back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Hapja e Shkollave në Gjuhën Shqipe, 1941-1944 – Autor Ragip Gjoshi

Gazeta

Ragip Gjoshi
Ragip Gjoshi

Hapja e Shkollave në Gjuhën Shqipe, 1941-1944

Autor Ragip Gjoshi

Shtatëmbëdhjetë ditë pas sulmit të 6 prillit 1941, Jugosllavia kapitulloi dhe u pushtua e bashkë me viset e tjera edhe Kosova. Pas kapitullimit të Jugosllavisë së vjetër, Kosova, ndahet me vija të demarkacionit në mes pjesës që mbahej nën okupim italian dhe në zonën e okupimit gjerman. Gjermanët shtruan nevojën e ngutshme të ngritjes së pushtetit të ri, që nga shqiptarët e Kosovës u përjetua si çlirim. Mbi të gjitha, shqiptarëve u kthehej e drejta e shkollimit në gjuhën shqipe, botimi i librave në gjuhën shqipe. Shqiptarët rikthyen të drejtën për përdorimin e simboleve kombëtare, etj. Në Kosovë përsëri hapen shkollat në gjuhën shqipe. Arsimi fillor ishte pesëvjeçar dhe i detyrueshëm. Gjatë kësaj periudhe, përveç qindra shkollash fillore të porsahapura nisi punën edhe shkolla e mesme në Prishtinë. Të gjitha këto institucione, duke përfshirë edhe kurset pedagogjike për kualifikimin e mësuesve ndikuan në vetëdijësimin arsimor dhe kombëtar dhe në zbutjen e analfabetizmit dhe përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe. Gurthemelin e arsimit faktik në Kosovë e vuri shkrimtari Ernest Koliqi, atëherë Ministër i Arsimit. Kjo shtronte nevoja për kuadro të shkolluara shqiptare që do plotësonte një boshllëk të madh në këtë mjedis, ku mbi 90 % e popullsisë ishin analfabetë. Kështu filloi puna rreth organizimit të kurseve, seminareve dhe shkollave, të cilat do të punonin kryesisht në gjuhën shqipe.
Pjesa më e madhe e Kosovës iu bashkua Shqipërisë. Kjo qe një periudhë shumë e rëndësishme në historikun e zhvillimit të shkollave dhe të arsimit në gjuhën shqipe në Kosovë. Pjesa më e madhe e Kosovës iu bashkua Shqipërisë. Kjo qe një periudhë shumë e rëndësishme në historikun e zhvillimit të shkollave dhe të arsimit në gjuhën shqipe në Kosovë. Besoj se janë ilustrative vargjet që u recituan në disa tubime të atëhershme nëpër Kosovë, për atmosferën arsimore e kulturore dhe përkushtimin për gjuhën dhe letërsinë shqipe, si në vargjet: “Ti o dielli i Shqipërisë, Që lëshon rrezet e lirisë, Djem e vajza gjithë sa janë, Do ta mësojnë gjuhën tonë…” Kosova u nda në tri zona okupimi: italiane, gjermane dhe bullgare. Pjesa më e madhe e territorit të Kosovës në këtë periudhë i takoi zonës italiane të okupimit. Në sferën e shtrirjes së arsimit punohej në shumë fronte, me kursistë, me seminaristë dhe me të tjerët, që e mësonin me dëshirë gjuhën shqipe. Në vitin 1941 organizohen disa seminare tremujore për të gjithë ata që më parë kishin mbaruar shkolla në gjuhë të huaja, turqisht, arabisht e serbisht. Kështu, synimi ishte aftësimi i një pjese të kuadrit për administratë; ndërsa pjesa tjetër për mësues të gjuhës shqipe nëpër shkolla. Ligjëratat i mbanin mësuesit që kishin ardhur nga Shqipëria nga zona italiane e okupimit. Pas parapërgatitjeve të nevojshme, hapen edhe shkollat në gjuhën shqipe, të cilat punuan, me disa ndërprerje të vogla, nga viti 1941 e deri më 1944. Mësimet filluan në objektet e shkollave të ish-Jugosllavisë. Këto objekte ishin të pamjaftueshme, sepse dëshira për shkollim ishte e madhe, andaj filloi meremetimi i shtëpive dhe shndërrimi tyre në shkolla. Është me interes të thuhet se deri sa ata nuk ishin rregulluar mësimi u zhvillua edhe nëpër shumë xhami.

