back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Vizioni Orvelian i Totalitarizmit – nga Dan Musliu – Kasëm Trebeshina, “Stina e stinëve”, (1991)

Gazeta

Ramadan Musliu
Ramadan Musliu – Dani (1954-2020)

Vizioni Orvelian i Totalitarizmit

nga Dan Musliu

Kasëm Trebeshina, “Stina e stinëve”, (1991)

Në kohën kur në kulturën tonë ngulitej me të madhe bindja se një art i tërë ishte viktimë e terrorit totalitarist, befas libri (me tri novela) “Stina e stinëve” i Kasëm Trebeshinës e prishi iluzionin fatalist mbi mallkimin bizantin të një kombi. Pikërisht vepra e Kasëm Trebeshinës është ajo vepër që vjen si reagim i drejtëpërdrejtë ndaj totalitarizmit dhe ndaj dhunës mbi një komb të tërë. Me gjasë vetë Trebeshina me veprën e vet dhe me disa autorë të tjerë dëshmon se, megjithatë, mund të dilet nga “rrethi i mbyllur” i absurdit totalitarist.
Libri i Trebeshinës sjell tri novela: novelën “Stina e stinëve” të cilën e emërton edhe me titull të dytë si “Këngë fëmijërie”, “Odin Mondvalsen” e cila ndryshe titullohet si “Një histori dashurie” dhe novela “Fshati mbi shtatë kodrina” apo “Kapriçio shqiptare”. Që të tri novelat përfillin konceptin e afirmimit të kombëtares, d.m.th. metoda induktive, ku e veçanta shkon kah përgjithësimi, të jetë ide përfaqësuese e veprës dhe e konceptit artistik. Autori duke folur për të veçantën, për fatet individuale, flet për fatin e kombit. Ideja e shqiptarizmës, e cila e përjashton ideologjinë, është prijatare në veprën e tij. Prandaj vazhdimisht forcohet bindja se vepra letrare e Trebeshinës është shkruar si reagim refuzues ndaj realitetit.
Si novela e parë, e cila për temë e ka fëmininë, si e dyta, e cila merret me fenomenin e totalitarizmit në formën më autentike, po ashtu edhe “Kapriçoja shqiptare”, të gjitha së bashku, afirmojnë idenë kombëtare, idenë e traditës dhe të frymës kombëtare, e cila ishte në kundërshtim me konceptin klasor me atë karakterin bastard popullor të letërsisë dhe me idenë se arti duhet të jetë në shërbim të edukimit klasor të masave. Kundërvënia ndaj totalitarizmit, ndaj absurdit komunist, i cili në instancë të fundit është koncept i akulturimit të shqiptarëve, bën që vepra e Trebeshinës të mund të konsiderohet letërsi e tipit orvelian. Ky koncept forcohet posaçërisht nga vepra monumentale “Odin Mondvalsen”.

Fëminia pa tabu

Vepra e Trebeshinës është shkruar si reagim ndaj imponimit të dogmës ideologjike në art, por në anën tjetër ajo përmban një koncept origjinal artistik. Ky është, për mendimin tim, autori i parë, duke marrë parasysh kohën kur janë shkruar veprat e tij, që imponon konceptin modern ndaj letërsisë. Vepra e Trebeshinës është ajo që vlerën e vet e mbështet në percepcion autentik dhe në procedim. Trebeshina është autori i parë që imponon perspektivën personale të konceptimit të botës, që do të thotë se ai nga një sistem i realitetit i bart shenjat në një sistem artistik, duke krijuar kështu një rend të ri logjik (syzheun), një filozofi dhe akceptim autentik. Në veprën e këtij autori kemi njëkohësisht të pranishëm edhe rrafshin real dhe rrafshin e akceptimit të fenomeneve, por edhe rrafshin e vetë fakteve artistike. Prandaj konceptimi autorial se filan vepra i takon kësaj metode dhe kësaj faze krijuese, është pikërisht dëshmi e një hipervetëdije që mundëson kalimin e kualitetit estetik nga mesazhi, ideja e referenca në procedim dhe në forma të procedimit. Kështu, novela e parë “Stina e stinëve”, duke trajtuar një periudhë specifike të jetës së njeriut, siç është fëminia, njëherit krijon edhe aksiologjinë e brendshme të saj. Autori në këtë novelë paralajmëron se skema soc-realiste është e huaj për të. “Stina e stinëve” është një rrëfim pa tabu dhe pa shabllone për fëmininë, sepse autori pos që inkuadron percepcionin karakteristik fëminor, ai është forma animistike që shprehet përmes vështrimit të botës nga këndi i naivitetit. Ai njëherit përpiqet ta përfshijë totalitetin e proceseve jetësore, duke pretenduar që të prekë çështje që janë në kundërshtim me një mentalitet të konservuar dhe me një skemë gjegjëse të metodës artistike. Është ky një rrëfim për fëmininë, që rrëfehet në vetën e parë dhe që mëton ta përmbledhë jetën me të gjitha dukuritë e saj, sa që përfitohet bindja se kemi të bëjmë me një rrëfim të dendur, me një rrëfim që manifeston frymën jetësore me tragjikë, komikë, ironi dhe vitalitet. Ajo është shtresa aksiologjike e rrëfimit, e cila mëton të afirmojë konceptin se fëminia është “stinë e kaltër” dhe e vetmja fazë e lumturisë njerëzore, është një përmasë krejtësisht tjetër.

