back to top
2.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Fajtorë, foltore dhe falltarë… – refleksione të një tjetër dimri historik nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2021
Jozef Radi 2021

Fajtorë, foltore dhe falltarë…

refleksione të një tjetër dimri historik 

nga Jozef Radi

Tashmë është dimër dhe ftohtë… Shqipëria prej kohësh është e zhytur në një çorodi e në një llum politik, prej të cilit po e ka të vështirë të dalë. Edhe pse: “Zoti vetë e tha me gojë, që kombet shuhen përmbi dhè, po Shqipëria do të rronjë, për të, për të lëftojmë ne…” bota shqiptare ndjehet e marrë peng.
Pushteti në Shqipëri kahera vërtitet gjithnji e më tepër rreth Njishit; ndërsa Opozita, që shumkujt i pat krijuar përshtypjen se ishte Funksion derivat i Njishit, diçka eksplozive i ka ofruar këtij dimri, që më parë nuk premtonte asgjë të mirë! 
E vërteta ishte se shoqëria shqiptare kishte rënë në letargji të frikshme, humnerore, e që në kësi rastesh gishti i fajit drejtohet kah Opozita!!
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, personi më i përditshëm mediatik, prej kohësh ka adaptuar një sjellje prej guvernatoreje, ku buzëqeshjet e saj të shlirta, (dukshëm me tepri), shfaqeshin si zbutëse të portreteve më në zë, të një pushtetit qartësisht të korruptuar, që shetisnin ndër mediat e shumta virtuale, duke të krijuar edhe idenë e një mbështetjeje të fuqishme për çka abuzojnë, po edhe duke lënë përshtypjen e një shteti qesharak, që ecën për inerci të buzëqeshjeve dipllomatike!!
Në anën tjetër, Opozita mbas humbjesh të njëpasnjëshme dhe disfatave politike, si: braktisja e Parlamentit; mosmarrja pjesë në zgjedhjet lokale; mefshtësia në trajtimin e problemeve të mbrendëshme, (duke i mbuluar me gjethe fiku, problemet e thella që po e grryenin) luftonte më shumë për të konsoliduar pushtetin e humbjeve, se ipotekohesh ndër beteja të vërteta, për të siguruar qoftë sado pak entuziazëm që të mos e zhyste bazën idealiste në dimrin e thellë e të pashpresë!!
Ish lideri i Partisë Demokratike, Baci Historik, dukej se e kishte siguruar zahirenë dhe oxhakun, dhe vegjentonte si një Argus, ku mbi të gjitha, dukej se i interesonte ajo “qoshja” e shenjtnisë së vet parlamentare! 
Befas, ky skenar monoton filmi, u këput! E në tollovinë e “vidh të vjedhim”, gjithë pesha tetëvjeçare e makutërisë rilindase me mekanizma perfide, ju vu barrë Bacit Historik! 
U desh veç të ngacmohej “grethi me krande” e si n’kangët pikante të Fishtës, që aq bukur i shpërthente dikur: “A t’kam thanë moj kopilhane, mos i nguc grethat me krande, se ke nguc bash t’zezën tande…” dhe bota politike shqiptare teksa zhytej plogështisht në dimër, befas u gjend përballë një kryefjalë të re të lëvizjes opozitare! Foltorja! 
Kishte mjaftuar një “Non grata” disi evazive e DASH-it, e ndjekur me një vendim në “kokë të vet” të Kreut të Krehur të Opozitës, ndaj Bacit Historik, dhe bota politike shqiptare të futej në rrokopujën e lëvizjes, në një dinamike që askush s’e kishte pritur, që as dimri s’e kish besuar se po i prishej terezia. 
Në të vërtetë çfarë ndodhi!? Asgjë e rëndësishme! Akti i përjashtimit të Bacit Historik prej grupit parlamentar, kish sjellë atë që s’e kishte parashikuar askush!!
Baci, si tridhjetenjë vite të shkuara, po rikthehej në Bazë!