Ernest Koliqi (1903-1975)
Ernest Koliqi (1903-1975)

Ernest Koliqi, ministër i Arsimit, i cili dërgoi në Tokat e Lirueme (Shqipëri Irredentiste) rreth 600 mësues.
Rrethanat e reja kishin ndikuar shumë që përhapja e librit shqip te mësuesit e asaj kohe. Ishte krijuar frymë kur Abetaren dhe libra të tjerë shqip i kërkonin me ëndje edhe ata që nuk dinin fare shkrim lexim. Dëshira e zjarrtë për të pasur libra shqip u shtri në çdo shtëpi, madje edhe shumë hoxhallarë dhe imamë xhamish filluan të mësonin shkrim-leximin e gjuhës shqipe dhe kështu ata u aftësuan të lexojnë edhe të shkruajnë shqip. Për hapjen e shkollave në këto anë ka rëndësi edhe Qarkorja për inspektorët e arsimit. (Mbi mësimin e gjuhës në shkollat fillore), lëshuar nga Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, e 15 nëntorit 1940. Misioni arsimor i Koliqit si ministër i Mbretërisë Shqiptare, i cili për kryetar të Misionit të jashtëzakonshëm e emëroi Ali Hashorvën dhe Januz Blakçorrin, zv.kryetar dhe antarë: Shaban Arra, Zef Pali, Xhavit Nimani e Fadil Hoxha, si dhe Muharrem Musa, sekretar. Ky mision kishte hartuar program të veçantë të misionit të rëndësishëm. Kështu kryetari i këtij misioni të jashtëzakonshëm, studiues kompetent i nevojave arsimore të shkollës shqipe në Kosovë ishte angazhuar për të sjellë në Kosovë mësues me ndërgjegje të lartë kombëtare. Anë e kënd Kosovës u sollën afër 600 mësues shqiptarë, në disa kontigjente gjatë këtyre viteve, të cilët ndihmuan hapjen e shkollave shqipe dhe mësimin e gjuhës shqipe. Lidhur me realizimin e këtij misioni, Koliqi thotë se: “Në verën e vjetit 1941, dyqind mësues të Shqipnis së vjetër, (kështu e quante autori vendlindjen) u derdhën nëpër popullsi shqiptare të viseve të naltëpermendë. Kupës, i vunë themelet e arsimit kombëtar…” Disa nga këta mësues, shumica mbetën në Kosovë derisa me një vendim të mëvonshëm një numër i madh i tyre u dëbuan nga politika jugosllave. Në programet mësimore të kësaj kohe, gjuha shqipe kishte peshë dhe rëndësi të veçantë. Sa për ilustrim po shënojmë faktin se Gjuha shqipe si lëndë mësimore në klasën e parë mësohej në 14 orë në javë; zhvillim germash 4 orë në javë, shkrim e këndim (lexim) 5 orë në javë, rrëfime e kallxime 2 orë në javë, ushtrime të të folurit 2 orë në javë, recitacion, 1 orë në jave. Edhe në klasët tjera të shkollimit fillor, gjuha shqipe si lëndë mësimore kishte peshë për nga fondi javor i orëve dhe për nga përmbajtjet mësimore. Në klasën e dytë gjuha shqipe mësohej në 14 orë në javë, në klasën e tretë 14, të katërtën 13 dhe të pestën 13 orë në javë. Ja si iu drejtohej E. Koliqi drejtorive të shkollave fillore dhe të mesme në Viset e Lirueme: “Në fillim të vitit shkollor e shof me vend t’i japë këto porosi, të cilat jam i bindun se do t’i çmoni: Mos me u përzi në çashtje politike, fetare e minoritare; Mos me u përzi në çashtje lokale apo administratash tjera; Me u prue mirë me popull e me ja fitue zemrën këtij me punë të naltë, të zbatuem me mend e me themel si brenda si jashtë shkolle; me i trajtue nxanësit e nxanëset, me dashni atnore dhe në mënyrë ma të persosun të nji edukatori, tue i ndihmue me durim që të kapërcejnë vështirësinat e fillesës e veçanarisht me mësimet e para. Me jetën e juaj private të rregull e të ndershme, të jeni shembull ma i posaçëm e vetive burrnore të shqiptarvet të kulturuem. Kam besim të plotë se me vullnet të pathyeshëm do t’ju delni në krye punës që ju kam besue.”
