back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 30 Dhjetor, 2024

Hataja… Murat Basha (panorama)

Gazeta

Murat Basha
Murat Basha

Hataja… Murat Basha (panorama)

Jetojmë në kohë krizash. Ato tashmë janë shumëdimensionale: ekonomike, politike, kulturore, identitare, ideore… E majta në Shqipëri vazhdon të jetë kompetitive në planin elektoral, si pasojë e aparatit potent, të trashëguar nga e kaluara. Shihet qartë se pretendimet zhurmëmëdha për ndryshim, për shkëputjen nga e kaluara kriminale komuniste, zbehen dhe struken nga frika që ka e reja ndaj kulturës dhe mentalitetit të vjetër. E reja tërhiqet, struket nga hungërima brutale e nostalgjisë për të kaluarën. Kjo e kaluar është elementi bazë spiritual i së majtës. Në fakt, edhe në Europë ka ekzistuar një konflikt ndërmjet së majtës ekstreme dhe përkrahësve të socialdemokracisë, ky dualitet ka sjellë jo pak konfuzion brenda radhëve të së majtës. Në Shqipëri jemi përballur me një realitet tjetër. Pikënisja e analizës fillon me ambiguitetin kulturor që gjendet në të majtën shqiptare, ku zdërhallen komunistë, postkomunistë, socialistë dhe socialdemokratë, anarkistë, për pasojë kemi një miks-marketing politik dhe një pragmatizëm ideologjik dhe kulturor. Po në Europë?
Referuar historisë moderne, ndarja e parë thelbësore në të majtën europiane ndodhi në momentin më të mirë të saj, majin e 1968-s. Në këtë vit të “famshëm” për të, e majta perëndimore pësoi ndarjen më të madhe, atë të largimit përfundimtar nga dhuna e ideologjisë marksiste. Por vazhdoi të ishte nën ndikimin e teorisë marksiste. Kjo për arsye sepse kultura e së majtës ishte e mbushur me mitologji revolucionare. E majta moderne europiane largoi nga radhët e saj “bolshevikët e demokracisë” (Beppe Vacca). Ky fakt ndikoi në formimin, fuqizimin dhe veprimtarinë kriminale terroriste të “Brigadave të Kuqe” në mënyrë të veçantë në Itali, Gjermani, Francë po ashtu E.T.A në Spanjë dhe I.R.A. në Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Anthony Giddens, në manifestin e tij kushtuar “Rrugës së tretë”, thotë se: “Në Mbretërinë e Bashkuar, aktualisht si në shumë vende të tjera, teoria aranzhohet pas praktikës”. Jetimë të ideve të vjetra, qeveritë që mbështeten dhe përfaqësojnë të majtën, krijojnë politika të improvizuara. Ato janë të detyruara që të mbushin me teori politikat që elaborojnë…, për të furnizuar politikën e tyre me më shumë sens në drejtim, e gjitha kjo, mbasi është thënë qartësisht se socializmi dhe komunizmi janë të ndërthurur ndërmjet tyre, madje mbeten obsesione!!! Nuk është e mundur të çlirohesh nga idealet, idetë apo gjoja vlerat që dikur ishin impulset e tyre. Përse? Sepse e majta është skllave e ideologjisë”.
Disidentja ruse, Irina Alberti, në kuvendin e madh të “Europe Liberte” mbi komunizmin, që u mbajt në qershor 1999, në Romë, theksonte se: “Është akoma dëshira e të majtëve për ta interpretuar ideologjinë komuniste si diçka të mirë, por që u aplikua keq. Unë nuk e besoj këtë version. Komunizmi ishte një falimentim total, do të thotë se kishte diçka në rrënjët, në zanafillën e tij që nuk funksiononte. Pse? Sepse u ndërtua mbi dhunën… Për këtë diçka që nuk funksionoi dhe për dhunën, nuk flitet kurrë, as nga të majtët progresistë sot…”. Nuk ka nevojë për koment deklarimi i Presidentit aktual francez, Fransua Holland, kur ishte sekretar i parë i Partisë Socialiste franceze, se: “E majta franceze asnjëherë nuk ka mundur të shkëputet realisht nga ndikimet marksiste”.

