Mbresa të një promovimi
nga Arjola Kondakçiu
Ka akoma njerëz që i mbajnë premtimet, dhe një nga ata është Jozef Radi, i cili në një hark kohor pesë vjeçar, mundësoi dritën e botimit të veprave të plota të Lazër Radit, mbas vdekjes së babait të tij.
Duke marrë shkas edhe nga përvoja ime, e ngjashme në thelb, mbasi para shumë vitesh jam marrë me përzgjedhjen, redaktimin dhe botimin e librit të parë dhe të fundit të tim vëllai, Ardianit, një vit pas vdekjes (në moshën 32 vjeçare ai humbi jetën aksidentalisht, duke punuar si emigrant në Athinë), u emocionova që mora pjesë në këtë promovim të veçantë, gjatë Panairit të 24 të Librit 2021, në Tiranë, e ku në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Jozef” me qendër në Durrës, dhe nën kujdesin e botuesit Aurel Kaçulini, Jozef Radi na prezantoi në mënyrë dinjitoze “Veprën e Plotë” të Lazër Radit.
Ishin gjithsej 23 libra, me një larmishmëri zhanresh si: Trilogjia e Jetës, vepra në poezi, në prozë, në publicistikë, monografi, kujtime, ditare dhe shënime, letërkëmbime, historike, studime, si dhe një pjesë të veprës ) vepra në përkthime të ndryshme nga Platoni, Frojdi, Leo Ferrero, John Bowle, Mark Milani, Jevrem Bërkoviq etj.
Ndërkohë që, shkrimet e Lazër Radit, ku ka lënë një pjesë të shpirtit, tashmë do udhëtojnë në çdo kohë për lexuesit që janë të interesuar për të vërtetat e një njeriu dhe një kohe që e kemi jetuar të cunguar.
Unë mendoj se kjo vepër është një “pasuri letrare” që na është dhuruar bujarisht edhe pas humbjes fizike të autorit. Ndihem e privilegjuar, që prej disa kohësh m’u dha mundësia të kem një njohje të disa prej veprave të tij.
Vërtet, sepse përtej gjithë sakrificave, rezultati ka rëndësi, dhe në këtë rast librat e Lazer Radit do t’i shërbejnë si një model i intelektualit të shoqërisë shqiptare, në vazhdimësi!
.
Gjithçka që ndodh, ndodh për një arsye, dhe asgjë nuk humbet nëse ka motivin e duhur, për të mbrritur tek lexuesit. E rëndësishme është që veprat e Lazër Radit, pa as më të voglin dyshim do bëhen burim force, inkurajimi, frymëzimi e shprese për shumë persona…
Uroj që dhe i biri i Autorit, Jozefi të shijojë Paqen e këtij amaneti të përmbushur përmes sakrificash dhe një përkushtimi të pashoq, në këtë ndërmarrje që pakkush mund ta realizonte!
.
Marrë nga muri i Fb i Arjola Kondakçiut, 22 nëntor 2021
.