Për të ilustruar përkushtimin e Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë për arsimin në Kosovë, flet më së miri përmbajtja e Qarkores, me disa udhëzime për edukatën patriotike të nxënësve në shkollën fillore, të 15 marsit 1944, ku vihet re se tashmë ministri është tjetër (Koço Muka), por qëllimi është i njejtë. Këto udhëzime synonin të krijonin atmosferë ku nxënësit shqiptarë të fitojnë ngritje të vetëdijes kombëtare duke bërë thirrje për mësimdhënësit që mos të kufizohen veç në orët e rregullta mësimore. Për të mbjellur e forcuar edukatën dhe ndërgjegjen kombëtare me këto udhëzime kërkohej që: Në periudhën e ulët (Cikli i ulët i shkollimit) të mësohen: Vjershat e thjeshta me frymë kombëtare të përshtatshme për të vegjël; Këngë të lehta patriotike të mësueme me kujdes; kallxime të thjeshta ngjarjesh kombëtare të prrallëzueme e të paraqituna gjallënish prej mësuesit; kallëzime të thjeshta rreth jetës e veprave të njerzvet të permendun të historis lokale dhe historis kombëtare; legjenda në lidhje me vende e objekte me vlerë historike, që gjenden në krahinën ku vepron shkolla dhe Manifestime e zbukurime klasësh për ditët e festave kombëtare. Po ashtu edhe për nxënësit e për periudhën e naltë (ciklin lëndor) jepeshin udhëzime të gjata, të përmbledhura në shtatë kapituj të rëndësishëm, që të gjitha me theks të veçantë në ndërtimin e ndjenjës sa më të fuqishme atdhetare tek nxënësit. Lidhur me zhvillimet arsimore në Kosovë njoftohej përherë Ministria. Në një raport të 25 korrikut 1941, mbi aktivitet arsimore misioni i jashtëzakonshëm raportonte për ministrin E. Koliqi, se “Sapo arritëm në Kosovë, e hecëm tanë Kosovën, si pjesën e pushtueme prej trupave italo-shqiptare, ashtu edhe atë prej gjermanëve, e erdhëm në kontakte me autoritet lokale dhe me popullin për t’i caktue qendrat e kurseve dhe numrin e nxansave për secilin kurs të gjuhës shqipe.” Ishte kjo kohë kur intensivisht në gjithë Kosovën organizoheshin kurse të gjuhës shqipe dhe forma tjera të arsimit të të rriturve. Në këto kurse mësohej gjuha shqipe-shkrim-leximi dhe historia e Shqipërisë, mësoheshin vjersha, recitime, dramatizime dialogjesh, këngë dhe gjimnastikë. Kuadri mësimor që punonte në këto kurse verore paguhej mirë nga Ministria e Arsimit në Tiranë. Në mesin e mësuesve të spikatur të kohës përmendim Ibrahim Fehmiun, i cili në një fjalim të mbajtur, në Prizren, para se të fillojë mbajtja e kursit, në mes të tjerash theksoi se: “Sot filloi një kohë e re për historinë kombëtare… Kosovës i duhen njerëz të zotë, të ndershëm, të pathyeshëm… Sot për sot… është përhapja e dritës së arsimit në të gjitha strukturat e kombit shqiptar. Lufta kundër padijes është luftë e përgatitjes së rinisë shqiptare për t’u bërë të denjë për emrin e madh të kombit shqiptar… brenda një kohe të shkurtër arritën për t’u mësuar shkrim-leximin e Gjuhës së ëmbël shqipe, jo vetëm fëmijëve por edhe të rriturve. Vetëm në qytetin e Prizrenit ishin përfshirë në kurset verore 1.200 fëmijë të moshës 7-12 vjeçare, nxënës, liceistë, studentë universitarë, zejtarë dhe njerëz të popullit.” Kurse tremujore për zhdukjen e analfabetizmit organizoheshin anekënd Kosovës. Ato mbaheshin për ata që nuk dinin shkrim e lexim, moshash të ndryshme. Në këto kurse zhvilloheshin këto lëndë mësimore: gjuhë dhe letërsi shqipe (shkrim, lexim, ushtrime të të folurit, vjersha), aritmetikë, këngë kombëtare, histori dhe këshilla higjenike. Kurset ishin për analfabetë, gjysëmanalfabetë, për mësimin e gjuhës shqipe, për nëpunësit administrativë për të rritur mësuan shkrim-leximin e gjuhës shqipe 15.300 të rritur dhe 12.500 nxënës të shkollave fillore.