Sigurisht u prit me hutim e me shpoti, me mosbesim e me gishta që i tundeshin para hundës. Po Baci “është kafshë politike”, së pari ai diti ta shëndrrojë 77 në 44; diti të fajsohet, të bëjë “mea culpa” e të kërkojë ndjesë; diti të shpjegohet, diti të prekë në tastet e mekura të besimit dhe shpresës, dhe siguroi një komunikim që shumëkujt i duket arkaik dhe i pafrut, por meqë “shtresa intelektuale” shqiptare është pa ideale, dhe bën gjithë kohës llogari me kë të mos prishet, e me kë ndreqen më mirë hallet, i kqyrte herë nga kafenetë e herë nga divanet, foltoret e Bacit! Ndërkohë, ai jepte e merrte nga njëri skaj i vendit në tjetrin me njerëzit e Bazës, që mbeten shpirti dhe energjia e një partie. 
Sigurisht, s’kishte ndonjë platformë të studiuar, as ndonjë rreth intelektualësh nga Partia e shpresave të mëdha që ta ndiqte, as të shpaloste ndonjë platformë të re. Kjo ishte diçka tjetër! Atij i duhej të dilte nga hija e shenjtë e Bacit e të rifutesh te legjitimiteti i dikurshqë ta ndiqtem i Liderit!! Ata që kishin “çelsat e Kështjellës”, në vend që ta lexonin shpejt qartë mesazhin e sfidës që u kishte hedhur, u kënaqën me idenë: se ai veç “çelsat e Kashtës” kishte. Ndërkohë, që ai lloj I ri kuvendimi, si të thuash me zemër në dorë, po merrte përmasat e diçkaje që askush s’e kishte çuar nëpër mend, si alternativë!!
Edhe Njishi i Pushtetit, që dikur ishte përpjekur e lodhur të gjente një parti e t’ia përshtaste shtatit, ai thjesht në momentin oportun  kishte blerë partinë që i nevojitesh; pikërisht n’atë treg që e kishte sharë më shumë, por që me amalgamën e saj historike diktatoriale, do të kishte qenë më e përshtatshmja! Lideri i Opozitës që e kishte Partinë me Qira, si duket me 7501 tashmë e kishte bërë të vetën!! 
E nisur për pak seanca, foltorja befas u shëndrrua në frymë, duke shmangur një sërë fajtorësh e duke mbledhur rreth vetes një luzmë falltarësh, të cilët e mbushën vjeshtën në të dalë dhe dimrin në të hyrë me gjithfarë kalkulimesh, parashikimesh dhe hipotezaah, të cilat po kapërcenin çdo fantazi! Fillimisht, Foltorja u trajtua si: “grahmat e fundit të nji plaku të rrjedhur”, dhe panë energjitë e paepura të një bishe politike; e trajtuan si njeri të ilegjitimitetit statutor, por u përballën me firma dhe njerëz që kapërcenin gjysmën e këshillit kombëtar; ia risollën në evidencë një për një gjitha gabimet e së shkuarës, dhe ai shpjegoi se kishte bërë gjithçka kishte mundur, po mund të kishte bërë më shumë dhe më mirë; i thanë që kreu i partisë kishte qenë çiraku i tij më i zellshëm i tij… ai e pranoi, dhe mori mbi vete përgjegjësitë e zhgënjimit, (kjo mund të ishte edhe e pavërtetë). I nxorrën fotot 40 viteve të shkuara, edhe teserën e Partisë së Punës ia nxorrën… dhe ai u kujtoi se nga nata e diktaturës, nuk mund të dilej edhe aq lehtë… Lukuni kundërshtarësh e kundërshtuesish mbushën mediat, shtypin, kafenetë, partitë, bisedat… dhe kështu dimri politik shqiptar… nuk ishte më edhe aq dimër! 

Sali Berisha në një prej Foltoreve të tij!
Sali Berisha në një prej Foltoreve të tij!

E gjithë turbullira politike  shqiptare e këtij fillimdimri, befas u gjend në fibrilacion. Shoqëria shqiptare, që ndjehej e mbetur peng e një pushteti që bën kapitalizëm me figura dhe mendësi komuniste; dhe e mpakur prej një Opozite, që më shumë kohë harxhonte për krehje, spitullime e lyerje flokësh se sa për betejat e vërteta që i takonin asaj… shqeu sytë!!! 
Një njeri i vetëm, paksa edhe idolatrik, e kish braktisur strofullën dhe “shenjttnine e tij” dhe i kishte vënë të gjithë në lëvizje, sa hap e mbyllur sytë!! 
Vërtet, Kutia e Pandorës qe hapur në rradhët e Opozitës, por në një farë mënyrë u përfshi e gjithë shoqëria. Edhe ata që janë kundra, e nuk lëvizin dot nga istikami i të qenit kundra si patollogji, zmadhuan sytë e rritën veshët zhdervjelltësuan edhe gishtin  e telekomandës, që të mësojnë diçka më shumë prej kësaj dinamike, ku po futej me të shpejtë një shoqërie që kish prekur fundit, e që s’po e pranonte veten në rënie të lirë…
Ja pra, këtu ndodhet sot e gjithë shoqëria shqiptare! 
Opozita gjendet e përndarë! Kreu i Krehur është me veten dhe për veten, Baza është me Bacin Historik dhe për aksionin politik. Kreu duke mos pasur kohë ta trajtonte Bazën, ndjehet disi i grryer, po jo aq sa të rrëzohet; Baza ka kërkuar t’i shpjegojë se ajo është thelbi i demokracisë, dhe jo Sejmenët e Pudrosur po shfaqet në kufijtë e rrëzimit të Kreut të Krehur! 
Për fat të keq, përgjat vjeshtës që zbriti në dimër, gjuha e ndërmjetme, emisarët bashkues dhe arsyeja s’u pa asgjëkundi në tregun opozitar! 
Opozita shqiptare i vuri vetes sinor, dy data: jo fort të largëta prej njëra-tjetrës: 11 dhe 18 dhjetor 2021! 
Bëhen gjithnjë e më të shumtë ata që besojnë se Baci Historik dhe Baza Opozitare, mund ta ngrenë mjaft moralin e e rrënuar të shoqërisë shqiptare; po shumë të tjerë mendojnë se Pushteti i Pakufi i Njishit, dhe Paraja e Oligarkisë së Re do të mbështesë dukshëm ose padukshëm krahun më të dobtë të Opozitës, për ta fragmentarizuar atë, me kosto sa më të ulët, dhe për ta hedhur, kur mos t’i duhet më. 
Baza e Opozitës është e gatshme për sakrifica! Humbsa e humbsa, po së paku humbsa dinjitozë e jo lapërdharë! 
Kreu i Opozitës së Krehur, shtrëngon rradhët me gjithë mjetet dhe mënyrat. Edhe pse i grryer thellë, lufton të ketë gjithë kartat e manovrës për një fetë sa më të leverdisshme në lojën e nesërme të “kërkesë-ofertës” me Pushtetin, për kalimin e ligjeve në Parlament, po edhe për një përkrahje nga qarqet e politikës së madhe, për këtë shërbim. Shtypi do të vazhdojë me zell t’i fusë fitilat përçarjes, ndërsa Baci Historik do të vazhdojë i paepur në energjitë e veta, duke shfrytëzuar gjithe eksperiencen e tij si “kafshë politike” e duke përhapur shpresë e besim… ndoshta edhe zhgënjim!!