Kasem Trebeshina - Dosja 1338
Kasem Trebeshina – Dosja 1338

Nonsensi totalitarist

Novela “Odin Mondvalsen” e Kasëm Trebeshinës është vepër unikate e letërsisë shqipe e cila në mënyrë lapidare arrin ta shpjegojë artistikisht dukurinë e totalitarizmit komunist. Është kjo një novelë që për shumëçka mund të krahasohet me “1984” apo me “Fermën e kafshëve” të Xhorxh Orvellit. Trebeshina, dukurinë e totalitarizmit dhe të dhunës ndaj shpirtit, këtu e vështron përbrenda. Për ta dhënë një pamuni të këtillë orvelliane, por për ndryshim nga ai i Orvellit, ku shpjegohen mekanizmat e jashtme, Trebeshina ndërton një rrëfim që e nyjton idenë e shprishjes shpirtërore të individëve dhe të kolektivitetit, përkatësisht të komunitetit shqiptar. Ai që e lexon këtë novelë do të mund ta ketë të qartë pse shqiptarët e Shqipërisë Administrative aq pak janë të lidhur me kombin, pse e braktisin atdheun, pse nuk mund ta rimëkëmbin shtetin e tyre. Thënë shkurt, novela e Trebeshinës shpjegon pasojat e eksperimentit komunist mbi shqiptarët. Vetëdija mbi këtë eksperiment, jo vetëm tema dhe procedimi i veprës, japin shpresë se shqiptarët kanë gjasa të këndellen dhe të largohen nga filozofia politike e “bunkerëve të kotë, piramidave dhe sfinksave të Enver Hoxhës”. 
Veprimi i rrëfimit novelistik i Trebeshinës është vendosur në një spital për të sëmurë mentalë. Kjo mjafton që autori ta përdorë atë metodë të logjikës së përmbysur, d.m.th. që të flasë shlirshëm për perspektivën personale të individit që përpunohet. Vepra është një rrëfim preciz, racional, një analizë e hollësishme e totalitarizmit dhe të pasojave të tij në psikën e njeriut. Kasëm Trebeshina me vrojtimin e një psikologu, të një sociologu, të një antropologu, të një filozofi e të një politikologu di t’i hetojë dukuritë, reflekset, pozicionin social, mental e moral të njeriut i cili është vënë në eksperimentin e çindividualizimit. Situatat dhe nyjat kyqe të rrëfimit na duken se autori mëton ta përdorë konceptin syrealist, kur brenda rrethanave e kornizës objektive të realitetit, të fut në fantazi, por në të vërtetë ai fikson pamuni, ëndrra, gjendje fantazmagorike që i takojnë ambientit. Autori kështu me funksionalitet të madh e përdor nonsensin, palogjikshmërinë, lojën e fantazisë e shumëçka tjetër, vetëm e vetëm për ta dhënë sa më objektivisht vetëdijen e individit që nuk pajtohet me totalitarizëm, me monopolin e dogmës, me dhunën shpirtërore. Edhe nga aspekti i procedimit autori tregon një mjeshtri të artistit të madh. Kjo mund të shihet nga forma e konceptimit të kapitujve dhe radhitja e tyre artistikisht shumë funksionale, por që shprehin një koncept të caktuar dhe inkuadrohen në idenë se dhuna e totalitarizmit e prish logjikën e gjërave.
Trebeshina me këtë novelë ka dhënë fotografinë e brendshme të dhunës totalitare dhe ekzemplarin e shqiptarit të përpunuar, për të cilin nuk ekzistojnë vlerat objektive, as kombi, as liria e besimit religjioz, as e drejta e intimitetit. Shtjellimi i ideve të rrëfimit novelistik (Odin Mondvalsen) kërkon një hapësirë të gjerë të interpretimit, sepse është një kryevepër deri më tashti e panjohur e letërsisë shqipe që e pret lexuesin e vet. Historia shpirtërore e kombit 
Edhe novela e tretë “Fshati mbi shtatë kodrina” apo “Kapriçio shqiptare”, është një rrëfim që projektohet nga perspektiva e fëmijës. Autori këtu, në vazhdën e paradigmës kuteliane të narracionit, të cilin ende nuk e ka tejkaluar tregimi shqiptar, rrëfen për historinë shpirtërore të kombit. Edhe këtu e kemi atë formë induktive, ku përmes fakteve individuale rrëfehet fati i përgjithshëm i shqiptarëve dhe i Shqipërisë.
Kasem Trebeshina - Pjesë nga vepra e botuar
Kasem Trebeshina – Pjesë nga vepra e botuar