Mësimdhënia e Gjuhës Shqipe në Kosovë
Mësimdhënia e Gjuhës Shqipe në Kosovë

Sipas dëshmive të kohës gjuha shqipe filloi të mësohej gati edhe në të gjitha medresetë, dhe kurse për gra. Vetëm gjatë vitit 1941 këtë punë madhore e kryenin mbi 150 mësues të ardhur nga Shqipëria dhe 27 mësues nga Kosova. Ky potencial arriti për këto vite t’ua mësojë shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe mbi 28.000 vijuesve të të gjitha moshave. Ndërsa në vitin 1942/43 në shkollat fillore të Kosovës vepruan 179 kurse për të rritur, në të cilat i mbajtën 17.165 orë mësimore 179 mësues të shkollave fillore. Për çdo vit shtohej nevoja për begatimin e përmbajtjeve programore të punës edukativo-arsimore. Po ashtu për shkak të rritjes së nevojave për kuadër arsimor në Kosovë u hapën kurse pedagogjike gjatë verës 1942. Plani mësimor për këto kurse pedagogjike kishte këto lëndë mësimore: gjuhë shqipe 9 orë në javë, histori e gjeografi të Shqipërisë 4 orë në javë, këngë 2 orë, Psikologji 2 orë, pedagogji 4 orë, didaktikë e përgjithshme -didaktikë e veçantë (metodikë) 5 orë në javë, ushtrime praktike (praktika mësimore 12 orë në javë), (8 orë hospitime, 2 orë punë e pavarur e kursistit, 2 orë analizë e kritikë për hospitimet). Provimet përfundimtare mbaheshin para katër komisioneve veç e veç. Në Mitrovicës, më 26 mars të vitit 1942 arrihet një Marrëveshje, me të cilën veç të tjerash thuhet “u arrit marrëveshja që të gjitha shkollat të fillojnë menjëherë nga puna. Të hapen shpejt shkollat dhe gjimnazet për fëmijët shqiptarë. Ishte ky një akt, ku zyrtarisht u legalizua shkolla dhe arsimi shqip në pjesën e Kosovës që ishte nën okupimin gjerman, që solli hapjen e shkollave edhe në fshatrat më të thella malore. Gjatë viteve 1941-1944 në Kosovë kishte arritur të ketë një shtrirje të gjerë rrjeti shkollor më të zhvilluarin, përkundër pasojave të së kaluarës së rëndë. Shqiptarët e Kosovës iu përveshën punës me zell për sigurimin e lokaleve për shkolla, dhe për kuadrot që do të punonin në shkollat e sapohapura. Ndonëse ishte një gjendje e rëndë ekonomike e trashëguar, nuk kurseheshin as paratë e as puna vullnetare. Sipas Beqir Bajraktarit, edhe pleqtë e asaj kohe, gjatë ndërtimit të objekteve shkollore pohonin se: “Ne po e mbarojmë kronin e dijes, ku uji i dijes nuk do të shterret kurrë. Këtu uji do të jetë i pastër si loti dhe do të rrjedhë vetëm shqip. Këtu edhe zogjtë e malit do të knojnë veç shqip…!”
Ishin të pamjaftueshme objektet shkollore të ish-Jugosllavisë. Në shkollat qe ndërtoheshin përveç lokaleve të mësimit, kishte edhe lokale banimi për mësuesit. E rëndësishmja ishte që në to grumbulloheshin nxënësit dhe shkolloheshin në gjuhën amtare. Kudo nëpër shkollat e kësaj periudhe me rasin e festave kombëtare pranë tyre zhvilloheshin aktivitete të shumta kombëtare; akademi, që fillonin me këndimin e himnit kombëtar për të vazhduar pastaj me shfaqjen e programeve të larmishme siç ishin recitalet, skeçet e deri te koncertet, përgatitur nga nxënësit dhe arsimtarët. Ishte shumë e theksuar në këto programe recitimet e vjershave me përmbajtje patriotike. Shkollat e kësaj periudhe përshkonin fund e krye një frymën e patriotizmit. Mësohej për kombin, për flamurin, për vendlindjen, për Atdheun. Ish nxënësit e shkollave të kësaj kohe tregojnë edhe sot se mësimi gjithmonë fillonte dhe mbaronte me këndimin e