back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Konkurenca e lirë nxit cilësinë – nga Thanas L. Gjika – Vlerësime për punën 20-vjeçare të Sh.Sh.ShA përmbledhur në dy vëllime

Gazeta

Thanas L. Gjika
Thanas L. Gjika

Konkurenca e lirë nxit cilësinë 

nga Thanas L. Gjika

Vlerësime për punën 20-vjeçare të Sh.Sh.ShA përmbledhur në dy vëllime

Njëzetvjetori i krijimit e gjen Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë me një seri aktivitetesh të kryer për promovime e vlerësime librash, me artikuj kritikë, me konkurse letrare dhe dhënie çmimesh, takime me krijues të shquar “të ftuar nderi” nga atdheu dhe bota, si dhe aktivitete të tjerë, shoqëruar me foto të shumta. Këto bëma janë përmbledhur në librin dy-vëllimsh “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë 2001-2011 dhe 2012-2021”, 671 faqe gjithsej botuar prej Adriatic Press nën kujdesin e Presidentit të shoqatës, të palodhurit dhe bujarit Adnan Mehmeti, redaktuar prej Dr. Arjeta Ferlushkaj dhe Dr. Yllka Filipi. Kjo përmbledhje është vlerësuar prej personalitetesh të shquara shqiptare dhe amerikane, siç janë kandidatët për çmimin Nobel: Ismail Kadare dhe Frederick Turner; shkrimtarja dhe kritikja kanadeze Constance Rooke; dhe profesorët: Peter Prifti dhe Sami Repishti.

Njëzetvjetori i Shoqatës se Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë
Njëzetvjetori i Shoqatës se Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

Duke e parë veprimtarinë 20-vjeçare të shoqatës dhe sasinë e madhe të botimeve të librave me poezi e prozë, kuptohet sesa të drejtë kishte grupi nismëtar, i përbërë prej Gjekë Marinajt, Peter dhe Naum Priftit, Ramiz Gjinit, Dalan Luzajt, Raimonda Mojsiut dhe Albana Lifchin-it kur e nisi këtë lëvizje kulturore në diasporën tonë me pak anëtarë dhe pa pasur ndonjë fond të dhuruar nga shteti mëmë, ose fondacione a donatorë të pasur amerikanë.
Këshillat e kryetarëve dhe të presidentit dhënë anëtarëve të shoqatës, për të qenë shkrimtarë që krijojnë vepra letrare sa më artistike dhe jo debatues të politizuar, e kthyen këtë shoqëri letrare në një shkollë krijimtarie larg grupazheve dhe grindjeve. Ata vunë si motiv shprehjen e urtë: “Mbi gjithçka qendron Shqipëria. Mbi Shqipërinë veç Perëndia”. Kështu u nxit zhvillimi i konkurencës së lirë midis krijuesve, e cila ka mbështetur ecjen drejt cilësisë si të krijuesve që kishin botuar që në vitet e diktaturës dhe të atyre që nisën botimet pas ndërrimit të regjimit komunist.
Krijuesit e kësaj shoqate kanë ecur drejt pikësynimit kryesor të letërsisë si art, pikësynim që e ka vënë në dukje Prof. S. Repishti: “letërsia lufton për krijimin e së bukurës”. Kur thuhet “krijimin e së bukurës” kemi parasysh krijimin e “së përsosurës në llojin e vet”, pra të asaj së bukure që pëlqehet prej kujtdo, pavarësisht nga bindjet politike. Pëlqehen prej kujtdo jo vetëm heronjtë pozitivë si Hektori i Homerit, Wilhelm Teli i Shilerit, etj, por edhe personazhë negativë si personazhët e Shekspirit: Ledi Makbeth, që mishëron shpirtin ambicioz dhe Jagua, që mishëron intrigantin. Të dy këta personazhe janë pëlqyer dhe pëlqehen sepse janë krijesa të përsosura të karaktereve që përfaqësojnë. Duke qenë krijime të përsosur këta personazhe kanë ndikuar e ndikojnë fuqishëm në zgjimin e ndërgjegjes njerëzore, në largimin nga veset, pra krijimin e moralit të shëndoshë.

Njëzetvjetori i Shoqatës se Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë
Njëzetvjetori i Shoqatës se Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

