira që një Platformë për Konventen e Bashkuar Demokrate të hartohet nga një grup njerëzish vullnetmirë.
Kjo platormë do të duhet të ketë si hap të parë krijimin e një Senati Tranzitiv/ Ndërmjetës, prej 3 – 5 – 7 ose 9 anëtarësh seniors, që do të veprojë nën garancinë e një Delegacioni të PPE, të ftuar për të qenë ndërmjetësues dhe vëzhgues të respektimit të procedurave demokratike.
Anëtarë të Senatit Tranzitiv do të duhet të jenë njerëz të njohur publikisht, të testuar për ndershmëri dhe profesionalizëm, përfaqësues të familjeve të Desidences, një grupim i balancuar nga pikëpamja krahinore dhe kulturore.
Senati do të përcaktojë:
Vendimarrje mbi metodën përbashkuese, programin rikompozues, gjenerimin e burimeve njerëzore në udhëheqësinë e re, ndërtimin radhës së fjalës dhe hierarkinë e ligjeruesve nga pikëpamja kualitative në Konventë dhe rendin e ditës së punimeve.

Në Rendin e Ditës së paku duhet të ketë këto pika kryesore:
1. Rivendosja e bazës ideologjike mbi platformat e ngjashme të partive simotra Kristian- Demokrate dhe Popullore.

2. Rimodelimi Strukturës Organizative, nepërmjet thjeshtëzimit, zvogëlimit të numrave vendimarrës, përkufizimit të staturave udhëheqëse, kushtëzimeve gjinore, verfikimeve të rrepta të shkollimit dhe hartimit të projekteve të ekipeve të reja elitare, ku përvoja, tradita te gërshetohet me profesionalizmin dhe kontributin publik.
3. Projekti i Kodit të Ri të Sjelljes Institucionale të PD, i bazuar mbi modelin e një Partie Konservatore Parlamentare. Ky Kod do të ndalojë sjelljet që i bien ndesh Parlamentarizimit, Ligjit Shtetëror, Laicizmit dhe Kontrollit demokratik të pushtetit partiak.
4. Harton projektin e Kodit të Përzgjedhjes së Anëtarëve të Kryesisë, Përfaqësisë Politike në Parlament dhe përkufizimin e pozicionit të Kryetarit:: statura, hierarkia, shkollimi, grupet kulturore dhe krahinore, pastëria e figures, çertifikata e sigurisë, dekriminalizimi dhe vetingu i politikaneve.
5. Harton projektin e Sekretariatit të Ri Politik dhe Organizativ, i ripërkufizuar dhe detajuar në aspektin e veprimit procedural
6.Përforcon pozicionin e Gjykatës së Partisë, Komisionit të Apelit, si një institucion i shkëputur nga Kryetari i Partisë, të përbërë nga përsonalitete të njohura për integritet, drejtësi dhe papërkulshmëri
7. Duke qenë kalimi i pushteteve ndërmjetëse vendimarrëse kalon nga Kryetari tek Senati Tranzitiv, kjo nënkupton hapjen e garës për drejtimin e ri të PDSH. Për këtë arsye, Senati i krijuar nga Kryesia e PD me konsensus, përcakton kush do të kandidojë, metodën, kriterët e kandidimit, afatet, për hapjen e garës për Kryetarin e ri të PD.
8. Senati përgatit projektin për Platformën Politike të Integrimit Europian dhe transformimit faktik dhe te pandryshueshem te PD, në një Parti Aleate Strategjike e SHBA, që punon për konsolidimin e shtetit shqiptar, si vend anëtar besnik i NATO-s me udhëheqësi me çertifikatë sigurie.
9. Senati Tranzitiv kryen funksione vendimarrese dhe ka mandat deri ne zgjedhjen e Kryetarit te Ri të PD.
10. Në Konventën e Rikompozimit të PD, do të duhet te marrin pjesë vetëm Këshilli Kombëtar, Kryesia, Deputetët, Kryetarët e Degëve, Kryetarët e Grupseksioneve, të mandatuar dhe të pajisur me karta elektronike hyrjeje, në një sallë ku ka rregull dhe asnjë pjesëmarrje militante.
11. Monitorimi dhe Garancia e një Delegacioni të PPE, do të duhet të jetë kusht themelor për zhvillimin e një Kuvendi/ Konvente të vetme të PDSH, në një nga datat që do të gjykohet si me e arsyeshme në arritjen e objektivit korigjues dhe rikompozues.
Aty ku ka krize, do të duhet të ketë dialog, kuvend të kualifikuar ku ballafaqohen në tribunë opinionet, ndërmjetesim dhe vullnet të mirë. Nuk bëhet fjalë me negocue mes padrejtësive, dogmatikëve dhe sofistëve me vetedije, por mes njerëzve me arsye, ndergjegje dhe përgjegjësi.
Populli i varfër dhe i lodhur pafundësisht nga kriza ushqimore, kriminaliteti i kultivuem nga politika, i depresionuem nga marrëzitë e qeverisë që nuk njeh kut në egërsine e sjelljes dhe zhvatjes, i vendosur ne rrugen e ikjes nga vendi, nuk duhet të kërcënohet sot me projektimin e trazirave përmbysese, destabilizim dhe hijen e zezë të vitit 1997. Revolucion në një vend anetar të NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE është një sentencë e papranueshme dhe antihistorike. Përndryshe, rithemelimi i një Opozite Intelektuale, Profesioniste, të Pastër, të Drejtë dhe realisht Konservatore, që përdor mjetet parlamentare dhe demokratike në përmbysjen e punëve të mbrapshta në politikë, në të mirë të një Shqipërie Normale, është misioni i PDSH në dhjetorin 2021.

Romeo Gurakuqi
Anëtarë i Këshillit Kombëtar të PDSH
Ish deputet i Shkodrës në Parlamentin e Shqipërisë
Shkodër, me, 29.11.2021

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.