himnit të Flamurit. Kështu zhvillohej ndjenja e atdhedashurisë, krenarisë kombëtare, zhvillohej dashuria për njëri-tjetrin. Një vëmendje e veçantë u kushtohej luftërave të pareshtura të popullit shqiptar për pavarësi. Në këto shkolla, lartësohesin personalitetet e shquara të Lëvizjes sonë kombëtare si: Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Shotë dhe Azem Galica, si dhe shumë personalitete të ndritura të kësaj periudhe. Si e gjithë historia e zhvillimit të arsimit në Kosovë edhe kjo periudhë kaloi nëpër kushte specifike, e të vështira. Mungesa e mësuesve ishte nga problemet më serioze. Dyert e shkollave të Kosovës të parët i hapën mësuesit që erdhën nga Shqipëria. Ardhja e mësuesve nga Shqipëria në Kosovë kishte filluar qëmoti në periudha të ndryshme. Fillimisht, gjatë viteve 1915-1918 erdhi me një numër simbolik, për t’iu shtuar dukshëm gjatë viteve 1941-1944 dhe për të vijuar më së shumti gjatë viteve 1946-1948. Vështirë të jepet me saktësi numri real, por besohet se numri i përgjithshëm kalonte numrin 700. Dinjitetshëm pranon botërisht rolin e madh të Ernest Koliqit, si ministër, poeti e studiuesi Martin Camaj, në parathënien e librit të novelave të ish ministrit, duke dhënë vendin e dinjitetshëm kësaj etape historike dhe duke vlerësuar lart kontributin e tij për arsimin e Kosovës, kur ai në mes tjerash shkruan se “…në kohë të vështira si ishte Lufta e Dytë Botërore, la gjurmë të pashlyeshme në arsimin kombëtar, në organizimin e shkollave dhe në pajisjen e tyne me tekste, për të parën herë trajtuar me kritere moderne, ndërsa qysh tash historia ia njeh se Koliqi mori guximin me përgjegjësi personale të themelojë shkolla shqipe në Kosovë… ” Për kontributin e E. Koliqit në hapjen e shkollave shqipe në Kosovë, Tahir Zajmi në veprën e tij “Tallazet e jetës dhe lotët e zemrës”, për profesor Koliqin pohon se: “…Pas shkatrrimit të Jugosllavisë së Karagjorgjeviqëve, në vjetin 1941, një ushtri i arsimtarësh shqiptarë u hodh në tokat e lirueme për të hap shkollat shqipe, të cilat, edhe mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botënore, nuk u mbyllën ma dhe vazhdojnë me dhanë frytin fatbardhë të farës së hedhur, tue prodhue me qinda e qinda të rij diplomuem në fakultetet e ndryshme dhe mija maturant nga shkollat e mesme… E merita kryesore e kësaj veprimtarie patriotike të qeverisë shqiptare, pa dyshim, i përket Ministrit të Arsimit të asaj kohe, prof. Ernest Koliqit, i cili, me vullnetin dhe me shpirtin e nji idealisti, nuk kursen energjitë e tij dhe mjetet shtetnore që kishte në dispozicion për ta pajisë sa më mirë aparatin arsimues në viset e lirueme me element të shëndoshë, që i dhanë hov e gjallni shkollës shqipe…” Ngjashëm vlerëson edhe studiuesi Musa Kraja, i cili në mes të tjerash, pohon se “…brenzitë e reja donin shkolla e mësues edhe në ato vite të vështira gjatë të cilave u vendos të dërgohen në Kosovë e në vise të tjera shqiptare, rreth 400 mësues. Ndërkaq nga dëshmitë e gjetura në dokumentacionin e Arkivit të Historisë të Kosovës, argumentohet për një numër shumë të madh të mësuesve. Kur, Jugosllavia titiste, në vitin 1948, prishi marrëdhëniet me ish-BRSS dhe vendet e Evropës lindore, dhunshëm dëboi nga Kosova 714 mësimdhënës të ardhur nga Shqipëria. Këta mësues zëvendësoheshin me mësues serbë e malazes, pjesa dërrmuese e tyre mësues të pakualifikuar.