Ndër tiparet e parë dallues të shumë prej krijuesve shqiptaro-amerikanë janë venë në dukje malli, dashuria dhe dhimbja për atdheun mëmë, të cilin klasa politike e ka mbajtur deri sot në gjendje tranzicioni larg demokracisë së vërtetë. Kurse në fillim të dhjetëvjetëshit të dytë, krijues e studjues të mirëformuar forcuan kritikat dhe kërkesat për cilësi, gjë që ndihmoi për rritjen cilësore të krijimtarisë. Dr. Besim Muhadri ka vënë në dukje se tashmë kjo letërsi është “letërsi e shqetësimeve të shumta, e cila dita ditës po shkon drejt brumosjes me vlera serioze estetike.” Krahasuar me të gjithë komunitetet shqiptare që kanë ekzistuar që nga koha e Rilindjes e deri sot në mbarë botën, mund të them se komuniteti i sotëm shqiptaro-amerikan ze një vend nderi për nga numri i anëtarëve, sasia e botimeve dhe cilësia e veprave letrare.
Letërsia, ashtu si të gjitha artet, nuk është garë sportive ku secili konkuron për të dalë i pari. Në krijimtarinë letrare dhe në artet secili sjell përmes individualitetit të vet krijues vlera me tipare dhe nuanca të ndryshme ideore dhe artistike. Veprat letrare dallohen dhe shquhen midis tyre për shpalosjen e ideve përmes thurjes sa më intriguese të kompozicionit, për krijimin e subjekteve interesantë me tematikë të shumllojshme, për përdorimin me shkathtësi të figurave letrare, të dialogjeve, të naracionit, të psikologjizmit, të meditimeve filozofike, etj. Pikërisht në këtë punë krijuese secili anëtar i shoqatës ka dhënë e jep ndihmesën personale me veprat e veta. Kapja dhe vlerësimi i këtyre tipareve prej anëtarëve të zhurive ka shpënë gjatë konkurseve në vlerësime dhe dhënie çmimesh objektivë për vepra që krijojnë figura dhe karaktere të përsosur që trajtohen me vërtetësi. Se sa rëndësi ka krijimi dhe trajtimi i karaktereve letrare me vërtetësi, po ju sjell shembullin e romait “Dimri i Madh” i shkrimtarit të talentuar Ismail Kadare. Ky roman u prit shumë mirë nga lexuesit dhe kritika e kohës, sepse shoqëria jonë ishte e droguar prej propagandës së partisë shtet. Figura e diktatorit Hoxha paraqitej aty përmes figurash letrare të ndërtuara bukur si një marksist-leninist i shquar, si një udhëheqës vizionar, etj. Por pas ndërrimit të regjimit kur dolën në shesh shumë të vërteta historike u kuptua se diktatori Hoxha kish mbrojtur jo Marksizëm- Leninizmin, por karriken e vet, u bë e qartë se romani nuk kishte vërtetësi në krijimin e figurave dhe karaktereve. Mungesa e vërtetësisë e bëjnë sot këtë roman të lexohet me vështirësi ndonëse ka një gjuhë të pasur me figura letrare.

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

Disa krijues kanë arritur me mundësitë e tyre të botojnë krijime edhe në anglisht e gjuhë të tjera. Shkrimtarja Albana Mëlyshi duke e vlerësuar botimin në anglisht si një hap të rëndësishëm për t’ia bërë të njohura lexuesit botëror vlerat e krijimeve të kësaj shoqate, ka kërkuar që të shtohen përpjekjet për përkthimin e veprave më të mira në gjuhën më të përhapur të botës. Kuptohet se një hap i tillë mund të realizohet po të kërkohet me këmbëngulje prej ShShShA-ja që të angazhohen për dhënie fondesh dy Ministritë e Kulturës dhe të Sporteve, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës.
Ndërkohë, mendoj se duhet shtuar presioni ndaj këtyre dy ministrive, si dhe qeverive përkatëse për të futur në tekstet mësimore pjesë nga krijimet më të mira të anëtarëve tanë, ose për të futur në listat e librave për lexim jashtë klase për nxënësit e studentët edhe të disa veprave të krijuesve shqiptaro-amerikanë.
Çdo popull gjatë historisë së vet krijon korpusin e veprave të zgjedhura në të gjitha fushat e krijimtarisë letrare, artistike, shkencore e filozofike si thesar përmes të cilit atë e njeh bota, sepse aty ai shpalos identitetin e vet kombëtar. Edhe populli ynë e ka krijuar gjatë historisë identitetin e vet përmes veprave të shumta heroike, veprave letrare, artistike, shkencore e filozofike. Detyra e brezave dhe e komuniteteve shqipfolëse të ditëve tona është që identitetin tonë kombëtar ta pasurojmë me vlera sa më dinjitoze, konkuruese në mozaikun e kulturës europiane e botërore. Ky identitet kombëtar mund të quhet “pasaporta e identitetit shqiptar”. Përpjekja për ta pasuruar me sa më shumë vlera këtë “pasaportë” ka qenë dhe është synimi serioz i ShShShA-së.
Është në nderin tonë që disa nga krijuesit tanë më të talentuar janë njëheresh dhe ndër krijuesit më të talentuar të popullit shqiptar në plan mbarëkombëtar. Midis krijuesve të shoqatës sonë ka mjaft prej tyre që kanë marrë deri sot çmime prestigjoze kombëtare dhe ndërkombëtare nga zhuri amerikane dhe europiane për vepra me nivel të spikatur ideo-artistik. Kurse Visar Zhiti, si e kam thënë dhe më parë, meriton çmimin Nobel për romanin dyvëllimsh “Burgologji – Rrugët e Ferrit dhe Ferri i çarë”, sepse aty pasqyrohet me nivel të lartë artistik deformimi i karakterit njerëzor nën trysninë e diktaurës komuniste. Mirëpo që të mbrrijmë tek ky sukses, kjo vepër duhet përkthyer anglisht sa më parë dhe me cilësi sa më të lartë.

.

Lexuar në ceremoninë e 20-vjetorit të ShShShA, 12 dhjetor 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.