back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Editorial special – 20 vjet Kuq e Zi! nga Lek Pervizi

Gazeta

Numri jubilar i revistës "Kuq e zi"
Numri jubilar i revistës “Kuq e zi”

Editorial special – 20 vjet Kuq e Zi! nga Lek Pervizi

U mbushën 20 vjet nga dalja e numrit të parë të revistës “Kuq e Zi” më tetor 1993, po n’at Bruksel, ku afro 100 vjet ma parë, më 1897 dilte “Albania” e Konicës… me një ndryshim, se revista “Kuq e Zi”, nuk luftonte për lirinë e pavarsinë e Shqipnisë, por për një ringjallje apo rilindje të saj nga koma ose letargjia gjysëmshekullore e diktaturës mizore komuniste, përfaqësuese e terrorit ma të egër që ishte zbatuar mbi popullin shqiptar, gjatë gjithë historisë së tij. Sigurisht që nën sundimin e Turqisë, shqiptarët hoqën të zezat e ullirit, por nga një pushtues i huej, ndërsa me komunizmin ata u masakruen nga vetë vllaznit e tyne shqiptarë. Prandaj revista “Kuq e Zi”, i pat vu për detyrë vetes të përfaqësonte ata që e pësuen nga terrori bolshevik shqiptar, nën diktimin e Moskës të Stalinit dhe të Belgradit të Titos…
Revista ishte e para e tillë që botohej nga një ish i përndjekun politik, i cili mbasi kaloi 45 vjet i surgjynosun në burgje e kampe internimi, gjeti në Belgjikë at liri që i ishte mohue. Puna e parë që i rà ndërmend ishte me krijue një shtyp, ku të shprehej lirisht, pra një gazetë ose revistë sado modeste për ato kondita jetësore të thjeshta që ai kishte…
Kështu me një makinë shkrimi të dhurueme nga një shqiptar i mirë, Ded Mjeku nga Puka, i nënshkruemi arriti të plotësojë numrin e parë të revistës “Kuq e Zi”. Ky emërtim i erdhi spontan, për t’u dallue nga gjithë gazetat e revistat që ishin botue para 1993, në botën shqiptare të mbrendshme e të jashtme. Po financim ku me marrë për një botim masiv? Asgjëkundi!
Me ato pak kursime nga ndihma e Belgjikës, në një qendër fotokopjesh dhe të lidhuna me kapse, fare primitivisht. Ky ishte numri i parë e revistës “Kuq e Zi”

Studiuesi Lek Pervizi
Botuesi i revistes Lek Pervizi

Kjo tash, mbas 20 vjetësh mbetet unike në gjithë shtypin shqiptar. Askush prej intelektualve shqiptarë nuk bani ndonji vrejtje për kët thjeshtësi. E kundërta ndodhi, u shprehën me urime dhe elozhe.
E ndërsa dikush, që barte akoma injorancën fshatare kritikonte se “…si mund të botohej një revistë aq primitive e lidhur me kapse…” ai harronte se ajo revistë përmbante pathosin tragjik të një gjysmë shekulli jetë skëterrore për me dalë në dritë, sado e thjeshtë, por me një brendi që i përmbushte krejt kriteret e një reviste serioze dhe me frymëzim të një lirie të fitueme me aq sakrifica e vuejtje të papërshkrueshme… as e imagjinueshme për ata që nuk e kishin përjetue. Ishin profesorët e nderuem, Arshi Pipa, Injac Zamputi, Mikel Koliqi, Guljelm Deda, Mark Dema, Nush Radovani, Vinçenc Golletti, Myrteza Bajraktari, etj., që e përkrahën dhe vlerësuen si një tribunë të vërtetë shqiptarizmi. Dhe kjo ishte kënaqësia ma e madhe… Këtë e tregon edhe suksesi i botimit pandërpremje për 20 vjet rresht, diku rrallë e së fundi ma shpesh edhe me përhapjen e internetit. 20 vjet “Kuq e zi” nga tetori 1993 në tetor 2013.
Falendërojmë të gjithë ata që e kanë ndjekun e lexue si dhe ata që me shkrimet e tyne e kanë pasunue. Falënderojmë bashkëpuntorët e përhershëm dhe dashamirët e kësaj reviste të vogël që mban një titull të madh, atë të flamurit të Gjergj Kastriotit, të 28 Nëndorit 1443 dhe të 1912, dy data që iu sollën shqiptarve Lirinë…
“Kuq e Zi” i përshëndet të gjithë lexuesit e simpatizuesit e saj, në këtë përvjetor, me premtimin se do të vazhdojë të dalë e të përhapet me ato mundësi që kemi e do t’i kemi.
Përshëndetje!

Ma e bukura asht se 20 vjetori i revistës “Kuq e Zi” përkon me të njejtin muej tetor të vitit 2013 që asht edhe 100 vjetori e “Hyllit të Dritës” së Gjergj Fishtës…
Një rastësi apo një paracaktim hyjnor? Sidoqoftë për revistën “Kuq e Zi” ky asht një nder.
(Marrë nga revista “Kuq e Zi” nr.77 tetor 2013)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.