Shkolla Fillore Suharekë viti 1942-1943
Shkolla Fillore Suharekë viti 1942-1943

Mësimdhënësit e ardhur nga Shqipëria kanë merita të madha në organizimin e shkollave dhe të arsimit. Ata ndihmuan edhe përgatitjen e kuadrit arsimor të kësaj treve, sidomos te mësuesit e Kosovës që më parë kishin mbaruar shkolla të huaja, serbisht apo turqisht, por ndërkohë kishin mësuar edhe gjuhën shqipe. Mësuesit e kësaj periudhe punuan në shumë fronte; me nxënës dhe të rritur, në kurse dhe seminare, me vajza e djem, në shkolla të ditës dhe të natës. Kudo që punuan, ata e mbollën idenë kombëtare, por gjeneratat e reja i pajisën edhe me njohuri shkencore. Ja si e pasqyronte kontributin e tyre patrioti edhe profesori, Zekrije Rexha, duke shprehur mirënjohje për mësimdhënësit e kohës: “Një përmendore titani zulmëmadhe, syntezë virtytesh Shqiptarije, të pakurrkund shoqe, ngrohet lavdishëm, n’altarin e martirërve t’u, djelmëni kosovar! Ruaje, amanetin, nga prisi yt martir… parimin “Shqipninë mbi të gjitha” e shkruej me gjak, po të jetë nevoja…” Këtë amanet e quan në vend mjaft mësues të mëvonshëm, të cilët u martitizuan për gjuhën, shkollën dhe qenien tonë kombëtare, si: Gjon Sereqi, Bedri Pejani, Ibrahim Lutfiu, Haki Taha, Fazli Grajçevci, etj. Kurse në veprën e prof. Musa Krajës këta mësimdhënës marrin epitete të larta, sepse: “Mësuesat, këta apostuj të palodhshëm t’idealit kombëtar, kanë organizuar, ndër të gjitha qendrat të mëdha dhe të vogla, kurset e para, natë e ditë, të gjuhës amtare. Populli, pa dallim moshe dhe seksi, ndjek rregullisht kurset, në masa gjithnjë më të shumta dhe kompakte e, si në fillim ashtu edhe në mbarim të mësimeve, shpërthen vala e hymneve kombëtare.” Ishte kjo kohë kur gjuha shqipe si lëndë mësimore kishte marrë vendin qendror në programet shkollore dhe kur atdhetarizmi përshkonte çdo sferë të jetës. Madje disa shkolla u pagëzuan emrat e heronjve tanë kombëtar dhe të atdhetarëve e figurave të kombit. Shkollat e fshatrave ishin kryesisht katërklasëshe, ndërsa nëpër qendra në fillim ishtin pesëklasëshe. Në klasën e parë mësoheshin këto lëndë: Gjuhë shqipe, artimetikë, vizatim, fiskulturë dhe këngë. Në klasën e dytë mësoheshin këto lëndë: Gjuhë shqipe, artimetikë, mësim feje, vizatim, fiskulturë, këngë. Në klasën e tretë: Gjuhë shqipe, artimetikë, ta njohim botën, bukurshkrim, vizatim, mësimi i fesë, fiskultura dhe kënga. Në klasën e katërt: Gjuhë shqipe, vizatim, këngë, bukurshkrim dhe mësimi i fesë.
Gëzimi i shqiptarëve të Kosovës për shkollat ishte i madh. Ata shpreheshin troç se “Më parë se turqisht, kam folur shqip. Këtë gjuhë ma ka mësuar nëna. Mungesa e shkollave shqipe bën që ne më parë mësojmë të shkruajmë, të lexojmë në gjuhë të huaja. Por, ja ashtu, erdhi dita që edhe ne të mësojmë në gjuhën tonë”. Nxënësit mbështeteshin kryesisht në fjalën e gjallë të arsimtarit. Shumë prej tyre mësonin përmendsh. Kishin pak njohuri rreth tipeve të organizimit të orës së mësimit. Madje, aktivizimi i nxënësve në mësim nuk bëhej sipas kërkesave pedagogjiko-didaktike, hartime dhe provime me shkrim bëshin shumë rrallë. Gabimi më i madh metodik që vihej re në atë kohë, ishte se mësimdhënësit aktivizonin kryesisht nxënësit e zgjuar.

Marrë nga Ragip Gjoshi, “Mësimdhënia e gjuhës shqipe në Kosovë” (Nga Rilindja Kombëtare deri në ditët e sotme), tezë e doktoratës e mbrojtur në Universitetin e Tiranës, 2015. 
Përgatiti për botim Agim Morina 

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.