Shënime mbi Poetin pa varr Trifon Xhagjika…
Trifon Xhagjika – Poeti i Kurajos së Epërme!
nga Jozef Radi
“Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimin tuaj!”
Dhjetori i këtij viti sjell dhimbshëm nji ngjarje të rëndësishme e cila si duket do të përcillet në harresë ashtu si plot herëv të tjera: Pesëdhjetë vjetori i vrasjes së Poetit Trifon Xhagjika… Nji pesëdhjetë vjetor i ftohtë, drithërues, ku figura e poetit Xhagjika, e pushkatuar pa mbushur të 31 vitet, nga lartësitë e lavdisë ku ai qëndron… lëshon mbi ne nji shi të akullt dhe një mjegull të trishtë… si një ankim qiellor, për atë krim që ende dëshmon të keqen që e ka sunduar krejt nji popull për më shumë se gjysëm shekulli… Ky ankim qiellor i Poetit martir Trifon Xhagjika duhet të na bëjë të gjithëve të ndjehemi keq, të ndjehemi të fyer, dhe të vrarë në shpirt për atë që i ka ndodhur Xhagjikës dhe Xhagjikëve… Të mos e harrojmë se Diktatura shqiptare ka pasur nji raport tejet të përbindshëm me poetët… Trifon Xhagjika është vetëm njëri prej tyre… e atij konstelacioni që nis me Lazër Shantojën, Qemal Draçinin, Trifon Xhagjikën, Vilson Blloshmin, Genc Lekën, Bilal Xhaferrin, Havzi Nelën… ç’ka bëhet më e trishtë në kët 50 vjetor të vrasjes së poetit, është fakti se ai, sot e kësaj dite është i pavarr… i janë vjedhur krejt vargjet e tij dhe askush nuk përgjigjet…
www.radiandradi.com përgjatë gjithë këtij muaji do t’i bëj homazh Poetit Trifon Xhagjika… Poetit pa varr dhe pa nji monument… dhe do të falenderoje cilindo që kontribuon me shkrime dhe me informacione… per gjetjen e varrit të këtij martiri të fjalës shqipe dhe mendimit të lirë…
Pikë referimi e fisnikërisë së letërsisë…
nga Anton Çefa
…E rëndë dhe e përgjakshme u ngrit dora e diktaturës mbi ato figura që nuk u pajtuan me realizmin socialist dhe gjendjen e krijuar.
Në vitin 1963, u pushkatua poeti disident Trifon Xhagjika, i cili recitoi burrërisht para trupit gjykues poezinë e tij “Atdheu është lakuriq”.
Mbas rënies së diktaturës, nga dorëshkrimet e tij, u botuan një tubë poezish, nën titullin “Atdheu është lakuriq”.
Xhagjika me jetën dhe veprimtarinë e tij letrare, fund e krye disidente, mbetet një pikë referimi e fisnikërisë së letërsisë sonë, një yll i shkëlqyer i mosnënshtrimit, i mospranimit të gënjeshtrës dhe dhunës.
Plumbi i zi vrau Xhagjikën… po jo vargjet dhe këngët e tij…”
nga Agim Doçi
“Vetëm i marri mund të vrasë poetin, engjëllin e fjalës së lirë. Një i tillë qëlloi me breshëri në gjoksin e këngëtorit, Trifon Xhagjika. Po nuk ishte vetëm një. Ishte një sistem i tërë që i përgjigjej me plumb fjalës së lirë…
…Ai është i vetmi poet i pushkatuar në gjithë Europën e pas Luftës së Dytë Botërore. Një poet pa varr! Ashtu si në rastin e Budës, Fishtës, Gjeçovit. Urrejtja ndaj tyre arrinte deri këtu. Ka ndodhur në historinë e diktaturave shqiptare, si rrallëkund të martirizohet poeti, njeriu i shpirtit dhe i këngës… Vetëm regjimet barbare prodhojnë të marrë, që vënë në shenjë poetin, njeriun e fjalës së lirë. Po nuk mund të vrasin dot shpirtin e këngës që ai përfaqësojnë.
Plumbi i zi vrau Xhagjikën, poetin e famshëm, po kurrë nuk mundi të vriste vargjet dhe këngët e tij…”