Kreu i PD Basha,  dhe Lideri Historik
Kreu i PD Basha, dhe Lideri Historik
Njishi i Pushtetit do të vazhdojë të marrë avionët, duke dhuruar albumet kryeministore të artistit, e duke sjellë medalje e diplloma nga miqtë e tị të përtej(detrave dhe oqeaneve) për cilësitë e lartë të jetës së afganëve në trojet e braktisura prej arbërve dembelë…!!! Ndërsa shqiptarët do të vazhdojnë si gjithnjë, me gishtin epileptik mbi telekomandë, si pjesë e një tifoje të lashtë, të gatshëm për të ndrruar kanale e për t’u rreshtohen si gjithnji, me më të Fortin…!!
Po çfarë do të ndodhë mbas dy datave sinore të Opozitës?! – është pyetja që ngre çdo njeri që lufton ta dojë vendin e vet.
A do të mundet vallë entuziazmi i turmave të zbresë ndër tavolina me njerëz, me ide dhe projekte serioze, me struktura solide e mendësi largpamëse, me shpirt beteje dhe forcë për t’u përballur me metastazat e korrupsionit që vajisin shthurjen?!?
Unë uroj që kjo të ndodhë, por eksperienca në vëzhgimin e proceseve tona politike, ka lënë gjithnji për të dëshiruar! 
Bacit Historik, (që ka histori të trishta më pronën e atyre s’ua ktheu) me siguri do t’i kthehet “prona”,  jo e plotë, sepse Zoti nganjëherë, (për ne të djathtët që besojmë në Zot) të ndëshkon pikërisht me atë që ke ndëshkuar; ajo “pronë” s’do të jetë as afatgjatë, sepse edhe Ai e di mirë se ciklet biologjike kanë limitet e tyre, por uroj që ky të jetë një shërbimi më i vyer i kësaj kohe të vështirë!!
Gjithsesi mendoj, se shoqërinë shqiptare mundet ta emancipojë dhe demokratizojë vetëm PD, me gjithë difektet që ajo ka manifestuar në këto 31 vite!  Ndaj kurrsesi ajo s’duhet lejuar të shpërthiqet prej egoizmave dhe intrigave, por t’i filtrojë me kujdes dhe të ballafaqohet haptas me to! PD demokratizohet nëse lejon hapësirë për fraksione brenda saj, duke iu rikthyer unitetit, përmes njerëzve me integritet, që janë gjithnjë e më të pakët! Sa me solid të shfaqet ky Modeli i saj, aq më shpejt do të futet në krizë Partia e Pushtetit me Njishin e saj të Gjithpushtetshëm, i cili tashmë gjendet i rrethuar me turlifarlloj sejmenësh, patronazhistësh, eunukësh e çupërlinash gastore e të gastarta, aq sa ka krijuar idenë se jetohet në ishullin e Cirçes, e ku shqiptarët në mos qofshim derra, pak gjë i ndan prej tyre!!! 
A është ky, momenti që Shoqëria shqiptare e të gjitha shtresave të fillojë të ketë pak më shumë respekt për veten, apo do të vazhdojë ta rrokullisë hareshëm veten drejt greminës…?! Dikush thotë po, dikush thotë jo!
Kët përgjigje do të na e japin Baci Historik dhe Kreu i Krehur, në përballjen mbas dy datave sinore në Partinë e Shpresave të Mëdha!! Zoti e Bëftë Mirë!
4 dhjetor 2021 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.