Kjo novelë për nga fryma ka diçka bulgakoviane, jo për nga ndikimi, por për nga funksionalizimi i shtresës mitike e mistike. Autori përmes një rrëfimi në vetën e parë shpjegon legjendat e fshatit që si Roma shtrihet në shtatë kodrina. Këto legjenda janë rrëfime të Rrapo Hardhisë, një plaku të urtë dhe një burimi të gjallë legjendash. Këtu autori si më parë, tregon një prirje specifike për manifestimin e vetëdijes së tepruar të rrëfimtarit, i cili sa shpjegon historinë dhe legjendat, aq e komenton, sa e shpreh dhembjen e vet të shqetësuar të vazhdueshëm për fatin e shqiptarëve autori, po kaq, rrëfen dhe akcepton, e thur teksturën artistike dhe i shpjegon dukuritë, duke dashur që në të njëjtën kohë ta shtjellojë edhe procedimin e vet. Prandaj, legjendat autoktone, personazhet, ku të gjallët përzihen me të vdekurit (Hasan Zyko Kamberi, Muhamet Çami e Ibrahim Nezimi), ngjarjet reale dhe të trilluara, fiksimi i pozicionit të njeriut, i cili shpirtërisht është i patundur na bëjnë me dije se autori ndërton një tekst kompleks dhe shumëpërmasor.Në vend të përfundimit
Novelat e Kasëm Trebeshinës të librit “Stina e stinëve”, edhe si konceptim problemesh, edhe si percepcion, edhe si procedim, paraqesin një kaptinë origjinale të prozës sonë moderne. Lirisht mund të konstatohet se pas traditës kuteliane ky është autori i parë, i cili në letërsinë tonë sjell modernitetin e rrëfimit. Kemi në këto novela të tij tipare të procedimit, çështje kjo parësore e prozës së shekullit tonë, siç është problemi i frymëzimit hiperlogjik (novela “Odin Mondvalseni”, ai i mistifikimit, fragmentarizimi, përmbysja e logjikës rrëfimore, ndërtimi i një sistemi specifik i shenjave etj. që këtë vepër e bëjnë disi të veçuar nga proza e sotme shqipe. Madje, për dallim nga proza shqiptare që është krijuar në Kosovë, kjo e Trebeshinës tregon se liria stilistike i ka mundësuar atij, jo vetëm tejkalimin e dogmave, por edhe kanonet e caktuara, natyrisht, e tërë kjo bëhet që të mundësohet ndërtimi i sistemit të tij rrëfimor.
Novelat e Trebeshinës janë pikërisht ato që imponojnë nevojën për riinterpretim të letërsisë, të asaj që është shkruar deri më tash, e poashtu edhe ndryshimin e konceptit letrar dhe aspektin e receptivitetit të veprave që aktualisht po botohen. Edhe antitotalitarizmi i tij, edhe gjakimi i për një labirinth artistik, autorit ia mundësoi azilin shpirtëror. E tërë kjo na bën me dije se kultura shqiptare me gjithë represionin dhe diktatin e dogmës, megjithatë e ruajti identitetin qoftë edhe në këtë mënyrë...

Marrë nga libri “Konfiguracione narrative”, Tiranë, 1998
.
Marrë nga muri i FB i Agim Morinës, 16 nëntor 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.