29 nëntor 2013, Tiranë
29 nëntor 2013, Tiranë

U detyrova të bëj këtë parashtrim mbi ecurinë e së majtës europiane për t’u kthyer në problemin që kam cekur në krye të herës: fotografia e Enver Hoxhës. Duke dashur të jem si gjithmonë i drejtpërdrejtë, por edhe i ndershëm me këdo qe lexon këta rreshta të shkruar nga unë, bëj me dije se shpreh nderimin tim për të gjithë ata që dhanë jetën për Atdheun dhe lirinë. Jam dyshues se të flijuarit për këtë vend do të miratonin dhe pranonin gjëmën e mynxyrën që pllakosi mbi shqiptarët për 45 vjet. Sot, me arrogancë dhe cinizëm, para shqiptarëve ridel në sfond, mbas pushtetmbajtësve, portreti i njeriut që ushtroi gjenocid mbi një pjesë të popullsisë shqiptare dhe dhunë masive mbi të gjithë popullin shqiptar. Kjo është fyerje, është cinizëm, është karshillëk. Në vendin tonë, për arsye të ndryshme, nuk është dënuar e kaluara kriminale komuniste… Nuk janë dënuar njerëzit në shërbim të dhunës, pra instrumentet e saj. Mbi gjithçka nuk është dënuar veprimtaria kriminale dhe figura e Enver Hoxhës. Kjo nuk është një thirrje për hakmarrje, jo. Nuk ka vend për hakmarrje mes nesh… për drejtësi po. Janë mijëra jetë të marra nga dhuna dhe gjenocidi enverist. Janë qindra-mijëra vite burgim politik, po ashtu internime dhe persekutime apo privime të formave të ndryshme. Familje të shkatërruara, ëndrra të vrara, nëna pa djem, gra pa burra, motra pa vëllezër… Një popull që u skllavërua dhe vegjetoi në një kohë pa kohë. Të gjitha këto gjëma kanë një emër: Enver Hoxha. Sot e gjithë ditën nuk është dënuar figura dhe veprimtaria e tij gjenocidiste dhe kriminale. Kjo nuk është hakmarrje, është thirrje për ndërgjegjësim dhe dënim të krimeve të sistemit komunist dhe kryekriminelit Enver Hoxha. Njëkohësisht është dhe një kërkesë falje, në heshtje, për gjithçka të kobshme që pllakosi në këtë vend për 45 vjet.
Të guxosh dhe të vendosësh në sfond fotografinë e një krimineli sadist është rivrasje, riburgosje, riinternim, ripersekutim për një pjesë, por edhe për shumicën e shqiptarëve. Më keq akoma është fyerje, tallje, karshillëk për viktimat e komunizmit, është fyerje edhe për studentët e Dhjetorit ‘90. Shqiptarët folën dhe vepruan më 20 shkurt ‘91. Morën vendimin dhe e zbatuan, rrëzuan dhe tërhoqën zvarrë në shesh shtatoren e diktatorit. Ne nuk duhet të lejojmë askënd sot që të guxojë dhe të rikthejë mes nesh foton e kryekriminelit Enver Hoxha. Kjo nuk është më fyerje, tallje apo karshillëk. Ky është rikthim te marksizmi, enverizmi, ndërkohë që pretendojnë “Rilindjen”.
Cilën rilindje? Atë enveriste marksiste? Sepse të kesh në sfond në mbështetje një kriminel terrorist marksist, çfarë është? Është gjëmë, mynxyrë. Është… Kjo është Hata.
(Marrë nga Panorama, 2 dhjetor, 2013)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.